Nga Xhafer SHATRI
Hebrenjtë si model
Mërgimi dhe mërgata në literaturën tonë politike janë temë e paprekur; ani se shumë ngjarje e rrjedha historike të shqiptarëve janë nisë e janë përkundë Anës së Lumenjve.
Ne jemi ndër popujt e paktë që shumica jetojnë jashtë atdheut. Prandaj fati ynë historik më së shumti gjason me atë të hebrejve, irlandezve, armenëve, palestinezve, kroatëve…
Gjithsesi më i njohuri nga të gjithë është fati i hebrenjve që ka gjurmë e dokumente të prekshme që nga terri i historisë, këtu e 4000 vjet më parë.
1. Hebrenjtë, historia, kujtesa dhe shtetformimi
Thelbi i historisë së hebrenjve është në himnin e Izraelit dhe lidhet me një fjalë të vetme si shtyllë kuptimi e mbijetese: SHPRESA, që në hebraisht quhet Hatikvah:
Për sa kohë në zemër rreh
shpirti hebraik,
dhe drejt Lindjes, përtej,
syri shikon kah Sioni,
ende nuk është shuar shpresa jonë,
shpresa dymijëvjeçare:
të jemi një popull i lirë në tokën tonë…
2.
Rreth 2000 vjet para epokës së re, Abrahami u vendos në Kanaan, një territor që nuk ishte shtet unik, por një mozaik shtetqytetesh që shtriheshin në këta kufij që njihen sot si:
Libani jugor (deri te qyteti Sidon), në veri;
Negevi dhe Gadishulli i Sinait verior, në jug;
Deti Mesdhe në përendim; dhe
Lugina e Jordanit me zonën përtej tij në lindje.
Hebrenjtë, këtë territor përmes kujtesës së tyre të ngulitur thellë e quajtën Tokë e premtuar me Sidonin si qendër orientimi për vetëdijen e tyre nëpër shekuj. Sipas kësaj kujtese të kultivuar me mijëra vjet, në këtë Tokë rridhnin tambli e mjalti.
Mirëpo, pas disa shekujsh, skamja e skajshme që, në libra të shenjtë, shpjegohet mjegulltas si egërsim i perëndive, jo pak syresh i detyroi t’ia mësyejnë Egjiptit, ku ndejtën mbi 400 vjet.
Rreth vitit 1300 para Epokës së Re (p.e.r), jevrejtë të udhëhequr nga Moisiu, u kthyen në Tokën e premtuar. 300 vjet më vonë u themelua Mbretëria e bashkuar e Izraelit me kryeqytet Jerusalemin.
Njëri prej mbretërve më të shquar ishte Davidi.
Në këtë kohë u ndërtua Tempulli i Parë (i Solomonit).
300 vjet më vonë, asirianët ua shkatërruan jevrejve mbretërinë;
3.
Në vitin 586 p.e.s., babilonasit e pushtuan dhe e shkatërruan Jerusalemin bashkë me Tempullin e Parë, të Solomonit; me ta shkelur vendin, Babilonasit i deportuan elitat e Izraelit në Babiloni: mbretin, fisnikët, zanatçinjtë… Kjo u bë me qëllim që populli i shkokëzuar të mos mund të organizonte as qëndresë, as kryengritje.
Pas disa vitesh vala tjetër e deportimit masiv drejt Babilonisë, mori përmasa dramatike të gjenocidit. Ishte diçka e ngjashme si ajo që bëri Serbia në Kosovë në vitet 1998-1999, zhvendosja masive e popullsisë nga trojet etnike.
Kjo ishte zhbërja e një popullit dhe zbatohej me dekretin perandorak: Nebukadnetsari.
Realisht në Babiloni formësohet diaspora hebraike dhe ushqehet shpresa për t’u kthyer në Tokën e premtuar.
Kthimi u bë i mundshëm kur Persia e pushtoi Babiloninë dhe lejoi kthimin në atdhe të popujve të dëbuar…
Kjo u bë në disa valë dhe në mënyrë të organizuar e të udhëhequr nga prijësit politik dhe religjioz.
Kthimi mundësoi ndërtimin e Tempullit të Dytë (516, p.e.r.)
Por nuk u kthyen të gjithë, sepse shumë familje duhej të hiqnin dorë nga gjithçka që kishin krijuar disa gjenerata.
Dhe pikërisht në këto rrethana u kristalizua diaspora hebraike: e bashkuar rreth fesë, duke ruajtur me fanatizëm identitein dhe duke ushqyer shpresën për ditë më të mira.
Ky ishte kulmi i vetëdijes dhe organizimit për mbijetesë me në thelb aftësinë e përshtatjes rrethanave: me i pasë dy atdhe, atë që ishte real dhe atë tjetrin të shpresës e të ëndërrave.
4.
Pushtimi i Jerusalemit nga Roma, në vitin 63, p.e.r, shkaktoi kryengritje të përgjakshme e zinxhir me pasoja katastrofike për jevrejtë. Shkatërrimi i Tempullit të Dytë e më vonë edhe shuarja definitive e shtetit hebraik shkaktoi valën tjetër të ekzodit që zgjati 2000 vjet dhe vërshoi krejt planetin.
Përndjekjet, krimet dhe mbijetesa e jevrejve në rrethana të një persekutimi mizor mori përmasa biblike.
Këto vuajtje u përjetësuan në përmendore përmes veprash artistike që mbetën kulmi i krijimtarisë së njerëzimit.
Ndër më të njohurat ështe romani i Danilo Kish, jevrej i Malit të Zi, «Grobnica za Borisa Davidoviqa» romanet e nobelistit Isak Beseviq Singer, ditari i Ana Frank dhe plot vepra e krijues që i bëjnë hebrenjtë popull parësor e me shumë ndikim në botë.
Persekutimi arriti kulmin në Mesjetë, me epiqendër Spanjën.
Asokohe shtetet evropiane sidomos i patën stërvitur edhe qentë që gjatë kalimit nëpër kufij t’i identifikonin hebrenjtë duke ua gjetur në plaçka Talmudin, librin e shenjtë, që e ruante si shenjtni çdo familje.
Sipas një tradite mijëravjeçare, për t’u ruajtur dhe brez pas brezi, kopertinat e Talmudit mbështilleshin me një dyll të veçantë që vjetërsia ia sajonte një erë të posaçme. Pikërisht këtë erë të pashmangshme e gjurmonin qentë.
5. Ka terr, por ka edhe dritë
Gjithë kjo përvojë e vuajtje kolektive kolosale, kristalizoi elita të qëndrueshme hebraike në të gjitha pikëpamjet dhe segmentet e jetës së një populli të shkelur, të shtypur dhe të keqtrajtuar mizorisht.
Në thelb ishte Shpresa Himnore: me u kthy në tokën e të parëve si qytetarë të lirë.
Kongresi sionist i Bazelit, më1897, i udhëhequr nga Theodor Herzl dhe të tjerat me radhë e vunë në binar një projekt madhor, që as Holokausti që ua hëngri kokën 6 milionë jevrejve, nuk mundi ta ndalte.
Më 15 maj 1948, Izraeli e shpalli Pavarësinë dhe, me kohën, u bë njëri prej shteteve më të fuqishme e më të zhvilluara në botë.
Çdo gjë u bë jashtë, nga diaspora, dhe u soll në Atdhe, si projekt i detajuar: me strategji, me institucione, me ushtri, me shërbime sekrete, me diplomatë të formuar, me banka, me ministri; me njerëz, me gjithçka.
Në fund, nuk mund të mos e them me trishtim që një Popull, njëherësh ndër më të vegjlit e më të mëdhenjtë në botë, sot, pas të gjitha atyre hjekave, ia lejon vetës t’ia bëjë një populli tjetër (Palestinez) që fundja, e ka vëlla, krejt ato që ua kanë bërë të tjerët hebrenjve gjithandej nëpër botë dhe mbi 40 shekuj rresht.
Deri breg Humnerës së Shfarosjes.
6.
Në fund lexuesve me sqimë, atyre që e duan thelbin bio, ua sygjeroi librin e oficerit të njohur të Mosadit, Leon Uris, «Ekzodi» që është historia më e lexuar e Izraelit dhe abetarja e luftës për territore.
Ai politikan shqiptar që nuk e ka lexuar këtë libër me laps në dorë, ai nuk meriton të hyjë në intitucionet shqiptare as si vizitor.
