Nga Dr. Selim IBRAIMI
Zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë kanë shkëmbyer deklarata të ashpra në selinë e OKB-së në Nju -Jork. Akuzat e ndërsjella tregojnë se të dy vendet janë larg çdo marrëveshjeje.
Poashtu në takimin e fundit në OKB, ndodhi dhe diçka tjetër; përfaqësuesit e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe mbështetën Kosovën dhe kërkuan në një farë mase largimin e misionit të UNMIK-ut nga Kosova.
Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshilin e Sigurimit të OKB-së Tammy Bruce tha se UNMIK-u ka arritur në fund të rrugës. Kushtet, aftësitë e institucioneve dhe prania e aktorëve të tjerë tregojnë të gjitha për këtë.
“Nuk ka asnjë justifikim për ta trajtuar Kosovën në vitin 2026 sikur të ishte ende Kosova e vitit 1999”.
Në ndërkohë, përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në OKB-së Jennifer MacNaughtan tha se Britania e Madhe si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, inkurajon ata anëtarë të OKB-së që ende nuk e kanë njohur këtë të bashkohen me shumicën.
“Siç e bëri të qartë GJND-ja, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Britania e Madhe e mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës si një demokraci gjithëpërfshirëse dhe shumëetnike”.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në mënyrë konstruktive përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Këshilli i Sigurimit duhet të sigurojë që misioni i UNMIK-ut të jetë i shkathët, efikas dhe i përshtatshëm”, tha ajo.
Gjithashtu ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca gjatë diskutimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deklaroi se Beogradi duhet të ta pranojë realitetin e ri.
“I bëjmë thirrje Serbisë që të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, dhe të mos e mbajë shoqërinë e saj dhe të gjithë rajonin peng të aspiratave për të rifituar hegjemoninë rajonale”.
Kundër SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Kosovës ishin Rusia, Kina dhe Serbia.
Kështu përfaqësuesi i Rusisë në Këshilin e Sigurimit të OKB-së Vasily Nebenzya u ankua për nismën ushtarake në mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke përmendur dhe fabrikën e municioneve në Kosovë.
Më tej ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç tha se serbët në Kosovë përballen me diskriminim. Ai paralajmëroi për një “eksod serb”.
Përkundër vërejtjeve të Uashingtonit dhe Londrës për sa i përket misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Kina, Rusia dhe Serbia ishin në favor të vazhdimit të punës së misionit ndërkombëtar.
Peter Due, përfaqësues special dhe shef i UNMIK-ut bëri thirrje për dialog të vazhdueshëm dhe ndërtim besimi. Ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca shfaqi rezerva ndaj fjalimit të përfaqësuesit të misionit ndërkombëtar.
Ai nënvizoi aktivitetin e dobët të UNMIK-ut në pasqyrimin jo të mirë për sa i përket rastit të Banjskës së vitit 2023.
Gazeta “PoliticoEurope” ka raportuar se Serbia përballet me humbjen deri në 1.5 miliardë eurove nga fondet e BE-së. Komisioni Evropian (KE) po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së financimit për shkak të përparimit jo të mirë demokratik dhe lidhjeve të ngushta të Serbisë me Rusinë.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, ka takuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Londër. Kryeministri Albin Kurti gjatë një konference të mbajtur në Londër tha se Serbia mban afër Kosovës disa dhjetra baza ushtarke.
“Nuk ka arsye për shumë relaksim, sepse Serbia është një “proxy” i Rusisë dhe atje janë 48 baza operacionale përreth kufirit të shtetit tim. Të gjitha janë në atë që quhet zonë e sigurisë e NATO-s. Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, në Beograd. Qendrat Rajonale të “Russia Today” dhe “Sputnik” për Ballkan janë po në Serbi”, tha ai.
Në ndërkohë i dërguari special i BE-së për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë Peter Sorensen u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryenegociatorin Petar Petkoviç për të diskutuar për dialogun me Prishtinën.
Presidenti Vuçiç ka theksuar angazhimin e Serbisë për dialog si e vetmja rrugë e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, përfshirë formimin e
Asociacionit të Komunave Serbe (AKS).Kosova dhe Serbia kanë filluar një proces dialogu që nga viti 2013, por pa rezultate konkrete.
Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 në mes të dyja shteteve nuk është plotësuar nga Beogradi në asnjë pikë.
Serbia po bën presion nëpërmes pakicës etnike në Kosovë dhe lobimit të formojë AKS-në.
EULEX-i (2008) dhe UNMIK-u (1999) pavarësisht kritikave nga shtetet anëtare dhe vetë pala kosovare, do të vazhdojnë misionin për një kohë.
Në anën tjetër, SHBA-ja mendon që disa baza ushtarake në shtetet që nuk e mbështeten në luftën ndaj Iranit të largojë personelin dhe bazat ushtarake. Ballkani dhe disa shtete të ish- bllokut komunist përfshirë këtu dhe Kosovën janë një ndër vendet ku SHBA-ja mund të rivendosë bazat.
Kosova do të duhej të shfrytëzonte këtë rast për të përmirësuar prestigjin ndërkombëtar.
Mbështetja amerikane dhe britanike në Nju-Jork ishte një moment që duhet vazhduar në Kosovë me forcimin e institucioneve, vazhduar dialogun me serbët lokalë dhe zvogëluar përfundimisht ndikimin e misioneve ndërkombëtare.
Që të jemi të qartë, për të zvogëluar ndikimin e organeve ndërkombëtare qeverisëse sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, Kosova duhet të punojë shumë, duke përfshirë këtu qeverinë dhe opozitën.
