Nga Korab BLAKAJ
Bashkëveprimi politik mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Edi Ramapo shfaqet gjithnjë e më hapur si një projekt interesash personale, larg të qenit vizion shtetëror.
Sjellja e tyre e fundit nuk prodhon unitet kombëtar, as qartësi institucionale, përkundrazi, ajo nxjerr në pah një nivel shqetësues të ulët etik dhe juridik.
Kryeministri Edi Rama,veprimet dhe qendrimet politike të të cilit e kanë denigruar si figurë në sytë e shqiptarëve të Kosovës, po kërkon rehabilitim politik dhe kombëtar para opinionit publik në Kosovë, ndërsa zonja Osmani po shndërrohet në zëdhënëse të një propagande zgjedhore të sertë, të mbështetur më shumë në kokëfortësi sesa në argumente. Tendenca e saj për ta paraqitur „pranueshmërinë“ ndërkombëtare si vlerë për lidership, për udhëheqje dhe rizgjedhje dhe „kokëtimi“me Ramën për votat e PDK së, nuk tregon asgjë tjetër përveçse boshllek politik dhe tentim instrumentalizim politik.
Por problemi është më i thellë. Rama, së bashku me Richard Grenell, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić, kanë qëndruar prapa një projekti politik që synonte ndarjen e Kosovës. Indinjata e sotme e Ramës për “parandalimin e ndarjes” duhet dëgjuar me kujdes: ajo nuk ka asgjë parimore, por thjesht zhgënjim të madh politik.
Rama vazhdon të vuajë faktin se „ dikush“ e parandaloi nënshkrimin e këtij projekti në Washington. Ky dështim nuk u harrua dhe as nuk u pranua. Përkundrazi, ai shpjegon shumicën e lëvizjeve të sotme politike të kryeministrit shqiptar.
Kur një politikan punon sistematikisht për ta rikthyer Kosovën në “tavolinën ndërkombëtare”, nuk po e forcon shtetësinë e saj ,por po e relativizon atë. Dhe kjo është pikërisht ajo që i shërben Serbisë. Fjalitë, deklaratat dhe narrativi i Ramës në dukje spontane, në fakt janë porosi politike që përputhen në mënyrë të frikshme me interesat e Vuçiçit dhe Grenellit.
Pozicionin e Ramës,ironikisht ,e ka artikuluar më së qarti një zë i jashtëm. Gazetari gjerman Michael Martens, korrespondent i Frankfurter Allgemeine Zeitung për Ballkanin, ka shkruar në platformën X:“Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga Nikola Pashiq.”
Ironi e ftohtë politike ,një kritikë e vërtetë dhe drejtpërdrejtë ndaj rolit dhe qëndrimeve të Ramës në raport me Serbinë. Dhe ironia, siç ndodh shpesh, thot më shumë se çdo analizë diplomatike.
Në këtë kontekst, lëvizjet e sforcuara të Ramës drejt drejtësisë ndërkombëtare, deklaratat e tij për gjykatat, thirrjet e tij publike drejtuar Presidentit Trump, për të ndikuar vendimarrjen në Hagë, janë përpjekje për të fshehur përgjegjësinë politike dhe historike për një projekt që dështoi por që nuk është braktisur kurrë plotësisht.Mos vallë i ka harruar thirrjet dhe angazhimet e tij publike dhe politike, nxitjet e tij për themelimin edhe të Gjykatës Speciale në Hagë!?
T’i kërkosh presidentit amerikan të ndikojë në të është, në thelb, pranim se drejtësia shihet si mjet, jo si vlerë.Problemi shkon thellë.Rama flet në emër të demokracisë perëndimore, ndërsa praktikon logjikën lindore të telefonit politik mbi gjyqtarin. Një kërkesë e tillë publike nuk i ndihmon as të akuzuarit, as Kosovën, as besueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi, i dëmton të gjitha.
Dhe kot,kërkesa e tij nuk do ta arrijë as synimin real të saj; hedhjen hi syve shqiptarëve në Kosovë dhe rehabilitimin e tij kombëtar!
