Kryeministri Albin Kurti: “Unë kurrë nuk kam qenë ‘rebel pa kauzë’, gjithmonë kam pasur një qëllim. Sot jam një kryeministër me një qëllim.”
Në një intervistë me NZZ, Kurti diskuton ndikimin e situatës gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor – dhe vizionin e lidhjes së Kosovës me pjesën tjetër të Evropës
Georg Häsler [25.02.2026]
Ju keni fituar një mandat të ri – me mbi 50 përqind të votave. Kjo ishte një surprizë e vërtetë, z. Kurti.
Ne kemi arritur fitoren tonë më të madhe zgjedhore deri më sot. Ndihem jashtëzakonisht i mbështetur nga populli. Por kjo sjell me vete edhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ky mandat është, nga njëra anë, një mandat për siguri dhe mbrojtje – nga ana tjetër, dua të investoj.
Ku?
Ne do të ndajmë një miliard euro për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë – përmes garancive dhe investimeve shtesë në vende pune – dhe një miliard euro shtesë për mbrojtjen kombëtare. Brenda këtij kuadri, ne do të krijojmë një fondacion industrial, duke përfshirë një fabrikë municionesh në Gjakovë. Një stadium i ri kombëtar me 8,000 vende është planifikuar gjithashtu, pasi Kosova do të jetë bashkë-organizatore e Lojërave Mesdhetare 2028 me partnerët e saj evropianë.
A nuk do të ishte energjia më urgjente? Dy termocentralet me qymyr pranë Prishtinës janë ende në funksion dhe kontribuojnë në cilësinë e dobët të ajrit.
Ne po kryejmë një studim fizibiliteti për një lidhje gazi me Evropën. Ne kemi rezerva të mëdha qymyri që aktualisht ofrojnë ngarkesën bazë për prodhimin tonë të energjisë. Megjithatë, ne duam ta eliminojmë gradualisht qymyrin në planin afatgjatë. Gazifikimi është vetëm një zgjidhje kalimtare. Paralelisht, ne po përqendrohemi në energjitë e rinovueshme. Gjithashtu duam të ndërtojmë linja hekurudhore…
…Po mban një orë SBB, apo jo?
Po, më pëlqen shumë kjo orë. Është një dhuratë nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe ish-Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Alain Berset.
Por a është kjo gjithashtu një shenjë se doni të investoni veçanërisht në hekurudhë?
Po. Hekurudhat janë të gjelbra dhe të sigurta. Ne duam të krijojmë një lidhje hekurudhore midis Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtines dhe kryeqytetit të Prishtines. Ne e dimë se ka 27 fluturime direkte midis Prishtines dhe Zvicrës gjatë muajve të verës, korrik dhe gusht – për në Bazel, Cyrih dhe Gjenevë.
Hekurudha gjithashtu mund të përmirësojë lidhjet ndërkombëtare të Kosovës.
Absolutisht. Nëse shikoni një hartë të hekurudhave evropiane, mund të shihni se Kosova është në disavantazh strukturor në Ballkan. Të ashtuquajturit Korridore 8 dhe 10 anashkalojnë vendin tonë. Por lidhja veri-jug në Ballkanin Perëndimor, linja hekurudhore 10, mund të na lidhë – veçanërisht drejt Greqisë. Trafiku po rritet përsëri. Këtë herë, ne nuk duam vetëm ta menaxhojmë atë, por të investojmë në të në mënyrë strategjike. Me ekspertizën zvicerane – veçanërisht në sektorin hekurudhor – dhe me Zvicrën si një vend partner miqësor, ne mund të kombinojmë shumë efektivisht etikën e punës, njohuritë e specializuara dhe investimet.

Albin Kurti flet në një tubim zgjedhor në Mitrovicë më 17 dhjetor 2025 në Kosovë.
Më parë përmendët mbrojtjen kombëtare. A po mësoni edhe nga Zvicra në aspektin e çështjeve ushtarake?
Po. Megjithatë, kur bëhet fjalë për strukturën e forcave tona të armatosura, ne jemi më të lidhur me modelet e Suedisë dhe shteteve baltike, veçanërisht në lidhje me konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
Situata e tyre është e qartë: kur ke një fqinj të madh, duhet të mendosh ndryshe.
Po i referohesh Serbisë, e cila ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj ushtarake vitet e fundit.
Do ta thoja kështu: duke pasur parasysh kërcënimin, nuk mund të përballojmë kaos. Na duhet një rend i qartë. Çdo qytetar duhet të dijë saktësisht se çfarë roli luan në rast të një fatkeqësie ose lufte.
Pra, në rastin e zjarreve ose tërmeteve, si dhe konfliktit të armatosur?
Pikërisht. Për më tepër, duke ndjekur shembullin e Polonisë, ne po prezantojmë trajnime të përgjithshme sigurie për të gjithë, veçanërisht për të edukuar të rinjtë.
Në fakt, ende është në fuqi Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999, sipas së cilës forcat paqeruajtëse të NATO-s janë përgjegjëse për sigurinë e jashtme të Kosovës. A nuk ka kjo ndikim në këto plane?
Jo, kjo nuk paraqet problem. Ne duam të bëhemi anëtarë të NATO-s. NATO aktualisht ndodhet në një fazë riorganizimi, dhe ne synojmë njëkohësisht të përfitojmë dhe të kontribuojmë. Po vendosim një rezervë vullnetare, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi trefishuar shpenzimet për mbrojtjen dhe kemi katërfishuar trajnimin e oficerëve tanë në kuadër të NATO-s. Kosova duhet dhe do të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Ne nuk e shohim veten si një forcë të izoluar ushtarake, por si pjesë të NATO-s. Prandaj edhe po furnizohemi me pajisje ushtarake nga shtetet anëtare të NATO-s — nga armët kundërtanke, te dronët dhe artileria mobile. Ushtria jonë po fiton kapacitete moderne në këto fusha.
Gjeopolitikisht, Kosova ndodhet në një pikë ndërprerjeje mes Perëndimit, Turqisë dhe Rusisë. Kjo nënkupton për Kosovën një akt balancimi…
Ne nuk balancojmë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi qartësisht të përkushtuar ndaj vlerave të demokracisë perëndimore. Synojmë anëtarësimin në BE dhe në NATO. Turqia, siç dihet, është anëtare e NATO-s — prandaj po blejmë edhe pajisje si dronët TB2 Bayraktar dhe sisteme të tjera turke. Sa i përket Rusisë, gjithmonë kemi pasur një distancë të shëndetshme ndaj saj.
Rusia vazhdon të ruajë marrëdhënie të mira në rajon.
Sapo ndikimi rus — veçanërisht në Serbi dhe në Republikën Srpska — të zbehet, rajoni do të stabilizohet. Brenda gjashtë vendeve të Ballkanit nuk ekziston as vullneti dhe as kapaciteti për dhunë ndër-shtetërore. Problem mbetet ndikimi hibrid i Rusisë përmes energjisë, ushtrisë dhe mediave. Ndryshimet reale varen nga forcat demokratike në Serbi.
BE-ja e ka mbajtur rajonin për shumë kohë në pritje me premtimin e anëtarësimit — veçanërisht edhe Serbinë. Pikërisht për këtë arsye Rusia arriti të fitojë kaq shumë ndikim.
Duhet të kemi parasysh edhe këtë: Serbia nuk mund ta bllokojë më integrimin evropian të gjithë rajonit. Nuk kemi më nevojë të presim që Serbia të distancohet nga Rusia. Me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat tashmë janë në NATO, procesi ka hyrë në lëvizje — dhe ky është progres. Serbia nuk ka më “fuqi vetoje” mbi rajonin.
Kancelari federal austriak Christian Stocker deklaroi në një intervistë për NZZ se Mali i Zi mund të anëtarësohet relativisht shpejt.Koha ka ardhur që Ballkani Perëndimor të bëhet më në fund politikisht pjesë e Evropës — kjo do të thotë se BE-ja duhet të zgjerohet sërish. Unë mbroj një politikë të vullnetit, jo vetëm të pranimit pasiv. Deri tani Brukseli është përqendruar shumë te pyetja se kush mund të pranohet — dhe më pak te kush dëshiron të anëtarësohet. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pesë kanë shumicë pro BE-së — përjashtuar Serbinë. Parimi vendimtar duhet të jetë: kush dëshiron të anëtarësohet, duhet të mbështetet. Kosova po i përgjigjet me disiplinë pyetësorit të Komisionit Evropian — mijëra pyetjeve. Ky proces integrimi forcon veçanërisht gjyqësorin dhe administratën.
Nga ana tjetër, ekzistojnë pesë vende të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën si shtet: Spanja, Qiproja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania. Kjo nuk ndihmon procesin e integrimit.
Disa vende, si Spanja apo Greqia, hezitojnë, por ato pranojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen. Spanja tashmë i njeh edhe pasaportat kosovare. Duke pasur parasysh kërcënimin ndaj Evropës nga Rusia, nuk kemi më luksin e skepticizmit të tepruar ndërmjet shteteve evropiane.
T’i kthehemi politikës së brendshme: Ju keni një mandat të fortë, por së shpejti në parlament zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Një kandidat ka nevojë për dy të tretat e votave. Si do ta menaxhoni këtë? A ekziston rreziku i bllokadës?
Së pari do ta konstituojmë parlamentin, do të zgjedhim kryesinë dhe qeverinë, do të miratojmë buxhetin për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare — përfshirë Planin e Rritjes së BE-së prej 882 milionë eurosh: 30 për qind janë grante dhe 70 për qind kredi. Pastaj vjen zgjedhja e presidentit. Për këtë na duhet kompromis me opozitën. Një shumicë prej dy të tretash kërkon dialog.
Këto janë tone të reja, më pajtuese nga ana juaj. Dikur ju konsideroheshit rebeli i madh në Kosovë.
Unë kurrë nuk kam qenë “rebel pa kauzë”; gjithmonë kam pasur një qëllim. Sot jam kryeministër me një qëllim. [Përktheu: ISHGJ]
