Nga Shqiprim PULA
Në diskursin publik dhe sidomos në intervistat për media ndërkombëtare, vërehet një prirje e çuditshme në shmangie pothuajse e plotë e termit “Shqipëtar” dhe zëvendësimi i tij me shprehje si “populli i Kosovës” apo “Kosovarët”. Kjo nuk duket si rastësi gjuhësore, por si një zgjedhje e vetëdijshme retorike që meriton vëmendje dhe analizim.
Kosova, sipas kushtetutës Ahtisariane, është shtet i të gjithë qytetarëve të saj me një porosi që synon përfshirje të të gjithëve. Por kjo nuk duhet të nënkuptojë zbehjen e realitetit historik mbi të cilin u ndërtua shteti ynë. Rreth 94% e popullsisë janë Shqiptarë dhe lufta e fundit nuk ishte abstrakte – ajo kishte një dimension të qartë të përndjekjes etnike.
Prandaj lind një pyetje thelbësore: a mund të ndërtohet një identitet shtetëror i qëndrueshëm duke e relativizuar identitetin kombëtar historik?
Në kontekste të tjera ndërkombëtare, udhëheqësit nuk kanë hezituar t’a mbajnë të qartë këtë lidhje midis identitetit dhe legjitimitetit politik.
Gerry Adams, për shembull, nuk e shmangu kurrë termin “Irlandez”, edhe kur fliste për një audiencë të ndjeshme Britanike! Përkundrazi, ai e përdori atë si burim legjitimiteti historik dhe politik.
Po kështu, përpjekjet për të krijuar identitete të reja artificiale, si në rastin tonë, tregojnë se zëvendësimi i identiteteve të rrënjosura rrallëherë prodhon stabilitet afatgjatë. Identitetet mund (edhe) të menaxhohen, por vështirë se mund të zëvendësohen. Në anën tjetër, duhet pranuar se gjuha e përdorur nga liderët politikë në forume dhe intervista ndërkombëtare shpesh ndikohet nga rrethana konkrete – përfshirë procese gjyqësore. Në këtë prizëm, një diskurs më “neutral” mbase mund të shihet si strategji mbrojtjeje. Por edhe nëse është i tillë, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë politike për mënyrën se si artikulohet historia.
Rreziku real qëndron sepse: nëse lufta përshkruhet vetëm në terma institucionalë dhe jo edhe si përpjekje e një kombi konkret për mbijetesë dhe liri, atëherë krijohet një boshllëk narrativ. Dhe boshllëqet në histori nuk mbeten gjatë bosh – ato mbushen nga të tjerët.
Identiteti “Kosovar” si identitet shtetëror mund të zhvillohet apo edhe të thuhet si “eufemizëm diplomatik”. Por ai nuk mund të ndërtohet në kundërshti me identitetin Shqipëtar, i cili është themeli demorafik, historik dhe kulturor i Kosovës. Këto dy nivele identiteti nuk janë në konflikt – përkundrazi, ato mund të bashkëjetojnë dhe të forcojnë njëra-tjetrën.
Një shtet i qëndrueshëm nuk ndërtohet duke heshtur mbi rrënjët e veta. Ai ndërtohet duke i pranuar ato me dinjitet dhe duke i përkthyer në një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen.
Prandaj, kujdesi në gjuhë nuk duhet të kthehet në vetë-censurë historike. Sepse një komb që heziton ta emërtojë veten, rrezikon që një ditë të tjerët të bëjnë emërtime për të.
Mungesa pothuajse totale e termit “Shqipëtar” në intervista ndërkombëtare krijon një boshllëk narrativ për vetë luftën e UÇK-së, e luftërat në Kosovë lidhen qartazi me përndjekje etnike ndaj Shqiptarëve dhe zhdukja e këtij termi mund të duket si zbehje e shkakut historik.
