Recension mbi librin Rusia- Gjeopolitika Imperiale e Rrethit te Mbyllur” te autorit Prof. Asoc. Dr. Lisen Bashkurti
Nga Dr. Fejzi LILA
Në librin me titull: RUSIA – GJEOPOLITIKA IMPERIALE E RRETHIT TË MBYLLUR, botuar në fillim të vitit 2026 me autor Prof. Asoc. Dr. Lisen Bashkurti, zë një vend të veçantë analiza e mënyrës sesi Shqipëria dhe Kosova u bënë pjesë e gjeopolitikës imperiale Ruse.
Në vazhdim po sjellim disa fragmente të shkëputura nga ky botim, saktësisht nga kapitulli i nëntë “Rikthimi gjeopolitik Sovjetik në Ballkan gjatë Luftës së Ftohtë”, fq 117 – 135!
“Shqipëria u bë direkt pjesë e pranisë dhe ndikimit gjeopolitik Rus në mënyrë indirekte, përmes misionit komunist Jugosllav nga viti 1941 deri në vitin 1947. Në ketë periudhë Sovjetikët filluan ndikimin gjeopolitik mbi Shqipërinë përmes PK Jugosllave. Atëherë kur marrëdhëniet midis Titos dhe Stalinit u përkeqësuan deri në ndarjen midis tyre, në vitin 1947, Shqipëria e reflektoi këtë kontradiktë Sovjeto-Jugosllave, duke anuar vendosmërisht nga regjimi i Stalinit.
Nga viti 1948 deri në vitin 1961 Shqipëria nën regjimin e E. Hoxhës hapi dyer e dritare për praninë dhe ndikimin e thellë të gjeopolitikës Sovjetike mbi çdo qelizë të vendit. Mbas vdekjes se Stalinit, 1953, dhe ardhjen në krye të BRSS të Hrushovit prania dhe ndikimi gjeopolitik Sovjetik mbi Shqipërinë gradualisht filluan të ftoheshin. Në themel të kësaj ftohje u bë qëndrimi i Hrushovit ndaj Stalinit në Kongresin e 20-të PK të BRSS, ku përmes një raporti sekret kritikohej Stalini dhe regjimi i tij si i ashpër dhe mizor.
Mbas këtij kongresi Hrushovi nisi fushatën e spastrimeve të liderëve stalinistë në Evropën Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Hrushovi i kërkoi Enver Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë shqiptarë të tërhiqeshin nga pushteti për t’i hapur rrugë një klike pro-hrushoviane. Hoxha dhe pasuesit e tij nuk pranuan kurrsesi, duke filluar nga ky moment ndarjen përfundimtare partiake dhe shtetërore midis Shqiperisë dhe Bashkimit Sovjetik.
Nga viti 1961 dhe deri në vitin 1968 vijoi proçesi i tensionuar dhe i vështirë i ndarjes gjeopolitike shqiptaro-sovjetike, që filloi me ndërprerjen e çdo marrëdhënieje, përfshirë edhe ato diplomatike Shqipëri – Bashkimi Sovjetik e kulmoi me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, në vitin 1968.
Kosova zë gjithashtu vend të posaçëm dhe shumë me rëndësi në librin RUSIA – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur. Përsa kohë është krijuar dhe ka ekzistuar Jugosllavia, në format e saj, Mbreteria Serbo – Kroato – Sllovene, me tej Jugosllavia dhe Federata Jugosllave, Kosova konsiderohej pjesë e Serbisë dhe si e tillë nën ndikimin e gjeopolitikës Ruse.
Çështja e Kosovës doli si çështje me vete atëherë kur u shpërbë BRSS dhe Federata Jugosllave. Në këto momente doli në dukje doktrina nationaliste Serbe, që u vuri zjarrin Federatës Jugosllave, mohoi të drejtat kushtetuese jugosllave të Krahinës Autonome të Kosovës dhe, mbas Marrëveshjes së Daytonit për Bosnje – Hercegovinën, në vitin 1995 pushtoi me ushtri dhe polici, filloi të ushtronte haptazi dhunë, represione, krime, pastrime etnike dhe genocid mbi shqiptarët e Kosovës.
Mbas agresionit nacionalist etnik kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnie – Hercegovinës, nacionalizmi Serb filloi të diskreditohej ndërkombëtarisht për ekspansionizmin e dhunshëm mbi popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë. Kjo ndërmarrje e agresionit të fundit Serb mbi Kosovë, ndeshi në një reagim të fuqishëm dhe të unifikuar të Aleancës Transatlantike, e cila ne 1999 ndërmorri sulmin ajror mbi objektivat strategjikë serbe ne Kosovë dhe Serbi. Ky operacion ajror i suksesshëm i hapi rrugë proçesit të pavarësimit të Kosovës nga Serbia.
Ndërkohë, përsa kohë Federata Ruse drejtohej nga Jelcini, qëndrimi i saj ndaj Kosovës ishte kontravers, por vetëm në planin retorik dhe jo operacional ushtarako – strategjik. Me ardhjen në Kremlin të Putinit, qasja Ruse për Kosovën ndryshoi radikalisht. Kosova në politikën dhe gjeopolitikën e Putinit nisi të konsiderohej si pjesë e skemave gjeopolitike dhe gjeostrategjike Ruse.
Nga Konferenca e Mynihut e vitit 2007, e më tej akoma me qartë ne tre hapat gjeopolitike Ruse: sulmi mbi Gjeorgji 2008, aneksimi manipulativ dhe i dhunshem i Krimesë në 2014 dhe ‘operacioni special’ ushtarak kundër Ukrainës në vitin 2022 – Putini e ka bërë gjatë tërë kohës, në gjithë retorikën e tij politike dhe justifikimet ndërkombëtare gjeopolitike, Kosovën si rast për të justifikuar dhe argumentuar hapat e tij gjeopolitik rreth Federatës Ruse. Në këtë lojë diabolike Ruse ka hyrë edhe Serbia. Të dy këto shtete aleate, Rusia dhe Serbia e kanë vënë çështjen e Kosovës midis tyre dhe përpiqen të përfitojnë reciprokisht për interesat e veta gjeopolitike nacionale.
Libri “RUSIA-Gjeopolitika Imperiale e Rrethit te Mbyllur”, trajton gjerësisht dhe thellësisht vendin dhe ndikimin gjeopolitik Rus, direkt dhe respektivisht edhe përmes Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Politika imperiale Ruse tenton vazhdimisht të mbajë një hap prezent në Ballkan, ndërkohë që Serbia vijon të luajë politikën e saj bivektoriale Euro – Aziatike dhe të Kalit të Trojës në mes të Evropës”.
Faleminderit Profesor!
