Nga Dr. Selim IBRAIMI
SHBA kanë ndërmarrë disa hapa të përbashkëta në sigurinë energjetike, në veçanti, pavarësinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor nga aktorët e huaj me marrëveshje të drejtpërdrejta.
Duke përdorur samitet dhe takimet trepalëshe, SHBA-të po nisin gjeopolitikën afatgjate të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari i Energjisë i SHBA-së, Chris Wright, në Samitin e Nismës së Tre Deteve (3SI), javën që shkoi njoftoi për miliarda dollarë investime nga Evropa Lindore e deri në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimeve zyrtare amerikane, nënshkrimi i disa marrëveshjeve përfshin nisjen zyrtare të Kornizës së Tubacioneve të Paqes Trump, (Trump Peace Pipelines Framework), duke mundësuar ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror për të mbështetur zgjerimin e vazhdueshëm të importeve amerikane të (LNG)-së drejt shteteve të Evropës.
Departamenti i Energjisë i SHBA-së njoftoi se marrëveshjet e nënshkruara kapin vlerën e disa miliardë dollarëve amerikanë, duke eksportuar energjinë amerikane në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas zyrtarëve amerikanë, zgjerimi i tubacioneve të gazit natyror dhe LNG-së do të bëhet në disa faza.
Investimet amerikane përfshijnë Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Maqedonia e Veriut dhe Kosova aktualisht nga këto marrëveshje amerikane mbeten jashtë.
Sekretari i Departamentit të Energjisë Chris Wright në lidhje me investimin amerikan në Kroaci tha se ky është investimi më i madh në historinë kroate. “Është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Marrëveshje shumë miliardëshe”, tha ai.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të njohur se e ardhmja është jashtëzakonisht e ndritur për kombet që i bashkohen SHBA-së në ndjekjen e politikave të sigurisë energjetike.
Përveç këtyre nismave amerikane, javën e kaluar u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët e Qëllimit të Mbështetjes së IGA-së midis Bosnjë- Hercegovinës, Kroacisë dhe Industrisë Amerikane për Tubacionin e Gazit të Ndërlidhjes Jugore (Southern Interconnection Gas Pipeline).
Po ashtu Departamenti i Energjisë njoftoi se SHBA-ja dhe Kroacia nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për të rritur bashkëpunimin bërthamor civil, duke thelluar bashkëpunimin sipas Marrëveshjes SHBA-Euratom për Bashkëpunim në Përdorimet Paqësore të Energjisë Bërthamore.
Marrëveshja tregon gatishmërinë e Kroacisë për të vendosur teknologjinë e reaktorit të vogël modular (SMR). SHBA-ja mbështet bashkëpunimin e zgjeruar midis industrisë amerikane dhe kroate, dhe promovon eksportet bërthamore amerikane.
Poashtu firmat amerikane do të investojnë në një qendër të dhënash në Kroaci duke rritur sigurinë digjitale në rajon, thuhet në kumtesë.
Në ndërkohë në jug të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Greqia me ndihmën amerikane nënshkruan një marrëveshje strategjike.
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka thënë se Shqipëria është e rëndësishme për vizionin në fushën e energjisë. Ajo tha se një marrëveshje 6 miliard eurosh, është nënshkruar. “SHBA, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku.
Natyrisht nga ky bashkëpunim i gjithë rajoni përfiton”, tha ajo. “Është nder të gjendem këtu në Shqipëri, një partner i palëkundur i SHBA-së, një vend me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Ballkanin dhe Evropën, dhe sigurisht krah mikut tonë shumë të mirë Edi Rama”.
“Forcimi i bashkëpunimit rajonal, në fakt forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare. Dëshmon rëndësinë që qeveria shqiptare ka për sigurinë energjitike. Administrata e presidentit Donald Trump e ka ngritur këtë bashkëpunim si shtyllë në mbarë botën. Shqipëria dhe Greqia janë më shumë se sa fqinj”, tha ajo.
Marrëveshja për (LNG)-në, tregon për rolin në rritje të Shqipërisë në rajon që nuk mund të zëvendësohet nga asnjë shtet tjetër.
Samiti dhe Forumi i Biznesit i Nismës së Tre Deteve (3SI) u mbajt në Dubrovnik, 28-29 prill 2026. Nisma e Tre Deteve është një forum për përshpejtimin e zhvillimit të infrastrukturës, sigurisë energjetike dhe lidhjes digjitale midis 13 shteteve të Evropës Qendrore, Lindore, dhe Ballkanit Perëndimor.
SHBA-ja deri më tani ka shërbyer si një partner strategjik. SHBA-ja aktualisht po prodhon po aq gaz natyror sa Rusia, Kina dhe Irani së bashku. SHBA-të gjithashtu kryesojnë botën në eksportet e (LNG)-së dhe pritet të rrisin prodhimin thonë analistët amerikanë.
Shqipëria, në Jug të Ballkanit, është bërë një vend kyç, tek i cili mbështeten SHBA-të për të shtyrë më tej strategjinë dhe eksportin e (LNG)-së, dhe sigurisht, me Nismën (3SI).
Maqedonia e Veriut në lojërat e diplomacisë serbe po hyn në një drejtim tjetër kur bëhet fjalë për çështjen e (LGN)-së dhe korridoreve të tjera të transportit.
Në varësinë energjetike, Kosova duhet të gjejë një zgjidhje në afat të shkurtër. Shqipëria mund të ndihmojë.
Maqedonia e Veriut, me dinamikën e saj aktuale, mbetet jashtë investimeve amerikane.
Në të ardhmen e afërt, disa qeveri rajonale do të kërkojnë mbështetje nga Serbia, një vend që përpiqet të jetë qendra e të gjithëve në Ballkan.
