Akademik Anastas ANGJELI
Sistemi financiar global nuk po e braktis dollarin, por po ndodh një zhvendosje graduale drejt një sistemi hibrid. Ndërsa dollari ruan primatin në rezervat valutore, shumë vende po krijojnë “binarë” alternativë pagesash për të zbutur rreziqet gjeopolitike. Më shumë sesa një zëvendësim i dollarit, ky ndryshim përfaqëson një fragmentim të qëllimshëm të infrastrukturës monetare globale.
Të dhënat konfirmojnë këtë trend të dyfishtë. Nga njëra anë, dollari mbetet dominues: sipas Bank for International Settlements (BIS), ai ishte i pranishëm në 89.2% të transaksioneve globale të këmbimit valutor në prill 2025; sipas FMN-së, ai përfaqësonte 56.32% të rezervave të këmbimit valutor të alokuara në tremujorin e dytë 2025, një rënie e shpjeguar kryesisht nga mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe jo nga një tërheqje masive e rezervave nga bankat qendrore. Nga ana tjetër, qeveritë po investojnë në alternativa: pagesa në monedhë vendase, Central Bank Digital Currency(CBDC) me shumicë, infrastrukturë Distributed Ledger Technology (DLT), eksperimentim me pagesa atomike dhe arkitektura të reja përputhshmërie. Prandaj, sfida strategjike nuk është nëse dollari “bie”, por nëse bota hyn në një fazë, ku bashkëjetojnë disa opsione monetare dhe teknologjike: dollari për likuiditetin global, monedhat lokale për flukse të caktuara dypalëshe dhe infrastrukturat digjitale të specializuara për korridore specifike tregtare. Kjo arkitekturë e re ndikon drejtpërdrejt në zinxhirët e vlerës, veçanërisht energjinë, drithërat dhe inputet kritike.
EROZIONI I HEGJEMONISË: NGA BRETTON WOODS, DREJT FRAGMENTIMIT SOVRAN
Rendi monetar ndërkombëtar, i krijuar në konferencën e Bretton Woods në vitin 1944, nuk ishte thjesht një marrëveshje teknike për kurset e këmbimit, por një pakt gjeopolitik që kurorëzoi dollarin amerikan si “lingotën” e re të ekonomisë botërore. Ky sistem u ndërtua mbi katër shtylla të pathyeshme: madhësia e pakonkurrueshme e ekonomisë së SHBA-së, thellësia e tregjeve të saj kapitale, siguria e palëkundur ligjore dhe, mbi të gjitha, disponueshmëria e aseteve të sigurta (Treasuries) të denominuara në dollarë. Për dekada, ky konfigurim ofroi stabilitet, duke e bërë dollarin monedhën e padiskutueshme të rezervave, tregtisë dhe likuiditetit global.
Sot, Rezerva Federale (Fed) vazhdon të mbrojë tezën se ky themel strukturor mbetet i paprekur. Nga pikëpamja teknike, argumenti i tyre është i fuqishëm. Likuiditeti i sistemit të dollarit është i pasfidueshëm; tregu i Thesarit të SHBA-së mbetet porti më i madh dhe më i sigurt për kapitalin global në kërkim të mbrojtjes. Për më tepër, rrjeti i linjave “swap” të Fed-it vepron si një mbrojtës i fundit i likuiditetit gjatë krizave, duke forcuar rolin e dollarit si spirancë sistemike. Ky është shkaku kryesor pse, pavarësisht retorikës intensive për “de-dollarizimin”, asnjë monedhë tjetër, qoftë Euro, Juani kinez apo një monedhë hipotetike e vendeve BRICS, nuk ofron aktualisht një alternativë të plotë dhe të menjëhershme.
Megjithatë, ne nuk jemi më në epokën e stabilitetit post-Luftë e Ftohtë. Lufta në Ukrainë dhe përdorimi i sanksioneve financiare si mjet i fuqisë shtetërore kanë shërbyer si një katalizator për një ndryshim tektonik në stimujt gjeopolitikë. Ngrirja e rezervave valutore të Rusisë dërgoi një sinjal të qartë te bankat qendrore anembanë botës. Mbajtja e rezervave në dollarë nuk është më vetëm një vendim ekonomik, por një rrezik strategjik. Shtetet tani kanë një nxitje ekzistenciale për të zvogëluar varësinë nga “shinat” e pagesave që nuk i kontrollojnë dhe që mund të bllokohen për arsye politike. Ky proces nuk duhet parë si një refuzim uniform i rendit ekzistues, por si një kërkim i ethshëm për “qëndrueshmëri sovrane”. Nuk bëhet fjalë për të rrëzuar dollarin nga froni, por për të ndërtuar rrugë alternative që lejojnë tregtinë, pagesat dhe ruajtjen e vlerës pa varësi ekskluzive nga një qendër e vetme financiare. Kemi të bëjmë me një “fragmentim funksional”. Ky fragmentim po manifestohet veçanërisht në inovacionin teknologjik. Sipas të dhënave nga Këshilli i Atlantikut, projektet ndërkufitare të Monedhave Dixhitale të Bankave Qendrore (mCBDC) me shumicë janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2022. Këto platforma, si projekti “mBridge”, lejojnë shlyerjen e drejtpërdrejtë të tregtisë pa pasur nevojë të kalojnë përmes sistemit korrespondent bankar të dominuar nga dollari (SWIFT).
Në përfundim, rendi monetar po kalon nga një monolit i bazuar te besimi te dollari, drejt një sistemi hibrid dhe të shpërndarë. Pesha e Thesarit të SHBA-së do të vazhdojë të sigurojë që dollari të mbetet graviteti qendror, por ky gravitet nuk është më i vetmi. Evolucioni i infrastrukturës teknike dhe nevoja për autonomi gjeopolitike po krijojnë një botë ku shtetet kërkojnë diversifikim operacional. Ky nuk është një zëvendësim i plotë i dollarit, por një ndryshim i paradigmës ku siguria kombëtare dhe teknologjia po rishkruajnë rregullat e financës globale, duke e bërë sistemin më pak të centralizuar dhe, rrjedhimisht, më të fragmentuar.
Është thelbësore të korrigjohet një pikë që shpesh keqinterpretohet: Vendet e BRICS, në këtë fazë, nuk po ndërtojnë një monedhë të përbashkët si euro. Deklarata e Kazanit 2024 përqendrohet kryesisht në rritjen e përdorimit të monedhave lokale, forcimin e rrjeteve përkatëse bankare brenda bllokut, Iniciativën e Pagesave Ndërkufitare të BRICS (BCBPI) dhe eksplorimin e një infrastrukture të pavarur të shlyerjes dhe ruajtjes së të dhënave të quajtur BRICS Clear. Prandaj, qasja është infrastrukturore dhe modulare, jo federale dhe monetare në kuptimin e ngushtë. Me fjalë të tjera, de-dollarizimi aktual është më pak një projekt i vetëm ideologjik sesa një shportë strategjish: diversifikimi i rezervave, kontratat në monedhën vendase, sistemet alternative të pagesave, CBDC-të me shumicë, tokenizimi i aseteve dhe varësia e reduktuar nga ndërmjetësit. Është një strategji opsionale gjeo-ekonomike.
Revolucioni i padukshëm: Nga rrjeti i mesazheve te regjistrat e bashkuar
Nëse pjesa e parë e këtij transformimi global ishte gjeopolitike, pjesa e dytë është thjesht teknologjike. Ndërsa debati publik përqendrohet te fuqia blerëse e monedhave, arkitektët e sistemit financiar po ndryshojnë vetë “tubacionet” nëpër të cilat rrjedh kapitali. Zemra e këtij tranzicioni nuk është thjesht monetare, ajo është infrastrukturore. Për dekada me radhë, arkitektura e pagesave ndërkufitare ka funksionuar mbi një model të vjetruar të bankave korrespondente, një lloj stafete ku paratë kalojnë përmes një zinxhiri të gjatë ndërmjetësish, secili me protokollet e veta të mesazheve, pajtimit të llogarive dhe përditësimeve të njëpasnjëshme. Ky model historik, ndonëse funksional, mban me vete atë që Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare (BIS) dhe Bordi i Stabilitetit Financiar (FSB) i identifikojnë si “katër fërkimet kronike”: kostot e larta që penalizojnë ekonomitë në zhvillim, ngadalësia që mban peng likuiditetin për ditë të tëra, aksesi i kufizuar për aktorët e vegjël dhe një mungesë totale transparence në kohë reale. Këto kufizime nuk janë thjesht shqetësime teknike, por ato veprojnë si barriera tregtare që rëndojnë mbi efikasitetin e tregtisë globale.
Për të kuptuar thellësinë e ndryshimit që po ndodh, duhet goditur një mit i zakonshëm: SWIFT nuk është një sistem ku lëvizin paratë. Ai është, në thelb, një “postier i sofistikuar’, një infrastrukturë mesazhesh që i tregon një banke se një tjetër ka autorizuar një transfertë. Paraja vetë mbetet e bllokuar në rrjetin e korrespondencës deri në fund të procesit të pajtimit. Inovacioni që po shohim sot synon pikërisht eliminimin e kësaj ndarjeje midis mesazhit dhe pagesës. Synimi është shkrirja e informacionit, pajtueshmërisë (compliance) dhe shlyerjes finale në një mjedis të vetëm teknik. Kjo është trajektorja që BIS e përshkruan si kalimin drejt një “Infrastrukture të Unifikuar të Regjistrit të Llogarive” (Unified Ledger). Ky vizion parashikon një hapësirë ku paratë e bankës qendrore, depozitat bankare dhe asetet financiare, të gjitha të tokenizuara, bashkëjetojnë në të njëjtën shtresë programimi. Në këtë mjedis, paraja nuk është më vetëm një numër në një llogari statike, por një aset inteligjent që mbart me vete të gjithë informacionin e nevojshëm për t’u ekzekutuar.
Në ballë të këtij revolucioni qëndron Projekti mBridge, një përpjekje bashkëpunuese që po riformaton hartën e rrjedhës monetare. Ky projekt bashkoi Bankën e Tajlandës, Bankën Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, Institutin e Monedhës Dixhitale të Kinës, Autoritetin Monetar të Hong Kongut dhe së fundmi, Bankën Qendrore Saudite. Mesit të vitit 2024, mBridge arriti statusin e “Produkti Minimal i Mundshëm” (MVP), duke dëshmuar se pagesat ndërkufitare mund të kryhen pothuajse në kohë reale përmes një regjistri të shpërndarë (DLT), pa pasur nevojë për dhjetëra ndërmjetës. Fakti që BIS njoftoi në tetor 2024 transferimin e projektit te partnerët lokalë, tregon se kjo teknologji ka dalë nga faza eksperimentale dhe është gati të operojë në mënyrë autonome. Implikimet e kësaj arkitekture të re janë katërfishta dhe thellësisht transformuese:
-Së pari, ndërveprueshmëria midis sistemeve të ndryshme monetare po shndërrohet nga një marrëdhënie diplomatike dhe bankare, në një çështje standardesh teknike. Kur dy shtete përdorin të njëjtin protokoll teknik, tregtia midis tyre bëhet po aq e thjeshtë sa dërgimi i një ‘email’-i.
-Së dyti, futet koncepti i shlyerjes atomike. Në sistemin tradicional, ekziston gjithmonë një rrezik kohor: mesazhi dërgohet, por paratë mund të mos arrijnë. Në regjistrin e shpërndarë, këmbimi i valutave ndodh në çast dhe në mënyrë të pandashme sepse përgjithësisht ndodhin të dyja anët e transaksionit, ose asnjëra. Kjo eliminon rrezikun e palës tjetër.
-Së treti, kontratat inteligjente po automatizojnë ekonominë. Një pagesë mund të programohet që të çlirohet vetëm kur një anije mbërrin në port ose kur një dokument doganor ngarkohet në sistem. Kjo “para e programueshme” ul nevojën për sigurime komplekse dhe ndërmjetës të shtrenjtë.
-Së fundi, tokenizimi lejon që të arkëtueshmet, depozitat apo edhe asetet reale të përfaqësohen në të njëjtën shtresë. Kjo krijon një ekosistem, ku kapitali është më likuid se kurrë më parë. Ky fragmentim teknik që po shohim, ku rajone të ndryshme ndërtojnë “binarët” e tyre, nuk është thjesht një sfidë ndaj dollarit, por një rindërtim rrënjësor i mënyrës se si bota lëviz vlerën. Ne po kalojmë nga një epokë e mesazheve financiare, në një epokë të shkëmbimit të drejtpërdrejtë të vlerës dixhitale.
SIGURIA E ZINXHIRËVE TË VLERËS NË EPOKËN E FRAGMENTIMIT: NJË ANALIZË TEKNO-INSTITUCIONALE
Në peizazhin e vitit 2026, koncepti i fragmentimit financiar ka pushuar së qeni një abstraksion makroekonomik për t’u shndërruar në një forcë të prekshme, që dikton fatin e zinxhirëve globalë të vlerës. Sipas vlerësimeve të Bordit të Stabilitetit Financiar (FSB), kjo ndarje nuk prek vetëm bilancet bankare, por ndryshon rrënjësisht koston e kapitalit qarkullues, rrezikun e kursit të këmbimit dhe, mbi të gjitha, vazhdimësinë e furnizimeve jetike. Për vendet që varen ndjeshëm nga importet e energjisë, ushqimit dhe inputeve industriale, çdo “fërkim” në sistemin e pagesave përkthehet në vonesa logjistike dhe rritje kostosh që godasin drejtpërdrejt konsumatorin final.
Banka Botërore vizaton një tablo sfiduese për këtë vit: çmimet e energjisë pritet të pësojnë një rritje prej 24%, ndërsa mallrat e përgjithshme do të shtrenjtohen me 16%. Në këtë kontekst, siguria ushqimore dhe energjetike nuk kërcënohet vetëm nga mungesa e produktit, por nga paqëndrueshmëria e “shinave” financiare. Kur një ekonomi importuese neto përballet me luhatje të forta të kursit të këmbimit, këto goditje transmetohen me shpejtësi në çmimet e brendshme të drithërave dhe lëndëve të para. Kjo e bën planifikimin e stoqeve dhe kontratave të importit një sfidë pothuajse të pamundur për qeveritë dhe sektorin privat.
Pyetja strategjike që shtrohet nuk është thjesht se si të shmanget dollari, por cila arkitekturë minimizon rrezikun total të zinxhirit të vlerës. Ndonëse tregtimi me monedha lokale mund të zbusë disa rreziqe operacionale në korridore specifike, ai nuk i eliminon dot rreziqet e likuiditetit apo ato ligjore. Bota nuk po ndahet në dy blloqe hermetike, por po lëviz drejt një mbivendosjeje sistemesh pjesërisht të pajtueshme. Ky kompleksitet i ri kërkon që institucionet të menaxhojnë standarde të shumta përputhshmërie dhe formate të dhënash, duke rritur nevojën për një qeverisje të fortë kibernetike.
Për ekonomitë e vogla dhe të hapura, siç është rasti i Shqipërisë, rreziqet janë të dyfishta. Banka Botërore vëren se Shqipëria tregoi qëndrueshmëri gjatë vitit 2025, me rritje ekonomike dhe borxh në rënie, por mbetet e ekspozuar ndaj pasigurive tregtare globale. Ndërsa sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit lulëzuan, rënia e bujqësisë nënvizon nevojën urgjente për të integruar financën ndërkombëtare me sigurinë e furnizimit. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) paralajmëron se fragmentimi gjeoekonomik penalizon pikërisht këto ekonomi, të cilat mbështeten te teknologjitë e huaja dhe kostot e ulëta tregtare.
Në këtë udhëkryq, kompetenca e një shteti nuk matet më vetëm me indikatorë ekonomikë, por me aftësinë e tij teknoinstitucionale. Për të naviguar në këtë mjedis, institucionet kërkimore dhe politikëbërësit duhet të ndjekin një rrugëtim të ri strategjik.
Së pari, është i domosdoshëm krijimi i laboratorëve kërkimorë mbi infrastrukturën financiare digjitale sovrane. Ky nuk duhet të jetë një laborator thjesht teorik, por një mjedis testimi për skenarë konkretë: nga tokenizimi i dokumenteve tregtare te korridoret e pagesave për produktet agroushqimore. Së dyti, Shqipëria dhe rajoni duhet të pozicionohen aktivisht në rrjetet ndërkombëtare që punojnë për ndërveprimin e monedhave digjitale (CBDC) dhe standardet e të dhënave si API dhe AML/ CFT, duke lënë pas debatet sipërfaqësore mediatike.
Së treti, kërkohet një reformë në ofertën akademike. Institucionet arsimore duhet të lidhin inxhinierinë e softuerit me ligjin digjital dhe qeverisjen publike. Dobësia aktuale nuk është mungesa e teorisë ekonomike, por pamundësia për të interpretuar arkitekturat teknike si arkitektura të pastra të pushtetit. Së fundi, rastet e para të përdorimit të këtyre teknologjive duhet të shënjestrojnë sektorët me levë më të madhe: energjinë, logjistikën dhe financimin e tregtisë.
Diagnoza përfundimtare është e qartë: bota nuk po braktis dollarin për një rend të ri të unifikuar, por po hyn në një fazë të infrastrukturave të shumëfishta. Dominimi i dollarit vazhdon, por varësia ekskluzive nga një kanal i vetëm po bëhet delikate. De-dollarizimi mund të jetë i pjesshëm, por de-ndërmjetësimi teknik po përparon me hapa shpejtë. Në këtë tranzicion, “analfabetizmi” i së nesërmes nuk do të jetë mosnjohja e kurseve të këmbimit, por pamundësia për të kuptuar protokollet dhe standardet e shlyerjes që lëvizin ekonominë botërore. Për qendrat kërkimore, sfida nuk është të zgjedhin midis sistemit të vjetër dhe të ri, por të kuptojnë se si këto arkitektura të reja po riformësojnë aftësinë për veprim sovran në një botë të fragmentuar. [Gazeta Panorama]
