[HISTORI]
Nga Dr. Nikollë Loka
Në shekullin XIX, trojet shqiptare u përfshinë nga procese të thella politike dhe shoqërore, të cilat lidhen ngushtë me dobësimin gradual të Perandorisë Osmane dhe rritjen e lëvizjeve kombëtare në Ballkan. Prirjet separatiste në këto troje nuk ishin vetëm rezultat i zhvillimeve të brendshme, por edhe pasojë e krizës së përgjithshme të sistemit teokratik osman, e cila u thellua me shfaqjen e “Çështjes Lindore” si prioritet i politikës së Fuqive të Mëdha evropiane. Në këtë kontekst, administrata osmane ndërmori një sërë reformash që synonin forcimin e pushtetit qendror, të cilat patën si efekt edhe pengimin e formimit të një vetëdijeje të përbashkët kombëtare te shqiptarët.
Ndërkohë që ishte rritur fuqia e pashallarëve shqiptarë, kjo shtresë lokale kishte fituar ndikim të madh politik dhe ushtarak, duke sfiduar autoritetin e drejtpërdrejtë të Stambollit. Si përgjigje, në vitet 1831–1834 u shfuqizua sistemi i vjetër feudalo-ushtarak dhe u zëvendësua me sistemin e qiradhënies, ndërsa pashallëqet u zëvendësuan me sanxhaqe, të cilat u përfshinë në struktura më të mëdha administrative, vilajetet. Një tjetër masë me rëndësi ishte ndryshimi i strukturës së administratës. Tradita e mëparshme, ku funksionet drejtuese u besoheshin shpesh shqiptarëve, u braktis. Në vend të tyre, administrata osmane emëroi në pozicione kryesore funksionarë osmanë nga trevat e tjera të Perandorisë. Ky ndryshim synonte jo vetëm rritjen e kontrollit të qendrës, por edhe dobësimin e elementit shqiptar në drejtimin e punëve publike. Etniciteti shqiptar, i cili në kapërcyellin e shekujve XVIII dhe XIX kishte filluar të konsolidohej, u shpërnda në vilajetet e Shkodrës, Kosovës dhe Selanikut. Në dy të fundit, epërsia etnike ishte përkatësisht në duart e serbëve dhe grekëve. Këto veprime synonin të ndalonin formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.
Për ta forcuar pushtetin qendror dhe për ta rritur kontrollin mbi provincat, qeveria osmane në vitin 1864 shpalli një reformë të re administrative. Tanimë vendin e ejaleteve do ta zinin vilajetet, në krye të të cilëve do të qëndronte valiu.
Me copëtimin e trojeve shqiptare në disa vilajete të ndryshme, Perandoria Osmane përveçse mohonte zyrtarisht ekzistencën e Shqipërisë etnike dhe dëmtonte unitetin politik të shqiptarëve, cenonte seriozisht edhe interesat e tyre kombëtare në një drejtim tjetër. Vetë mënyra se si ishte ndërtuar harta administrative e vilajeteve, përputhja e përafërt e tyre me emërtimet gjeografike antike (Epir, Maqedoni, Dardani) dhe prania e pakicave kombëtare joshqiptare në to, u shërbente synimeve shoviniste që ushqenin qarqet ballkanike ndaj Shqipërisë. Harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u bë pak a shumë e qëndrueshme vetëm pasi kaloi tallazi i Krizës Lindore. Por, edhe atëherë trojet shqiptare mbetën të copëtuara midis katër vilajeteve: Shkodër, Kosovë, Manastir dhe Janinë. Madje, një pjesë e trungut etnik (treva e Ulqinit) dhe disa vise të brezit anësor (treva e Podgoricës, e Shpuzës, e Vranjës, e Leskovcit dhe e Nishit) mbetën jashtë Perandorisë Osmane, pra jashtë katër vilajeteve, pasi u aneksuan nga Mali i Zi dhe nga Serbia më 1878–1880. Kjo prirje vazhdoi edhe më tej, duke e fryrë së tepërmi numrin e këtyre pakicave; qeveritarët e Athinës lakmonin të aneksonin krejt vilajetin e Janinës; shovinistët bullgarë krejt vilajetin e Manastirit; ata serbë krejt vilajetin e Prishtinës dhe shovinistët malazezë pjesën veriore të Shkodrës. Për shqiptarët lindi kështu rreziku që, sapo të çliroheshin nga robëria shekullore osmane, të hynin nën zgjedhën e shteteve të tjera të huaja. Në ato kushte, si shpëtim u pa bashkimi i të katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Kërkesat e shqiptarëve për bashkimin e vilajeteve në një njësi të vetme administrative u refuzuan nga Porta e Lartë, me arsyetimin se një hap i tillë do të nxiste decentralizimin dhe mund të çonte drejt krijimit të një shteti të pavarur shqiptar. Në ato kushte, me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila përbën një moment vendimtar në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, u bënë përpjekje për bashkimin e vilajeteve ku jetonin shqiptarët në një njësi të vetme administrative. Programi i Lidhjes së Prizrenit kërkonte bashkimin e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës në një vilajet autonom shqiptar brenda Perandorisë Osmane. Kjo kërkesë ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj politikës osmane të fragmentimit administrativ dhe një përpjekje për të mbrojtur trojet shqiptare nga synimet grabitqare të fqinjëve. Megjithatë, kjo kërkesë u refuzua nga Porta e Lartë, e cila e shihte një bashkim të tillë si hap drejt pavarësisë së territoreve shqiptare.
Refuzimi i kërkesave të prijësve shqiptarë nga administrata e Sulltan Abdülhamit II ishte një nga faktorët kryesorë që i shtyu ata të mbështesnin lëvizjen e Turqve të Rinj. Nacionalistët shqiptarë, ashtu si Turqit e Rinj, besonin se burimi i problemeve ishte regjimi i Sulltan Abdülhamitit II. Fillimisht, prijësit shqiptarë mendonin se Shqipëria nuk ishte ende gati për pavarësi dhe besonin se, me ndryshimin e “regjimit tiranik të Abdülhamitit”, shqiptarëve do t’u jepej autonomi dhe Shqipëria do të mund të vazhdonte ekzistencën e saj nën administrimin osman. Siç shkruan një nga themeluesit e Lëvizjes Xhonturke, İbrahim Temo, në kujtimet e tij, se “në mesin e disa intelektualëve shqiptarë mbizotëronte bindja se, si reagim ndaj Abdül Hamitit II, ardhja në pushtet e Komitetit Bashkim dhe Përparim do të korrigjonte gabimet dhe, më e rëndësishmja, do t’i bashkonte tokat shqiptare në një vilajet të vetëm, duke u dhënë atyre autonomi”. Megjithatë, përveç kundërshtimit ndaj Sulltan Abdül Hamitit II, nuk ishte e lehtë të gjendeshin pika të përbashkëta as midis turqve të rinj dhe shqiptarëve. Prijësit shqiptarë shpresonin se, me shpalljen e sërishme të Kushtetutës, regjimi kushtetues që ata ëndërronin do të realizohej, por në praktikë ai mori një drejtim tjetër, duke u shndërruar në një formë tjetër sundimi autoritar, në dëm të tyre, dhe duke çuar në shtypjen me masa të ashpra ushtarake të shpresave për autonomi.
Në vitin 1908, si brenda Perandorisë ashtu edhe në botën e jashtme, situata kishte ndryshuar ndjeshëm. Regjimi i ri përjetoi krizën e tij të parë të madhe në tetor të vitit 1908, kur Bullgaria shpalli pavarësinë e plotë dhe një ditë më pas Austro-Hungaria njoftoi aneksimin e Bosnjë-Hercegovinës në perandorinë e saj. Po atë ditë, Kreta shpalli vendimin për t’u bashkuar me Greqinë. Në këto rrethana, shqiptarët e kuptuan se, edhe po të donte, Perandoria Osmane nuk mund t’i mbronte, prandaj filluan të shohin mundësinë që, me ndihmën e ndonjë fuqie të madhe miqësore, të shkëputeshin përfundimisht nga Perandoria. Zhvillimet ushtarake dhe politike që pasuan ua vërtetuan plotësisht këtë bindje.
Në përfundim, procesi i ndarjes së trojeve shqiptare në vilajete përbën një shembull të qartë të politikave administrative të Perandorisë Osmane të orientuara drejt ruajtjes së kontrollit dhe pengimit të konsolidimit kombëtar. Kjo strategji, megjithëse e menduar për të dobësuar elementin shqiptar, në mënyrë paradoksale ndikoi në rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën e bashkimit politik dhe kombëtar. Reagimet e shqiptarëve, të shprehura përmes kryengritjeve dhe organizimeve politike, dëshmojnë për një proces të pandalshëm të formimit të identitetit kombëtar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe përpjekjet e mëvonshme shënuan hapa të rëndësishëm drejt artikulimit të kërkesave për autonomi dhe bashkim territorial. Në këtë kuptim, ndonëse ndarja në vilajete synonte fragmentimin, ajo kontribuoi në mënyrë të tërthortë në forcimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe në përgatitjen e terrenit për kryengritjet antiosmane në prag të pavarësisë.
