Sot, në Ditën e Evropës, Bashkimi Evropian duhet ta ketë shumë të qartë: Ballkani Perëndimor nuk mund të mbahet peng në rrugën drejt integrimit evropian për shkak të Serbisë.
Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Serbia vazhdon të mos sillet si shtet që synon realisht paqen, stabilitetin dhe integrimin evropian. Përkundrazi, ajo vazhdon të armatoset nga aktorë që janë kundërshtarë strategjikë të Perëndimit, vazhdon të prodhojë destabilitet në rajon dhe vazhdon të funksionojë si instrument politik dhe gjeopolitik i Rusisë në Ballkan.
Mjafton të shihet hipokrizia politike e Listës Serbe dhe strukturave të lidhura me Beogradin: fillimisht largohen vetë nga institucionet e Kosovës, pastaj kërkojnë kthimin në to, ndërsa kur rikthehen, punojnë kundër vetë shtetit dhe institucioneve ku marrin pjesë.
Rasti i Millosh Peroviqit, kryetar i Komunës së Zubin Potokut nga Lista Serbe, është shembull i qartë i kësaj logjike destruktive. Sipas raportimeve mediale, ai pritet të marrë pjesë në një tubim në Podgoricë, së bashku me grupe ultranacionaliste serbe, ku do të kërkohet tërheqja e njohjes së Kosovës. Kjo nuk është politikë lokale. Kjo është pjesë e një projekti më të gjerë politik kundër shtetësisë së Kosovës dhe stabilitetit rajonal.
Kosova sot po mban një pjesë të madhe të barrës së frenimit të ambicieve hegjemoniste të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Pa Kosovën si shtet funksional dhe rezistent, ky presion do të zhvendosej edhe më drejtpërdrejt ndaj vendeve të tjera të rajonit.
Prandaj, mbështetja për Kosovën nuk është vetëm çështje solidariteti me Kosovën. Është çështje sigurie rajonale dhe evropiane.
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kuptojnë se rezistenca e Kosovës ndaj projekteve destabilizuese të Serbisë është edhe në interesin e tyre. Ndërsa Bashkimi Evropian duhet të ndalojë trajtimin e Serbisë si partner normal, përderisa ajo sillet si faktor destabilizues dhe si përçues i agjendave anti-perëndimore në rajon.
Nëse dikush ende ka iluzione për natyrën e këtyre projekteve, mjafton të shikojë hartat dhe simbolet që qarkullojnë nga qarqet ultranacionaliste serbe. Aty shihet qartë se çfarë ëndërrojnë: jo paqe, jo bashkëjetesë, jo Evropë, por rikthim të logjikës së territoreve, dominimit dhe revizionizmit.
Ky është problemi real që BE-ja duhet ta shohë pa iluzione.
