Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Oferta e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Për opozitën përfaqëson një ndërthurje të kujdesshme mes racionalitetit politik dhe etikës së përgjegjësisë në kuptimin klasik që i jep Max Weberi. Ajo artikulon një përpjekje për të dalë nga një bllokadë institucionale jo përmes imponimit të vullnetit politik, por përmes një formule konsensuale që synon të ruajë funksionalitetin e sistemit demokratik.
Në një moment kur sistemi politik i Kosovës rrezikon të bjerë sërish në kurthin e krizave ciklike, propozimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjen e Presidentit përmes një formule të përbashkët me opozitën nuk është thjesht një akt procedural — është një provë serioze për pjekurinë e klasës politike në tërësi.
Le ta themi pa e zbukuruar – vendi nuk ka luksin për një tjetër aventurë të re zgjedhore që konsumon energji, kohë dhe besim publik, pa prodhuar zgjidhje reale. Në këtë kontekst, oferta që i bëhet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është një test i dyfishtë— edhe për sinqeritetin e shumicës, por sidomos për përgjegjësinë e opozitës.
Sepse thelbi i kësaj nisme është i qartë: nga njëra anë kemi një shumicë që heq dorë nga kandidaturat e veta, duke bërë një tërheqje që në rrethana normale do të konsiderohej koncesion i madh politik; nga ana tjetër kemi opozitën, e cila për herë të parë vihet përballë mundësisë reale për të kontribuar në zgjedhjen e një figure unifikuese, e jo vetëm për të bllokuar procesin.
Kjo është pikërisht ajo që në teorinë politike do të quhej kalim nga logjika e përjashtimit në atë të bashkëpërgjegjësisë. Dhe këtu nuk ka vend për alibi. Nëse opozita refuzon, atëherë ajo nuk mund të fshihet më pas retorikës së zakonshme për “kapje shteti” apo “mungesë dialogu”. Refuzimi në këtë fazë do të lexohej si refuzim i vetë rolit të saj në ndërtimin e rendit institucional.
Por edhe shumica nuk është jashtë kritikës. Kjo lëvizje, sado e mençur në dukje, bart edhe një dozë të qartë kalkulimi politik. Duke e transferuar iniciativën te opozita, ajo ndërton një narrativë ku çdo dështim i mundshëm i procesit do të bjerë mbi kundërshtarët. Pra, kemi një ndërthurje të etikës së përgjegjësisë me një racionalitet të ftohtë strategjik—një kombinim që politika e njeh mirë.
Megjithatë, pavarësisht motiveve, ajo që ka rëndësi është rezultati. Nëse kjo formulë prodhon një President që gëzon besim të gjerë dhe që del jashtë polarizimit partiak, atëherë do të kemi një moment të rrallë ku politika kosovare i afrohet standardeve të demokracive funksionale. Në të kundërtën, nëse kjo mundësi shpërdorohet, atëherë përgjegjësia nuk do të jetë më e shpërndarë—ajo do të ketë emra konkretë. Dhe ata janë jo vetëm titullarët e PDK/LDK-së, por edhe tutorët e tyre.
Ky është momenti kur retorika duhet të zëvendësohet me vendimmarrje. Sepse qytetarët nuk presin më deklarata për “interesin e përgjithshëm”— ata presin prova. Dhe prova, këtë herë, është shumë e thjeshtë: a janë partitë politike në gjendje të prodhojnë një kompromis në emër të shtetit, apo do të vazhdojnë të mbajnë peng të ardhmen e tij?
