Shruan: Emin AZEMI, publicist/shkrimtar
Libri i Dr. Sadri Ramabajës “METAMORFOZA E DEMOKRACISË – Shteti në dritën e gjeopolitikës kritike”, ndërtohet mbi bindjen e thellë se historia nuk ndjek një trajektore lineare dhe as nuk njeh kulme përfundimtare, por lëviz përmes thyerjeve, rikompozimeve dhe cikleve të vazhdueshme të rishpërndarjes së pushtetit. Ajo nuk prodhon qetësi të qëndrueshme, por vetëm ekuilibra të përkohshëm, të cilët herët a vonë shpërbëhen nën peshën e kundërthënieve të brendshme dhe presionit të forcave të jashtme. Në këtë kuptim, përmes këtij libri studimor kuptojmë se historia njeh kryesisht transformime të thella, shpesh të dhunshme të rendit politik dhe institucional, ku konceptet që për një periudhë të gjatë janë konsideruar të konsoliduara dhe të paprekshme (demokracia si formë legjitimimi, sovraniteti si garanci e autonomisë shtetërore, siguria si premtim stabiliteti, shteti si autoritet suprem dhe aleancat si mekanizma mbrojtës) dalin nga gjendja e tyre e dukshme e stabilitetit dhe riformësohen në funksion të rrethanave të reja gjeopolitike.

Ajo që në diskursin bashkëkohor artikulohet me lehtësi si “krizë e demokracisë” nuk përfaqëson, në thelb, as një devijim të rastësishëm dhe as një dështim përfundimtar të projektit demokratik, por një moment historik të veçantë, ku vetë kuptimi i demokracisë vihet në pikëpyetje dhe kalon në një proces të thellë metamorfoze. Është një fazë e ndërmjetme, në të cilën forma e vjetër institucionale dhe normative ende nuk është shuar, por ka humbur aftësinë për të prodhuar konsensus të qëndrueshëm, ndërkohë që forma e re, ende e paqartë dhe e paemërtuar plotësisht, nuk ka arritur të marrë trup të konsoliduar. Kjo gjendje e pezullt krijon hapësira të pasigurisë strukturore, ku rregullat relativizohen, ku procedurat formale zbrazen nga përmbajtja dhe ku parimet shpesh zëvendësohen nga logjika e emergjencës dhe e menaxhimit të krizës.
Pikërisht në këtë terren të paqëndrueshëm, ku normat lëkunden dhe ligji humb monopolin e prodhimit të rendit politik, fuqia rikthehet si kategori themelore dhe e zhveshur e politikës, duke u shfaqur jo vetëm si mjet imponimi, por edhe si kriter i ri legjitimiteti. Në këtë kontekst, autori përmes një analize shterruese dhe agumentuese na jep të kuptojmë se shteti nuk paraqitet më si garant neutral i rregullave, por si aktor i tensionuar ndërmjet presionit të brendshëm shoqëror dhe dinamikave të jashtme gjeopolitike, ndërsa aleancat rikonceptohen jo mbi bazën e vlerave të deklaruara, por mbi interesa të lëvizshme dhe kalkulime strategjike afatshkurtra.
Ky libër pozicionohet pikërisht në këtë hapësirë kritike të ndërmjetme, duke synuar të lexojë jo vetëm simptomat e dukshme të krizës, por edhe logjikën e saj të brendshme, mekanizmat e transformimit dhe drejtimet e mundshme të rindërtimit të rendit politik në një epokë të karakterizuar nga pasiguria globale, fragmentimi i autoritetit dhe rikthimi i gjeopolitikës si bosht përcaktues i politikës botërore.
“Metamorfoza e Demokracisë….” nuk shfaqet vetëm si një tekst me narrativë të ngjeshur argumentues, as si një manual shpëtimi që kërkon ta rehabilitojë demokracinë përmes moralizmit liberal të konsumuar, e as si një apologji e rendit ekzistues ndërkombëtar që përpiqet ta justifikojë veten përmes gjuhës së stabilitetit formal. Përkundrazi, kjo vepër voluminoze e ndarë në gashtë kapituj, artikulohet si një akt i ndërgjegjshëm kritik, si një ndërhyrje intelektuale që synon të çmontojë mitologjitë politike të pas vitit 1991, iluzionin e rrezikshëm se historia kishte hyrë në një fazë pa kthim, se konfliktet ishin shndërruar në relikte muzeale dhe se gjeopolitika ishte zëvendësuar përfundimisht nga teknokracia, nga logjika menaxheriale dhe nga absolutizimi i globalizmit ekonomik. Ky libër i Ramabajës e refuzon qetësinë artificiale të epokës postideologjike dhe e ekspozon boshllëkun konceptual të një demokracie që u bind se mund të mbijetonte pa tension, pa rrezik dhe pa armiq realë.
Rikthimi brutal i luftës në zemër të Evropës, rasti i Ukranës, shpërbërja graduale e konsensusit transatlantik, fragmentarizimi i brendshëm i Bashkimit Europian dhe ringritja e projekteve autoritare, të kamufluara shpesh nën atributin e sovranitetit, sigurisë dhe identitetit, nuk janë devijime të përkohshme, por simptoma të një krize strukturore. Ato dëshmojnë se demokracia, e zhveshur nga dimensioni i saj strategjik, e reduktuar në procedurë dhe e izoluar nga realitetet e forcës, nuk është më në gjendje të mbrojë veten. Në këtë kuptim, siç rezulton edhe nag ky libër, demokracia nuk mund të mbijetojë duke u kthyer pas, duke riprodhuar formulat e vjetra ose duke u strehuar në diskursin moral të superioritetit etik; ajo mund të mbijetojë vetëm duke u transformuar rrënjësisht, duke ndryshuar natyrën e saj operative, funksionin e saj politik dhe vetëdijen e saj historike.
“Metamorfoza e Demokracisë…” e vendos këtë proces ndryshimi jo si një zgjedhje teorike, por si një domosdoshmëri ekzistenciale. Demokracia e së ardhmes, nëse do të mbetet relevante, duhet të rifitojë aftësinë për të kuptuar konfliktin, për të artikuluar pushtetin, për të menduar sigurinë dhe për të vepruar në një botë ku rendi liberal nuk është më normë, por një nga shumë konkurrenca strategjike. Kjo vepër nuk fton në dorëzim përballë autoritarizmit, por as nuk ushqen nostalgji për një rend që nuk ekziston më, ajo fton në një rikonceptim të thellë të demokracisë si formë dinamike e mbijetesës politike në një epokë fragmentimi, rivaliteti dhe pasigurie sistemike.
Në këtë realitet të ri, të shënuar nga rrëshqitja e rendit botëror dhe nga kthimi i pasigurisë si kategori themelore e politikës, shteti nuk mund të reduktohet më në një mekanizëm teknik të administrimit procedurial të pushtetit, as në një aparat neutral rregullash që funksionon jashtë trysnive të historisë. Ai shndërrohet, në thelb, në njësi të mbijetesës kolektive, të detyruar të mendojë jo vetëm për efikasitetin institucional, por për sigurinë ekzistenciale, për arkitekturën e aleancave, për kapacitetin e parandalimit dhe për rezistencën ndaj formave të reja të konfliktit, ku lufta hibride, presioni ekonomik, manipulimi informativ dhe ndërhyrja gjeopolitike e zëvendësojnë përballjen klasike ushtarake. Në këtë kontekst, sovraniteti pushon së qeni një kategori absolute juridike, e mbyllur në tekstet kushtetuese dhe në dogmat e së drejtës ndërkombëtare, por shndërrohet në funksion dinamik të fuqisë reale, të legjitimitetit demokratik të brendshëm dhe të aftësisë për t’u pozicionuar në mënyrë racionale brenda ekuilibrave gjeopolitikë. Demokracia e shkëputur nga fuqia reale reduktohet në një ritual formal, në një teatër procedurash pa ndikim, ku vota nuk prodhon mbrojtje dhe liria nuk garanton siguri, ndërsa fuqia e shkëputur nga demokracia, e çliruar nga kontrolli dhe llogaridhënia, degjeneron pashmangshëm në autoritarizëm, në imponim të rendit përmes frikës dhe jo përmes konsensusit. Metamorfoza që trajton ky libër nuk është as thirrje për militarizim të demokracisë, as justifikim për suspendimin e saj në emër të emergjencës, por një përpjekje konceptuale për të ribashkuar këto dy dimensione të ndara artificialisht, për të ndërtuar një model ku demokracia dhe fuqia nuk e përjashtojnë, por e kushtëzojnë njëra-tjetrën, në kushtet e një bote thellësisht të pasigurt, fragmentare dhe konfliktuale.
Një nga shtyllat më të qëndrueshme dhe themelore të këtij libri qëndron në artikulimin e idesë së Federatës Shqiptare si një domosdoshmëri historike dhe gjeopolitike, një sine qua non për mbijetesën, dinjitetin dhe autonominë e kombit. Ky koncept nuk lind nga impulse romantike apo nostalgjike, as nga një nacionalizëm emocional që shpesh e verbëron gjykimin, por rrjedh nga një analizë e ftohtë, e gjerë dhe pa kompromis e një realiteti ku fragmentarizimi politik i shqiptarëve ka prodhuar dobësi strukturore, pasiguri kronike dhe varësi strategjike nga vullneti shpesh arbitrar i aktorëve të jashtëm. Ai rrjedh nga një kuptim i thellë i historisë: se kombet që nuk janë të bashkuar, që nuk ndajnë një vizion të përbashkët të fatit të tyre, shpesh bëhen viktima të lojërave të mëdha gjeopolitike, duke humbur jo vetëm pavarësinë politike, por edhe lirinë e vetë-identitetit.
Në një epokë kur rendi botëror tradicional është duke u shpërbërë, kur aleancat e dikurshme humbin kuptimin dhe kur forcat globale reagojnë me pragmatizëm shpesh të pamëshirshëm, fragmentarizimi shqiptar nuk është më një sfidë vetëm identitare apo një hendek kulturor, ai është një rrezik ekzistencial, një kërcënim që mund të vërë në sprovë jo vetëm perspektivën politike të shqiptarëve, por vetë vazhdimësinë e tyre historike në rajon dhe në Europë.
Historia ofron paralajmërime të qarta: kombet e copëtuara, të ndara nga konflikte të brendshme ose nga ambicia e të tjerëve, shpesh janë shndërruar në mbetje të së shkuarës, në tregime të dhimbshme të humbjes së lirisë dhe identitetit. Për shqiptarët, këto paralajmërime janë të pranishme çdo ditë: nga vështirësitë e përfaqësimit politik në institucionet ndërkombëtare, deri te presionet e papërshtatshme të aktorëve të jashtëm, që shpesh e shohin fragmentarizimin si mundësi për të imponuar interesa të veçanta.
Prandaj, ideja e Federatës Shqiptare që ngre Ramabaja nuk është një utopi, nuk është një ëndërr e largët, ajo është një domosdoshmëri e pashmangshme e strategjisë kombëtare dhe e logjikës historike. Ajo kërkon vizion të guximshëm, vullnet të palëkundur dhe përkushtim të papërkulur, duke i dhënë fund fragmentimit dhe duke rikthyer shqiptarët në binarët e fuqisë, autonomisë dhe sovranitetit. Vetëm përmes unitetit të qëndrueshëm, vetëm përmes një federate që bashkon përveç kufijve gjeografikë edhe forcat historike dhe kulturore të kombit, mund të kapërcehen sfidat e shekullit XXI duke garantuar të ardhmen dhe dinjitetin e shqiptarëve si një komb i bashkuar, i fuqishëm dhe i pakapshëm për manipulime të jashtme.
Federata Shqiptare nuk është thjesht një koncept politik, ajo është një arkitekturë e shpirtit republikano-demokratik dhe e sigurisë kolektive, një vizion që ngrihet mbi rrënojat e historisë së trazuar të Europës Juglindore, ku fragmentarizimi dhe përçarjet kanë gëlltitur shpresat për një të ardhme të qëndrueshme. Ajo nuk është një ëndërr naive, as një utopi e largët, por një përgjigje e ftohtë, e llogaritur, ndaj realitetit brutal ku paqja nuk është dhuratë e natyrës, por rezultat i mençurisë strategjike dhe i guximit kolektiv. Federata Shqiptare nuk kërkon homogjenizim që shuan identitetet, por koordinim që forcon diversitetin, nuk kërkon përjashtim që ushqen urrejtjen, por stabilitet që forcon besimin, nuk kërkon konflikt që shkatërron, por parandalim të luftës përmes disiplinës së organizuar dhe të fuqisë të matur.
Në fokus të këtij studimi ambicioz qëndron platforma e sigurisë, jo si instrument i formalizuar, por si boshti jetik i së ardhmes së përbashkët. Në epokën e rikthimit të gjeopolitikës klasike, ku rendi botëror duket i brishtë dhe lëvizjet e fuqive të mëdha janë të paparashikueshme, paqja nuk është më një gjendje e natyrshme, por fryt i vetëdijes strategjike, i planifikimit të kujdesshëm dhe i balancës së forcave. Vetëm përmes një federate të tillë, që bashkon vizionin me pragmatizmin, Europa Juglindore mund të shndërrohet nga një terren i përçarjes në hapësirë të sigurisë dhe të bashkëpunimit, ku sfidat historike shndërrohen në mundësi për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, një horizont ku liria, integriteti dhe kohezioni kolektiv nuk janë më ideale të largëta, por realitet i prekshëm, ndërtuar me duar të bashkuara dhe mendje të kthjellët.
Ballkani Perëndimor, i cili për dekada është perceptuar nga qendrat e fuqisë evropiane dhe ndërkombëtare si një periferi problematike, një laborator i brishtë ku integrimi dhe transformimi politik dështojnë shpesh përballë realitetit historik dhe social, në këtë studim trajtohet si një front i hapur gjeopolitik, ku tensionet e pazgjidhura dhe shpesh të keqinterpretuara kanë krijuar një vakuum sigurie me pasoja multidimensionale. Këto vakume nuk janë thjesht boshllëqe politike, ato janë hapësira ku interesat e fuqive të jashtme, rivalitetet rajonale dhe dobësitë institucionale ndërthuren, duke prodhuar një peizazh destabilizues për sigurinë, ekonominë dhe perspektivën integruese të rajonit. Dështimet strategjike të Brukselit nuk mund të shihen thjesht si mangësi burokratike, por si tregues të një deficiti të thellë të vizionit strategjik evropian, i cili shpesh përbuz rëndësinë e historisë dhe të ligjshmërisë politike, relativizon agresionin dhe nënvlerëson dimensionin gjeopolitik të konflikteve, duke i lënë rajonit hapësirë për ndërhyrje të aktorëve të jashtëm.
Metamorfoza e demokracisë evropiane, siç qartësohet në këtë studim, kalon nga një ideal transformues në një mekanizëm shpesh të amortizuar nga pragmatizmi selektiv dhe reflektohet në mënyrë të qartë në Ballkan përmes instrumenteve të tilla si Marrëveshja e Brukselit, dialogu Kosovë-Serbi dhe qasja ambivalente ndaj Serbisë. Këto procese nuk funksionojnë si mekanizma të qëndrueshëm stabilizimi, por shfaqin simptomat e një krize të thellë të mendimit strategjik europian, ku logjika e parimeve zëvendësohet nga kompromiset taktike, ku tolerimi i agresionit shpesh perceptohet si alternativë për ruajtjen e ekuilibrit, dhe ku perspektiva historike dhe e drejtësisë politike sakrifikohet për të ruajtur një balancë të brishtë dhe shpesh të paqartë pushteti.
Dimensioni ekonomik i rajonit, varësia nga investimet e huaja dhe infrastruktura energjetike deri te kontrolli i rrugëve strategjike dhe resurseve natyrore, shton kompleksitetin e sfidave. Çdo dështim në menaxhimin e këtyre elementeve shndërrohet në pasiguri socio-ekonomike dhe vështirëson procesin integrues. Nga ana tjetër, ndikimi i aktorëve globalë dhe rajonalë Rusia, Kina, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpesh përforcon polarizimet, duke transformuar Ballkanin në një skenë ku çdo lëvizje strategjike europiane analizohen dhe sfidohen nga interesat konkurruese. Kjo ndërthurje e faktorëve historikë, politikë, ekonomikë dhe gjeostrategjikë e bën rajonin jo thjesht një periferi problematike, por një test kritik të aftësisë së Europës për të konceptuar dhe implementuar një vizion strategjik të qëndrueshëm, duke ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në një hapësirë ku historia, politika, ekonomia dhe siguria janë të pandashme.
Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor shndërrohet në një laborator kompleks të sfidave të demokracisë moderne dhe integrimit evropian, një hapësirë ku dështimet e politikës, vakumet e sigurisë dhe ndikimet e jashtme konvergojnë, duke imponuar nevojën për një analizë të kujdesshme, strategji të integruar dhe angazhim të pandërprerë për stabilitet dhe zhvillim. Vetëm përmes një qasjeje holistike dhe ndërdisiplinore, ku vlerësohen dimensionet historike, politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, mund të konceptohet një vizion i ri i Ballkanit, jo si periferi problematike, por si një komponent i domosdoshëm i arkitekturës së sigurisë dhe integrimit evropian.
Në qendër të këtij vakuumi që kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, Serbia nuk paraqitet thjesht si një shtet mesatar, por si një entitet hybrid, një strukturë ideologjike e ngulitur thellë, që ushqen nostalgjinë e një perandorie sllave të shkuar dhe ushtron një të ardhme të imagjinuar me mjete të së kaluarës. Trashëgimia jugosllave nuk është thjesht histori, por një laboratori ku nostalgjia perandorake, mitologjia nacionaliste dhe fashizmi postmodern ndërthuren në një koncept të njohur si “Bota Serbe”, e cila nuk është vetëm një teori politike, por një doktrinë operacionale e hegjemoni rajonale.
Serbia, në këtë skemë, shfaqet si një “deep state” ballkanik, një makineri ku gënjeshtrat strategjike janë armë, kultura e dhunës është metodë, dhe instrumentalizimi i gjeoekonomisë shndërrohet në mjet për pushtet të jashtëzakonshëm. Ajo sfidon njëkohësisht Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke luajtur me logjikën e përshkallëzimit dhe ultimatumit, sikur çdo krizë e prodhuar të ishte pjesë e një orkestrimi të madh, ku destabiliteti është produkt i ndërgjegjshëm, dhe jo aksidental.
Në këtë teatër gjeopolitik të tensioneve, Serbia nuk ndalet para asgjëje: ajo instrumentalizon mitet, përpunon frikën dhe shfrytëzon çdo dobësi institucionale për të krijuar hapësira të pasigurta, ku çdo përpjekje ndërkombëtare për stabilitet duket si tentativë e pafuqishme për të kontrolluar një fuqi që jeton jashtë rregullave të zakonshme. Në këtë mënyrë, rajoni shndërrohet në një laborator të krizave të qëllimshme, dhe Serbia me të gjithë mekanizmat e saj të fshehtë, narrativat historike dhe ambiciet e paqarta, duket se ka zgjedhur të bëhet epiqendra e tensionit të përhershëm, duke sfiduar të ardhmen e Ballkanit dhe rendin botëror me një vetëdije të frikshme dhe të pandalshme.
Përballë këtij peizazhi të ndërlikuar dhe shpesh kërcënues, Republika e Kosovës nuk mund të trajtohet thjesht si një shtet i ri në hartën e Ballkanit. Ajo është një projekt demokratik në kushtet e një rrethimi gjeopolitik që sfidon çdo logjikë të zakonshme shtetërore. Politika e brendshme, këtu, nuk është kurrë një fushë eksperimentale e ndarë nga realiteti jetik, por një fushë beteje ku çdo vendim, çdo koalicion, çdo lëvizje elektorale lidhet ngushtë me ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe mbijetesës së vetë institucioneve shtetërore. Zgjedhjet nuk janë vetëm mekanizëm demokratik, ato janë test i aftësisë për të mbrojtur sovranitetin, kurse koalicionet nuk janë thjesht aleanca politike, por instrumente strategjike për të ruajtur qëndrueshmërinë e shtetit në mes të sfidave të brendshme dhe presioneve të jashtme. Çdo figurë publike, çdo lider politik, nuk duhet shikuar vetëm prizmin e karrierës apo ambicies personale, por si aktorë në një dramë historike ku fatet e Republikës dhe të popullit shqiptar shpesh varen nga aftësia për të menaxhuar një rivalitet të thellë shqiptaro-serb, rivalitet ky që nuk është thjesht trashëgimi historike, por një fenomen që sot zhvillohet nën hijen e një Lufte të re të Ftohtë, ku interesat e fuqive globale dhe lojërat rajonale ndërthuren në mënyrë të pafundme.
Në këtë kontekst, libri që kemi në duar na sugjeron se demokracia kosovare nuk shfaqet si një proces harmonik konsensual, i qetë dhe i parashikueshëm, por si një proces rezistence institucionale, një betejë e përditshme për të afirmuar institucionet dhe për të mbrojtur rendin demokratik. Institucionet shtetërore, shpesh të kërcënuara nga destabilizimi i brendshëm, sulmet politike dhe ndikimet e jashtme, shfaqin një fleksibilitet dhe kurajo të jashtëzakonshme, duke u bërë simbol i qëndrueshmërisë dhe i përkushtimit ndaj idealit të lirisë. Republika e Kosovës ngrihet kështu jo vetëm si një vend i vogël në hartën e Evropës Juglindore, por si një emblemë e gjallë e asaj se demokracia nuk është thjesht procedurë, por një angazhim i palodhur për ekzistencë, një mision historik për të ruajtur sovranitetin, dinjitetin kombëtar dhe vlerat e lirisë përballë presioneve të vazhdueshme. Çdo zgjedhje, çdo vendim, çdo akt institucional shndërrohet në gurë të peshorës historike dhe në dëshmi të përpjekjes së një kombi për të afirmuar të ardhmen e vet, duke sfiduar realitetin e ndërlikuar të fqinjësive historike dhe lodhjen e ndërkombëtarëve, të cilët shpesh interpretojnë Ballkanin si fushë lojërash strategjike, dhe jo si hapësirë ku vendimet e një populli të vetëm mund të përcaktojnë fatin e vet.
Dimensioni strukturor e përmbajtësor i librit “METAMORFOZA E DEMOKRACISË – Shteti në dritën e gjeopolitikës kritike” shtrihet përmes një analize të thellë dhe të pandërprerë të luftës në Ukrainë, e cila shfaqet jo thjesht si një konflikt territorial apo një përplasje ndërkombëtare, por si një krizë paradigmatike që sfidon themelin e vetë rendit ndërkombëtar dhe të perceptimeve tona mbi sigurinë, sovranitetin dhe moralin global.
Kjo nuk është një luftë e zakonshme, është një përplasje sistemike mes dy vizionesh botërore të cilat, përmes intensitetit të tyre ekstrem, zbulojnë fragilitetin e perceptuar të rendit të tanishëm. Thyerja e tabuve ushtarake, debatet e përshkallëzimit, frika nga përdorimi i armëve bërthamore dhe heshtja e çuditshme e opinionit publik ndërkombëtar tregojnë një Perëndim të shpërbërë mes vendosmërisë dhe hezitimit, një Perëndim që nuk di nëse duhet të mbrojë normat që ka krijuar apo të shmangë rrezikun e përshkallëzimit të paprecedentë.
Paralelisht, në horizont shfaqet imazhi i rendit të ri botëror jo si një strukturë e qetë dhe e harmonizuar, por si një orkestër kaotike ku fuqitë rajonale, deep state-et, korporatat globale, doktrinat strategjike të reja dhe aleancat e pazbuluara luftojnë për të ripozicionuar secilin gur në tabelën e pafund të shahut ndërkombëtar. Çdo vendim, çdo lëvizje, çdo aleancë duket e ngarkuar me pasojat e së ardhmes globale. Çdo hap strategjik mund të ndryshojë balancën e fuqive dhe të ripërcaktojë normat që deri dje konsideroheshin të pandryshueshme. Ukraina, në këtë kontekst, nuk është vetëm skena e një lufte, ajo është laborator i historisë, fushë ku përballen vizionet e së ardhmes, ku mbijetojnë ata që kuptojnë se rendi i ri nuk lind nga konsensusi, por nga kaosi, konkurrenca strategjike e pandalshme dhe aftësia për të lexuar dinamikat e fshehta të pushtetit global. Kjo përplasje, me gjithë dhimbjen, pasionin dhe frikën që shkakton, e shndërron çdo beteje, çdo vendim politik dhe çdo marrëveshje të mundshme në fragment të një legjende moderne gjeopolitike, ku historia nuk shkruhet nga paqja, por nga forca, mençuria dhe guximi për të sfiduar status quo-në.
Në këtë kuptim, ky libër nuk është thjesht një analizë akademike, një përmbledhje e fakteve dhe statistikave, por një akt guximi intelektual dhe shpirtëror, një thirrje plot zë kundër naivitetit politik dhe iluzioneve që shpesh maskohen si të vërteta të pandryshueshme. Për rrjedhojë ky libër sfidon idenë e rreme dhe romantike se demokracia mund të ekzistojë dhe të lulëzojë mbi besimin e verbër se rendi botëror është i drejtë dhe se njerëzit, në vetvete, janë të ndershëm dhe të matur. Përkundrazi, libri pohon se demokracia është një krijesë dinamike, e brishtë, e ndërtuar mbi betejën e përhershme mes forcës dhe idealit, mes historisë dhe fatit, një entitet që nuk mund të mbijetojë pa strategji të qarta, pa kapacitete të afirmuara të pushtetit, pa inteligjencë politike dhe pa vetëdije historike që njeh rrjedhat, traumën dhe ligësinë e historisë njerëzore.
Ky libër argumenton me vendosmëri se vetëm një demokraci që e kupton gjeopolitikën në të gjithë kompleksitetin e saj, ku aleancat dhe antagonizmat nuk janë abstraksione të largëta, por forcë dhe vulnerabilitet i prekshëm, që e pranon konfliktin si pjesë të pandashme të realitetit dhe që ndërton mekanizma kolektivë të mbrojtjes, solidaritetit dhe qeverisjes të adaptueshme, mund të qëndrojë dhe të zhvillohet në shekullin XXI. Një demokraci e tillë nuk është produkt i rastësisë, i fatit apo i ëndrrave romantike. Ajo është rezultat i vetëdijes dhe veprimit të ndërgjegjshëm, e aftë të lexojë kohën, të interpretojë rrezikun, dhe të ndërtojë një vizion të qëndrueshëm që mbron shoqërinë nga turbulencat e pafund të epokës moderne.
Demokracia e sotme, sipas këtij libri, nuk mund të reduktohet në procedura burokratike, ligje të thjeshta apo në retorikën e vakët të deklaratave politike. Ajo është një betejë e përhershme mes realitetit dhe idealit, mes historisë që nuk fal dhe të ardhmes që kërkon guxim, mes fuqisë që imponon dhe drejtësisë që sfidon. Çdo qytetar bëhet jo vetëm vëzhgues, por aktor i pandashëm i një eksperience që teston kufijtë e durimit, mençurisë dhe guximit, duke transformuar jetën publike në një teatër të kuptimit të thellë të demokracisë. Kjo është një demokraci që nuk ndjek rrugët e lehta, por sfidat që imponon epoka, një demokraci që kupton se vetëm duke pranuar tensionet, duke mbrojtur institucionet dhe duke afirmuar strategjitë kolektive mund të ndërtohet një rend i qëndrueshëm, ku liria dhe siguria nuk janë luks, por nevojë ekzistenciale.
Në këtë mënyrë, libri shpërfaq se demokracia nuk është një dhuratë e padukshme që bie nga qielli, por një konstruksion i brishtë dhe i fuqishëm njëkohësisht, i cili kërkon vëmendje, mençuri, guxim dhe përkushtim të pandërprerë. Thënë më shkoqur ky studim është një reflektim mbi humbjet dhe triumfet e shoqërive njerëzore, dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që dëshirojnë që demokracia të mos mbetet një koncept abstrakt, por një forcë reale që formëson fatin e shekujve.
Në përmbyllje, mund të konkludojmë se libri “Metamorfoza e Demokracisë…” nuk është thjesht një analizë akademike, nuk është një raport i vakët i krizave që e rrethojnë botën, por është thirrja e një kohe të re, një manifest intelektual dhe politik, një zhurmë që sfidon heshtjen e lehtë dhe qetësinë e rreme të komoditetit. Ky studim fton lexuesin të heqë dorë nga iluzioni i neutralitetit, sepse në këtë botë ku gjeopolitika rikthehet si ligj universal, mosveprimi nuk është paqësor, por gjykim fatal, një akt i heshtur i vetëzhdukjes. Demokracia nuk është më strehë e sigurt morale, ajo është arenë e përballjes, ku fuqitë e dukshme dhe të padukshme përplasen, ku çdo vakum shfrytëzohet për të shndërruar të pafuqishmit në të humbur. Shteti nuk mund të qëndrojë më pasiv, i izoluar, si mbrojtës i rendit ekzistues; ai duhet të bëhet mekanizëm i fuqishëm i mbijetesës, një instrument aktiv që formëson fatin e qytetarëve dhe të kombit, që ndërton, jo që pret.
Kombi, nga ana tjetër, nuk mund të shikohet më si relike nostalgjike e së kaluarës. Ai është subjekt aktiv i historisë, një entitet që ose artikulohet me vizion dhe forcë, ose shpërbëhet gradualisht, duke u shndërruar në hije të harresës. Pikërish ky libër është thirrje për rikthim tëmendimit strategjik shqiptar, për ripërkufizim të Republikës si projekt i fuqisë legjitime, i vetëdijes historike dhe i përgjegjësisë kolektive. Autori kërkon nga lexuesi të mos jetë thjesht dëshmitar i historisë, por arkitekt i saj, të parashikojë, të formësojë dhe të udhëheqë proceset që përcaktojnë të ardhmen kombëtare dhe globale.
Në këtë epokë ku rendi i vjetër shembet dhe rendi i ri nuk ka marrë ende formë, zgjedhja nuk është midis komoditetit dhe rrezikut; ajo është midis vetëdijes historike dhe zhdukjes politike, midis veprimit dhe heshtjes fatale. Ky nuk është thjesht një paralajmërim; është ngritje shpirtërore, është sfidë për çdo shqiptar që kërkon të jetojë me dinjitet në kohën e tij, që kërkon të bëhet pjesë e proceseve që nuk i përgjigjen historisë me vonesë, por që e paraprijnë atë, e modelojnë dhe e udhëheqin me guxim. Prandaj ky libër kërkon nga ne të zgjohemi nga letargjia e vetmjaftueshmërisë, të mendojmë me thellësi, të veprojmë me forcë dhe të ndërtojmë një vizion që nuk është më thjesht i mundshëm, por i detyrueshëm për mbijetesën dhe për dinjitetin e kombit tonë.
Shkup, dhjetor 2025
