Shkruan: Emin Azemi, Shkrimtar, publicist
Kauza e studentëve nuk duhet parë si një betejë e izoluar e radhës. Ajo duhet të shërbejë si një shkëndijë për zgjimin e mendimit kritik dhe si pikënisje për një diskurs të ri publik. Është koha që çdo kërkesë e jona të inkorporohet në një platformë të qartë strategjike që kërkon avancimin e prerë kushtetues të shqiptarëve. Vetëm duke u rreshtuar si popull shtetformues, me garanci të qarta dhe të paprekshme kushtetuese, mund t’i japim fund epokës së ligjeve prej plasteline…
Ditën e nesërme, studentët shqiptarë do të zbresin sërish në rrugët e Shkupit për të mbrojtur një të drejtë që çdo demokracie perëndimore do t’i tingëllonte absurde për t’u diskutuar: të drejtën për t’i nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare. Kjo kërkesë nuk buron nga mosnjohja e maqedonishtes dhe as nga injorimi i saj. Ajo është një thirrje legjitime për dinjitet institucional dhe respektim të identitetit kombëtar në një shoqëri që pretendon të jetë shumëkombëshe dhe evropiane.
Për një vëzhgues të huaj, paradoksi është i qartë dhe i dhimbshëm. Shteti financon arsimimin e plotë universitar të këtyre studentëve në gjuhën shqipe, por në hapin përfundimtar – atë të licencimit profesional që u jep të drejtën të ndajnë drejtësinë – i detyron ata t’i nënshtrohen një gjuhe tjetër. Kjo bllokadë në gjysmë të rrugës nuk është thjesht një pengesë administrative; është një tendencë e rrezikshme e instaluar qëllimisht për të defokusuar vëmendjen e opinionit publik. Në një kohë kur vendi lëngon nën ngarkesën e ndryshimeve kushtetuese dhe ngecjes në rrugëtimin eurointegrues, rikthimi i temave që nxisin polarizime etnike shërben si një “marsh i favorshëm” për të mbuluar dështimet në reformat strukturore dhe luftën ndaj korrupsionit.
Megjithatë, kjo krizë e sotme nuk lindi nga asgjëja. Ajo ka autorë dhe adresa të sakta politike. Përtej vendimeve të ekzekutivit aktual, ky absurditet shpërfaq një kthesë të rëndë të papërgjegjshmërisë: neglizhencën dhe kompromisin e heshtur të ministrave dhe funksionarëve shqiptarë që me dekada kanë defiluar në krye të dikasterit të Drejtësisë dhe të arsimit. Si ka mundësi që për vite me radhë, sa herë që negocioheshin ligjet, marrëveshjet politike dhe reformat në gjyqësor, asnjë ministër shqiptar nuk e pa të udhës ta zgjidhte me rregullore apo me ndryshim ligjor këtë ngërç kaq elementar? Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi që në vitin 2019, por ministrat shqiptarë u mjaftuan me trimëri deklarative dhe konsum politik të temës, duke e lënë zbatimin e saj të gjymtuar në praktikë. Ata e lanë këtë problem të kalbej në sirtarë derisa shpërtheu në duart e studentëve të sotëm. Kjo flet për një sindromë ku elita politike shqiptare përdor gjuhën si instrument për të marrë vota, por dështon të ndërtojë infrastrukturë institucionale për ta mbrojtur atë.
Ky moment nxjerr në dritë dilemën e madhe që rëndon mbi vetë shoqërinë tonë: A po arrijmë të ndërtojmë një mendim kritik të qëndrueshëm, apo po mbetemi skllevër të reagimeve sezonale?
Sot, reagimet tona ngjajnë me fikjen e zjarreve të pjesshme. Ne protestojmë kur na preket një e drejtë specifike, por harrojmë se këto deformime në fushën e barazisë kombëtare janë vetëm simptoma të një sëmundjeje më të madhe. Shqiptarët ende nuk e gëzojnë statusin e popullit shtetformues në rrafshin kushtetues. Si pasojë e këtij deficiti, ligjet tona – përfshirë edhe ai për përdorimin e gjuhës shqipe – shpesh trajtohen si “plastelinë”. Ato ndryshojnë formën, ngjishen ose zvogëlohen varësisht nga orekset dhe kalkulimet e pushteteve që instalohen në Shkup, duke u shndërruar në fryt të marrëveshjeve të përkohshme dhe pazareve politike mes partive.
Nëse mjaftohemi vetëm mitë zgjidhje parciale dhe “arna” juridike, shqiptarëve do t’iu shkojë jeta duke protestuar çdo sezon për të njëjtat të drejta elementare. Në shtetet e konsoliduara shumëgjuhëshe si Belgjika, Zvicra apo Finlanda, e drejta për të dhënë provimet shtetërore në gjuhën amtare është e vetëkuptueshme, sepse bazohet në parimin e palëkundur të barazisë qytetare dhe kombëtare.
Prandaj, kauza e studentëve nuk duhet parë si një betejë e izoluar e radhës. Ajo duhet të shërbejë si një shkëndijë për zgjimin e mendimit kritik dhe si pikënisje për një diskurs të ri publik. Është koha që çdo kërkesë e jona të inkorporohet në një platformë të qartë strategjike që kërkon avancimin e prerë kushtetues të shqiptarëve. Vetëm duke u rreshtuar si popull shtetformues, me garanci të qarta dhe të paprekshme kushtetuese, mund t’i japim fund epokës së ligjeve prej plasteline dhe të ndërtojmë një shtet ku drejtësia flitet, shkruhet dhe jepet pa pengesa etnike.
Shkup, 17 maj 2026
