Ng Dr. Selim IBRAIMI
NATO ka vendosur të zvogëlojë forcat paqeruajtëse në Kosovë. SHBA-të kanë vendosur të bëjnë të njëjtën gjë. Çfarë do të thotë kjo për sigurinë e Kosovës dhe a ka arsye të tjera për këto lëvizje amerikane? Për të hequr të gjitha dilemat dhe spekulimet e dezinformatorëve qoftë brenda dhe jashtë Kosovës, Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën ka theksuar se institucionet e sigurisë së Kosovës janë bërë më të afta.
“KFOR-i do ta zvogëlojë gradualisht madhësinë e tij gjatë vitit të ardhshëm për shkak të situatës së përmirësuar të sigurisë në vend”, tha ai. Paraprakisht se Pentagoni të njoftonte për këto shkurtime të reja, senatorë dhe kongresmenë amerikanë nga të dyja partitë në Kongresin amerikan, alarmuan për pasojat e mundshme të tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa dhe Kosova. Sipas raporteve, senatorët paralajmëruan se “një tërheqje e parakohshme mund të destabilizojë sigurinë e brishtë të Ballkanit Perëndimor dhe të inkurajojë Rusinë dhe Serbinë.”
Analistë të ndryshëm në rajon kanë thënë se zvogëlimi i pranisë së NATO-s në Kosovë ka të bëjë me situatën e përmirësuar gjegjësisht në veri të Kosovës. Qeveria e kryeministrit Albin Kurti vitet e fundit ka marrë masa shtesë për të vënë rendin dhe sigurinë në veri. NATO-ja dhe SHBA-të pikërisht këtu mbështeten në politikën e zvogëlimit të forcave ndërkombëtare dhe atyre amerikane, pa përjashtuar mospajtimet dhe inatet me aleatët evropianë që nuk dhanë ndihmë të mjaftueshme në luftën amerikane në Gjirin Persik me Iranin. NATO-ja pas sulmit në Banjskë të vitit 2023 bëri rritjen e forcave për të siguruar rendin dhe paqen në kufijtë e Kosovës me Serbinë. Tensionet e përshkallëzuara atëherë çuan që NATO-ja dhe ShBA-të të mbanin një forcë deri në 4600 trupa ndërkombëtare.
SHBA-të aktualisht kanë 600 forca paqëruajtëse në Kosovë dhe nuk është bërë e ditur se sa do të zvogëlohet ky numër pas njoftimeve të reja nga Pentagoni. Analistët në Serbi që janë në favor të tërheqjes së përhershme të NATO-s nga Kosova cila shërben njëkohësisht edhe si forcë mbrojtëse e Kosovës bashkë me FSK-në, shpresojnë se ky zvogëlim amerikan dhe i atyre të forcave shumëkombëshe do të shpie drejt tërheqjes së përhershme amerikane nga Kosova dhe si mundësi për forcat serbe të kthehen aty si para vitit 1999. Kërcënimet e tilla janë marrë seriozisht nga autoritetet e Kosovës të cilët viteve të fundit kanë ngritur aftësistë e FSK-së dhe të agjencive të tjera të inteligjencës.
Siç përmendëm më lartë, hidhërimi amerikan lidhet me refuzimin e shteteve anëtare të NATO-s për të lejuar forcat amerikane t’i shfrytëzojnë bazat ushtarake. Dhe e gjithë kjo si duket ka reflektuar në një lëvizje amerikane jo vetëm në shtetet anëtare, por edhe më gjerë.
Kështu Pete Hegseth, Sekretar i Mbrojtjes duke kërcënuar anëtarët e NATO-s tha: “SHBA do të vazhdojë të mbajë disa nga detyrimet ndaj NATO-s edhe nëse aleatët “falas” nuk i përmbushin angazhimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes.”
Duke iu drejtuar ministrave të Mbrojtjes të shteteve anëtare në selinë e NATO-s në Bruksel të enjten e kaluar, sekretari Hegseth tha se shqyrtimi do të zgjasë deri në gjashtë muaj dhe do të përfshijë konsultime me Kongresin në ShBA, i cili ka përcaktuar me ligj një numër minimal pranisë së forcave amerikane në Evropë. Në ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u përpoq të ulte këtë kërcënim e ri amerikan. Rutte tha se ShBA-të nuk po tërheqin më shumë trupa nga Evropa. “Nuk ka të bëjë me vendin ku ndodhen aktualisht forcat dhe asetet”, tha ai në Bruksel. “Ka të bëjë me atë se kush dhe çfarë do të bënte nëse planet tona të mbrojtjes do të aktivizoheshin. Pra, le të themi në rast të një situate të Nenit 5”, tha Rutte.
Gjatë kësaj lëvizje amerikane të trupave ushtarake, Kosova mund të vazhdojë të blejë armë. Kjo është një mundësi e mirë të tregojë se është në gjendje të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial pa forcat ndërkombëtare. Hap pas hapi në pesë vitet e ardhshme me një buxhet më të madh, Kosova mund të forcojë dhe modernizojë ushtrinë e saj (FSK-në) për t’u bërë ballë kërcënime të kohës dhe nga Serbia. Pavarësia në mbrojtje dhe forcimi i institucioneve të tjera do të çonte drejt largimit të plotë nga vëzhgimi ndërkombëtar duke bërë Kosovën shtet që s’ka nevojë për mandate as si UN 1244, as si EULEX-i e as nga forca të huaja. Kosova këtë lëvizje amerikane duhet ta shohë në këtë prizmë duke rritur paralelisht bashkëpunimin me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, pa lënë anësh shtetet mike e aleate të botës.
