Për herë të parë, grupi koordinues i protestës i drejtohet me një letër publike përfaqësive diplomatike. Në dokument renditen pesë kërkesat kryesore, nga dorëheqja e Edi Ramës te qeveria teknike dhe reforma kushtetuese.
Pas 27 ditësh protestë të pandërprerë para Kryeministrisë, lëvizja qytetare ka ndërmarrë një tjetër hap, duke iu drejtuar me një letër publike ambasadorëve dhe shefave të misioneve diplomatike të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri.
Në letrën e firmosur nga Grupi Koordinues i Protestës, organizatorët deklarojnë se lëvizja përfaqëson një mobilizim të gjerë dhe paqësor qytetar, i cili kërkon rikthimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe përgjegjshmërisë politike.
Për herë të parë bëhen publikë edhe emrat e anëtarëve të grupit koordinues të protestës: Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.

Letra e protestuesve
Në dokument, protestuesit paraqesin pesë kërkesat që i cilësojnë të panegociueshme.
Në krye të tyre qëndron dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale, të cilën e konsiderojnë hapin e parë drejt një ripërtëritjeje demokratike.
Kërkesa e dytë është krijimi i një qeverie teknike transitore jopartiake me mandat 12-mujor, e cila do të administrojë procesin e reformave dhe përgatitjen e zgjedhjeve.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu një reformë tërësore kushtetuese, që sipas tyre duhet të miratohet me referendum popullor. Në këtë reformë përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, reformimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, si edhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.

Një tjetër kërkesë lidhet me shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për Investimet Strategjike, të cilat organizatorët i konsiderojnë si akte që kanë dëmtuar interesin publik.
