Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Kur Edi Rama hyri në godinën e kryeministrisë në Tiranë ai kishte me vete Baton Haxhiun dhe Shkëlzen Maliqin. Shkëlzeni nuk qëndroi shumë pas tij. Arsyen e di vetëm ai dhe nëse është i pastër në figurën dhe qëndrimet e tij, duhet që atë arsye ta bëjë publike. Pra pse u largua aq shpejt prej Edi Ramës dhe madje të shpjegojë edhe pse i besoi në fillim dhe shkoi pranë tij?! Baton Haxhiu është ende pranë Edi Ramës. Edhe në mos me zyrë të posaçme në kryeministri, në studion e Fevzos dhe në studiot e tjera të ekraneve të Tiranës. Nuk ndahet nga Edi Rama.
Por jo vetëm kaq! Baton Haxhiu ishte shumë aktiv sidomos gjatë kontakteve të Edi Ramës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Aktiv jo thjesht se shoqëronte shefin e tij në ato vizita dhe kontakte, por edhe se parapërgatiste gjithë axhendën e takimeve, bisedimeve, veprimtarive, akomodimeve, shoqërimeve dhe punëve të tjera të pista të kryeministrit të Shqipërisë në bashkëpunim me presidentin e Serbisë. Të gjithë e kemi parë se sa i afërt ishte Batoni me Aleksandër Vuçiq dhe çfarë përzemërsie tregonte ky i fundit për njeriun e tij pranë kryeministrit të Shqipërisë. Edi Rama është shoqëruar vazhdimisht e në çdo hap nga Baton Haxhiu në marrëdhëniet e tij me Serbinë dhe Beogradin. Rastësi apo domozdoshmëri? Në politikë dhe diplomaci asgjë nuk ndodh rastësisht.
Shpesh herë thuhet se Batoni është mik i Devollëve dhe se devollët kanë ndërmjetësuar te Edi Rama, që Batoni të jetë krah i kryeministrit të Shqipërisë. Në të vërtet Devollët janë pranë Ramës dhe pranë Batonit se ata kanë lidhje të ngushta jo vetëm në biznes me Beogradin dhe me Serbinë e institucionet e saj. Aq i ngushtë është ky bashkëpunim sa edhe TV i devollëve në Kosovë është regjistruar në Serbi me seli në qytetin Peç, domethënë të Pejës. Por që në serbisht quhet Peç. Sërishimi them se nuk është rastësi që devollët e reklamuar tashmë si të liçensuar nga Serbia të jenë njëkohësisht miqtë e Edi Ramës dhe Baton Haxhiut. Por ne e dimë se këta devollët janë edhe miqtë e disa politikanëve opozitarë në Kosovë dhe sërishmi nuk është rastësi që edhe këta politikanë opozitarë të Kosovës janë gjithashtu miq të Edi Ramës.
Për ta thelluar argumentin që kryeministri shqiptar është i rrethuar nga njerëzit e Serbisë, po përmend dhe një fakt tjetër shumë interesant. Kur Vjosa Osmani dhe Albin Kurti morën përkatësisht postet e presidentit dhe kryeministrit, ata e shkarkuan nga detyra inspektoren e përgjithshme të AKI-së së Kosovës, Vlora Hysenin, madje me dyshimin se ajo u kishte dhënë informacion për dokumente sekrete shërbimeve të Serbisë. Akoma pa kaluar një javë apo një muaj, pa u thelluar në informacione konkrete dhe pa pyetur presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Edi Rama e emroi Vjpsa Hysenin në krye të shërbimit informativ të Shqipërisë. Pse dhe si ndodhi kjo? Si mundet që kryeministri i Shqipërisë të marrë e ta vendosë në krye të shërbimit sekret të vendit të tij një person ta dyshuar për lidhje sekrete me Serbinë?!
Çdo mendje e kthjellët dhe e pandikuar nga propaganda dhe damagogjia do ta besonte se kjo ka ndodhur me porosi të Beogradit. Ka shumë indicie, sipas së cilës Vjosa Hyseni është ngritur në atë detyrë me vullnetin e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Ka patur akuza nga opozita se Vjosa Hyseni i shet Serbisë informacione të klasifikuara për Shqipërinë dhe se ajo ka bërë vizita sekrete në Beograd. Nuk dihet për të transmetuar mesazhe midis dy liderëve përkatës, apo për bashkërendim të veprimtarisë së të dy ndërmarrjeve kriminale e mafioze, asaj të Tiranës dhe të Beogradit! Ka shumë pikëpyetje dhe pikëçuditëse pse një person i shkarkuar në Kosovë, pas disa ditësh merr detyrën më të lartë në Shqipëri! Por ajo që i bashkon të gjitha pikat lidhet me faktin se kryeministri i Shqipërisë ka qenë dhe vazhdon të jetë i rrethuar me njerëz që janë në shërbim të Serbisë, ose së paku që dyshohet fort e në mënyrë logjike që të jenë të tillë.
Në rolin e këtyre emrave që përmmenda më lart janë edhe personazhe të tjera nga Kosova. Kam shumë dëshirë të besoj se këta, qofshin politikanë, intelektualë apo njerëz të medieve të jenë pozicionuar pro-Ramës për inat të Albin Kurtit. Por jam i bindur se ndër ta ka edhe prej tyre që kanë marrë një rol të caktuar në përpjekjet që Serbia bën për ta përçarë politikën shqiptare, sidomos atë të Shqipërisë dhe të Kosovës.
