Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Deklarata e ministres së qeverisë serbe, e cila interpretohet si arsyetim apo mbështetje e spastrimit etnik në Kosovë, nuk është thjesht një devijim verbal apo një gafë politike. Në planin teorik dhe juridik, ajo përfaqëson një formë të revizionizmit politik që synon të relativizojë krimet e së kaluarës dhe të minojë themelet mbi të cilat ndërtohet pajtimi demokratik.
Në studimet mbi drejtësinë tranzicionale është tashmë një tezë e konsoliduar se pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ketë as pajtim të qëndrueshëm. Çdo përpjekje për të justifikuar ose normalizuar spastrimin etnik përbën jo vetëm një fyerje për viktimat dhe familjet e tyre, por edhe një sulm ndaj rendit normativ evropian, i cili është ndërtuar pikërisht mbi refuzimin e praktikave të tilla pas Luftës së Dytë Botërore.
Prandaj reagimi i komisioneres Marta Kos është shumë më tepër sesa një qëndrim moral. Ai riafirmon një standard themelor të Bashkimit Evropian: nuk mund të ketë integrim evropian pa përgjegjësi politike dhe pa distancim të qartë nga ideologjitë që kanë prodhuar spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit.
Në kontrast të plotë me këtë qartësi morale dhe politike, reagimi i Tiranës zyrtare ishte zhgënjyeshëm i vakët. Përballë një deklarate që prek drejtpërdrejt kujtesën historike të shqiptarëve të Kosovës dhe sfidon të vërtetat e dokumentuara të luftës, Shqipëria do të duhej të ishte ndër zërat e parë që do ta dënonte pa asnjë ekuivok një retorikë të tillë. Heshtja relative ose reagimi formal nuk përputhet as me përgjegjësinë kushtetuese e kombëtare të shtetit shqiptar, as me rolin që Tirana pretendon të ketë në mbrojtjen e interesave shqiptare në rajon. Në diplomaci, edhe intensiteti i reagimit është mesazh politik; kur ai mungon, krijohet përshtypja e një tolerance të pamerituar ndaj revizionizmit serb.
Nga këndvështrimi i shkencës politike, retorika që legjitimon dhunën etnike nuk është neutrale. Ajo prodhon efekte konkrete: ushqen nacionalizmin ekskluziv, dobëson besimin ndërmjet komuniteteve dhe krijon kushte për rikthimin e konflikteve. Historia e Ballkanit ka dëshmuar se fjalët e papërgjegjshme të elitave politike shpesh kanë paraprirë veprimet e dhunshme.
Pikërisht për këtë arsye, Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk mund të trajtohet me standarde të ndryshme nga ato që u aplikohen vendeve të tjera. Procesi i integrimit nuk matet vetëm me harmonizimin teknik të legjislacionit, por edhe me përvetësimin e kulturës demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe refuzimin e qartë të çdo forme të glorifikimit apo justifikimit të krimeve të së kaluarës.
Nëse deklarata të tilla mbeten pa pasoja politike, atëherë dëmtohet jo vetëm kredibiliteti i Serbisë si kandidate për në BE, por edhe besueshmëria e vetë politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Por po aq problematike është edhe mungesa e një reagimi të vendosur nga Shqipëria. Në momente kur vihet në pikëpyetje e vërteta historike për krimet në Kosovë, neutraliteti diplomatik nuk është virtyt, por dobësi politike. Integrimi evropian nuk mund të ndërtohet mbi relativizimin e spastrimit etnik, por vetëm mbi të vërtetën historike, përgjegjësinë institucionale dhe respektin e pakushtëzuar për dinjitetin njerëzor.
