Nga Dr. Selim IBRAIMI
Kemi dëgjuar shumë pak për Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes (EDA).
Prandaj, për lexuesit tanë, duke përfituar nga botimi më i fundit mbi shpenzimet e mbrojtjes të shteteve anëtare, do të mësojmë gjithashtu rreth qëllimit, strukturës dhe planeve afatgjata të agjencisë së mbrojtjes të BE-së.
Ashtu si shumë agjenci evropiane që luajnë një rol të lartë dhe parësor në BE, njëra prej tyre është Agjencia Evropiane e Mbrojtjes, e cila ka një sërë funksionesh dhe detyrash.
Agjencia Evropiane e Mbrojtjes u krijua në vitin 2004 për të nxitur bashkëpunimin në mbrojtje në BE.
Selinë agjencia e ka në Bruksel.
Agjencia Evropiane e Mbrojtjes u krijua sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të BE-së për të mbështetur shtetet anëtare dhe Këshillin e BE-së në përpjekjet e tyre për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse evropiane në fushën e menaxhimit të krizave dhe për të mbështetur politikën evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në dokumentin themelues thuhet se EDA ndihmon që shtetet anëtare të bien dakord për atë që u nevojitet vërtet forcave të armatosura duke përcaktuar së bashku prioritetet e zhvillimit të kapaciteteve.
“Ne ndihmojmë në shqyrtimin e stoqeve të kapaciteteve, identifikimin e mangësive dhe mënyrën e mbushjes së boshllëqeve. Pastaj, përmes një mekanizmi të quajtur “Bashkëpunim i Përhershëm i Strukturuar”, ose PESCO, ne i ndihmojmë shtetet të zhvillojnë së bashku projekte të reja”, thuhet në dokumentin themelues të kësaj agjencie.
Së fundi u publikua raporti i kësaj agjencie që tregon për shpenzimet në mbrojtje dukshëm shumë më të larta krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas raportit, në vitin 2025, shtetet e BE-së kanë shpenzuar 418 miliardë euro, 20 përqind më shumë se një vit më parë.
Raporti tregon gjithashtu se 23 shtetet anëtare jo të gjitha të BE-së shpenzuan të paktën 2 përqind të PBB-së (GDP) për mbrojtje në vitin 2025, ndërsa investimet e përgjithsme në mbrojtje kanë tejkaluar standardin e EDA-s, duke përbërë më shumë se 32 përqind të shpenzimeve totale të mbrojtjes.
Drejtori Ekzekutiv i EDA-s, Andre Denk, tha se shtetet anëtare të BE-së po bëjnë investime të papara në mbrojtje, me shpenzimet që parashikohet të arrijnë deri në 547 miliardë euro deri në vitin 2029.
“Të kombinuara me instrumentet e mobilizuara në nivel BE-je në kuadër të nismës së “Gatishmërisë për Mbrojtjen 2030”, këto investime duhet të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Evropës, të zgjerojnë kapacitetin industrial dhe të rrisin gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë,” tha ai.
EDA ka në mision e saj disa nisma, mirëpo ne do t’i numërojmë tre nisma kryesore:
“Rishikimi Vjetor i Koordinuar mbi Mbrojtjen” (CARD), mbështetet nga shtetet anëtare në përpjekjet e tyre për të zbatuar prioritetet e zhvillimit të kapaciteteve të dakordësuara nga BE-ja.
Sipas dokumentit, CARD është një cikël dyvjeçar i sinkronizuar me “Bashkëpunimin e Përhershëm Strukturor” (PESCO) dhe me “Procesin e Planifikimit të Mbrojtjes të NATO-s” (NDPP).
“Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor” (PESCO), ka të bëjë më shumë me politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Nisma u krijua me një vendim të Këshillit të BE-së në dhjetor të vitit 2017. Nisma sipas dokumentit, “ofron një kornizë ligjore për të planifikuar, zhvilluar dhe investuar së bashku në projekte të aftësive të përbashkëta, si dhe për të rritur gatishmërinë operacionale dhe kontributin e forcave të armatosura”.
Një nismë tjetër e rëndësishme që ka të bëjë me fondet ushtarake të BE-së quhet “Fondi Evropian i Mbrojtjes” (EDF) me një buxhet prej 7.953 miliardë eurosh për periudhën 2021-2027.
Fondi ka për detyrë të forcojë aspektin tekonologjik dhe të zhvillojë industrinë ushtarake të shteteve evropiane.
Nga kjo shumë, 2.7 miliardë euro është ndarë për të mbështetur bashkëpunimin në mbrojtje dhe 5.3 miliardë euro për të financuar projekte për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të shteteve të BE-së.
Buxheti i përgjithshëm Agjencsë Evropiane të Mbrotjes i vitit 2026, me vlerë 68,600,000 euro, u miratua nga Bordi Drejtues i EDA-s në dhjetor të vitit 2025.
Kaja Kallas është Drejtoresha e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, në rolin e saj si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
Në këtë funksion ajo është që nga 1 dhjetori i vitit 2024.
Diplomatja Kaja Kallas drejton Bordin Drejtues të Agjencisë.
Agjencia Evropiane e Mbrojtjes zhvillon gjithashtu aktivitete dhe projekte me shtetet e Ballkanit dhe me Ukrainën, përfshirë këtu shtetet e ish bllokut komunist lindor.
Midis shteteve të mëdha evropiane dhe SHBA-së, që nga viti 2024 ka pasur kritika të forta.
Administrata amerikane ka kritikuar shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s që nuk po shpenzojnë shumë për mbrojtje.
Në vitet e fundit, bazuar në raportet, shtetet e BE-së po shpenzojnë më shumë dhe po planifikojnë projekte të mëdha ushtarake.
