“Bota Serbe” e maskuar me litium: Vuçiqi po farkëton planin për dominim absolut në rajon
Projekti i “Botës Serbe” nuk zbatohet më me tanke, por me kontrata gazi, miniera litiumi dhe dialogë strategjikë në Uashington. Serbia po shfrytëzon tronditjet globale gjeopolitike për t’u pozicionuar si “faktor kyç i stabilitetit”, ndërkohë që në mënyrë sistematike po ndërton kapacitete për dominim mbi shtetet fqinje.
Autor: Mirza Abaz [STAV]*
Takimi i fundit ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, një figurë me ndikim të madh në rrethet e administratës Trump, shënoi fillimin e një faze të re në balancën e forcave në rajonin tonë.
Megjithatë, ajo që revista prestigjioze amerikane e biznesit Forbes e sheh si një orientim pragmatik të Serbisë drejt Perëndimit, për vendet fqinje – nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi e deri te Kosova – paraqet një arsye serioze për shqetësim.
Asi kryesor i Beogradit në këtë lojë janë mineralet strategjike. Serbia zotëron rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë, ndërsa projekti “Jadar” është shndërruar në pikën kyçe rreth së cilës sillen interesat e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Duke vendosur që këtë burim ta lidhë me zinxhirët perëndimorë të furnizimit, në vend të atyre kinezë, Aleksandar Vuçiq ka siguruar një lloj “imuniteti diplomatik”.
Nëse Serbia bëhet zemra energjetike dhe e lëndëve të para të Evropës, supozohet se Brukseli dhe Uashingtoni, në emër të “stabilitetit” dhe “interesave ekonomike”, do të jenë të gatshëm të mbyllin sytë ndaj integrimit të heshtur të hapësirave që Beogradi i konsideron pjesë të sferës së vet të ndikimit.
Ndikimi ekonomik që Serbia po ndërton përmes infrastrukturës energjetike, siç janë interkonektorët e gazit drejt Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, nuk është gjë tjetër veçse një formë e fuqisë së butë, me të cilën Beogradi synon të bëhet nyja e pazëvendësueshme nga e cila varen fqinjët.
Veçanërisht tërheq vëmendjen procesi i modernizimit të ushtrisë serbe. Forbes thekson se Serbia ka kaluar në avionë francezë, helikopterë gjermanë dhe mjete transporti spanjolle. Megjithatë, kthesa vendimtare ka ardhur me Izraelin. Ndërtimi në Serbi i fabrikës së dronëve të kompanisë Elbit Systems, me vlerë prej dy miliardë dollarësh, mund ta shndërrojë Serbinë në fuqinë ushtarake-teknologjike të rajonit.
Ajo që Uashingtoni e sheh si “ndërveprueshmëri me standardet e NATO-s”, për rajonin nënkupton epërsi ushtarake të një shteti që kurrë nuk ka hequr dorë nga aspiratat e tij territoriale dhe politike të viteve ’90. Nën petkun e “modernizimit pro-perëndimor”, Serbia në fakt po ndërton një fuqi që i mundëson të diktojë kushtet në Ballkan, këtë herë me mbështetjen e heshtur të atyre që e shohin si “partner të besueshëm”.
Duhet pranuar se Beogradi i ka diversifikuar me mjeshtëri aleatët e tij. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë shtylla kryesore të politikës së jashtme serbe. Duke mbështetur Izraelin pas 7 tetorit, Serbia ka siguruar një lob të fuqishëm në Uashington. Nga ana tjetër, kapitali që vjen nga Emiratet i mundëson pavarësi financiare nga kushtëzimet e Bashkimit Evropian në lidhje me sundimin e ligjit dhe demokracinë.
Ky rrjet partneritetesh shërben si mburojë. Sa herë që ngrihen shqetësime për destabilizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës përmes mbështetjes ndaj Milorad Dodikut apo për ndërhyrjet në çështjet e brendshme të Malit të Zi, Beogradi nxjerr në tryezë “kartat strategjike”: litiumin për Evropën, mbështetjen për Izraelin në raport me SHBA-në dhe investimet nga Emiratet.
Projekti i “Botës Serbe” nuk zbatohet më me tanke, por me kontrata për gaz, miniera litiumi dhe dialogë strategjikë në Uashington. Serbia po shfrytëzon tronditjet globale gjeopolitike për t’u paraqitur si “faktor kyç i stabilitetit”, ndërsa në të njëjtën kohë po ndërton në mënyrë sistematike kapacitete për dominim mbi shtetet fqinje.
Teksti i Forbes-it, sipas autorit, harron të shtrojë pyetjen thelbësore: cili është çmimi i këtij partneriteti?
Për Ballkanin Perëndimor, ai çmim mund të jetë i lartë – një pajtim i heshtur me rikthimin e politikës hegjemoniste të Beogradit, kësaj radhe i veshur me kostumin e shtrenjtë të investimeve perëndimore dhe të sigurisë strategjike energjetike.
Në këtë mënyrë, “Bota Serbe” mund të mos mbetet më vetëm një agjendë e portaleve nacionaliste të djathta, por, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të shndërrohet në një realitet ekonomik dhe të sigurisë në terren. [Përktheu: Dan GASHI]
Shlnim: STAV – Është portal informativ/ mediatik alias Online magazin i Bosnes&Hercegovinës
