Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrjre
Shqipëria po përjeton një fazë të re të mobilizimit qytetar, e cila duket se tejkalon karakterin episodik të protestave tradicionale dhe po merr tiparet e një lëvizjeje më të gjerë shoqërore. Në qendër të këtij procesi gjendet ndërthurja e çështjeve mjedisore me pakënaqësitë e akumuluara sociale, institucionale dhe politike, duke prodhuar një formë të re artikulimi qytetar që sfidon jo vetëm vendime të veçanta qeveritare, por vetë mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe konceptimin e interesit publik.
Nga perspektiva e teorisë së lëvizjeve sociale, protestat aktuale paraqesin një rast interesant të transformimit të një konflikti lokal mjedisor në një platformë më të gjerë politike. Ato dëshmojnë se çështjet ekologjike, në kushtet e krizës së besimit ndaj institucioneve, mund të shndërrohen në katalizatorë të mobilizimit demokratik dhe të krijojnë hapësira të reja për solidaritet qytetar.
Ekologjia si pikënisje e mobilizimit politik
Një nga faktorët kryesorë që ka ushqyer protestat aktuale lidhet me projektin e zhvillimit turistik në ishullin e Sazanit dhe në zonën bregdetare përballë tij, pranë lagunës së Nartës dhe Zvërnecit. Projekti, i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, paraqitet nga qeveria si një investim strategjik me ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe turistik. Megjithatë, përtej pritshmërive zhvillimore, ai ka nxitur kundërshtime të forta për shkak të ndikimit potencial mbi një nga zonat më të ndjeshme ekologjike të vendit. Por, këto kundërshtime nuk kanë të bëjnë asgjë me frymën antiamerikane që mund të hetohet diku gjetkë në Europë. Përkundrazi, protestuesit e kanë të qartë se partneriteti me SHBA-të për shqiptarët është jetik.
Laguna e Nartës dhe kompleksi i ligatinave që e rrethojnë përbëjnë një ekosistem me rëndësi të veçantë për biodiversitetin shqiptar dhe mesdhetar. Ato shërbejnë si habitat për specie të shumta të mbrojtura, ndër to flamingot, pelikanët, breshkat detare dhe qindra lloje zogjsh shtegtarë. Për këtë arsye, organizatat mjedisore dhe komuniteti shkencor kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me pasojat afatgjata të ndërhyrjeve intensive infrastrukturore në këtë hapësirë.
Në këtë kontekst, flamingoja rozë është shndërruar në simbolin qendror të protestës. Në aspektin sociologjik, ky proces përfaqëson atë që literatura mbi lëvizjet sociale e përkufizon si transformim të një simboli natyror në një simbol mobilizues kolektiv. Ashtu si pema në protestat e Parkut Gezi në Turqi ose lugina e Valbonës në mobilizimet mjedisore shqiptare, flamingoja është kthyer në një shenjë identitare të rezistencës ndaj një modeli zhvillimi që perceptohet si i shkëputur nga interesi publik.
Rëndësia e këtij transformimi qëndron në faktin se konflikti ekologjik nuk kufizohet më në mbrojtjen e natyrës. Ai është shndërruar në një pikë hyrëse për artikulimin e krizës së qeverisjes, duke lidhur çështjet e mjedisit me kërkesat për transparencë, llogaridhënie, pjesëmarrje demokratike dhe kontroll qytetar mbi proceset vendimmarrëse.
Nga protesta sektoriale te koalicioni qytetar
Si rezultat i kësaj dinamike, protestat kanë evoluar nga një reagim ndaj një projekti konkret në një mobilizim më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe dobësimit të mekanizmave të përgjegjësisë politike. Studentë, profesionistë, aktivistë, prindër, të rinj dhe segmente të ndryshme të shoqërisë civile po bashkohen rreth një platforme të përbashkët shqetësimesh, duke krijuar embrionet e një koalicioni qytetar që tejkalon ndarjet tradicionale partiake dhe ideologjike.
Një element veçanërisht domethënës është përfshirja aktive e diasporës shqiptare në vende të ndryshme evropiane. Angazhimi i saj dëshmon se pakënaqësitë e artikuluara nga protestuesit perceptohen gjithnjë e më pak si çështje të politikës së brendshme dhe gjithnjë e më shumë si probleme që lidhen me të ardhmen strategjike të shtetit shqiptar. Kjo i jep lëvizjes një dimension transnacional, tipar karakteristik i mobilizimeve moderne qytetare.
Në këtë kuptim, protestat aktuale mund të interpretohen si shprehje e një krize më të thellë të legjitimitetit politik. Ato nuk sfidojnë vetëm politika të caktuara publike, por vënë në pikëpyetje vetë raportin ndërmjet shtetit dhe qytetarëve, si dhe aftësinë e institucioneve për të përfaqësuar interesin e përgjithshëm.
Demonstratat e vitit 1981 dhe logjika e konsolidimit politik
Në historinë politike shqiptare ekziston një precedent që ndihmon në kuptimin e potencialit transformues të protestave aktuale. Bëhet fjalë për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, në të cilat fillimisht protestuesit u artikuluan rreth kërkesave studentore dhe sociale, por shumë shpejt ato u përqendruan rreth parullës historike “Kosova Republikë”.
Rëndësia e kësaj kërkese nuk qëndronte vetëm në përmbajtjen e saj politike. Ajo funksionoi si një kornizë mobilizuese që sintetizonte aspirata të ndryshme kolektive dhe krijonte një pikë referimi të përbashkët për organizata, grupe dhe individë që deri atëherë vepronin të fragmentuar. Përmes këtij procesi u krijuan kushtet për afrimin dhe bashkëpunimin e organizatave [ilegale] patriotike shqiptare, duke kulmuar më vonë me bashkimin e tyre në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës (LPK) më 17 janar 1982.
Natyrisht, protestat aktuale në Shqipëri zhvillohen në një kontekst krejtësisht tjetër historik dhe politik. Megjithatë, ekziston një ngjashmëri në mekanizmin e transformimit të protestës. Ashtu siç kërkesa “Kosova Republikë” u bë emëruesi i përbashkët i energjive të shpërndara politike në Kosovë, mbrojtja e interesit publik dhe kundërshtimi i modelit aktual të qeverisjes po krijojnë gradualisht një gjuhë të përbashkët mobilizuese për segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Prandaj, rëndësia historike e protestave aktuale mund të mos matet vetëm nga aftësia për të ndalur apo modifikuar projekte të caktuara zhvillimore. Megjithse edhe në këtë plan ka shënuar sukseset e para. Ia vlenë ti rikujtoj ca prej tyre:
1. Krijoi një opozitë qytetare përtej opozitës institucionale;
2. Përmirësoi imazhin e Shqipërisë si një shoqëri që reagon dhe nuk pranon gjithçka në heshtje;
3. Krijoi një brez të ri aktivistësh të mileut qytetar;
4. Hodhi bazat e një kulture të re qytetare;
5. Protesta hapi idenë e marshit politik drejt krijimit të shtetit-komb, si proces që na shpie drejt bashkimit…
Ajo mund të qëndrojë në kapacitetin për të prodhuar forma të reja solidariteti qytetar dhe për të krijuar bazat e një platforme të re shoqërore dhe politike.
Implikimet strategjike: integrimi evropian dhe horizonti kombëtar
Nëse mobilizimi aktual ruan kohezionin dhe kapacitetin e tij transformues, ai mund të ketë pasoja që tejkalojnë objektivat e menjëhershme të protestës. Në planin strategjik mund të identifikohen të paktën dy procese afatgjata që potencialisht mund të përshpejtohen nga kjo valë e re aktivizmi qytetar.
Procesi i parë lidhet me integrimin evropian të Shqipërisë. Kërkesat për transparencë, llogaridhënie, forcim institucional dhe kontroll demokratik të pushtetit përkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me standardet politike të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, mobilizimi qytetar mund të interpretohet si një mekanizëm presioni nga poshtë, i aftë të përshpejtojë proceset reformuese dhe të forcojë kapacitetin demokratik të shtetit shqiptar. Në këtë kuptim, protesta shfaqet si një faktor i brendshëm i evropianizimit politik.
Procesi i dytë lidhet me evolucionin e çështjes kombëtare shqiptare në kushtet e shekullit XXI. Historikisht, konsolidimi demokratik dhe institucional ka paraprirë format më të avancuara të bashkëpunimit politik ndërmjet pjesëve të të njëjtit komb. Në këtë kuadër, integrimi euroatlantik i Shqipërisë dhe Kosovës, harmonizimi gradual i politikave publike dhe zgjerimi i hapësirës së përbashkët ekonomike, kulturore dhe institucionale mund të krijojnë parakushtet për forma të reja të organizimit politik shqiptar.
Një nga konceptet që mund të diskutohet në këtë perspektivë është ai i një Federate Shqiptare, jo si rikthim te modelet tradicionale të nacionalizmit territorial, por si rezultat i një procesi të gjatë integrimi demokratik, harmonizimi institucional dhe bashkërendimi politik brenda hapësirës evropiane. Në këtë kuptim, bashkimi kombëtar nuk paraqitet si akt i menjëhershëm politik, por si fazë e avancuar e një procesi të gjatë konvergjence demokratike.
Formimi i elitave të reja politike dhe ripërtëritja e projektit kombëtar
Një nga treguesit më të rëndësishëm të pjekurisë së një lëvizjeje shoqërore është aftësia e saj për të prodhuar jo vetëm protesta, por edhe kapacitete të reja politike. Në teorinë e lëvizjeve sociale, momenti kur mobilizimi qytetar fillon të gjenerojë liderë, ideologji, struktura organizative dhe vizione alternative të rendit politik konsiderohet si kalimi nga faza e rezistencës në fazën e transformimit politik.
Në këtë aspekt, protestat aktuale në Shqipëri mund të paraqesin më shumë sesa një reagim të përkohshëm ndaj një projekti zhvillimor apo ndaj një qeverisjeje të kontestuar. Ato mund të krijojnë kushtet për lindjen e një elite të re politike, e cila nuk buron nga mekanizmat tradicionalë të riprodhimit të klasës politike, por nga vetë procesi i mobilizimit qytetar. Kjo elitë potenciale do të karakterizohej nga një raport më i drejtpërdrejtë me shoqërinë civile, nga një ndjeshmëri më e lartë ndaj interesit publik dhe nga një konceptim më demokratik i ushtrimit të pushtetit.
Historia politike shqiptare ofron precedentë të tillë. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë nuk prodhuan vetëm një artikulim të ri politik përmes kërkesës “Kosova Republikë”. Ato krijuan edhe kushtet për formimin gradual të një brezi të ri aktivistësh, intelektualësh dhe organizatorësh politikë, të cilët më vonë do të luanin rol vendimtar në proceset e rezistencës kombëtare, në krijimin e LPK-së si organizatë politike që do të jetë bartëse, respektivisht themeluesja e UÇK-së, të shtetformimit dhe të emancipimit politik të shqiptarëve në Kosovë. Në këtë kuptim, ndikimi i demonstratave nuk matet vetëm me efektet e menjëhershme, por edhe me kapacitetin e tyre për të prodhuar bartësit e ndryshimit historik.
Në rrethanat aktuale, një proces i ngjashëm mund të marrë formë përmes bashkimit të energjive qytetare, intelektuale dhe profesionale rreth një vizioni të ri politik. Një vizion i tillë do të mund të ndërtohej mbi dy shtylla themelore: demokracinë autentike dhe interesin kombëtar. Këto dy koncepte, të trajtuara shpesh si të ndara në debatin politik shqiptar, mund të paraqiten si pjesë të së njëjtës paradigmë zhvillimore. Një shtet demokratik, funksional dhe i bazuar në llogaridhënie është njëkohësisht kusht për avancimin e interesave kombëtare; ndërsa një projekt kombëtar modern nuk mund të mbështetet mbi autoritarizmin, klientelizmin apo kapjen e institucioneve.
Në këtë kontekst, mendimi politik i Ukshin Hotit ofron një kornizë të rëndësishme interpretative. Koncepti i tij për demokracinë autentike nënkuptonte tejkalimin e demokracisë formale dhe ndërtimin e një rendi politik ku sovraniteti qytetar, përgjegjësia publike dhe vetëdija kombëtare ndërthuren në një tërësi funksionale. Pikërisht një qasje e tillë mund të shërbejë si bazë ideore për formësimin e një elite të re politike, e aftë të artikulojë sfidat e shekullit XXI në gjuhën e interesit publik dhe të interesit kombëtar.
Prandaj, një nga rezultatet potencialisht më domethënëse të protestave aktuale mund të mos jetë thjesht ndryshimi i një qeverie apo rotacioni i pushtetit. Më e rëndësishme mund të jetë lindja e një gjenerate të re aktorësh politikë dhe qytetarë, të cilët do të marrin përsipër ripërtëritjen e projektit kombëtar shqiptar në kushtet e integrimit evropian, të konsolidimit demokratik dhe të afrimit gjithnjë e më të madh të hapësirës politike shqiptare. Nëse kjo ndodh, protestat aktuale mund të hyjnë në histori jo vetëm si një moment rezistence qytetare, por si pika e nisjes së një cikli të ri të organizimit politik dhe të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Përfundim
Protestat aktuale në Shqipëri paraqesin më shumë sesa një reagim ndaj një projekti zhvillimor apo ndaj politikave të një qeverie të caktuar. Ato përfaqësojnë një moment të rëndësishëm të artikulimit qytetar, ku çështjet mjedisore, kërkesat demokratike dhe aspiratat strategjike ndërthuren në një platformë të re mobilizimi.
Nëse ky proces arrin të konsolidohet, ai mund të shënojë jo vetëm një fazë të re të kulturës politike shqiptare, por edhe fillimin e një cikli të ri historik, në të cilin kërkesa për shtet funksional, institucione legjitime dhe interes publik shndërrohet në themelin mbi të cilin ndërtohen njëkohësisht integrimi evropian dhe perspektiva e bashkimit kombëtar shqiptar.
