Nga Melazim KOCI / Politolog
Ka diçka thellësisht ironike në atë që po ndodh sot mes Kosovës dhe Ukrainës. Në qendër të Prishtinës valon një flamur gjigant ukrainas me mbishkrimin “Free Ukraine”.
Kosova është solidarizuar fuqishëm me Ukrainën nga dita e parë e agresionit të Rusisë.
Mjerisht sot nga Beogradi vjen përgjigja e Zelenskit: Ukraina nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Kjo histori bëhet edhe më domethenëse për faktin që Kievi dy herë refuzoj të ftonte Kosovën në takimet Ukrainë – Evropë Juglindore.
Kjo është pjesa ku duhet të fillojë debati në Prishtinë. Jo sepse Kosova duhet të braktisë solidaritetin për Ukrainën që po lufton për lirinë dhe ekzistencë e saj. Èshtë një parim që Kosova e njeh më mirë se shumë të tjerë. Por pikërisht se njeh atë ndjenjë, duhet të ketë edhe dinjëtetin për të kërkuar reciprocitet.
Solidariteti është virtyt. Por solidariteti pa reciprocitet është naivitet.
Sepse në cinizmin e tij ndaj Kosovës Zelenski shkon edhe më larg dhe thotë: “ne respektojmë të drejtën ndërkombëtare”.
A do të thotë kjo se SHBA/BE paskan shkelur të drejtën ndërkombëtare kur kanë njohur Kosovën!
Zelenski duket se ka problem me kujtesën historike. Ka harruar se Kosova u çlirua nga lufta e UÇK-së dhe nga ndërhyrja e NATO-s, së cilës sot i kërkon ndihmë për mbijetesën e Ukrainës.
Të akuzosh, qoftë edhe tërthorazi, NATO-n për shkelje të rendit ndërkombëtar dhe, në të njejtën kohë, të presësh që e njejta të të mbrojë nga agresioni është injorancë politike.
Sa për takimet Zelenski -Vuçiq, ato mund të prodhojnë buzëqeshje para kamerave, deklarata dhe ndonjë rezultat afatshkurtër. Por historinë nuk e shkruajnë fotografitë e takimeve.
Fatin e Kosovës dhe të Ukrainës e përcaktojnë fuqitë që kanë peshë reale strategjike: Uashingtoni dhe Moska.
Të tjerat janë përralla politike të një ish – komediani që duket se nuk e kupton që politika ndërkombëtare nuk është skenë humori.
