Nga deklarata e Vuçiqit te dështimi i projektit për ndarjen e Kosovës
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
“Ura mbi lumin e Ibrit ishte pjesë e dialogut, tani duan ta heqin.”
Kjo deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq nuk është thjesht një reagim politik ndaj një çështjeje infrastrukturore apo të sigurisë. Ajo meriton të lexohet në një kontekst më të gjerë: atë të transformimit gradual të rendit politik dhe institucional në veriun e Kosovës.
Për më shumë se dy dekada, ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka qenë një nga simbolet më të fuqishme të ndarjes së Kosovës së pasluftës. Ajo nuk ka funksionuar vetëm si një pikë kalimi e kufizuar, por edhe si shenjë materiale e një status quo-je politike, në të cilën ndarja faktike e qytetit pasqyronte një ndarje më të thellë institucionale, politike dhe psikologjike.
Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi i regjimit të sigurisë rreth urës dhe kalimi gradual i përgjegjësisë nga prania ndërkombëtare te institucionet e Republikës së Kosovës nuk duhet parë vetëm si një zhvillim operacional. Ai mund të lexohet si një tregues i një transformimi më të thellë: kalimit nga një situatë e jashtëzakonshme e menaxhimit ndërkombëtar të një hapësire të ndjeshme drejt normalizimit të përgjegjësisë institucionale të shtetit.
Teza qendrore e këtij shqyrtimi është se ura e Ibrit duhet parë si një nyje simbolike dhe strategjike e procesit të integrimit të veriut të Kosovës. Në këtë kuptim, zhvillimet rreth saj nuk përbëjnë një episod të izoluar. Ato lidhen me një varg kalkulimesh politike që, në periudha të ndryshme, kanë synuar ta ruajnë veriun në një gjendje të veçantë institucionale dhe, në një skenar më të gjerë, të krijojnë premisa për fragmentimin territorial të Kosovës.
Prandaj, pyetja themelore nuk është vetëm nëse ura do të hapet apo jo. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë rendi politik shënon hapja e saj dhe çfarë paradigme strategjike po zëvendëson ajo?
Ura si simbol i një status quo-je
Për rreth 27 vjet, ura mbi Ibër ka qenë një nga simbolet më të fuqishme të ndarjes së Mitrovicës. Në planin fizik, ajo ndante dy pjesë të qytetit; në planin politik, mishëronte një vijë ndarëse shumë më të thellë: kufirin ndërmjet një rendi institucional që Republika e Kosovës synonte ta shtrinte në të gjithë territorin e saj dhe një realiteti paralel të mbështetur politikisht, financiarisht dhe institucionalisht nga Beogradi.
Kjo është arsyeja pse ura nuk mund të trajtohet thjesht si infrastrukturë.
Ura ishte njëkohësisht hapësirë fizike, simbol politik dhe instrument i një status quo-je.
Status quo-ja, në këtë rast, nuk nënkuptonte domosdoshmërisht stabilitet. Përkundrazi, një gjendje e ngrirë mund të shërbejë si instrument strategjik kur njëra palë synon ta ruajë një realitet të përkohshëm me shpresën se ai, me kalimin e kohës, do të shndërrohet në realitet të qëndrueshëm.
Në rastin e veriut të Kosovës, kjo logjikë ishte veçanërisht e rëndësishme. Një territor i fragmentuar institucionalisht, me struktura paralele dhe me pika të kontrolluara të qarkullimit, mund të krijonte përshtypjen se sovraniteti i Republikës së Kosovës ishte i papërmbyllur ose i përkohshëm.
Në këtë kuptim, ura ishte më shumë se një urë. Ajo ishte një nga shenjat më të dukshme të një rendi politik të papërfunduar.
Nga prania ndërkombëtare te përgjegjësia institucionale
Zhvillimi i ri që po shfaqet rreth urës ka një rëndësi të veçantë pikërisht për shkak të ndryshimit të natyrës së përgjegjësisë së sigurisë.
KFOR-i ka nisur procesin e tërheqjes graduale të pranisë së përhershme nga ura, ndërsa përgjegjësia për sigurinë po kalon gradualisht te Policia e Kosovës. Njëkohësisht, nga Brukseli ka ardhur sinjali se kushtet për hapjen e urës janë përmbushur.
Në pamje të parë, mund të duket si një ndryshim teknik. Në planin strategjik, nuk është i tillë. Përgjegjësia e një institucioni ndërkombëtar për ruajtjen e një pike të ndjeshme të sigurisë dhe përgjegjësia e një institucioni shtetëror për të njëjtën pikë kanë kuptime të ndryshme politike.
E para shpreh një situatë të jashtëzakonshme, të trashëguar nga konflikti dhe të menaxhuar përkohësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
E dyta shpreh normalizimin institucional.
Ky dallim është thelbësor. Nëse një pikë e rëndësishme e hapësirës publike mund të administrohet dhe të sigurohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, atëherë kemi një ndryshim të vetë logjikës së pranisë ndërkombëtare.
Kjo nuk nënkupton se prania ndërkombëtare humbet rëndësinë e saj. Përkundrazi, ajo mund të kalojë nga menaxhimi i drejtpërdrejtë i situatave të jashtëzakonshme drejt një roli më të gjerë garantues të sigurisë.
Por politikisht, ndryshimi është i qartë: një institucion i shtetit po merr përsipër një përgjegjësi që dikur konsiderohej e nevojshme të mbahej nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Kjo është një nga shenjat e konsolidimit të shtetit.
Dialogu i Brukselit dhe dilema e veriut
Për ta kuptuar rëndësinë e këtij zhvillimi duhet kthyer vëmendja te arkitektura politike e krijuar pas vitit 2013.
Marrëveshja e Brukselit e prillit 2013 dhe marrëveshjet pasuese, përfshirë ato të vitit 2015, vendosën në qendër të dialogut çështjen e integrimit të strukturave dhe komunitetit serb në sistemin institucional të Kosovës, përfshirë projektin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Ky proces ka qenë prej kohësh objekt i interpretimeve të ndryshme.
Nga njëra anë, ai mund të shihej si përpjekje për integrimin institucional të komunitetit serb dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të tij.
Nga ana tjetër, ekzistonte shqetësimi se një strukturë me kompetenca të gjera mund të shndërrohej në një mekanizëm të autonomizimit territorial dhe, në rrethana të caktuara, të prodhonte një realitet të ngjashëm me atë të Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Pikërisht këtu qëndron një prej nyjeve më të rëndësishme të historisë politike të Kosovës së pasluftës:
A do të përdorej dialogu për normalizimin dhe integrimin e veriut, apo për institucionalizimin e një autonomie territoriale që do ta fragmentonte më tej shtetin?
Kjo pyetje nuk është vetëm juridike. Ajo është njëkohësisht politike, institucionale dhe gjeopolitike.
Nga Asociacioni te projekti i ndryshimit të kufijve
Një hap edhe më tej në këtë drejtim ishte projekti për ndryshimin territorial të Kosovës, i cili u shfaq fuqishëm gjatë periudhës 2018–2020 përmes bisedimeve politike ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit, në një proces ku u përfshi politikisht edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ideja u artikulua me emërtime të ndryshme: “korrigjim kufijsh”, “shkëmbim territoresh” apo “kompromis historik”. Raportimet e kohës dëshmojnë se Beogradi ishte akorduar me kohë për këto ndryshime territoriale, [1] që në fakt nënkuptonin aneksimin e veriut të Kosovës.
Por pavarësisht terminologjisë, thelbi i saj ishte zhvendosja e dialogut nga normalizimi i marrëdhënieve drejt rishikimit territorial.
Thaçi u takua shkurtimisht edhe me presidentin rus Vladimir Putin në Paris më 11 nëntor 2018. Ky takim është i dokumentuar dhe analiza të mëvonshme të NATO Strategic Communications Centre of Excellence e kanë trajtuar atë si një zhvillim të rëndësishëm në kontekstin e interesave ruse në Ballkan dhe debatit për ndarjen territoriale. [2]
Ky ishte një moment kritik.
Një ndryshim i kufijve të Kosovës do të mund të krijonte precedent për rihapjen e çështjeve territoriale të mbetura pezull pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Për më tepër, një precedent i tillë do të mund të kishte pasoja për Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe hapësira të tjera të Ballkanit.
Projekti megjithatë nuk arriti të materializohej.
Ndërkohë, zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndryshuan në mënyrë dramatike rrethanat politike rreth Hashim Thaçit, i cili u arrestua në nëntor 2020 pasi ishte konfirmuar aktakuza ndaj tij.
Megjithatë, reduktimi i këtij procesi vetëm në fatin politik të një individi do të ishte i pamjaftueshëm.
Goditja vendimtare ndaj projektit të ndryshimit territorial erdhi nga një faktor tjetër: ndryshimi i vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.
14 shkurti 2021 – kthesa politike
Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 shënuan një kthesë të rëndësishme në politikën e Kosovës.
Ato nuk përfaqësuan thjesht një rotacion të zakonshëm elektoral. Jo rastësisht ato i kemi cilësuar si një revolucionn i heshtur demokratik. Rezultati i tyre shprehu një refuzim të fuqishëm qytetar ndaj një modeli të vjetër të qeverisjes dhe ndaj një pjese të rëndësishme të kalkulimeve politike që ishin zhvilluar rreth Kosovës.
Në këtë kuptim, 14 shkurti mund të shihet si një pikë kthese në raportin ndërmjet politikës së brendshme dhe proceseve gjeopolitike që lidhen me Kosovën.
Projekti i ndryshimit territorial, që de facto nënkuptonte aneksimin e veriut nga Serbia, humbi bazën politike që do t’i nevojitej për t’u shndërruar në realitet institucional.
Kjo ishte thelbësore.
Sepse projektet gjeopolitike nuk realizohen vetëm përmes diplomacisë ndërkombëtare. Ato kërkojnë edhe një bazë të brendshme politike që t’u japë legjitimitet.
Pas vitit 2021, dinamika politike në veri filloi të ndryshojë gradualisht. Integrimi institucional i kësaj pjese të territorit të Kosovës u vendos më fuqishëm në qendër të politikës shtetërore.
Në këtë perspektivë duhen lexuar edhe zhvillimet e fundit rreth urës së Ibrit.
Pse Vuçiqi është i shqetësuar?
Kjo perspektivë ndihmon për ta kuptuar edhe reagimin e Aleksandar Vuçiqit.
Nëse ura ishte “pjesë e dialogut”, siç deklaron ai, atëherë pyetja thelbësore është: çfarë funksioni politik kishte ura në kuadër të këtij dialogu?
Nëse ajo duhej të mbetej e mbyllur ose nën një regjim të veçantë sigurie si rezultat i dialogut, atëherë ndryshimi i këtij realiteti dobëson një prej elementeve të status quo-së që Beogradi kishte arritur ta ruante për një periudhë të gjatë.
Nëse, përkundrazi, ura rikthehet gradualisht në funksion normal dhe përgjegjësia për sigurinë e saj kalon te institucionet e Kosovës, atëherë kemi të bëjmë me një ndryshim paradigmatik.
Kjo është arsyeja pse reagimi i Beogradit duhet lexuar përtej retorikës së momentit.
Dialogu nuk mund të shndërrohet në mekanizëm për ngrirjen e përjetshme të realitetit të pasluftës. Qëllimi i dialogut duhet të jetë normalizimi. Dhe normalizimi, në kuptimin e tij institucional, nënkupton që urat të hapen, ndarjet të zbehen, qarkullimi të normalizohet dhe institucionet të funksionojnë.
Nëse një urë vazhdon të jetë simbol i ndarjes edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, atëherë ajo nuk mund të konsiderohet më vetëm çështje teknike. Ajo është pjesë e një problemi politik të pazgjidhur.
Nga “vija e ndarjes” te ura e qytetit
Për një kohë të gjatë, ura funksionoi si një vijë ndarëse. Ajo e ndante Mitrovicën fizikisht dhe psikologjikisht.
Por nëse ajo hapet [e hapja e saj tashmë është paralajmruar edhe nga Brukseli] dhe siguria e saj kalon në përgjegjësi institucionale të Kosovës, ura fillon të shndërrohet nga simbol i ndarjes në infrastrukturë normale të një qyteti të vetëm.
Ky është ndryshim i rëndësishëm edhe në planin simbolik. Sepse sovraniteti nuk shfaqet vetëm përmes dokumenteve kushtetuese, ligjeve dhe deklaratave politike. Ai shfaqet edhe përmes praktikave të përditshme të shtetit:
Kush garanton rendin?
Kush kontrollon qarkullimin?
Kush administron hapësirën publike?
Kush garanton sigurinë e qytetarëve?
Kush përgjigjet para tyre?
Këto pyetje janë të thjeshta në dukje, por në thelb prekin një nga dimensionet më konkrete të sovranitetit.
Në këtë kuptim, kalimi gradual i përgjegjësisë së sigurisë nga KFOR-i te Policia e Kosovës është një hap drejt normalizimit të funksionimit të shtetit.
Dhe pikërisht këtë normalizim Beogradi e ka kundërshtuar në forma të ndryshme për një kohë të gjatë.
Integrimi i veriut dhe të drejtat e komunitetit serb
Megjithatë, do të ishte metodologjikisht dhe politikisht e gabuar të konkludohej se hapja e urës i jep fund çështjes politike të serbëve në Kosovë.
Nuk është kështu.
Çështja e të drejtave të komunitetit serb, përfaqësimit politik, sigurisë, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mekanizmave të mbrojtjes së komuniteteve mbetet pjesë e rendit politik e kushtetues të Kosovës dhe e dialogut me Serbinë.
Por këtu duhet bërë një dallim themelor: Të drejtat e një komuniteti nuk janë e njëjta gjë me pretendimin territorial të një shteti tjetër.
Serbët e Kosovës duhet të kenë dhe kanë të drejta të plota si qytetarë dhe si komunitet kushtetues. Kjo është pjesë e vetë natyrës demokratike të Republikës së Kosovës dhe e obligimeve të saj kushtetuese. Por mbrojtja e të drejtave të një komuniteti nuk mund të interpretohet si burim i një të drejte territoriale për një shtet fqinj.
Prandaj, integrimi institucional i veriut nuk duhet të paraqitet si “humbje” e serbëve të Kosovës. Përkundrazi, në një perspektivë demokratike, integrimi duhet të nënkuptojë që edhe qytetarët serbë të veriut të jenë pjesë e plotë e rendit institucional të Kosovës, me të drejta, përgjegjësi dhe garanci të barabarta.
Një shtet demokratik nuk konsolidohet duke përjashtuar komunitetet e tij, por duke i integruar ato në një rend të përbashkët juridik dhe institucional.
Mbyllja e një epoke strategjike
Këtu qëndron edhe domethënia më e gjerë e zhvillimeve rreth urës së Ibrit.
Ato nuk shënojnë fundin e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Nuk shënojnë as fundin e përpjekjeve të Beogradit për ta mbajtur të hapur çështjen e Kosovës.
Por mund të shënojnë një goditje të rëndësishme ndaj arkitekturës politike që synonte ta mbante veriun në një gjendje të përhershme pezullimi.
Për më shumë se dy dekada, një pjesë e kalkulimit ishte që koha mund të punonte në favor të Serbisë: një veri i ndarë; struktura paralele; një status i veçantë sigurie; një Asociacion me kompetenca të gjera; dhe, në një moment të përshtatshëm, një marrëveshje për “korrigjim kufijsh”.
Nëse këta elementë do të ndërthureshin në një moment të favorshëm politik, mund të krijohej një premisë për një zgjidhje territoriale.
Por kjo logjikë është përballur me një realitet tjetër.
Republika e Kosovës ka vijuar të konsolidojë institucionet e saj. Pas 14 shkurtit 2021 ndryshoi dukshëm raporti i forcave politike brenda vendit. Ndërkohë, veriu ka hyrë në një proces të ri të integrimit institucional.
Tani, me kalimin gradual të një prej pikave më simbolike të veriut nga një regjim i jashtëzakonshëm ndërkombëtar drejt përgjegjësisë institucionale të Kosovës, shfaqet një dimension tjetër i këtij procesi.
Përfundim: nga status quo-ja te normalizimi
Ura e Ibrit nuk duhet romantizuar dhe as mbivlerësuar. Hapja e saj nuk zgjidh konfliktin Kosovë–Serbi, nuk eliminon pretendimet territoriale të Beogradit dhe nuk e përmbyll procesin e integrimit të plotë të veriut.
Por rëndësia e saj nuk qëndron vetëm në funksionin fizik. Rëndësia e saj qëndron në atë që simbolizon.
Për më shumë se dy dekada, ura ishte një prej shenjave më të dukshme të një realiteti të ndarë: qytet i ndarë, administrim i fragmentuar, prani e jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe një hapësirë politike ku status quo-ja mund të interpretohej si alternativë ndaj normalizimit.
Tani, nëse procesi i hapjes së saj shoqërohet me kalimin e përgjegjësisë së sigurisë te institucionet e Kosovës dhe me garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve, atëherë kuptimi politik i saj ndryshon.
Ura kalon nga simboli i ndarjes në infrastrukturë të lidhjes.
Ky është thelbi i ndryshimit.
Sovraniteti i një shteti nuk matet vetëm nga njohjet ndërkombëtare apo nga dispozitat kushtetuese. Ai matet edhe nga aftësia e institucioneve për të ushtruar përgjegjësitë e tyre në mënyrë të ligjshme, të qëndrueshme dhe të barabartë në të gjithë territorin.
Prandaj, kalimi gradual i përgjegjësisë nga menaxhimi i jashtëzakonshëm ndërkombëtar te institucionet e Kosovës duhet parë si pjesë e një procesi më të gjerë të normalizimit institucional, konsolidimit dhe funksionalizimit të Republikës.
Në këtë kuptim, deklarata e Vuçiqit përbën një paradoks politik.
Ai e përkufizon urën si “pjesë të dialogut”, por vetë shqetësimi i tij dëshmon se ura ka qenë pjesë e një rendi politik që Beogradi do të dëshironte ta ruante.
Ndërsa hapja e saj e zhvendos kuptimin e dialogut: nga administrimi i një ndarjeje të ngrirë drejt normalizimit të një realiteti institucional.
Prandaj, ura e Ibrit mund të shënojë fundin simbolik të një epoke, jo sepse me hapjen e saj përfundon konflikti politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por sepse ajo dëshmon se realiteti i veriut nuk po evoluon drejt ndarjes territoriale, por drejt integrimit institucional.
Në planin strategjik, kjo është më shumë se hapja e një ure. Është një tregues se koha nuk po funksionon më automatikisht në favor të projektit të fragmentimit.
Dhe pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i këtij zhvillimi: Ura e Ibrit nuk është vetëm kalim mbi një lumë. Ajo është kalim nga një epokë e status quo-së drejt një epoke të re të normalizimit institucional.
Në këtë kuptim, hapja e saj mund të shënojë jo fundin e konfliktit, por mbylljen e një cikli kalkulimesh strategjike mbi ndarjen e Kosovës.
_______________________________________________
[1] Kosovo’s President, Belgrade Willing To Consider Border Changes”, Radio Free Europe Radio Liberty, gusht 2018. https://www.rferl.org/a/kosovo-s-president-belgrade-willing-to-consider-border-changes/29417481.html
[2] https://www.kronikab.uk/p/thaci-putini-dhe-presidenca-cfare? fbclid=IwY2xjawT46VtwZG9mBWV4dG4DYWVtAjExAGJyaWQRMVVZeDJ4a0xOeXlaQjhuSmdzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeVBev29ywTYD4PWjMTyKIP7gyD0-iKx0vdubvw9qf3DGZOgzxYKcJgH-Mysg_aem_s4ZkNZ_qbtTA2T1MP6Z3bg#footnote-11
Shih: “Russia’s Strategic Interests in the Balkans”, NATO Strategic Communications Centre of Excellence. Raporti analizon interesat ruse në Ballkan, propozimin Thaçi Vuçiq për ndryshim territorial dhe takimin e shkurtër të Thaçit me Vladimir Putinin në Paris më 11 nëntor 2018.
https://stratcomcoe.org/cuploads/pfiles/russias_strategic_interests_in_balkans_11dec.pdf
