Nga Dr. Selim IBRAIMI
Tensione të reja në Ballkan. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do të devijojë rrjedhën e lumit Ibër, i cili buron në Mal të Zi, kalon nëpër Kosovë dhe vazhdon për në Serbi. Po të enjten ai tha se një grup ekspertësh serbë është duke punuar në këtë projekt.
Konventa e OKB-së për Rrjedhat e Ujit e vitit 1997 (UN Watercourses Convention) tregon disa gjera të tjera. Konventa përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në forcimin e ligjit në këtë fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse kërkon mbrojtjen dhe ruajtjen e rrjedhave ndërkombëtare të ujit. Ndërkohë, Serbia edhe pse nënshkruese e kësaj konvente, mundohet që Ibrin ta përdorë si armë gjeopolitike. Deklaratat e fundit e kanë vënë rajonin nën presion të ri, veçanërisht Kosovën. Qeveria e Kosovës i ka kritikuar deklaratat e tilla. Edhe Shqipëria ka mbajtur një qëndrim, së bashku me BE-në dhe SHBA-në, me opinione për të ulur retorikën e përshkallëzimit. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha, në një postim në X informoi për shqëtësimet nga njofitmet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.”Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ndërkufitar ujor nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij ndikojnë drejtpërdrejt në territorin, mjedisin, sigurinë e ujit, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër.”
“E drejta ndërkombëtare e ujit është e qartë në këtë pikë. Parimet e përdorimit të barabartë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe zvogëluar dëmin ndërkufitar, si dhe detyrimi për të bashkëpunuar, shkëmbyer informacion dhe konsultuar mbi masat që mund të kenë ndikime ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia ka qenë palë në Konventën e UNECE për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010 dhe gjithashtu ka pranuar mekanizmat e saj të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.”
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë ose cilësinë e ujërave që ndikojnë në Kosovë duhet të trajtohet me transparencë, në bazë të të dhënave shkencore, me një vlerësim të plotë të ndikimeve ndërkufitare dhe përmes konsultimit me palën e prekur. Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik ose si mjet për të ndëshkuar një vend ose popullsi tjetër. Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të burimeve të saj ujore. Ne besojmë dhe presim fuqimisht që çështje të tilla do të adresohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve ose ndërhyrjeve dhe veprimeve të njëanshme.” nënvizoi ndër të tjera ministri Hoxha në rrjetin X.
Në kundërpërgjigje ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriq po në X tha: “Lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri, dhe as Shqipëria nuk është shtet bregdetar brenda pellgut të saj. Prandaj, Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale ose hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare.” “Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, duke shpërfillur presionin sistematik kundër popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, në mënyrë të pashmangshme ngre pyetje rreth motiveve politike pas ndërhyrjes së saj. Ai gjithashtu ringjall shqetësime legjitime rreth koncepteve të njohura rajonale që kërkojnë ta trajtojnë territorin serb dhe burimet serbe si pjesë të një sfere më të gjerë politike shqiptare. Le të jem gjithashtu i qartë: nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe, ose për ndonjë projekt tjetër të bazuar në ekspansionizëm etnik dhe rivizatim të kufijve në të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ajo që na duhet nuk është krijimi i shteteve të reja ose më të mëdha kombëtare, por një rajon në të cilin kufijtë humbasin progresivisht fuqinë e tyre për të na ndarë: të hapur për njerëzit, tregtinë, bashkëpunimin dhe prosperitetin e përbashkët, duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti.”
“Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime, as askush tjetër jashtë Serbisë.” Nuk vonoi shumë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po në rrjetin X u deklarua si më poshtë. “Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një “Shqipëri të Madhe” për të mbështetur Kosovën. Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: Shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Ne gjithmonë do të mbështesim këtë të drejtë. Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja e asaj që nuk e humbi ndoshta mund ta shndërrojë humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por për fat të keq hartat janë më pak të përshtatshme. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore të vendosura brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë. Miqtë tanë serbë e dinë këtë shumë mirë, përfshirë sa herë që ulemi së bashku rreth tavolinave evropiane.” Në këtë drejtim ishin edhe reagimet e BE-së dhe të SHBA-së duke bërë thirrje për ulje të tensioneve në mes Serbisë dhe Kosovës.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”. Për radion Evropa e Lirë një zyrtarë i BE -së ka thënë: “Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, ka deklaruar gjithashtu një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për radion Evropa e Lirë.
Në ndërkohë, në veri të Kosovës ka ndodhur sipas organeve të sigurisë kombëtare një hap pozitiv. KFOR-i është në fazën fillestare të dorëzimit të kompetencave të urës së Mitrovicës dhe të objekteve fetare, organeve policore të Kosovës. Këtë veprim KFOR- i e ka mbështetur në përmirësimin e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.
Lista Serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë reaguar për këtë transfer të përgjegjësive. Por KFOR-i ka theksuar se procesi i optimizimit të KFOR-it është nisur si rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it Gjeneral Majori Özkan Ulutaş ka përsëritur gjatë takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe se ky proces do të kryhet gradualisht. “Ai bazohet në kushte dhe mund të përmbyset nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”. “KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it. KFOR-i mbetet ndërhyrësi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit, është i përkushtuar për sigurinë e tij dhe se kalimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”.
“Sapo të finalizohet ky proces, KFOR-i do të mbajë një prani të fortë në Mitrovicën e Veriut dhe në veri të Kosovës për të mirën e të gjitha komuniteteve.”
Serbia ia ka tensionuar së fundi raportet edhe me Malin e Zi. Kryeministri malazez Miliko Spajiq në një postim në rrjetin X ka njoftuar se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë. “Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një politikë të qartë evropiane që, me sa duket, zoti Vuçiç nuk dëshiron ta kuptojë. Dhe nuk është shumë e përshtatshme që ai të marrë rolin e PR-it të Rusisë nga pozicioni i tij dhe t’u japë të tjerëve mësime në parim. Prandaj, një pyetje e thjeshtë për presidentin Vuçiç: si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave të disponueshme, është një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municioneve për Ukrainën, ndërsa i dërgon një mesazh Moskës dhe një tjetër Evropës…? Pas vendimit të KFOR-it, dhe kërcënimeve nga Serbia, zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me trazirat e mundshme në të ardhmen në Mitrovicë ose në pjesë tjera të Kosovës. Kërcënimet mund të vijnë nga jashtë dhe nga brenda, andaj është në të mirë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, që opozita dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti të formojnë institucionet e tu përgjigjen shpejtë politikave të Serbisë, dhe paralelisht të forcojnë pozitën e brishtë rajonale e ndërkombëtare të Kosovës.
