Një histori e gjatë solidariteti me Kosovën, e ndërtuar mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së saj, e bën Komitetin Norvegjez të Helsinkit një prej strukturave mike më të hershme dhe më të rëndësishëm perëndimorë të Kosovës. Që nga fundi i viteve ’80, përmes Grupit për Kosovën, këtij Komiteti iu besua një rol i veçantë në dokumentimin e gjendjes në Kosovë, krijimin e lidhjeve të para me qarqet politike perëndimore dhe mbështetjen e zërave demokratikë shqiptarë. Vizitat e para të delegacioneve kosovare në Perëndim, raportet mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe angazhimi i figurave si Berit Backer e Kristoffer Gjøtterud lanë gjurmë të rëndësishme në rrugën që çoi drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.
Për këtë arsye, propozimi për nderimin e Komitetit Norvegjez të Helsinkit nuk është vetëm një akt mirënjohjeje për një organizatë mike. Është një vlerësim për një kapitull të rëndësishëm të historisë së Kosovës dhe për njerëzit që, në një kohë kur zëri i saj mezi dëgjohej në Perëndim, punuan që ai zë të dëgjohej.
PROPOZIM PËR NDERIM 7 nëntor 2025
Drejtuar: Presidencës së Republikës së Kosovës
Subjekti: Propozim për nderimin e Komitetit Norvegjez të Helsinkit
Arsyetimi:
Komiteti Norvegjez i Helsinkit ishte organizata e parë në Perëndim që e përfshiu çështjen e Kosovës në agjendën e vet — një zhvillim që shënoi një moment të veçantë historik, pasi për herë të parë përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës u bënë pjesë zyrtare e agjendës së një organizate perëndimore me ndikim.
Duke qenë një organizatë pothuajse gjysmështetërore, me rol këshillues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (MPJN-së) dhe me peshë të konsiderueshme brenda Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-së), Komiteti Norvegjez i Helsinkit i dha çështjes së Kosovës një dimension të ri ndërkombëtar, duke e shndërruar atë në një temë të mirëfilltë brenda Procesit të Helsinkit. Ky proces, i bazuar në Aktin Final të Helsinkit (1975), zhvillohej në dy nivele të ndërlidhura: përmes veprimtarisë civile ndërkombëtare të Helsinkit, të udhëhequr nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (FNH), dhe përmes veprimtarisë ndërshtetërore të Helsinkit, të realizuar nga delegacionet shtetërore në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-së). Kjo e fundit ishte konceptuar si një arenë dialogu midis Lindjes dhe Perëndimit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe solli një risi thelbësore: përfshirjen për herë të parë të të drejtave të njeriut si parim i veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Kjo nënkuptonte jo vetëm përballjen me kritika për shkelje të mundshme të këtyre të drejtave, por edhe faktin që gjendja e të drejtave të njeriut në vendet anëtare të KSBE-së bëhej objekt diskutimi në nivele të ndryshme politike. Si rrjedhojë, çështja e të drejtave të njeriut u bë një temë dominuese e diskursit ndërmjet shteteve anëtare të KSBE-së gjatë gjithë Procesit të Helsinkit. Vendet perëndimore kritikonin ato lindore për shkelje të të drejtave politike dhe civile, ndërsa këto të fundit e refuzonin kritikën duke iu referuar njërit ndër parimet themelore të Aktit Final të Helsinkit — parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme. Njëkohësisht, ato akuzonin Perëndimin për shkelje të të drejtave ekonomike dhe sociale.
Trashëgimia e Procesit të Helsinkit mbeti me ndikim të rëndësishëm edhe pas institucionalizimit të KSBE-së, e cila në vitin 1995 mori formën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ky zhvillim kontribuoi në zvogëlimin e rëndësisë absolute të parimit të mosndërhyrjes dhe në afirmimin e të drejtave të njeriut si standard ndërkombëtar. Kjo, megjithatë, nuk nënkupton se parimi vestfalian — tashmë i përfshirë edhe ndër parimet themelore të Aktit Final të Helsinkit — u shfuqizua apo u zhduk. Ai mbeti në fuqi si parim rregullues i marrëdhënieve ndër-shtetërore, por rëndësia e tij u zvogëlua për aq sa lidhej me respektimin e të drejtave të njeriut. Në këtë kuptim, shkeljet e të drejtave themelore nuk mund të konsideroheshin më si çështje thjesht të brendshme, por legjitimonin reagimin ndërkombëtar, sidomos në rastet kur regjimet shtetërore cenonin të drejtat bazike të qytetarëve dhe shkaktonin kriza humanitare. Njëkohësisht, ky proces kontribuoi në konsolidimin e politikave evropiane të sigurisë dhe paqes përmes NATO-s. Në këtë kontekst, për realizimin e operacioneve paqeruajtëse, OSBE-ja mund të kërkonte mbështetje ushtarake nga NATO ose nga BE — ashtu siç ndodhi edhe në rastin e Kosovës. Fatmirësisht, në atë periudhë Norvegjia, shtet me ekspertizë të gjerë dhe përkushtim të veçantë humanitar në kuadër të Procesit të Helsinkit, mbante rolin e shtetit udhëheqës të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë.
Shtatë arsyet kryesore të propozimit për nderimin e Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH)
1. KNH, inkurajoi dhe mbështeti organizimin e udhëtimit të delegacionit të parë faktmbledhës në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë (first fact-finding mission to Kosovo). Delegacioni përbëhej nga personalitete me ndikim të drejtpërdrejtë në kuadër të rrjetit të Procesit Civil të Helsinkit, të cilët, njëkohësisht, gëzonin lidhje miqësore dhe bashkëpunime me figura të rëndësishme brenda këtij rrjeti.Kjo kishte një rëndësi të veçantë, pasi, ndryshe nga Këshilli i Evropës dhe Kombet e Bashkuara, struktura organizative më pak burokratike e KSBE-së krijonte hapësirë më të madhe për ndikim dhe lobim “nga poshtë-lart”. Në këtë mënyrë, Procesi Civil i Helsinkit — përmes Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, e cila përbëhej nga Komitetet Kombëtare të Helsinkit — ushtronte ndikim të ndjeshëm mbi Procesin Ndërshtetëror të Helsinkit, veçanërisht në raport me delegacionet e shteteve perëndimore në kuadër të KSBE-së. Konkretisht, ky delegacion udhëtoi në Kosovë para shembjes së Murit të Berlinit, dhe kishte për qëllim vëzhgimin dhe analizimin e gjendjes së të drejtave të njeriut. Ai përbëhej, ndër të tjerë, nga: kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Karl von Schwarzenberg — mik dhe bashkëpunëtor i Václav Havel-it; përfaqësuesi i Helsinki Watch Amerikan, Kenneth Anderson — mik dhe bashkëpunëtor i Jeri Laber-it, nënkryetare e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe njëherësh drejtoreshë ekzekutive e Helsinki Watch Amerikan; si dhe përfaqësuesi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Kristoffer Gjøtterud — mik dhe bashkëpunëtor i Andrei Sakharov-it. Në fakt, ky delegacion udhëtoi në Kosovë, nën udhëzimet e Berit Backer-it, e cila në atë periudhë vepronte si koordinatore ndërmjet Grupit për Kosovën, që funksiononte në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së), dhe Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-së).
Backer, dha gjithashtu një kontribut të veçantë në mbledhjen dhe interpretimin e informatave mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, gjatë qëndrimit të këtij delegacioni në Kosovë. Si rezultat, në janar të vitit 1990 u botua raporti i parë mbi situatën në Kosovë nga ky delegacion i përbashkët, përkatësisht nga autori Kenneth Anderson, me titull “…Crisis in Kosovo”. Në këtë raport u paraqitën sugjerime konkrete për vendimmarrësit e Bashkësisë Evropiane, të Këshillit të Evropës dhe të politikës së jashtme të ShBA-së, lidhur me zhvillimet në Kosovë. Informacionet dhe rekomandimet e këtij raporti, të përgatitura nga një delegacion i këtij niveli, kishin një rëndësi të veçantë, pasi ofronin një pasqyrë të pavarur dhe të besueshme mbi situatën në terren. Për më tepër, Komiteti Amerikan i Helsinkit, përkatësisht Helsinki Watch – Amerikan (më pas i njohur si Human Rights Watch), si pjesë e rëndësishme e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, kishte një rol të rëndësishëm këshillues për politikën e jashtme të SHBA-së, veçanërisht për delegacionin amerikan në kuadër të KSBE-së. Ky delegacion, gjatë periudhës 1986–1989, udhëhiqej nga Warren Zimmermann, i cili më pas shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Jugosllavi deri në vitin 1994.
Në fakt, në këtë raport, me insistimin e Berit Backer-it, janë miratuar dy rekomandime të rëndësishme këshilluese që u përfshinë si pjesë përbërëse e tij. Konkretisht, në faqen 43 të raportit, vendimmarrësve të politikës së jashtme të ShBA-së u sugjerohet zyrtarisht hapja e konsullatës amerikane në Kosovë. Kjo kërkesë ishte ngritur edhe më herët, por tani merrte një bazë formale dhe institucionale, pasi përfshihej në një raport të rëndësishëm dhe autoritativ. Njëkohësisht, në faqen 44 të raportit, u bëhet thirrje Bashkësisë Evropiane dhe Këshillit të Evropës që çdo proces i ardhshëm integrimi i Jugosllavisë në tregun dhe sistemin ekonomik evropian të kushtëzohet me një rikthim të plotë të respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë. Gjithashtu theksohet se Bashkësia Evropiane dhe Këshilli i Evropës kanë detyrimin t’i kërkojnë Jugosllavisë përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat ajo prej kohësh është zotuar se do t’i respektojë. Madje, në raport nënvizohet se Bashkësia Evropiane dhe Këshilli i Evropës duhet të fillojnë me kërkesën për llogaridhënie në lidhje me faktin se pse delegacioni i Parlamentit Evropian, i dërguar në Kosovë në maj të vitit 1989 për të hetuar zhvillimet, ishte detyruar të largohej, meqë, sipas deklaratës së vetë delegacionit, ishte e pamundur të përmbushej mandati i tij.
2. KNH, organizoi vizitën e parë të delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga Ibrahim Rugova, në Perëndim më 14–18 shkurt 1990 — në Oslo dhe me nisje nga Oslo — duke ndihmuar në krijimin e lidhjeve të para politike dhe diplomatike të përfaqësuesve të Kosovës me qarqet perëndimore. Kjo vizitë u zhvillua në frymën e objektivave të Procesit Civil të Helsinkit, një ndër të cilat ishte inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare që vepronin nën regjime shtypëse. Gjatë vizitës në Norvegji delegacioni i Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën u takua me disa personalitete të rëndësishme shtetërore dhe kulturore norvegjeze. Madje, Berit Backer, paraprakisht më 12 shtator 1989, ishte e pranishme në cilësinë e inkurajueses dhe observatores gjatë diskutimeve të para në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, të cilat më pas rezultuan me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo ndodhi konkretisht kur Berit Backer drejtoi vizitën e delegacionit të përbashkët në Kosovë të përfaqësuesve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Helsinki Watch amerikan dhe Komitetit Norvegjez të Helsinkit.
3. KNH, organizoi vizitën dhe programin e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në shtetet perëndimore menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut 1990, duke kontribuar në përfaqësimin dinjitoz të institucioneve të Kosovës në atë periudhë tejet të ndjeshme.
4. KNH, inkurajoi dhe mbështeti ngritjen e bërthamës së shoqërisë civile në Kosovë, veçanërisht përmes bashkëpunimit konkret me Gazmend Pulën në themelimin dhe mbështetjen e veprimtarisë së Komitetit Kosovar të Helsinkit, si dhe përmes bashkëpunimit me Adem Demaçin dhe të tjerë në mbështetjen e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Në këtë kuadër përfshihej edhe iniciativa për themelimin e Qendrës për Rehabilitimin e Ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Kosovë, e cila u realizua në vitin 1999 nga Feride Rushiti.
5. KNH, inkurajoi dhe mbështeti ngritjen e bërthamës së shoqërisë civile në Shqipëri, veçanërisht përmes themelimit të organizatës së parë joqeveritare në vend — Qendrës për të Drejtat e Njeriut dhe për Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Totalitar — e cila përbënte bërthamën e parë të jashtme për promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokratizimit në Shqipëri. Gjithashtu, ndihmoi në themelimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përmes bashkëpunimit konkret me Arben Puton, Kujtim Çashkun dhe të tjerë. Ky angazhim përfshinte edhe përpjekjet shtesë të Berit Backer-it për të mundësuar përfaqësimin e Shqipërisë në takimin e ekspertëve të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), edhe pse në atë periudhë Shqipëria nuk ishte anëtare e KSBE-së dhe ishte i vetmi shtet evropian që nuk e kishte nënshkruar Aktin Final të Helsinkit (Deklaratën e Helsinkit, 1975).
6. KNH, themeloi Grupin për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), në vitin 1988, i cili nga viti 1990 kishte edhe status zyrtar si pjesë integrale e këtij Komiteti, njëherësh edhe si veprimtari e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-së. Fillimisht, GKKNH u quajt Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, por me insistimin e Berit Backer-it e vazhdoi veprimtarinë me emrin Grupi për Ballkanin në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH). Qëllimi i këtij ndryshimi ishte që informacioni dhe veprimtaria e këtij Grupi të mos paragjykoheshin krejtësisht si veprimtari dhe informacione subjektive për Kosovën, por të jenë sa më të depërtueshme, sa më bindëse dhe sa më të pranueshme për kancelaritë e shteteve perëndimore. Informacionet dhe rekomandimet që ky Grup i dërgonte si pjesë e “Procesit Civil të Helsinkit” (nën ombrellën e FNH-së), si dhe drejtpërdrejt delegacioneve të shteteve perëndimore në kuadër të Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit (Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – KSBE), kishin peshë të padiskutueshme. Ato vlerësoheshin për besueshmërinë e burimeve dhe për ndikimin e tyre në krijimin e një pasqyre objektive të gjendjes në Kosovë, duke ndihmuar në rrëzimin e imazhit të rremë të përhapur nga propaganda serbo-jugosllave. Rëndësia e këtij kontributi shtohej nga fakti se kjo veprimtari bëhej në emër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit i cili vepronte si organizatë pothuajse gjysmështetërore dhe këshilluese për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – një shtet me rol aktiv dhe me kredibilitet të lartë moral në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një meritë të veçantë për këtë kontribut dhe për pikat e sipërcekura e kanë pasur Berit Backer dhe Kristoffer Gjøtterud.
7. KNH, pati një ndikim të rëndësishëm këshillues. Veçanërisht koordinatorja dhe bashkëkordinatori i Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Berit Backer dhe Kristoffer Gjøtterud, u dhanë këshilla të vlefshme dy figurave më me ndikim politik në Kosovë në fillimvitet 1990, Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit, në lidhje me qasjen dhe vizionin e rezistencës së shqiptarëve në Kosovë. Ata u rekomandonin që përpjekjet të përqendroheshin në metoda demokratike dhe joviolente, duke iu shmangur çdo veprimi të nxituar dhe duke mos rënë në provokime, të cilat mund t’i jepnin regjimit të Milošević-it pretekstin për ta paraqitur rezistencën shqiptare si të dhunshme. Një perceptim i tillë, sipas tyre, do të ndihmonte regjimin e Beogradit t’i bindte vëzhguesit e huaj dhe opinionin ndërkombëtar se shqiptarët nuk ishin të gatshëm ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me mjete demokratike. Njëherësh, vlen të përmendet se gjatë vizitës së parë të delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga Ibrahim Rugova, në perëndim — konkretisht në Oslo dhe me nisje nga Oslo — më 14–18 shkurt 1990, në kuadër të një tubimi të hapur për gazetarë në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, më 17 shkurt 1990 (ku edhe autori i këtij teksti ishte i pranishëm), Ibrahim Rugova, gjatë fjalimit të tij, shprehu publikisht konsideratën më të lartë për Backer-in dhe Gjøtterud-in, si dhe për këshillat e tyre të vlefshme. Ndërkaq, Adem Demaçi, në cilësinë e kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ-së), i kishte vlerësuar vazhdimisht këshillat e Backer-it dhe të Gjøtterud-it, ky i fundit ishte njëkohësisht nënkryetar i Bordit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit dhe anëtar nderi i KMDLNJ-së.
Me rëndësi të veçantë ishte fakti se Demaçi – i cili nga shumë bashkëpunëtorë konsiderohej si njeri me qëndrime të palëkundura – megjithatë i vlerësonte posaçërisht këshillat e Backer-it. Ai nuk e shprehu këtë vetëm në fjalimin e mbajtur ditën e varrimit të Backer-it në mars të vitit 1993, kur përmendi “këshillat e saj të vlefshme”, por e kishte theksuar shpesh edhe në biseda private (ku ndodhte që edhe autori i këtij teksti të ishte i pranishëm), se për lirinë që gëzon Kosova sot, këshillat e Berit Backer-it kishin qenë tejet të rëndësishme. Është domethënëse që Backer e kishte bindur Demaçin se, nëse shqiptarët e Kosovës nuk do të mund të çliroheshin përmes përpjekjeve paqësore ose rezistencës pasive, kjo do të legjitimonte forma të tjera të rezistencës aktive dhe mbështetja ndërkombëtare për Kosovën nuk do të humbiste. Me fjalë të tjera, edhe pse Demaçi nuk ishte optimist se Kosova do të çlirohej vetëm përmes metodave paqësore, ai ishte bindur se këto metoda do të krijonin një efekt legjitimizues për forma të tjera të mundshme drejt çlirimit të Kosovës, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, ai mbeti besnik ndaj kësaj qasjeje politike deri në Konferencën e Dejtonit. Si shembull për këtë, në një intervistë të vitit 1992 (intervistë e botuar edhe në librin e biografik për Demaçin, të autorit Shkëlzen Gashi, në faqen 98), Demaçi deklaroi: “Rezistenca paqësore është metodë moderne, por kam frikë se Serbia po mundohet të na nxjerrë prej taktit për të «dëshmuar» para botës se shqiptarët nuk e pëlqejnë zgjidhjen e problemeve me mjete demokratike e pa dhunë. Por, në saje të ndihmës së LDK-së, populli po e ruan qetësinë, urtinë, paqen, durimin… Kështu siç po ecin punët, koha do të kërkojë edhe forma të tjera të rezistencës, që unë nuk di se çfarë mund të jenë, por populli në një moment do t’i kërkojë dhe do t’i gjejë ato forma. Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare do të na përkrahë energjikisht për realizimin e synimeve tona, atëherë sakrificat dhe flijimet do të jenë më të vogla….”
Njëherësh,nëpërmes rrjetit të tyre të gjerë të kontakteve në kuadër të Procesit të Helsinkit, Berit Backer dhe Kristoffer Gjøtterud insistonin që disa nga figurat më të njohura disidente të Kosovës – të dalluara për veprimtarinë e tyre para dhe pas shembjes së murit të Berlinit – ndër ta Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti e të tjerë, të nominoheshin për Çmimin “Sakharov”. Ky insistim kishte për qëllim rritjen e njohjes ndërkombëtare të përpjekjeve paqësore dhe legjitime të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe vetëvendosje.
Konkludim
Komiteti Norvegjez i Helsinkit u themelua shumë më herët (në vitin 1977) sesa shumë prej komiteteve të tjera të Helsinkit në vendet perëndimore. Kjo mund të shpjegohet vetëm përmes gatishmërisë së madhe të Norvegjisë për t’u angazhuar në shërbim të paqes botërore dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, në përputhje me traditën humanitare të humanistit, diplomatit dhe shkencëtarit të njohur norvegjez, Fridtjof Nansen. Njëkohësisht, kjo lidhet edhe me kontekstin politik të shteteve nordike pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat ishin nën kërcënimin e vazhdueshëm të Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, ndër to, Norvegjia rezultoi të ishte shteti më proaktiv ndër vendet nordike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në raport me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe struktura të tjera ndërkombëtare si KSBE-ja (e cila më vonë u institucionalizua në OSBE) etj.
Konkretisht, themelimi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit lidhej me zgjerimin e dimensionit të veprimtarisë civile ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që shoqëroi Procesin e Helsinkit. Nga njëra anë, ky dimension përfshinte përpjekjet e aktivistëve në vendet totalitare dhe autoritare, të cilët kërkonin respektimin e parimit të të drejtave të njeriut të sanksionuar në Aktin Final të Helsinkit – si në rastet e Grupit të Helsinkit në Moskë, lëvizjes Solidarnost në Poloni apo Charta 77 në Çekosllovaki. Nga ana tjetër, mbështetja që këta aktivistë gjetën në Perëndim – përmes komiteteve të para të Helsinkit, si Helsinki Watch në SHBA, Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe komitete të tjera simotra – në përputhje me apelin e Andrei Sakharov-it për bashkëpunim ndërkombëtar, çuan në themelimin e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, e cila forcoi më tej dimensionin ndërkombëtar të veprimtarisë civile brenda Procesit të Helsinkit.
Në fillim të viteve 1980, Komiteti Norvegjez i Helsinkit e zgjeroi veprimtarinë e vet, duke përfshirë edhe mbështetjen ndaj lëvizjes polake “Solidarnost”. Në kuadër të kësaj përfshirjeje, një nga disidentët e njohur polakë, Aleksander Gleichgewicht, ish-i internuar politik në Poloni, pas arratisjes së tij në Norvegji, u angazhua si sekretar për informim në Komitetin Norvegjez të Helsinkit. Ky angazhim pasqyronte hapjen e organizatës ndaj bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me përfaqësues të lëvizjeve kundër regjimeve shtypëse në Evropën Lindore. Në të njëjtën frymë, Komiteti filloi të interesohej gjithnjë e më shumë për lëvizjet disidente të Kosovës, të cilat vepronin kundër regjimit shtypës të Beogradit. Ky interesim çoi në themelimin e Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) — një zhvillim me rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës u bënë pjesë zyrtare e agjendës së një organizate perëndimore me ndikim. Në këtë vazhdë, Grupi për Kosovën, me mbështetjen e plotë të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, përveç veprimtarisë së tij të përgjithshme për Kosovën në kuadër të Procesit të Helsinkit, ndërmori disa iniciativa me ndikim të gjerë; inkurajoi dhe mbështeti udhëtimin e delegacionit të parë faktmbledhës në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë (first fact-finding mission to Kosovo); organizoi vizitën e parë të delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga Ibrahim Rugova, në Perëndim, përkatësisht në Oslo dhe me nisje nga Oslo më 14–18 shkurt 1990; organizoi vizitën dhe programin e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në disa shtete perëndimore menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut 1990; inkurajoi dhe mbështeti ngritjen e bërthamës së shoqërisë civile në Kosovë dhe në Shqipëri; dhe kontribuoi, në fillim të viteve 1990, me këshilla të vlefshme për figurat kryesore politike të Kosovës, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin dhe të tjerë, në lidhje me qasjen dhe vizionin e rezistencës së shqiptarëve në Kosovë.
Kjo veprimtari nuk ishte vetëm rezultat i angazhimit të drejtuesve të GKKNH-së, por edhe i mbështetjes së gjerë institucionale brenda vetë Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Në krye të kësaj veprimtarie qëndronin koordinatorët e GKKNH-së: Berit Backer, antropologe e njohur, idealiste dhe mike e madhe e shqiptarëve, dhe Kristoffer Gjøtterud, profesor i fizikës në Universitetin e Oslos, njëherësh nënkryetar i Bordit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Përgjegjës i GKKNH-së ishte Nufri Lekaj, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik nga regjimi serbo-jugosllav. Para arrestimit, kishte ndjekur studimet për elektroteknikë në Kosovë, ndërsa pas lirimit – pasi shmangu arrestimin e dytë dhe arriti të arratisej – vazhdoi studimet për sociologji dhe gazetari në Norvegji.
Lekaj u propozua të merrte përgjegjësinë në cilësinë e përgjegjësit të GKKNH-së pasi, që nga viti 1987, ishte profiluar dhe identifikuar në mediat norvegjeze si një shembull i dëshmuar i viktimës së torturës nga regjimi serbo-jugosllav dhe si pjesëtar aktiv dhe i organizuar i lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit shtypës të Beogradit.Kështututje, veprimtaria e GKKNH-së u mbështet fuqimisht edhe nga Bordi, Sekretariati dhe, në përgjithësi, stafi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit.Ndër përkrahësit më të rëndësishëm ishin Stein-Ivar Aarsæther, gazetar dhe kryetar i Bordit për më shumë se dhjetë vjet, si edhe disa sekretarë të përgjithshëm që shërbyen gjatë periudhave të ndryshme: Bjørn Cato Funnemark (gazetar),Guri Rusten, filologe – e cila më vonë shërbeu si ambasadore e Norvegjisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe si këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Bjørn Engesland (jurist), si edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm për më shumë se dy dekada, Gunnar M. Ekeløve-Slydal (me formim arsimor në filozofi). Mbështetje të çmuar dhanë gjithashtu tre anëtarë të lëvizjes polake “Solidarnost”, që vepronin brenda Komitetit Norvegjez të Helsinkit: Aleksander Gleichgewicht (i diplomuar në fizikë dhe ish-i internuar politik në Poloni, para arratisjes në Norvegji), Tomasz Wacko (i cili kishte ndjekur studimet e historisë dhe kishte qenë i burgosur politik në Poloni, para se të arratiset në Norvegji) dhe Jarosław Pawlak (gazetar). Në këtë mbështetje përfshiheshin gjithashtu edhe punonjës të tjerë të Komitetit Norvegjez të Helsinkit: Ole Drolsum – një nga veteranët e komitetit (gazetar), Ole-Petter Sunde (jurist), Aage Borchgrevink (studiues i letërsisë dhe shkrimtar i njohur), Maria Dahle (gazetare dhe më vonë drejtoreshë e Human Rights House Foundation), si dhe të tjerë që kontribuan në mënyra të ndryshme.
Njëherësh, vlen të potencohet se gjatë kësaj periudhe, përveçse Bordi dhe Sekretariati i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, udhëhiqej nga personalitete me ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut, edhe Këshilli i Komitetit Norvegjez të Helsinkit përbëhej nga disa personalitete politike me shumë ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar, përveç të tjerëve: kryetari i Këshillit Reiulf Steen (i cili gjatë karrierës së tij politike ka shërbyer si lider i partisë socialdemokrate norvegjeze – AP në periudhën 1975-1981, parlamentar në periudhën 1977-1992, dy herë ministër etj.), nënkryetari i Këshillit Jan Petersen (i cili gjatë karrierës së tij politike ka shërbyer si lider i partisë konservatore norvegjeze – Høyre, parlamentar, ministër i Jashtëm etj.). Gjatë kësaj periudhe, Jens Stoltenberg ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Më vonë, ai u bë i njohur, ndër të tjera, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, gjatë mandatit të të cilit statusi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s u avancua nga ai i anëtares vëzhguese në nivelin e anëtares së asociuar.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se, edhe gjatë luftës në Kosovë, figura të shquara brenda Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, si regjisorja e filmit dhe gazetarja Maria Warsinska-Varsi, luajtën një rol kyç. Nga qershori i vitit 1999 deri në fund të vitit 2003, ajo dha një kontribut të rëndësishëm në nxjerrjen në dritë të krimeve të kryera nga regjimi i Milošević-it në Kosovë, duke dokumentuar krimet e rënda të luftës për Komisionin e Kosovës për Krimet e Luftës, së bashku me juristë dhe ekspertë të mjekësisë ligjore. Fillimisht, për dy vjet ajo punoi në dokumentimin e krimeve së bashku me Komisionin e Kosovës për Krimet e Luftës. Më pas, kur Komisionit nuk iu lejua të vazhdonte më punën, ajo e vazhdoi angazhimin në bashkëpunim me shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur. Ajo luajti një rol kyç edhe në krijimin dhe zhvillimin e këtyre shoqatave, përmes kontakteve të saj në Bosnjë me gratë e Srebrenicës dhe me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),i cili filloi të financonte dhe lehtësonte punën e shoqatave. Warsinska-Varsi, me ndihmën e Nufri Lekajt dhe ekipit të tij, ishte një nga figurat kyçe në themelimin e Komisionit për Krimet e Luftës, duke koordinuar gjatë vitit të parë bashkëpunimin profesional me Komisionin e Bosnjës për Personat e Zhdukur dhe Komisionin e Bosnjës për Krimet e Luftës. Gjatë luftërave në Ballkan ishte krijuar një ekip ndërkombëtar ekspertësh për të ndihmuar organizatat vendore. Ata ofruan ekspertizë në terren, si dhe programe të teknologjisë informative për sistemimin dhe organizimin e provave. Ajo koordinoi gjithashtu bashkëpunimin me ekipin shqiptar të mjekësisë ligjore, me qëllim që ai të përfshihej në punën lidhur me varrezat masive. Së bashku me ekipin e mjekësisë ligjore, ajo zbuloi një numër varrezash masive në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe bashkëpunoi me Tribunalin e Hagës lidhur me këto zbulime. Komisioni i Kosovës, së bashku me Warsinska-Varsin, mund të hapte varre me më pak se 20 trupa. Më vonë, së bashku me shoqatat e familjarëve, u desh të rihapeshin varre më të mëdha për të gjetur dhe identifikuar viktimat, si në Mitrovicë dhe Vushtrri, ku u zbuluan gjysma e viktimave të Izbicës. Kontributi i saj ishte i rëndësishëm. Edhe më herët, Warsinska-Varsi dhe vetë Komiteti Norvegjez i Helsinkit kishin kontribuar në nxjerrjen në dritë të krimeve të luftës në Bosnjë. Warsinska-Varsi ishte një pikë kontakti për Komitetin Norvegjez të Helsinkit (KNH), duke e informuar atë vazhdimisht për situatën në terren dhe për krimet e luftës që ishin kryer. Për KNH-në, ajo mblodhi informacione për të burgosurit politikë shqiptarë në Serbi, lirimin e të burgosurve, rastet e përdhunimeve, gjendjen e rëndë dhe cenueshmërinë e viktimave, si dhe mungesën e plotë të interesimit apo të njohjes së kësaj çështjeje nga ana e OKB-së. Gjithashtu, në vitin 2001, KNH-ja i kërkoi asaj të hetonte nëse refugjatë shqiptarë nga Maqedonia kishin kaluar kufirin për në Kosovë. Gjatë këtij misioni, ajo u vu në shënjestër dhe u arrestua nga ushtarët spanjollë të NATO-s dhe u dërgua në Bondsteel. Pasi amerikanët kuptuan se ajo punonte për KNH-në, ajo u lirua. Më pas, ajo i raportoi KNH-së, për gjendjen tejet të rëndë të të burgosurve shqiptarë, të cilët mbaheshin atje në hapësira të rrethuara, të ngjashme me kafaze. Këndvështrimi i saj kritik dhe i pavarur, i formuar nga njohja e drejtpërdrejtë e situatës në terren dhe nga kontakti i afërt me shqiptarët, ishte unik. Shumë prej fotografive të saj u publikuan dhe u bënë publike nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit. Fotografitë e saj janë përdorur gjithashtu si prova në Tribunalin e Hagës lidhur me krimet e luftës të kryera ndaj popullit shqiptar. Ky angazhim i gjerë duhet parë gjithashtu në kontekstin e rolit të gjatë institucional të Warsinska-Varsit brenda Komitetit Norvegjez të Helsinkit: ajo ishte anëtare e Këshillit të Komitetit Norvegjez të Helsinkit nga viti 1997 deri në vitin 2020.
Njëkohësisht, vlen të përmendet se Grupi për Kosovën, që vepronte në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, gjatë periudhës 1988–1995, kishte edhe një numër bashkëpunëtorësh dhe mbështetësish të jashtëm, norvegjezë dhe shqiptarë. Ndër ta përmenden: Tore Lindholm (profesor i filozofisë në Universitetin e Oslos), Svein Mønnesland (profesor i gjuhëve sllave në Universitetin e Oslos), Pål Haugland (avokat), Kjell Høibraaten (politikan dhe afarist), Trond Nordby (historian dhe profesor i shkencës politike në Universitetin e Oslos), Ann Christine Eek (fotografe dhe shoqe e ngushtë e Berit Backer-it), si edhe të tjerë. Në këtë grup bashkëpunëtorësh përfshihej edhe Shkëlzen Kukleci (sociolog, i cili që në vitet 1970 kishte krijuar miqësi me Berit Backer-in, gjatë periudhës kur ajo zhvillonte një studim socialantropologjik në fshatin Isniq të Kosovës), si dhe disa veprimtarë të tjerë të mërgatës shqiptare në Norvegji: Ali Aliu, Hajrie Aliu, Isa Thaçi, Blerim Rexhepi, Jashar Etemaj, Qani Dehari, Afet Ismajli, Jonuz Emini, Rrahim Përçuku, Antigona Qena, Xhemadin Neziri, Gëzim Haklaj dhe Fatmir Lekaj. Po ashtu, në këtë periudhë përfshiheshin edhe disa studentë shqiptarë që studionin në Universitetin e Oslos në fillim të viteve 1990, të cilët Berit Backer i kishte ndihmuar për të vazhduar studimet jashtë vendit: Anila Hyka (IT), Anila Nauni (sociologji), Fisnik Bardudha (IT) dhe Najada Mandi (sociologji). Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, Sylo Taraku dhe, më vonë, Liridona Gashi u angazhuan për një periudhë në veprimtarinë e Komitetit Norvegjez të Helsinkit.
Rrjedhimisht, kontributi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit në arritjen e paqes në Kosovë – si edhe kontributi i tij i përgjithshëm ndër vite në shumë vende, përfshirë edhe veprimtarinë e tanishme nën drejtimin e Berit Lindeman (sekretare e përgjithshme dhe veprimtare e shquar ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut) – është për t’u vlerësuar lart, veçanërisht nga shteti i Kosovës.
PS.
Ky propozim është iniciuar dhe përgatitur nga Fatmir Lekaj, politolog, njëherësh ish-dëshmitar dhe ish-mbështetës i veprimtarisë së Komitetit Norvegjez të Helsinkit për Kosovën. Përmbajtja e propozimit mbështetet në dokumente origjinale të periudhës përkatëse, të cilat ndriçojnë aspektet kryesore të kësaj veprimtarie dhe, nëse është e nevojshme, mund të vihen në dispozicion si informacion shtesë.
Vendimi për dërgimin e këtij propozimi është marrë në bashkërendim me Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Norvegji, Shkëlqesinë e Saj, znj. Nita Luci.
Me nderime,
Fatmir Lekaj
