Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ratko Mlladiqi (1942-2026), krimineli i luftës i akuzuar për vrasjen e mijërave boshnjakëve gjatë Luftës së Bosnjës 1992-95, vdiq të enjten. Vdekja e tij më solli ndërmend luftërat në ish Jugosllavi dhe vdekjen e mbi 100 mijë qytetarëve të pafajshëm. Vdekja e tij si kriminel lufte në burgun e Hagës është një shembull se çfarë duhet të bëjnë shoqëritë e sotme pas luftërave në Ballkan për të parandaluar konflikte të reja dhe ngritjen e udhëheqësve që duan përsëri të kryejnë vrasje masive të grupeve të tjera etnike.
Por si duket, udhëheqësit dhe popujt e Ballkanit nuk kanë mësuar nga luftërat e fundit. Jehona e vrasjeve të Mlladiqit ndihet edhe sot pas vdekjes së tij në burgun e Hagës. Shqetësuese mbetet vazhdimi i politikave të njëjta me metoda të reja e më të përparuara. Nuk do shumë studime të shihet se në dy dekadat e fundit janë disa qeveri në Ballkan që dëshirojnë të kaluarën ta prezantojë dhe glorifikojnë si diçka të madhe për popujt e tyre.
Pas publikimit të vdekjes së Mlladiqit, mediat në Serbi, Republika Srpska, Maqedoni të Veriut dhe në rrethe të tjera i kushtuan një rëndësi të veçantë. Si ka mundësi që një kasap i llojit të Mlladiqit që vëzhgoi Rrethimin e Sarajevës 1992 dhe organizoi vrasjet masive në Srebrenicë në korrik të 1995 në fund të dalë hero? Ironia pas lajmit të vdekjes së gjenocidistit Mlladiq vazhdoi me deklaratat e zyrtarëve serbë se atë e kanë vrarë qëllimisht dhe do të bëjnë varrimin me të gjitha ceremonitë shtetërore.
Kështu, ish lideri ultranacionalist i Republika Srpska Milorad Dodik shkroi se vdekja e tij është vetëm një vrasje. “Është një vrasje. Ai respektohej nga populli serb. Si komandant, ai qëndroi për të mbrojtur serbët.” Po ashtu ish pjesëmarrësi në luftërat jugosllave dhe politikani radikal e ultranacionalist Vojislav Sheshel tha: “Mlladiqi luftoi kundër atyre keqbërësve për një kohë të gjatë; ata prisnin vdekjen e tij dy ose tre vjet më parë, por ai nuk u dorëzua… Ata e vranë.” Në këtë drejtim reagoi dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse.
“Pala ruse ka theksuar vazhdimisht se gjyqi i Mlladiqit në Hagë dhe kushtet e burgimit të tij u shoqëruan me shpërfillje të të drejtave të tij themelore, duke përfshirë të drejtën për shëndet dhe kujdes të përshtatshëm mjekësor.”
“Rasti i Mlladiqit, pavarësisht rrethanave faktike themelore, ishte një manifestim i hapur i standardeve të dyfishta të gjykatës dhe paragjykimeve anti-serbe.”
Në shtesë edhe Ambasada e Federatës Ruse në Serbi iu bashkua të njëjtit reagim. “Në lidhje me vdekjen e gjeneralit Ratko Mlladiq, i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij.” thuhet në postimin e ambasadës ruse në Beograd.
Ndërkaq Shqipëria bëri një vlerësim tjetër. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha në një postim në rrjetin X u shpreh se Ratko Mlladiqi, është një vrasës brutal, i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. “Kur shpalli dënimin me burgim të përjetshëm, Alphons Orie, kryetari i trupit gjykues, tha se krimet e Mlladiqit renditen ‘ndër më të urryerat e njohura për njerëzimin’.
“Mbrojtësi i tij politik dhe arkitekti i një pjese të madhe të tragjedisë ballkanike, Sllobodan Millosheviq, vdiq në Hagë pa u përballur me të gjithë drejtësinë, një kujtesë e dhimbshme e kufijve të drejtësisë kur autorët e krimit jetojnë në këtë botë para se procesi i plotë gjyqësor të mund të përfundojë. Por vdekja në të dyja rastet, e dënuar apo e dënuar, nuk e fshin fajin, as nuk mund ta rishkruajë të dhënat historike”. “Srebrenica, Sarajeva, Kosova dhe të gjitha viktimat e luftërave në ish Jugosllavi nuk meritojnë as harresë dhe as revizionizëm. Vendimet mbeten, faktet mbeten dhe përgjegjësia për të kujtuar mbetet me ne, por edhe për t’u siguruar që nëpërmjet drejtësisë, shërimit, pajtimit, bashkëpunimit dhe një vizioni të përbashkët evropian, përbindësha të tillë dhe politikat e tyre të mos kthehen më kurrë në rajon apo askund tjetër,” potencoi Hoxha në X.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres njoftoi se solidarizohet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën krimet për të cilat Mlladiqi u shpall fajtor. “Këto gjetje gjyqësore janë përfundimtare dhe faktet që ato përcaktuan në mënyrë përfundimtare përbëjnë pjesë të të dhënave historike.”
Sekretari i Përgjithshëm përsërit thirrjen e tij ndaj të gjithë atyre që janë në pushtet që të përmbahen nga mohimi i seriozitetit të krimeve që janë gjykuar. “Dënoj fuqimisht çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe çdo veprim që lavdëron ata që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.”
Në këtë drejtim reagoi dhe Komisioni Evropian. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (RFERL) Komisioni Evropian njoftoi se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane. Christiane Amanpour, gazetare e CNN-it dhe raportuese nga luftërat në ish Jugosllavi në një reflektim mbi vdekjen e Ratko Mlladiqit, tha për CNN-in se ai (Mlladiqi) ishte përgjegjës për masakrën e mijëra njerëzve gjatë Luftës së Bosnjës.
“Ne e dinim se çfarë është duke ndodhur. Ne, shtypi, ishim atje për të dokumentuar në kohë reale këto krime.” Ministri i Drejtësisë i Serbisë Nenad Vujiq njoftoi për mediat se Ratko Mlladiqi do të varroset në vend me nderimet më të larta shtetërore. Politikani serb Vuk Drashkoviq ka një mendim më ndryshe. Ai tha: “Serbia po përballet me një humnerë shpirtërore, një glorifikim të turpshëm të karakterit dhe veprave të Ratko Mlladiqit.”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq reagoi ndaj “sjelljeve” të organeve gjyqësore të Hagës, dhe kundër vendimit për të mos e lejuar Mlladiqin për shërim në Beograd. Komentet e presidentit serb e të shtypit serb në Republika Srpska ishin pothuajse të njëjta me reagimet mbarë kombëtare serbe në rajon duke përfshirë këtu dhe Maqedoninë e Veriut (MV), ku “bota serbe” ka zënë vend në forma të tjera të ndikimit. Serbët në Maqedoninë e Veriut e kanë çmuar kontributin e Mlladiqit në mbrojtjen e serbëve. Gjithashtu zyrtarë serb në qeverinë e MV-së e kanë glorifikuar Mlladiqin duke hapur një debat të nxehtë në MV ku pjesa shqiptare e cila merr pjesë në qeverinë e Hristijan Mickoskit e quajtur VLEN (e përbërë nga disa parti pa ndikim në qeveri) e ka quajtur të papranueshme veprimin e drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq i cili ka bërë postime të ngritjes së veprës së Mlladiqit.
Edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit, Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni të Veriut e cila është pjesë e qeverisë së Mickoskit ka shpërndarë vlerësime ku Mlladiqi ngrihet lartë si figurë për vrasjet gjatë 1992-95. Duhet ritheksuar se vrasjet u kryen në një zonë të quajtur të sigurtë të OKB-së ku mbi 8 mijë qytetarë boshnjakë pamëshirshëm u masakruan nga forcat ushtarake të Mlladiqit, dhe atyre paramilitare serbe.
Përveç Mlladiqit në masakrat e fundit dhe politikat e shfarosjes morën pjesë dhe figura të larta politike serbe e ushtarake si: Radovan Karaxhiq, Momçillo Krajishnik, Biljana Pllavçiq etj. Bosnja Hercegovina nuk ishte shteti i fundit ku figura të larta serbe dhe paramilitarë kryen krime të rënda kundër popujve të tjerë.
E njëta vazhdoi në Kosovë gjatë viteve 1998-99. Mohimi i gjenocidit, glorifikimi i kriminelëve të luftës duke përfshirë Serbinë dhe të gjithë të tjerët në rajon, është një paradoks dhe çmenduri që mund të nxisë vepra të njëjta sot dhe në të ardhmen.
Pavarësisht reagimeve, BE dhe ShBA duke llogaritur në interesat ekonomike, ushtarake e politike e kanë lënë Serbinë të bëjë vlerësime të luftës sipas dëshirës. Analistët thonë se qëndrimet e fundit të serbëve dhe politikës në Beograd, Banja – Llukë dhe gjetiu ku jetojnë serbët e mbështetësit e tyre, e dëshmojnë këtë mohim të gjenocidit serb duke i kthyer kasapët në hero dhe viktimat në fajtorë. Këtë cinizëm nuk duhet ta pranojë bota, por fatkeqësisht as bota demokratike nuk merret më me të kaluarën.
