Presidenti kinez Xi Jinping do të udhëtojë për në Uashington sot për një vizitë shtetërore tre-ditore me ftesë të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Trumpi ka përgatitur një program të gjerë që do të zgjasë deri të premten dhe përfshin një paradë ushtarake, një pritje zyrtare me krerët e kompanive të teknologjisë dhe një festë private çaji në Shtëpinë e Bardhë.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Takimi i sotëm i Donald Trumpit me Xi Jinpingun në Uashington zhvillohet në një moment kur marrëdhëniet ndërkombëtare po kalojnë nga epoka e globalizimit relativisht të pakufizuar drejt një gjeopolitike të ndërvarësisë së kontrolluar. Nuk është më fjala vetëm për tarifat doganore apo deficitin tregtar. Në tryezën amerikano-kineze janë vendosur tashmë çështje që prekin arkitekturën e fuqisë së shekullit XXI: mineralet kritike, gjysmëpërçuesit, inteligjenca artificiale, zinxhirët e furnizimit, teknologjitë strategjike, Tajvani dhe kontrolli mbi burimet e fuqisë ekonomike.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e këtij takimi.
Xi dhe Trump nuk po negociojnë vetëm tregtinë; ata po negociojnë kufijtë e konkurrencës strategjike midis dy qendrave kryesore të fuqisë globale.
Një raport i Deutsche Welle së fundmi e vendos këtë zhvillim në një kontekst edhe më të gjerë: rivaliteti amerikano-kinez po krijon pasiguri jo vetëm për ekonominë botërore, por edhe për shtetet e mesme, të cilat po detyrohen të rishikojnë pozicionet e tyre strategjike. Europa ndodhet pikërisht në këtë pozitë.
Paradoksi europian
Europa gjendet përballë një paradoksi strategjik.
Nga njëra anë, SHBA mbetet garantuesi kryesor i sigurisë europiane përmes NATO-s, nga ana tjetër, ekonomitë europiane kanë interesa të thella tregtare dhe industriale si në SHBA, ashtu edhe në Kinë. Kjo e bën politikën europiane shumë më të ndërlikuar sesa një zgjedhje duale midis Washingtonit dhe Pekinit.
Për Gjermaninë kjo dilemë është veçanërisht e mprehtë. Ekonomia gjermane është e ekspozuar ndaj të dy tregjeve dhe, për rrjedhojë, ndaj çdo përshkallëzimi të konfliktit ekonomik. Pikërisht për këtë arsye, ekonomisti gjerman dhe një nga drejtuesit kryesorë të DIHK-së (Deutsche Industrie- und Handelskammer – Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë)kërkon që BE-ja të mos mbetet në një gjendje “shoku”, por të ndjekë një politikë aktive në mbrojtje të interesave të saj ekonomike. Sipas tij, kufizimet amerikane dhe kineze mbi lëndët e para kritike, gjysmëpërçuesit dhe teknologjitë kyçe tashmë po ndikojnë mbi zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Këtu shfaqet një ndryshim i rëndësishëm paradigmatik: Europa nuk mund të mbështetet më vetëm te fuqia normative; duhet të ndërtojë edhe fuqi gjeoekonomike.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht shkëputje nga SHBA apo konfrontim me Kinën. Do të thotë aftësi për të vepruar si subjekt strategjik dhe jo vetëm si hapësirë ekonomike e prekur nga vendimet e të tjerëve.
Nga globalizimi te “levë gjeopolitike” e ndërvarësisë
Një nga mësimet më të rëndësishme të konfliktit SHBA–Kinë është se ndërvarësia ekonomike nuk është më thjesht burim prosperiteti. Ajo mund të shndërrohet edhe në instrument presioni politik.
Kontrolli mbi mineralet kritike mund të përdoret si levë negociuese. Teknologjia e avancuar mund të kufizohet për arsye sigurie kombëtare. Tarifat mund të përdoren si instrument politik. Zinxhirët e furnizimit mund të ristrukturohen sipas konsideratave strategjike dhe jo vetëm sipas kostos. Edhe inteligjenca artificiale po trajtohet tashmë si çështje e sigurisë kombëtare.
Kjo është ajo që mund të quhet weaponization, respektivisht gjeopolitizim i ekonomisë.
Në këtë kuptim, epoka e “Chimerica”-s – e ndërvarësisë së thellë ekonomike amerikano-kineze – po zëvendësohet gradualisht nga një model ku të dyja fuqitë përpiqen të ruajnë përfitimet e tregtisë, por njëkohësisht të reduktojnë varësitë që mund të shndërrohen në dobësi strategjike.
Prandaj edhe armëpushimi tarifor, nëse zgjatet, nuk do të nënkuptonte përfundimin e rivalitetit. Ai do të ishte më shumë menaxhim i konfliktit sesa zgjidhje e tij. Aktualisht, pauza tarifore është planifikuar të skadojë më 10 nëntor, ndërsa çështjet e eksporteve të mineraleve kritike dhe teknologjive mbeten pjesë e mosmarrëveshjes.
Çfarë na tregon kjo për rendin e ri botëror?
Nëse e shohim zhvillimin përtej takimit konkret, shfaqet një realitet më i madh.
Sistemi ndërkombëtar po lëviz nga një model ku institucionet shumëpalëshe dhe rregullat synonin të amortizonin konkurrencën e fuqive, drejt një modeli ku vetë fuqitë e mëdha po negociojnë drejtpërdrejt parametrat e rendit.
Kjo është arsyeja pse diplomacia personale Trump–Xi ka rëndësi. DW vëren se takimet e shpeshta të dy liderëve mund të shërbejnë për ta mbajtur rivalitetin nën kontroll dhe për të shmangur përshkallëzime të pakontrolluara. Por vetë ekzistenca e kësaj “diplomacie presidenciale” tregon edhe një dobësim relativ të mekanizmave tradicionalë shumëpalësh në menaxhimin e krizave.
Në këtë kuptim, bota nuk po bëhet domosdoshmërisht bipolare, por po bëhet më e fragmentuar, më konkurruese dhe më transaksionale.
Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar edhe pozita e Europës.
Europa si fuqi apo si treg?
Pyetja strategjike për BE-në nuk është më vetëm: me kë jemi?
Pyetja është: A kemi kapacitet të veprojmë vetë kur interesat tona nuk përputhen plotësisht me ato të fuqive të mëdha?
Kërkesa e komunitetit ekonomik gjerman që BE-ja të zhvillojë një politikë më aktive tregtare është në këtë kuptim më shumë se një kërkesë ekonomike. Ajo është një kërkesë për subjektivitet strategjik europian. DIHK-u sugjeron forcimin e tregut të brendshëm dhe krijimin e aleancave të reja ekonomike në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë, me synim reduktimin e varësive strategjike.
Kjo është një nga shenjat e rëndësishme të epokës së re: diversifikimi ekonomik po bëhet instrument i sigurisë kombëtare dhe kontinentale.
Një mësim edhe për Europën Juglindore
Për vendet e vogla dhe të mesme të Europës Juglindore, me theks për dy republikat tona – Shqipërinë politike dhe Kosoëvn, ky transformim ka një domethënie të veçantë.
Në një sistem ndërkombëtar më konkurrues, hapësira për neutralitet pasiv zvogëlohet. Shtetet që nuk kanë fuqi të mjaftueshme ekonomike, teknologjike apo ushtarake duhet ta kompensojnë atë përmes aleancave, institucioneve, integrimit ekonomik dhe kohezionit politik.
Kjo vlen veçanërisht për hapësirën shqiptare.
Nëse rendi europian bëhet më gjeopolitik, atëherë edhe politika e jashtme e vendeve të vogla nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata normative. Ajo kërkon kapacitete: ekonomike, diplomatike, energjetike, teknologjike dhe të sigurisë.
Në këtë kuptim, takimi Xi–Trump nuk është një ngjarje e largët aziatike. Ai është një dritare për të parë se si po ndryshon sistemi në të cilin jeton edhe Europa.
Përfundim
Takimi Xi–Trump mund të prodhojë një ulje tensioni, marrëveshje tregtare ose një shtyrje të përplasjes. Por asnjë marrëveshje e vetme nuk e ndryshon faktin themelor: rivaliteti strategjik SHBA–Kinë është bërë një nga strukturat përcaktuese të politikës botërore.
Për Europën, sfida nuk është të zgjedhë midis Washingtonit dhe Pekinit, por të ndërtojë kapacitetin për të mbrojtur interesat e veta në një sistem ku fuqia ekonomike, teknologjia dhe siguria po shkrihen gjithnjë e më shumë në një dimension të vetëm gjeopolitik.
Prandaj, mesazhi që del nga ky ndërveprim në raportet mes SHBA-ve dhe Kinës është më i thellë se vetë takimi në Washington.
Në epokën e rikthimit të gjeopolitikës, ai që nuk është në tryezën ku negociohet rendi, rrezikon të mbetet objekt i vendimeve të të tjerëve.
Dhe kjo është ndoshta sfida më e madhe strategjike e Europës së sotme.
