Nga Nezir MYRTAJ
Kasta e pushtetit, e cila i kishte shijuar përfitimet në kurriz të Kosovës, duke qenë në bashkëpushtet me strukturat e UNMIK-ut, deri në shpalljen e pavarësisë ashtu çfarë ishte shpallur në shkurt të vitit 2008, ishte konsoliduar e mobilizuar ende më shumë pas kësaj date, për të shtënë fort në dorë shtetin e pakonsoliduar, të brishtë e të lënduar të Kosovës, me qëllim të përfitimeve ekstreme grupore, farefisnore e partiake dhe të akumulimit të kapitalit marramendës, duke dëmtuar shtetin e Kosovës dhe popullin e saj.
Për ta realizuar këtë qëllim, kjo kastë, patjetër duhej të ishte zë i dëgjueshëm e i disiplinuar i faktorëve ndërkombëtarë, por edhe argat i palodhshëm i kreut bashkëbisedues në Serbi, i cili asnjëherë nuk e kishte hequr vëmendjen nga planet për ta penguar dhe pamundësuar jetësimin e shtetit të Kosovës. Prandaj, e preokupuar pas zaptimit të shtetit, në vitet në vijim, kjo kastë zaptuese injoroi faktin e shpalljes së pavarësisë, por edhe të mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e këtij akti, duke hapur kapitullin e ri të bisedimeve me Serbinë për shumë çështje thelbësore të brendshme të Kosovës. Si produkt i këtij kapitullimi të turpshëm për interesa vetjake pasurore, pasuan marrëveshjet e njëpasnjëshme në dobi të Serbisë, të cilat degraduan dhe paralizuan zhvillimin e shtetit të Kosovës, nëpërmjet fusnotës kontestuese në mbishkrimin e këtij shteti; asociacionit etnik të komunave me popullsi serbe; demarkacionit me Malin e Zi; Gjykatës Speciale kundër “krimeve” të UÇK-së e të tjera.
Të gjitha këto të këqija që po i bëheshin dhe që po i vinin Kosovës nuk mund të mos kishin përballë edhe kundërshtimin popullor, zë i vetëm i artikuluar i të cilit ishte bërë Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, ky kundërshtim nuk mund të mos kishte edhe koston e vet. Dhe përderisa kostoja e pavarësisë së “Pakos së Ahtisarit” ishte paguar me jetën e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, tani koston e mbrojtjes së pavarësisë së rrezikuar duhej ta paguante dikush tjetër dhe ai ishte veprimtari dhe studenti i mjekësisë Astrit Dehari.
Marrja e jetës së Astritit në burgun hetues të Prizrenit, më 5 nëntor 2016 nuk ishte si rënia e dëshmorëve tanë të tjerë deri atëherë. Me këtë vdekje nuk krahasohet rënia e mijëra dëshmorëve në fushëbetejë përballë armës armike; nuk krahasohet as rënia në burgun e Prishtinës e Fazli Grajçevcit, apo e Shaban Shalës; as rënia e Xhemaili Berishës në burgun e Prizrenit; as rënia në plojën e burgut të Dubravës; madje as rënia e Monit dhe Arbenit në sheshin e Prishtinës.
Përderisa të gjitha rëniet e tjera i kishte shkaktuar dora e huaj gjakatare, Astriti u shitua nga fantazma vrasëtare duke qenë në dorën dhe nën mbikëqyrjen e shtetit, i cili me të drejtë konsiderohej i zaptuar. Dhe ky ishte një krim shumëfish më i rëndë. Ajo ishte një vrasje për motive politike e kurdisur dhe e urdhëruar nga ata që zërin e tij kundërshtues po e konsideronin si rrezikim të pozitës së tyre si “pronarë” të shtetit, si dhe të proceseve antishtet që ata po i zhvillonin.
Se vdekja e Astrit Deharit ishte likuidim i tij me paramendim, për të gjithë ata që kanë parë e dëgjuar ato që janë thënë publikisht, përveç për mbështetësit e urdhërdhënësve e urdhërzbatuesve, tashmë nuk mund të ketë dyshim. Ky likuidim ishte dëshmia më e fortë e vënies së institucioneve të shtetit në grushtin e “pronarëve” të tij. Këtë fakt e treguan varg e vijë, me gojën e tyre, që nga zyrtarët përgjegjës të burgut në Prizren, kryepolici i asaj kohe në Prizren, kryeprokurori i Prizrenit, Instituti Mjekoligjor i Kosovës, ministrja e drejtësisë, e deri te krerët kryesorë të shtetit, deklaratat publike të të cilëve tashmë kanë mbetur të regjistruara jo vetëm në kujtesë.
Të gjithë këta përgjegjës të shtetit, që deklaronin me bindje se Astriti kishte bërë “vetëvrasje”, me të cilin konstatim ata po e vrisnin atë për së dyti, në raste të tjera të caktuara, për aktin të cilin po përpiqeshin ta kamuflonin, po e fajësonin paradoksalisht Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo, pastaj, ata të gjithë dolën të pafuqishëm përballë gjetjeve të Raportit të Mjekësisë Ligjore të Llozanës së Zvicrës.
Natyrisht, në këtë raport nuk kishte si të figuronin kërkesat e shtruara publikisht, jo një herë, në Kuvendin e Republikës e jashtë tij, nga eksponentë të partive politike që ishin kohë të gjatë në pushtet, si ajo e ish-deputetes së LDK-së, B. Gaxherri (e theksuar për hirë të mbamendjes së lexuesit), e cila e kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe Astrit Dehari. Ky diskurs likuidues nuk ishte pa domethënie dhe pasqyronte zërat nazifashistë brenda subjekteve me rezon të tillë, për të cilët në Kosovë nuk mund të ishte i pranueshëm as veprimi i lirë politik dhe as shprehja e mendimit të lirë. Derisa këta zëra po kërkonin ta likuidonin ligjërisht subjektin politik të cilit i përkiste Astriti, duhej të pritej që “dirigjuesit” e tyre të urdhëronin edhe likuidimin fizik të tij.
Ka kaluar një dekadë që nga vdekja “misterioze” e Astrit Deharit në qelinë e burgut hetues të Prizrenit. Që atëherë, enigma e kësaj vdekjeje mizore e ka mbajtur dhe fatkeqësisht vazhdon ta mbajë në errësirë të vërtetën rreth saj. Që atëherë e deri sot, institucionet përgjegjëse të shtetit nuk kanë treguar aftësi ta nxjerrin të vërtetën objektive në shesh por as gatishmëri ligjore, morale e njerëzore t’ia tregojnë, së pari familjes së Astritit, por as qytetarit të republikës, këtë të vërtetë lidhur me rastin e tij. Përkundrazi, ato kanë shfaqur deri në skajshmëri përpjekje për ta anashkaluar dhe mohuar këtë të vërtetë, madje duke asgjësuar edhe provat dhe gjurmët e domosdoshme të saj. Ky fakt e bën të ndihet i tmerruar qytetari i Kosovës, sepse përpjekja e shtetit për ta mjegulluar vdekjen e qytetarit të vet në dorën e tij, me qëllim të mohimit të përgjegjësisë, gjithnjë duke pasë parasysh edhe motivin politik të aktit, i jep atij epitetin më të rëndë – vrasës.
Por, pavarësisht të gjithave, sot dhe mot diçka është e sigurt: se rrethanat në të cilat i është ndërprerë jeta rinore Astrit Deharit, si dhe proceset nëpër të cilat po kalonte Kosova, e bëjnë të pavdekshëm emrin e tij. Dhe siç kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri, Astrit Dehari ka rënë në mbrojtje të fryteve të kësaj lufte. Ai është dëshmori i republikës.
Prishtinë, 4. 11. 20026
