Nga Dr. Enver Bytyçi
Pas më shumë se një jave kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi nga Brukseli për zgjedhjet e zhvilluara në Republikën e Serbisë. Ky rreagim erdhi si rezultat i pyetjes që gazetarja në intervistë i bëri atij me kërë adresë. Tha se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë për Kosovën. Një metaforë kjo dukshëm reale me situatën dhe programin e Listës së Studentëve fituese në Serbi. Por thjesht kaq. Nuk ka komentuar asgjë për shkaqet e humbjes së sivëllaut të tij, Aleksandër Vuçiq. As nuk e ngushëlloi ish-presidentin e Serbisë. Ndërkohë që fituesit nuk i ka uruar. Ndoshta pret që pas formimit të qeverisë së re serbe të dërgojë ndonjë mesazh të thatë urimi. Por, hë për hë, vetëm kaq. Derisa të lidhen fijet që kishte me Vuçiqin në transformatorin e kryeministrit në ardhje.
Përkthimi në shqip i metaforës së lartpërmendur është i lexueshëm: – Distancë me fituesit, heshtje për humbësit. Distanca me fituesit shërben për të testuar, nëse këta do të interesohen për vazhdimin e miqësive të shkuara midis qeverisë së Tiranës dhe qeverisë së re të Serbisë.
Ata në Beograd nuk do të nguten për këtë. Edhe pas formimit të qeverisë për një kohë nuk do të ndjehen dhe nuk do t’i kërkojnë Edi Ramës bashkëpunim të ngushtë. Sepse ata presin që kryeministri i Shqipërisë të ketë fatin e ish-presidentit të Serbisë.
Ndërkaq ky lloj fati është i përcaktuar: – Njësoj si Vuçiq, edhe Rama pritet të përgjigjet penalisht për veprat penale dhe qëndrimet e tij ndaj ligjit, interesit të qytetarëve dhe të kombit shqiptar.
Por Rama do të bëjë shumë kujdes për t’u afruar me fituesit e Beogradit, sepse është nën monitorimin e humbësve në zgjedhje. Vëzhguesit humbës kanë në dorë shumë fakte dhe prova komprementuese për shefin e ekzekutivit shqiptar. Janë si të thuash si ai “Frigoriferi i Ballukut”, ku ish- zv. kryeministrja mban videon sekrete të ish-shefit të saj.
Nëse Rama rilidhet me lidershipin e ri serb, atëherë ata të djeshmit do të bëhen xhelozë dhe nuk do ta pranojnë që miqësia e tij me fituesit të lulëzojë si në kohën e Vuçiqit. Për pasojë ka shumë mundësi që dikush prej atij skalioni si rastësisht të lëshojë në publikë fakte kompromentuese skandaloze për Ramën. Por as nuk mund të konfrontohet me ardhësit në pushtet në Beograd. Sepse ata kanë në dorë arkivën e veprimtarisë pro-serbe të Edi Ramës.
Jam i sigurt se kryeministri i Shqipërisë do të tentojë të lidhet sërishmi ngushtë me qeverinë e re në Baograd. Ka mundësi që tashmë ta ketë dërguar mesazhin e tij përmes ndërmjtësuesit të tij, Baton Haxhiu. Sepse kjo është natyra e tij. Ai e di se erdhi në pushtet së bashku me Vuçiqin me mesazhin e stabilokracisë në Ballkan. Për pasojë është i vetëdijshëm se një mesazh i përsëritur në lidhjet e reja me Beogradin do të kishte ndikim së paku te miqtë e tij në Europë. Por nuk do ta pranojë këtë lidhje të ngushtë partneri i parë i tij humbës. Jo se ky partner nuk do të dëshironte që Serbia të ruante ndikimin e saj në Shqipëri. Por se armiqësia midis humbësit dhe fituesit në Beograd është ekstreme. Një flirt i partnerit shqiptar me ata që po përgatisin qelinë e burgut për Aleksandër Vuçiq do ta zemronte shumë këtë të fundit.
Kësisoj edhe kësaj radhe Edi Rama është në dilemë. Duhet të ndërrojë partnerin në bashkëpunim. Eshtë mësuar që këtë akt ta kryejë në shumë raste.
Nga prehëri i Sorosit tentoi të shkonte te prehëri i Donald Trump dhe Jared Kushner. Nga miqësia me Erdogan shkoi pupthi në shërbimin që i bën Tel Avivit. Nga Angela Merkel shkoi në çengelin e Emmanuel Macronit e kështu me radhë.
Tani në rend të tradhtisë së tij është Georgia Meloni. Por pasi t’ia kthejë shpinën ish presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Melodia muzikore e Edi Ramës është sipas interesit të tij dhe ajo muzika që luhet njëjtë në Beograd për Kosovën, është thjesht një melodi diskursi në gojën e Edi Ramës. Paradigma është se ai përdor metaforën dhe batutën, atëherë kur nuk ka gjë për të thënë, ose kur i duhet të heshtë për ta fshehur të vërtetën.
