[Foto e krijuar përmes IA]
UÇK-ja, NATO-ja dhe ndryshimi i strategjisë ushtarake
Operacioni “Patkoi”, kalimi në luftën guerile, bashkëveprimi me NATO-n dhe mbrojtja e popullsisë civile.
I. Reçaku dhe pasojat e tij në strategjinë ushtarake të UÇK-së
Andrea Myller: Kohët e fundit është folur shumë për Sean Burns. Në librin e Kellerit, thuhet: “Sa herë që shkonim në selinë e UÇK-së, e gjenim Sean Burns-in atje, duke u sjellë pak a shumë si një zot.”
Dilaver Goxhaj: Po, duket se kjo ka qenë deri më 20 mars 1999, sepse atë ditë ai udhëtoi për në Kumanovë. Deri atëherë, ai i pati të gjitha takimet e tij me Bislimin.
Bislim Zyrapi: Më falni, do të doja ta korrigjoja Dilaverin në disa pika. Po i referohem shkëmbimit të ushtarëve të kapur rob. Nga ana jonë, Jakup Krasniqi, Ramë Buja, unë dhe komandanti i Zonës së Shalës, Rrahman Rama, morën pjesë në bisedimet me OSBE-në mbi këtë temë. Kërkesa e parë që bëmë për një shkëmbim të burgosurish kishte të bënte me ish-anëtarët e Shtabit Qendror që u kapën në vitet 1996/97.
…Sadri Ramabaja: Po flasim për Nait Hasanin…
Bislim Zyrapi: Po, Naitin dhe të tjerët, gjithsej njëmbëdhjetë. Serbët e refuzuan menjëherë kërkesën tonë. Pastaj na ofruan ushtarë në këmbim, njëmbëdhjetë prej tyre nga Pashtriku, të cilët ishin kapur gjatë marshimit me Mujë Krasniqin, etj. Ne natyrshëm pranuam këtë shkëmbim.
Kështu ndodhi gjithçka.
Siç e shpjegon shumë mirë Dilaveri, më 1 janar 1999 kemi marrë informacion se forcat serbe do të na sulmojnë në dy vende: në Shtimje dhe në Drenas, më saktë në Llanasellë. Ne ua kaluam informacionin njësive në vendngjarje dhe i udhëzuam që të ishin veçanërisht të kujdesshëm.
Herët në mëngjes të 15 janarit, forcat serbe nga fshati Carralevë hynë në Reçak dhe filluan masakrën.
Organizuam dhe mobilizuam njësitë që kishim më afër Shtimes. Në atë kohë kishim dy kompani të Batalionit të Zbulimit, njëra në Llanishë dhe tjetra në Budakovë. Ne ndërmorëm një kundërsulm. Por deri sa arritën njësitë tona, tashmë ishte tepër vonë. Masakra kishte ndodhur. Ne lajmëruam OSBE-në. Më 15 janar ata bënë përpjekjen e parë për të hyrë në Reçak. Forcat e armatosura serbe e penguan këtë.
Me sa duket, brenda një ore nga masakra, Walker dhe një ekip arritën të mbërrinin në vendngjarje dhe të vëzhgonin maskaradën atje. Pra, siç tha Dilaveri, kjo ishte strategjia e drejtpërdrejtë e Millosheviqit. Ata kishin planifikuar të sulmonin UÇK-në, të frikësonin popullatën dhe të ulnin prestigjin tashmë të fituar të UÇK-së. […]
Sadri Ramabaja: …Si ndikoi kjo në moralin e ushtarëve?
Bislim Zyrapi: Përkundrazi, u rrit morali i ushtarëve, madje u rrit edhe numri i vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së. Mund të them se edhe morali i popullatës u rrit.
Dilaver Goxhaj: Shkëmbimi i të burgosurve ngriti moralin.
Pas masakrës së Reçakut, ne zhvilluam një plan shtesë për t’iu përgjigjur veprimeve serbe pasi ata nuk e respektonin më armëpushimin dhe bënë të gjitha përpjekjet për ta mbyllur plotësisht Kosovën. Tashmë kishim në plan të zbatonim strategjinë tonë rezervë: trajnimin e vullnetarëve në Shqipëri për të thyer kufirin shqiptaro-jugosllav dhe për të pushtuar prej andej me ushtarë dhe armë.
Bislim Zyrapi: … Qëllimi ynë ishte që të hapnim korridore dhe të sillnim ushtarë, armë e municion.
Andrea Myller: Nëse bëhemi cinik, tëherë do të mund të thoshim se katastrofa në Reçak pati megjithtë efekte pozitive. Ndikoi që UÇK-j të forcohej?
Bislim Zyrapi: Po, edhe mund të thuhet ashtu. Ne përveç se u forcuam ushtarakisht, filluam të mendojmë se lufta mund të zgjesë shumë dhe filluam të merrnim masat e duhura.
Dilaver Goxhaj: Masakra e Reçakut mbolli një urrejtje të paparë në popull.
II. UÇK-ja pa kokë politike
Andrea Myller: Ju keni pasur vazhdimisht kontakte me OSBE…?
Bislim Zyrapi: Po, kemi pasur kontakte. Por, më së shumti këto kontakte i ka mbajtur Drejtoria Politike.
Më lejoni të kthehem paksa në nëntorin e 1998. Atëbotë patëm bërë riorganizimin, atëherë qe krijuar Drejtoria Politike që vepronte si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm.
Andrea Myller: Kush ishin anëtarët e Drejtorisë Politike?
Bislim Zyrapi: Megjithëse ne patëm arritur përmes marrëveshjes së nëntorit të bashkojmë forcat ushtarake, kështu nuk rezultoi edhe në planin politik. Ne kishim ngelur de fakto pa zë politik, pa përfaqësues politik si UÇK! Prandaj në atë riorganizim krijuam edhe Drejtorinë Politike.
Sadri Ramabaja: A d.t.th, kjo se, përmes kësaj drejtorie qe mënjanuar Kryesia e LPK-së si drejtuese e politikës?
Bislim Zyrapi: Në fakt kryesia e LPK-së qe mënjanuar edhe më heret, që në qershor 1998.
Drejtor i kësaj Drejtorie qe përcaktuar Hashim Thaçi.
Sadri Ramabaja: Kush e emroi?
Bislim Zyrapi: Ky emrim u bë nga Shtabi.
Sadri Ramabaja: A mendonit atëherë se po bënit një veprim të ligjshëm, respektivisht të jashtëligjshëm?
Bislim Zyrapi: Plotësisht e ligjshme, nëse kemi parasysh natyrën e luftërave çlirimmtare, në rrethanat kur nuk ke udhëheqje shtetërore.
Sadri Ramabaja: Kjo d.t.th se UÇK-ja paska qenë ndërkohë pa udhëheqje politike?!
Bislim Zyrapi: Po, UÇK-ja ishte pa udhëheqje poliitike.
Sadri Ramabaja: Atëherë imponohet pyetja: Kush e la UÇK pa udhëheqje politike?
Bislim Zyrapi: Kjo është temë që nuk më përket mua.
Sadri Ramabaja: Po ta shtrojë këtë pyetje, meqë kjo është pika më e nxehtë e historisë së UÇK.
Dilaver Goxhaj: Kjo i përket historisë së LPK. Dhe këtë ju e dini më mirë.
Këto çështje kishin marrë rrugë në maj 1998, në Tiranë. Në këtë rizgjedhje u futën edhe Kadri Veseli e edhe Hashim Thaçi.
Sadri Ramabaja: Megjithatë, siç dihet, ata nuk ishin asnjëri anëtarë të Kryesisë së LPK-së deri atëherë.
III. Drejtoria Politike: zëvendësim i Kryesisë së LPK-së – Puçi politik brenda UÇK-së
Dilaver Goxhaj: Këtu fillon eleminimi gradual i LPK-së. Në datën 26 maj 1998 del në RTSH, në lajmet për Kosovën, Jakup Krasniqi dhe thotë: “UÇK nuk ka nevojë për udhëheqje politike!” Me këtë rast merrë fund udhëheqja politike e UÇK nga udhëheqja e LPK. Dhe më pas, duke parë që UÇK-ja nuk kishte autoritet politik, këta persona që krijuan këtë Drejtori Politike, ju afruan Adem Demaçit. Dhe më 13 gusht të vitit 1998 e nxjerrin Adem Demaçin si Përfaqësues politik të UÇK-së. Tutje, në këtë periudhë, Adem Demaçi bën përfaqësimin politik të UÇK-së.
Sadri Ramabaja: … Deri në…?
Dilaver Goxhaj: Deri më 2 mars 1999, kur jep dorëheqje.
Bislim Zyrapi: Dua të plotësoj pak. Adem Demaçi qe emruar Përfaqësues UÇK nga qershori 1998, ndërkaq në TV doli informacioni ashtu si thotë Dilaveri. Në SHP është përcaktuar Adem Demaçi si Përfaqësues Politik i UÇK-së.
Sadri Ramabaja: Ndjesë, po Xhavit Haliti thotë se nuk është përcaktuar Pëtfaqësus Politik, por është ngarkuar me detyrë për themelimin e Asamblesë Kombëtare….
Bislim Zyrapi: … Zoti Xhavit Haliti mund të thotë se çka ka ndodhur në Tiranë, po nuk mund të thotë asgjë se çka ka ndodhur në Kosovë.
Zoti Adem Demaçi në qershor të vitit 1998 ishte në Likoc. Në atë takim kam qenë edhe unë. Ai është thirrë në atë takim për t’ia komunikuar vendimin se Shtabi është përcaktuar që ai të jetë Përfaqësues Politik i UÇK-së. Ndoshta më vonë mund t’ju ketë dhënë edhe ajo detyra për formimin e Asamblesë Kombëtare, si detyrë shtesë.
Dilaver Goxhaj: Për të plotësuar Bislimin. Si mund të mbledhë unë Asamblenë Kombëtare të Kosovës, pa qenë anëtarë i SHP të UÇK? Non sens.
Bislim Zyrapi: … Të ecim tutje me Drejtorinë Politike. Atëbotë qe marrë qëndrimi që të gjithë përfaqësuesit politik, që janë brenda dhe jashtë Kosovës, të jenë pjesë e kësaj Drejtorie.
Në këtë Drejtori kanë bërë pjesë edhe anëtarë të SHP, siç ishin Jakup Krasniqi, Sokol Bashota… Sidoqoftë janë emrat në arkivin e UÇK-së. Xhavit Haliti edhe ashtu ka qenë përfaqësues politik në Shqipëri. Automatikisht ishte anëtaër i kësaj Drejtorie.
Pastaj kjo Drejtori ka marrë vendimet politike, që në një mënyrë i bie se ka zëvendësuar Kryesinë e LPK-së.
Pastaj është dashtë të përcaktohet një vend për punën e Drejtorisë Politike. Unë kam qenë i mendimit që SHP të jetë në një objekt tjetër nga ku do të vepronte Drejtoria Politike.
Nga nëntori 1998, SHP dhe Komanda, jemi koncentruar në Bjeshkën e Berishës, konkretisht në fshatin Divjakë ku qe vendosur SHP, kurse në Fshatin e Ri, Novosellë si quhej atëherë, ka qenë pjesa e Komandës dhe Drejtorisë Politike. Takimet i kemi bërë në fshatin Dragobil të Malishevës, që ishte për arsye praktike, më e lehtë.
Andrea Myller: Ju keni qëndruar në fshatin Divjakë?
Bislim Zyrapi: Po
Pse u vendos për Dragobil? Dy çështje kanë dominuar: E para, për shkak të rrugës, komunikimit; e dyta, nuk donim që të zbulohet vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm.
IV. CIA, oficerët francezë dhe prania ndërkombëtare: mes dëshmive dhe interpretimeve
Andrea Myller: Kontaktet tuaja me Shon Borns ishin fizike apo përmes telefonit?
Bislim Zyrapi: Unë jam takuar drejtpërsëdrejti vetëm në takimin e Dragobilit. Ata, ndërkombëtarët, kanë pasur takime e kontakte me Drejtorinë Politike. Natyrisht edhe biseda në telefon përmes komunikimeve satelitore. Siç kemi pasur kontakte edhe me pjesën e logjistikës, me përfaqësues politik etj., pra komunikimet i kemi mbajtur me telefonat satelitor. Edhe unë e kam pasur telefonin satelitor përmes të cilit kam komunikuar me komandantët e zonave dhe me anëtarët tjerë.
Meqë komunikimi me radio ishite jashtëzakonisht i rrezikshëm, meqë ishte mundësia për përgjim e zbulim nga forcat serbe.
Andrea Myller: Po i kthehem sërish autorit francez Keller, që në rrafshin strategjik ka peshë ajo çka pohon ai, po edhe në literaturën që kemi përdorë për tu pregaditur për këtë bashkëbisedim, kemi vu re rolin e ndërkombëtarëve. Killer thotë se UÇK-ja është udhëhequr nga CIA. Ndërkaq Dilaveri na shpjegoi se në Shtabin e UÇK-së për herë të parë kanë arritur oficer francez dhe se ata kanë penguar ardhjen e amerikanëve.
Ju personalisht keni pasur takim me këta oficerët francez?
Bislim Zyrapi: Jo.
Andrea Myller: Keller në atë libër rrëfen për një histori të 3 oficerëve francez që ishin prezent pranë Shtabit të Përgjithshëm, që kishin ardhur në prill ose më vonë gjatë luftës në Kosovë.
Si ishte ndikimi i amerikanëve, ai i francezëve brenda UÇK-së? Çka ka përjetuar në këtë rrafsh Komandanti i Operativës i UÇK-së? Çfarë roli kishte e gjithë kjo histori?
Bislim Zyrapi: Në SHP derisa unë kam qenë Shef i Shtabit Operativ, derisa e kam dorëzuar detyrën te Agim Çeku, nuk ka pas asnjë oicer të huaj; as amerikan e as francez e as të tjerë.
Dilaver Goxhaj: […] Kjo që thotë Bislimi është shumë e saktë.
Zoti Bislim Zyrapi është larguar nga Kosova në mesditën e datës 26 prill 1999 dhe ka vajtur për Shqipëri prej nga do të drejtonte Operacionin Shigjeta.
Andrea Myller: Po, po, e qartë, Bislimi e tha se për aq kohë sa ai ishte në SHP, nuk kishte oficer të huaj aty.
V. Spiunë apo gazetarë? Episodi francez në Divjakë
Dilaver Goxhaj: Më 15 maj 1999 unë kisha dalur jashtë godinës ku ishte Salla Operative dhe po pija cigare. Ishte mesditë. Del zëvendëshefi i Operativës, Salih Veseli, e më thotë, se të kërkon Hashimi në telefon. Hashimi kishte shkuar më parë në Europë [Perednim]. Në telefon ai më thotë: Në Kumanovë janë 3 gazetarë francez. Do ta ngarkojë dikë dhe ty që ata t’i shoqërojë e të mbërrijnë në SHP. Pastaj më tha se ai ua ka dhënë nr. E tel. të SHP dhe do të të marrin ata vet në telefon. Ata i shoqëron Mjekrra [pseudonimi i Bilall Cekës], i cili më kishte shoqëruar për në SHP.
Më pas më morën ata në telefon dhe më thotë Bilalli se i ka aty gazetarët francez. I thashë t’më japin nr. e telefonit që të flas unë e ta. Ai ma ktheu: Nuk ta jap dot nr. e telefonit, por do të të marrë unë çdo 5 minuta.
Pas kësaj bisede, unë mora në telefon komandantin e Zonës Operative të Neredimës, Imri Ilazin. i tregova si ishte puna dhe e udhëzova që të nxjerrin një skuadër e t’i presin në kufirin me Maqedonin.
Ilazi më mori më pas në telefon dhe më tregoi vendin se ku do t’i pres skuadra gazetarët francez me shoqëruesin.
Në ndërkohë më mori në telefon Mjekrra dhe i tregova se ku i priste skuadra jonë. Në orët e pasdrekës ata mbërritën në Shtabin e Përgjithshëm.
Mi sollën në zyrë mua. Por në atë qast erdhi Agim Çeku, që tashmë ishte në vend të Bislimit që kishte vajtur për drejtimin e Operacionit Shigjeta.
Agim Çeku u emrua me vendim të Qeverisë së Përkohshme më 28 prill 1999 Shef i Shtabit të UÇK-së. Zoti Bislim qe caktuar ndihmës Ministër, jo zëvendësministër i Mbrojtjes. Unë nuk i takova dot francezët. Mi morën e i larguan për në Novoselë [Katund të ri]. Ata tre veta që ishin paraqitur si gazetar i shoqëronte Hoxha, alias Nuri Bexheti.
Një ditë, duhet të ketë qenë data 4 qershor 1999, u ngrit aviacioni francez, por atë e qëlluan forcat serbe që kishin qenë në afërsi të Orllonit. Predhat e aviacionit francez ndërkohë filluan të binin edhe në afërsi të Shtabit të Pëgjithshëm. Oficeri për evidencë dhe lidhje pranë SHP merrë Shtabin e NATO në Kumanovë dhe ju thotë, ç’bëni se po godisni SHP.
Në këtë qast isha jashtë dhe ia mora telefonin dhe e ndërpreva lidhjen duke i thënë se kta janë francez dhe na godasin neve.
Duket se lidhja është ndërprerë tek pasi ia kam thënë këtë oficerit tonë. Duket se ata, pra francezët, e morën vesh çka po ndodhte.
Goditjet e SHP po vazhdonin. Ne të gjithë dolëm në trashe. Pasi mbaruan me sa duket monicionin, meqë provuan 2-3 herë. Për fat që SHP ato tri shtëpi në Divjakë i kanë gjetur e menduar për atë punë me shumë strategji, meqë janë të futura në mes të pyllit dhe nuk duken dot nga ajri. Prandaj nuk u godit dot nga aviacioni francez në shenjë.
Në Shtab kishim edhe 2 gazetarë norvegjez. Njëri nga norvegjezët kur u kthyem me gjithë Agim Çekun nga trasheja, aty ishin edhe oficerët francez, na u drejtua neve: Këta janë spiunë francez, këta ju kanë treguar vendndodhjen e SHP, këta janë spiunët. [Vijon]
![UÇK-JA NGA BRENDA: MES IDEALIT TË LIRISË DHE BETEJËS PËR PUSHTET [5]](https://ishgj.org/wp-content/uploads/2026/11/Intervista-UCK-1024x683.png)