Pjetër Bogdani – nga “Çeta e profetëve” te kujtesa jonë kombëtare: “Çeta e UÇK-së”
Nga Dr. Sarë GJERGJI
Vendosja e busteve të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit në Llapushnik dhe debatet që pasuan këtë ngjarje na rikthejnë te një çështje që tejkalon aktin simbolik të përurimit të tri monumenteve: te mënyra se si e lexojmë historinë, si e kuptojmë identitetin tonë dhe si sillemi me trashëgiminë tonë historike e kulturore.
Për ta kuptuar figurën e Pjetër Bogdanit, duhet ta vendosim atë në kontekstin historik, politik dhe intelektual të shekullit XVII, pa e shkëputur nga realiteti evropian i kohës.
Në kohën e Bogdanit, nocioni i kombit, në kuptimin që i japim sot, nuk ishte konsoliduar, por ekzistonin etnitë, vetëdija e përkatësisë etnike, gjuha, kujtesa historike dhe ndjenja e lidhjes me një prejardhje të përbashkët. Mungesa e një nocioni në kuptimin e tij bashkëkohor nuk nënkupton mosekzistencën e realitetit shoqëror që ai përshkruan. Nëse nesër nocioni i kombit pëson transformime semantike e konceptuale dhe bashkësia që sot e quajmë komb emërtohet ndryshe, a do të thotë kjo se Adem Jashari nuk ka luftuar për kombin e vet? Natyrisht se jo. Ndryshimi i nocioneve nuk e zhbën realitetin historik, as përmbajtjen e veprimit njerëzor.
Pikërisht në këtë rrafsh duhet parë edhe veprimtaria e Bogdanit: përkushtimi ndaj etnisë shqiptare, gjuhës, kulturës dhe lirisë së saj, pra ndaj asaj bashkësie që sot e njohim si komb shqiptar.
“Çeta e profetëve” në rrjedhat e mendimit evropian
Botuar në Padovë më 1685, Cuneus Prophetarum (“Çeta e profetëve”) e Pjetër Bogdanit përbën një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës së shkruar shqiptare.
Vepra ngërthen çështje teologjike, kozmologjike, antropologjike, astronomike, filozofike dhe letrare, duke marrë karakter enciklopedik. Në të ndërthuren trashëgimia e filozofisë antike, mendimi skolastik, erudicioni humanist dhe estetika e barokut. Kjo dëshmon se Bogdani ishte jo vetëm njohës i thellë i kulturës evropiane, por edhe pjesëmarrës në rrjedhat intelektuale të Evropës së kohës.
Një ndër vlerat themelore të veprës qëndron në nivelin e lartë të përpunimit të gjuhës shqipe. Pas Buzukut, Budit dhe Bardhit, Bogdani e çon shqipen në një shkallë të re zhvillimi, duke e bërë gjuhë të abstraksionit filozofik, të argumentimit teologjik dhe të ligjërimit shkencor të kohës. Pasuria leksikore, kompleksiteti sintaksor, figuracioni letrar dhe përpunimi i terminologjisë dëshmojnë për një gjuhë me potencial të jashtëzakonshëm shprehës.
Në një kohë kur zhvillimi i shqipes si gjuhë e shkrimit dhe e dijes ndalohej nën sundimin osman, ndërsa latinishtja vazhdonte të ishte një nga gjuhët kryesore të dijes evropiane, Bogdani dëshmoi se edhe në gjuhën e popullit të tij mund të trajtoheshin çështjet më komplekse të mendimit njerëzor. Me veprën e tij, ai jo vetëm e pasuroi kulturën shqiptare, por e afirmoi atë brenda hapësirës intelektuale evropiane.
Bogdani dhe lufta për çlirim
Një dimension po aq i rëndësishëm i veprimtarisë së Bogdanit është angazhimi i tij për çlirimin e vendit nga sundimi osman, angazhim që kulmoi më 1689, në kontekstin e luftës austro-osmane.
Reduktimi i kësaj lufte në një përballje ndërmjet krishterimit dhe islamit do të përbënte një lexim të njëanshëm të historisë. Vetë Bogdani, në korrespondencën e tij, dëshmon për ekzistencën e një vetëdijeje të përkatësisë së përbashkët etnike, përtej dallimeve fetare. Shqiptarët e islamizuar ai i konsideronte bashkëkombës të vet (conazionali).
Madje, në letrën e 20 tetorit 1658, siç dokumenton historiani Pëllumb Xhufi, Bogdani shpreh shpresën se veprën e Skënderbeut mund ta përsëriste një prijës shqiptar i islamizuar, i cili do të vihej në krye të kryengritësve kundër sundimit osman.
Nuk ishte, pra, rastësi që në kryengritjen e vitit 1689, përkrah Bogdanit dhe forcave austriake, u angazhuan edhe shqiptarë myslimanë. Përtej dimensionit fetar dhe kontekstit gjeopolitik të kohës, lufta e Bogdanit duhet parë edhe si luftë për çlirimin e vendit dhe të popullit të tij.
Kësisoj, Bogdani përfaqëson një hallkë të rëndësishme të vazhdimësisë historike të përpjekjeve shqiptare për liri, nga epoka e Skënderbeut deri te lëvizjet e mëvonshme kombëtare.
Nga Padova e vitit 1685 te Llapushniku i vitit 2026
Një fakt me domethënie të veçantë, që duket se ka mbetur jashtë vëmendjes së debatit të këtyre ditëve, gjendet në vetë botimin origjinal të Çetës së profetëve. Në poezinë kushtuar Bogdanit, Pjetër Riçeardi i paraqet shqiptarët si një popull që ka nxjerrë dy Skënderbej: njërin të shquar për trimërinë luftarake, tjetrin për virtytin shpirtëror – Gjergj Kastriotin dhe Pjetër Bogdanin.
Pra, vendosja e Bogdanit përkrah Skënderbeut në Llapushnik nuk përbën një afrim simbolik të krijuar në ditët tona. Një lidhje e tillë dokumentohet që më 1685, gjatë jetës së vetë Bogdanit. Sot, përkrah tyre është vendosur edhe Adem Jashari.
Të tre, ndonëse u përkasin epokave dhe konteksteve të ndryshme historike, mishërojnë dimensione të një vazhdimësie historike: përpjekjet për liri, mbijetesë dhe afirmim të identitetit shqiptar. Nga “Çeta e profetëve” te “Çeta e UÇK-së”, nga fjala e shkruar te sakrifica për liri, shtrihet një histori shekullore e përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur qenien e tyre kolektive.
Në këtë kontekst, kundërshtimet që mbështeten në përkatësinë fetare të këtyre figurave shpërfaqin një problem më të thellë të raportit tonë me historinë. Do të ishte një paradoks historik që shqiptarët e shekullit XXI të përçaheshin mbi baza fetare pikërisht për figurën e një njeriu që, në shekullin XVII, kishte arritur ta dallonte përkatësinë etnike nga ajo fetare dhe që te shqiptarët e islamizuar shihte bashkëluftëtarë të mundshëm për çlirimin e vendit.
Adem Jashari ndërmjet kujtesës kombëtare dhe përkatësisë fetare
Debati për Llapushnikun nuk ka të bëjë më vetëm me Pjetër Bogdanin, por edhe me mënyrën se si e konceptojmë figurën e Adem Jasharit. Pretendimi se Bogdani ishte një “kriminel” dhe se, për rrjedhojë, Adem Jashari nuk duhet të qëndrojë përkrah tij në oborrin e një kishe, ngre një sërë pikëpyetjesh historike, logjike dhe morale.
Sipas cilave kritere historike gjykohet Bogdani? Mbi cilat burime mbështetet një cilësim i tillë? A zbatohet i njëjti standard edhe ndaj figurave të tjera historike, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare?
Në Kosovë, një numër objektesh fetare islame mbajnë edhe sot emrat e sulltanëve dhe pashallarëve të Perandorisë Osmane. Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut në Prishtinë, Xhamia e Sinan Pashës dhe ajo e Gazi Mehmed Pashës në Prizren janë vetëm disa prej tyre. Këto objekte ruhen si pjesë e trashëgimisë historike, arkitekturore dhe fetare të vendit, pavarësisht faktit historik se emrat që ato mbajnë u përkasin pushtuesve të trojeve shqiptare. Ruajtja e kësaj trashëgimie nuk nënkupton legjitimimin e sundimit osman, as mohimin e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për t’u çliruar prej tij.
Por, nëse prania e emrave të pushtuesve osmanë në objektet tona fetare nuk konsiderohet në vetvete e papajtueshme me identitetin kombëtar shqiptar, mbi çfarë logjike mund të konsiderohet e papranueshme prania e bustit të Adem Jasharit përkrah dy figurave shqiptare që luftuan kundër sundimit osman?
Çështja nuk është të vihet në pikëpyetje ekzistenca apo emërtimi i këtyre xhamive, por të vihet në pikëpyetje standardi i dyfishtë me të cilin, në raste të caktuara, gjykohet historia jonë.
Adem Jashari nuk humbet asgjë nga madhështia e tij duke qëndruar në oborrin e një kishe, ashtu sikurse Skënderbeu dhe Bogdani nuk do të humbnin asgjë nga rëndësia e tyre kombëtare po të nderoheshin në oborrin e një xhamie. Vendi ku vendoset një bust nuk e tjetërson identitetin e personalitetit që ai përfaqëson.
Adem Jashari nuk luftoi për lirinë e një konfesioni, por për lirinë e një populli. Prandaj, nderimi i tij nga shqiptarët katolikë, myslimanë apo nga ata që nuk i përkasin asnjë besimi fetar, nuk e përvetëson figurën e tij; përkundrazi, dëshmon karakterin gjithëkombëtar të veprës së tij.
Bogdani nuk ka nevojë të zhvishet nga petku i tij kishtar për t’u pranuar si figurë kombëtare, ashtu sikurse Adem Jashari nuk ka nevojë të qëndrojë larg një kishe për të ruajtur identitetin e tij.
Nderimi i këtyre figurave nuk është akt i afirmimit të një feje në dëm të një tjetre, por akt i njohjes së historisë dhe kulturës sonë. Trashëgimia kombëtare nuk mund të ndërtohet përmes përzgjedhjes së figurave historike sipas përkatësisë së tyre fetare, sepse një përzgjedhje e tillë do të nënkuptonte fragmentimin e vetë historisë shqiptare.
Përballë tri busteve në Llapushnik, nuk janë këto tri figura që duhet të dëshmojnë denjësinë e tyre për të qenë pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Jemi ne që duhet të dëshmojmë se jemi të denjë për trashëgiminë që na kanë lënë.
Do të ishte një regres i vetëdijes sonë historike, intelektuale dhe kombëtare nëse ne, shqiptarët e shekullit XXI, nuk do të arrinim të kuptonim atë që Pjetër Bogdani e kishte kuptuar që në shekullin XVII: se dallimet në besim nuk e zhbëjnë përkatësinë e përbashkët etnike dhe se liria e atdheut nuk është çështje konfesionale.
