( Korrik 1987)
[HISTORI]
Nga MSc Metush ZENUNI
Për shkak të rrethanave të vështira dhe ndjekjeve të vazhdueshme nga pushteti, Mbledhja e Parë e Përgjithshme nuk kishte mundësi që të mbahet në Kosovë. Meqenëse vepronte në ilegalitet të thellë dhe ndjekjet e pushtuesit ishin të mëdha, kjo dukuri e ndoqi LPRK-në që nga krijimi i saj e deri në fund të luftës çlirimtare në Kosovë.
Atëherë kur aktiviteti i saj rrezikohej seriozisht në Kosovë, Dega Jashtë Vendit e LPRK-së, e vazhdonte aktivitetin dhe propagandimin e çështjes së pa zgjidhur të Kosovës, ndërsa kur ekzistonin kushtet pak më të favorshme vendimet dhe mbledhjet e përgjithshme mbaheshin brenda vendit.
Pas demonstratave të vitit 1981, platforma për formimin e LPRK-së u shtrua në Kosovë, pastaj organizativisht qendra e vendosjes u vendos jashtë, ku edhe mori formë të organizuar në perëndim, ndërsa formën juridike e mori më 17 janar të vitin 1982.
Në vitet 1984 -1985, qendra e vendosjes së LPRK-së ishte në Kosovë, ndërsa në vitet 1986, 1987 dhe mesi i vitit 1988, qendra e vendosjes së LPRK-së ishte jashtë vendit. Për shkak të këtyre rrethanave të rënda të veprimit më 8 nëntor 1986, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës LPRK, mban Mbledhjen e saj konsultative në Zurich, ku formohet Grupi për Organizimin e Mbledhjes së Parë të Përgjithshme –MPP, me delegatë në përbërje: Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani dhe Hajdin Abazi. Mbledhja e Parë e
Përgjithshme e LPRK-së, u mbajt në korrik 1987 në St. Gallen, Zurich dhe Delemont – Zvicër, ndërsa trojet shqiptare në ish -Jugosllavi i përfaqësonte Ahmet Haxhiu–Baca. Pjesëmarrja e tij në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LPRK-së, ashtu si edhe fjala e tij, ishin pritur shumë mirë nga delegatët.
Nga Mbledhja konsultative u lëshua një material prej katër faqesh, i cili i shpërndahej Këshillave Popullorë të LPRK-së dhe Kolegjiumit të redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”. Në material, njoftoheshin anëtarët e LPRK-së, lidhur me punën e Grupit të Organizimit që nga nëntori i vitit 1984, i cili është miratuar nga Komiteti Qendror i LPRK -së në dhjetor 1984. Në material thuhej se Grupi i Organizimit nuk e konsideron veten kompetent që të ndryshojë Programin e LPRK-së, por ai vetëm ka bërë propozimet dhe ka dhënë mendimin se disa pjesë mund të ndryshohen. G.O ka aprovuar mendimin që të zëvendësojë termin LRSSHJ me termin LPRK, duke u bazuar në vendimin e LPRK-së të vitit 1981.
Siç dihet, Statuti i LRSSHJ-së nuk është aprovuar asnjëherë më parë, andaj G.O e hartoi këtë material, në bazë të analizës, që u bëri projekt statuteve të vitit 1984, nga anëtarët e Komisionit për hartimin e dokumenteve që e caktoi KQ, tash KP i LRSSHJ-së, respektivisht LPRK-së.
Vërejtjet në Program dhe Projekt statut të LPRK-së, duhet të dërgoheshin deri më 17 prill 1987, sepse më 18 prill 1987, G.O do të mbajë mbledhje, në të cilën do të lexohen vërejtjet dhe ato do ti propozohen Mbledhjes se Përgjithshme.
Kjo Mbledhje është e rëndësishme tani pas goditjeve dhe arrestimeve të vitit 1985-1986. Për momentin LPRK është organizatë politike jashtë vendit, por që ka lidhje të organizuara brenda vendit. G.O mendon se pas Mbledhjes do të krijohen kushte të ristrukturimit të Këshillave Popullorë brenda vendit, dhe pas kësaj LPRK jashtë vendit mendojmë të quhet Lidhja, apo Dega e LPRK-së Jashtë vendit.
Në mbledhjen konsultative të datës 21-22 mars 1987, u fol gjithashtu edhe për të drejtën e delegatëve për pjesëmarrje në Mbledhje të Përgjithshme. U tha se në të mund të marrin pjesë vetëm Këshillat Popullorë dhe Redaksia e gazetës “Zëri i Kosovës”.
Mbledhjen e Parë të Përgjithshme do ta udhëheqë G.O, dhe anëtarët e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, për shkak se gjatë punës, janë mëshiruar me materialin dhe janë njohur me problemet në terren.
Funksioni i G.O do të jetë i ligjshëm derisa Këshilli i Përgjithshëm i Mbledhjes së Parë të Përgjithshme të zgjedh Kryesinë e LPRK-së. G.O mendon se Këshilli i Përgjithshëm duhet të përbëhet nga 19-21 anëtarë, dhe duke e pasur parasysh se LPRK është organizatë e masave, përfaqësimi duhet të jetë nga të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi. Mbledhja u thirr me qëllim që t`i japë formë më të plotë e më të saktë politike, organizative e juridike e LPRK-së me qëllim që të bëjë bilancin e fitoreve dhe të vështirësive që e përcollën këta 5 vjet dhe t`i tejkalojë ato në mënyrë kritike dhe autokritike, me qëllim që të zgjidhet udhëheqësia e ligjshme e dalë nga baza e organizatës. Në mbledhje morën pjesë delegat të zgjedhur nga Këshillat Popullorë të LPRK-së, jashtë vendit, një i dërguar nga Kosova (Ahmet Haxhiu), Kolegjiumi i Redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”.
Grupi i Organizimit dhe anëtarë të deritanishëm të Këshillit të Përgjithshëm që u deklaruan për mbajtjen e Mbledhjes së Përgjithshme të LPRK-së, ndërsa OMLK, dërgoi me shkrim letër përshëndetëse drejtuar Mbledhjes. Në Mbledhje të pranishëm ishin: Fazli Veliu , profesor i letërsisë, i cili u zgjodhë Kryetar i LPRK-së, Emrush Xhemajli, i cili u zgjodh sekretar, Gafurr Elshani, jurist, u zgjodh përgjegjës financiar. Ndërsa anëtar të Kryesisë së LPRK-së zgjidhen: Avni Dehari, profesor i letërsisë nga Kumanova, Ernest Jurstver, Xhavit Haliti dhe Rexhep Halimi, punëtor.
Kosovën dhe viset shqiptare në Jugosllavi i përfaqësonte Ahmet Haxhiu.
Në Mbledhje u shqyrtua dhe u aprovua Rendi i Punës, dhe Rregullorja e Mbledhjes së Përgjithshme. U verifikuan mandatet e delegatëve, të Redaksisë së “ZIK-ut” dhe Grupi i Organizimit, duke ofruar edhe provat si dëshmi, u zgjodh Komisioni i Mbledhjes, si dhe Kryesia e punës së Mbledhjes. Mbledhja e shqyrtoi dhe aprovoi Statutin e LPRK-së( për herë të parë prej fillimit të veprimtarisë), ndërsa bëri ndryshimet e nevojshme në Programin e LPRK-së të aprovuar në vitin 1984.
Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së aprovoi 5 rezolucione (nga 6 sa u paraqitën për shqyrtim). Këto pesë Rezolucionet e aprovuara janë orientimet më të domosdoshme, ku tash e tutje duhet të përqëndrohet vëmendja për ecjen para në luftën tonë për Republikë.
Mbledhja mori edhe disa vendime rreth mbarëvajtjes së punës së organizatës.
Në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme u bë zgjedhja e Këshillit të Përgjithshëm dhe Redaksisë së gazetës ,,Zëri i Kosovës”.
Pas zgjedhjeve, Këshilli i Përgjithshëm mbajti mbledhje të veçantë, ku u zgjodh Kryesia dhe Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm; në këtë mbledhje Ahmet Haxhiu – Baca, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshme të LPRK-së dhe anëtar i Kryesisë së këtij Këshilli. Ai u ngarkua edhe me detyrën e ndërlidhësit në mes të Organizatës në Kosovë dhe Degës Jashtë Vendit.
Mbledhja e Parë e Përgjithshme, e cila zgjati tri ditë, aprovoi edhe programin dhe statutin e LPRK-së. Organi ligjvënës i LPRK-së u emërua Këshilli i Përgjithshëm, i cili përbëhej prej 21 vetash.
Kjo Mbledhje, e cila zgjati tri ditë, zgjodhi edhe Kryesinë e re në përbërje:
1. Fazli Veliu – Kryetar,
2. Muhamet Kelmendi- Nënkryetar
3. Emrush Xhemajli – sekretar,
4. Gafurr Elshani – përgjegjës financiar.
Anëtar të Kryesisë zgjidhen:
5. Avni Dehari,
6. Ernest Jurstver,
7. Xhavit Haliti
8. Rexhep Halimi.
9. Rexhë Ibërdemaj
Këshilli i Përgjithshëm i LPRK-së, zgjodhi pastaj edhe Kryeredaktorin dhe Këshillin Redaktues të gazetës ilegale ,, Zëri i Kosovës“.
Kryeredaktor u zgjodh: Mustafë Xhemajli, gazetar, ndërsa anëtar të redaksisë:
2. Fazli Veliu
3 Avni Dehari
4. Ibrahim Kelmendi
5. Musa Xhaferi
6. Mehmet Rashiti
7. Ismet Rashiti
8. Muhamer Shabani
9. Sadri Ramabaja
Për të qenë sa më afër ngjarjeve, jo vetëm politike, por edhe të vijës politike e organizative të LPRK-së, sipas statutit të organizatës, Kryeredaktori dhe anëtarët e redaksisë doemos duhej të ishin anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, sepse detyrat e Redaksisë, nuk ishin vetëm çështjet organizative, dhe ekzekutive në redaksi të ,, Zërit të Kosovës”, por ishin pjesë e aktive e organit drejtues.
Kryeredaktori, para Këshillit të Përgjithshëm, propozonte për aprovim anëtarët e redaksisë, caktonte redaktorët e rubrikave, si dhe raportonte çdo gjashtë muaj, apo edhe më shpesh, sipas kërkesave dhe nevojave.
Organi ligjvënës i Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës, u emërua Këshilli i Përgjithshëm (deri atëherë quhej Komiteti Qendrorë).
Në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme, u vu një themel i fortë i LPRK-së. U aprovua programi dhe statuti dhe tani e tutje, opinioni ndërkombëtar do të dijë për vijën politike dhe për kërkesën e popullit shqiptar, i cili po vuante nën prangat e një regjimi të egër në Jugosllavinë Titiste.
Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së plotësoi një zbrazëtirë të krijuar që nga fillimi i punës së Lëvizjes në vitin 1982, pasi ajo, megjithëse duhej të mblidhej menjëherë pas aktit të bashkimit, nuk u mbajt për shkak të vështirësive që e përcollën lindjen, rritjen dhe zhvillimin e LPRK-së.
Rezolucionet e Mbledhjes së Parë të Përgjithshme të LPRK-së:
1. Lufta heroike e popullit shqiptar për Republikë po intensifikohet. Populli shqiptar me vendosmëri po u kundërvihet të gjitha aksioneve të armikut. Krahas kësaj mbrojtjeje ai po ndërmerr aksione të gjëra të kundërvënies ilegale dhe legale kundër armikut. Duke pasur parasysh këtë, MPP e LPRK-së, vendos që çdo fushatë e armikut brenda dhe jashtë vendit të kundërshtohet me të gjitha forcat e LPRK-së, të ndihmohen të gjitha aksionet politike dhe organizative brenda si dhe hedhja në veprim e popullit kundër pushtuesve serbo-maqedono- malazezo mëdhenj.
2. Organizimi ilegal është arma kryesore e luftës sonë. Mu për këtë, pushtuesit, me të gjitha forcat dhe mjetet po luftojnë radhët e organizuara ilegale në Kosovë. Armiku është i interesuar të shkatërrojë veçanërisht, qendrat ndihmëse të organizatave ilegale, me qëllim të lokalizimit të aktivitetit revolucionar si dhe t`ua humbë atyre vazhdimësinë e drejtpërdrejtë organizative ilegale. Duke pasur parasysh këtë objektiv të armikut, MPP e LPRK-së e ka detyrë mbi të gjitha detyrat që të ndihmojë në drejtimin që kërkojnë radhët brenda vendit; Me forca njerëzore, materiale e financiare.
3. Bashkimi e mobilizimi i masave është detyrë e rëndësishme e LPRK-së. Jashtë vendit gjenden mbi 200.000 punëtorë kurbetçinj, të cilët paraqesin forcë të madhe në luftën tojnë për Republikë.Duke pasur parasysh këtë dhe faktin se kjo forcë është faktor i rëndësishëm i lidhjes së frontit, brenda-jashtë dhe anasjelltas, MPP vendos që LPRK sa më tepër të bashkojë, mobilizojë e përgatitë masat kurbetçare për të kundërshtuar politikën pushtuese në Kosovë, si dhe të bëjë me dije gjithë botën se pa iu njohur statusi i Republikës, Kosovës e viseve të saja, nuk ka e nuk do të ketë paqe, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.
4. Anarkia në organizatë, qon në shkatërrimin e organizatës dhe pushimin e aktivitetit Revolucionar. Duke pasur parasysh se në të kaluarën u shfaq gjerësisht dukuria e anarkisë, duhet që një kohë të shkurtër LPRK të përmirësoj punën bazë -qendër dhe anasjelltas si deh centralizimin e detyrave, të lidhjeve dhe ato financiare.
5. Bashkimi organizativ në nivel kombëtar është armë tjetër shumë e fuqishme në duart e popullit. Duke e pasur parasysh se në Kosovë dhe jashtë saj ka edhe grupe tjera pos LPRK-së, MPP vendos që nga LPRK të burojnë iniciativat për bashkim dhe do tu përgjigjet pozitivisht, iniciativave që burojnë nga grupet dhe organizatat tjera, të cilat nga pozita Revolucionare luftojnë për konstituimin e Republikës së Kosovës dhe viseve të saja.
- MSc. Metush Zenuni- Historian dhe veprimtar i LPK-së
