Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Brenda pak ditësh, dy deklarata nga Serbia na treguan se sa pak ka ndryshuar mendësia politike që prodhoi krimet e viteve ’90.
Fillimisht, Vojislav Shesheli foli për ekzekutimet në Srebrenicë sikur të ishin një operacion matematikor. Ai llogariste sa njerëz mund të pushkatoheshin nga shtatë persona brenda disa orëve dhe më pas tha: “Ju që nuk keni pushkatuar kurrë askënd, nuk e dini se si është.”
Pak ditë më vonë, ministrja serbe Snezhana Paunoviq deklaroi se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Në të njëjtën intervistë, UÇK-në e cilësoi si “guerilë të trajnuar kasapësh”, ndërsa hyrjen e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë e quajti “okupim”.
Këto deklarata janë senzacioni i fytyrës së vërtetë të regjimit të Vuçiqit që e thotë me gojën e të tjerëve.
Shesheli racionalizon mënyrën se si janë kryer ekzekutimet. Paunoviq racionalizon atë që, sipas saj, shteti serb duhej të kishte bërë me shqiptarët. I pari e zvogëlon krimin përmes llogaritjeve teknike. E dyta e paraqet spastrimin etnik si një alternativë strategjike që Millosheviqi nuk e realizoi deri në fund.
Në të dyja rastet, viktima zhduket si qenie njerëzore. Në vend të saj mbeten numrat, kapaciteti i pushkatimit, “terroristët”, “kasapët” dhe popullsia që duhej larguar.
Kjo është e njëjta ideologji që mohon gjenocidin në Srebrenicë, relativizon masakrën e Raçakut, kriminalizon rezistencën shqiptare dhe e paraqet ndërhyrjen e NATO-s si agresion ndaj Serbisë.
Dallimi është se Shesheli është një kriminel lufte i dënuar, ndërsa Paunoviq është ministre në detyrë.
Pikërisht këtu qëndron rreziku. Gjuha që dikur vinte nga strukturat radikale, sot vazhdohet të artikulohet nga brenda institucioneve shtetërore. Kur ekzekutimet racionalizohen dhe spastrimi etnik justifikohet, nuk kemi të bëjmë vetëm me mohim të së kaluarës.
Kemi të bëjmë me ruajtjen e klimës morale dhe politike që mundëson përsëritjen e saj.
