Nga Selam SHKODRA, PhD
Pse neni 66(1) dhe pika II.2 e KO124/25 duhet të lexohen në mënyrë sistematike dhe pse Gjykata Kushtetuese duhet të mbetet autoriteti i interpretimit kushtetues.Debati për afatin kushtetues të konstituimit të Kuvendit është shndërruar në një debat politik. Por në thelb të tij qëndron një pyetje e pastër juridike: çfarë nënkupton saktësisht afati 30-ditor i nenit 66, paragrafi 1, të Kushtetutës dhe si lidhet ai me afatin 30-ditor të përcaktuar në dispozitivin e Aktgjykimit KO124/25?
Qëndrimi që mbroj këtu është se këto dy afate nuk duhet të ngatërrohen automatikisht. Njëri duhet të lexohet si afat kushtetues për mbajtjen e Seancës Konstituive pas shpalljes zyrtare të rezultateve, ndërsa tjetri si afat i vendosur nga Gjykata për përfundimin e Seancës Konstituive që tashmë kishte filluar.
Kjo nuk është një përpjekje për ta relativizuar Kushtetutën apo për ta anashkaluar KO124/25. Përkundrazi, është përpjekje për ta lexuar Kushtetutën dhe aktgjykimin në mënyrë tekstuale, sistematike dhe koherente.
Çfarë thotë realisht neni 66(1)?
Neni 66, paragrafi 1, i Kushtetutës përcakton:
“Kuvendi i Kosovës zgjidhet për mandat katër (4) vjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e cila mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.”
Teksti është i rëndësishëm për dy arsye.
Së pari, Kushtetuta e përcakton qartë pikën e nisjes së afatit dita e shpalljes zyrtare të rezultateve. ajo përcakton çfarë duhet të ndodhë brenda këtij afati të mbahet Seanca Konstituive. Prandaj, në leximin tekstual të nenit 66(1), nuk duhet të zëvendësojmë pa argument termin kushtetues “mbahet” me termin “përfundohet”. Kjo nuk është çështje semantike. Në të drejtën kushtetuese, dallimi ndërmjet një akti që fillon një procedurë dhe përfundimit të saj mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta juridike.Thirrja e Seancës Konstituive nuk është e njëjtë me përfundimin e saj Kjo është pika ku, sipas meje, debati duhet të bëhet shumë më i saktë. Kushtetuta ia jep Presidentit kompetencën për të thirrur Seancën Konstituive. Neni 66(3) parashikon se Presidenti i Republikës e thërret seancën konstituive të Kuvendit.
Kemi, pra, një proces institucional që mund të paraqitet në mënyrë të thjeshtuar:
shpallja zyrtare e rezultateve afati 30-ditor thirrja/mbajtja e Seancës Konstituive zhvillimi i procedurave konstituive përfundimi i konstituimit. Nëse këto faza barazohen, humbet një dallim i rëndësishëm juridik.
Thirrja e Seancës nuk është konstituimi i Kuvendit. Fillimi i Seancës nuk është domosdoshmërisht përfundimi i saj.
Dhe pikërisht këtë dallim e gjejmë edhe në vetë KO124/25.
Çfarë tha Gjykata në KO124/25?
Në pikën II.1 të dispozitivit, Gjykata konstatoi se Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025 “nuk ka përfunduar”, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve.
Ndërsa pika II.2 e dispozitivit përcakton se deputetët e zgjedhur duhet “sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.”
Ky formulim nuk duhet kaluar lehtë.
Gjykata nuk tha në dispozitiv vetëm që Seanca duhet të thirret. Ajo tha se Seanca duhet të përfundojë. Kjo krijon bazë serioze për të argumentuar se në sistemin juridik kemi të bëjmë me dy momente të dallueshme:
afatin kushtetues të nenit 66(1), i lidhur me shpalljen zyrtare të rezultateve dhe mbajtjen e Seancës Konstituive dhe afatin e përcaktuar në dispozitivin e KO124/25, i lidhur me përfundimin e Seancës Konstituive.
Paragrafi 140 i KO124/25 është argumenti më i fortë kundër kësaj teze por nuk e mbyll debatin
Kritika më e fortë ndaj këtij interpretimi gjendet pikërisht në arsyetimin e KO124/25.
Gjykata, në paragrafin 140, e ka interpretuar afatin 30-ditor në mënyrë më të gjerë.
Por këtu lind pyetja a duhet të barazohet çdo formulim në arsyetimin e një aktgjykimi me tekstin konkret të dispozitivit dhe a mund të nxirret prej tij një pasojë juridike që nuk është formuluar në mënyrë të njëjtë në dispozitiv?
Në teorinë e interpretimit juridik, teksti, struktura, qëllimi dhe efekti juridik duhet të lexohen së bashku. Aharon Barak, për shembull, e trajton interpretimin purposiv si proces që nis nga kuptimet semantike të mundshme të tekstit dhe më pas përcakton kuptimin juridik në dritën e qëllimit të normës.
Prandaj, edhe paragrafi 140 nuk duhet lexuar i shkëputur nga neni 66(1), nga neni 66(3), nga struktura e Kushtetutës dhe, mbi të gjitha, nga dispozitivi i vetë KO124/25.
A kemi dy afate 30-ditore?
Këtu qëndron thelbi i tezës.
Po, mund të argumentohet juridikisht se kemi dy afate me funksion të ndryshëm.
I pari është afati kushtetues i nenit 66(1):
30 ditë nga shpallja zyrtare e rezultateve për mbajtjen e Seancës Konstituive.
I dyti është afati i dispozitivit të KO124/25:
30 ditë për përfundimin e Seancës Konstituive, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët.
Nëse këto dy afate trajtohen si një dhe i njëjti afat, atëherë duhet shpjeguar pse dispozitivi i Gjykatës përdor një pikë tjetër normative dhe një formulim tjetër: “të përfundojnë Seancën Konstituive” Kjo pyetje nuk mund të anashkalohet.
Çështja e “interpretimit mbi interpretimin”
Në këtë pikë del edhe një argument tjetër.
Është ngritur pretendimi se, meqë Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar tashmë nenin 66 në KO124/25, çdo kërkesë e re do të ishte një përpjekje për ta detyruar Gjykatën të “interpretojë interpretimin e saj”.
Ky argument nuk mund të pranohet si parim absolut.
Gjykatat kushtetuese nuk janë të burgosura nga formulimet e tyre të mëparshme. Jurisprudenca duhet të jetë e qëndrueshme, por edhe koherente dhe e aftë të përgjigjet ndaj çështjeve të reja juridike.
Dworkin e lidh këtë me idenë e integritetit të së drejtës interpretimi i praktikës juridike duhet të synojë një kuptim koherent të tërësisë së materialit juridik, jo vetëm të izolojë një formulim të mëparshëm.
Prandaj, pyetja nuk është nëse Gjykata mund ta ndryshojë KO124/25 sipas rrethanave politike. Natyrisht që nuk duhet ta bëjë këtë.
Pyetja është tjetër.
A mund të sqarohet marrëdhënia juridike ndërmjet nenit 66(1) dhe dispozitivit të KO124/25, kur ekziston një debat real mbi kuptimin dhe efektin e tyre?
Përgjigjja duhet të jetë po, nëse çështja paraqitet në mënyrë procedurale të lejueshme dhe brenda juridiksionit të Gjykatës.
Një precedent interesant është rasti i zgjedhjes së Presidentit; këtu kemi një shembull edhe më interesant nga jurisprudenca kushtetuese e Kosovës. Kushtetuta, në nenin 86, rregullon zgjedhjen e Presidentit. Në dy rundet e para kërkohet shumica prej dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndërsa në rundin e tretë shumica e të gjithë deputetëve.
Në vitin 2011, në rastin KO29/11, Gjykata Kushtetuese, duke shqyrtuar zgjedhjen e Presidentit Behgjet Pacolli, konstatoi probleme kushtetuese lidhur me procedurën e ndjekur dhe me praninë e deputetëve. Rasti lidhej me faktin se në dy rundet e para nuk ishin të pranishëm 80 deputetë. Por këtu duhet bërë një vërejtje kritike. Kushtetuta nuk e formulon në mënyrë të drejtpërdrejtë, me fjalët “duhet të jenë fizikisht të pranishëm 80 deputetë”, një normë të tillë të veçantë për dy rundet e para. Standardi prej 80 deputetësh është nxjerrë nga interpretimi i nenit 86 dhe jurisprudenca e Gjykatës.
Kjo është pikërisht arsyeja pse rasti i vitit 2011 duhet të trajtohet me kujdes. Ai tregon se jurisprudenca kushtetuese mund të konkretizojë një normë kushtetuese përmes interpretimit, por njëkohësisht na kujton edhe rrezikun e largimit të tepruar të interpretimit nga teksti kushtetues.
Edhe sot ka studiues të së drejtës kushtetuese që e kanë kritikuar pikërisht këtë standard, duke argumentuar se kërkesa për 80 deputetë të pranishëm në dy rundet e para nuk del në mënyrë eksplicite nga teksti i nenit 86, por nga interpretimi i Gjykatës në KO29/11
Kjo nuk do të thotë se KO29/11 duhet injoruar. Përkundrazi, ai është precedent që duhet respektuar. Por precedenti nuk është Kushtetuta. Kushtetuta është burimi i parë dhe më i lartë i normës jurisprudenca e Gjykatës është mënyra autoritative e interpretimit të saj.
Ky dallim është themelor.
Pse ky precedent është relevant edhe për debatin e sotëm?
Sepse na tregon se edhe një çështje që sot konsiderohet standard i konsoliduar kushtetues mund të jetë rezultat i një interpretimi gjyqësor të një dispozite kushtetuese, e jo domosdoshmërisht rezultat i një formulimi të shprehur fjalë për fjalë në tekst. Në vitin 2011, Gjykata e interpretoi strukturën e nenit 86 dhe vendosi pasoja konkrete për procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Vetë materiali i rastit KO29/11 tregon se Gjykata u përball edhe me pyetjen nëse, në mungesë të 80 deputetëve, mund të kalohej drejtpërdrejt në rundin e tretë.
Gjykata Kushtetuese
Prandaj është e arsyeshme të shtrohet pyetja: Nëse jurisprudenca kushtetuese ka mundur të konkretizojë një çështje procedurale që nuk ishte e shprehur në mënyrë identike në tekstin kushtetues, a mund të ketë sot një debat legjitim mbi kuptimin dhe kufijtë e një interpretimi të mëparshëm të nenit 66?
Sigurisht që po. Kjo nuk e dobëson autoritetin e Gjykatës. Përkundrazi, tregon rëndësinë e saj.
Finaliteti i aktgjykimit nuk do të thotë ngrirje e jurisprudencës
Një aktgjykim kushtetues është përfundimtar dhe duhet respektuar. Por ka dallim ndërmjet finalitetit të aktgjykimit dhe pamundësisë absolute për të interpretuar çështje të reja që lidhen me të.
Nëse institucionet përballen me një mosmarrëveshje reale mbi mënyrën se si duhet zbatuar një aktgjykim kushtetues, nuk do të ishte zgjidhje kushtetuese që interpretimin përfundimtar ta bëjë secila palë sipas interesit të vet politik. Në këtë pikë qëndron edhe rëndësia institucionale e Gjykatës Kushtetuese si autoritet i kontrollit kushtetues.Komisioni i Venecias, si organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese, e lidh funksionimin e rendit kushtetues me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe dialogun institucional.
Pra, çështja nuk duhet të shndërrohet në: “Kush e interpreton Kushtetutën më mirë – politika apo Gjykata?”
Në një shtet kushtetues, kjo përgjigje është e qartë. Por edhe Gjykata duhet të respektojë kufijtë e interpretimit.
Mbështetja e kompetencës së Gjykatës për të interpretuar nuk do të thotë mbështetje për një kompetencë të pakufizuar. Gjykata nuk është kushtetutëbërës. Interpretimi nuk mund të zëvendësojë tekstin kushtetues. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur një interpretim gjyqësor prodhon pasoja shumë të mëdha institucionale afate, shpërndarje të Kuvendit, zgjedhje të reja ose kufizime të ushtrimit të mandatit të organeve kushtetuese.
Sa më e madhe të jetë pasoja institucionale e një interpretimi, aq më i madh duhet të jetë rigoroziteti në arsyetimin tekstual dhe sistematik. Në këtë kuptim, kritika ndaj jurisprudencës nuk është sulm ndaj Gjykatës.
Kritika juridike është pjesë e kulturës kushtetuese.
Pyetja reale nuk duhet të jetë kush ka të drejtë politikisht
Në debatin aktual është e lehtë të biesh në kurthin e interesave partiake. Por një analizë kushtetuese duhet të bëjë diçka tjetër.
Duhet të pyesë: Çfarë thotë neni 66(1)?
Ai thotë se Seanca Konstituive mbahet brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve.
Çfarë thotë dispozitivi i KO124/25?
Ai thotë se deputetët duhet, sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë, të përfundojnë Seancën Konstituive, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët. A janë këto dy formulime identike? Jo.
A mund të interpretohen së bashku?
Po. Dhe pikërisht këtu duhet të zhvillohet debati juridik.
Kushtetuta nuk duhet lexuar as mekanikisht, as politikisht
Teza që mbroj nuk është se afatet kushtetuese mund të zgjaten sipas vullnetit të deputetëve. As se KO124/25 mund të injorohet.
Teza është shumë më e kufizuar: Neni 66(1) duhet të lexohet si normë që përcakton se Seanca Konstituive mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve, ndërsa pika II.2 e KO124/25 duhet të lexohet si një detyrim konkret për përfundimin e Seancës Konstituive brenda 30 ditësh pasi ajo tashmë ka filluar.
Prandaj, thirrja ose mbajtja e Seancës Konstituive nuk duhet të ngatërrohet me përfundimin e konstituimit të Kuvendit.
Nëse Gjykata në arsyetimin e saj e ka zgjeruar kuptimin e nenit 66(1) duke e konsideruar afatin si afat për përfundimin e konstituimit, kjo është pjesë e jurisprudencës së saj. Por kjo nuk e eliminon debatin juridik mbi raportin ndërmjet tekstit të Kushtetutës, arsyetimit të Gjykatës dhe dispozitivit të saj.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga parimet themelore të shtetit kushtetues.
Kushtetuta nuk është pronë e asnjë partie politike. Por as interpretimi kushtetues nuk duhet të shndërrohet në një formulë të ngrirë që nuk mund të shqyrtohet më kurrë.
Jurisprudenca duhet të jetë e qëndrueshme, por edhe koherente. Duhet të respektojë precedentët, por nuk duhet të bëhet rob i tyre. Dhe mbi të gjitha, duhet të ruajë dallimin ndërmjet asaj që thotë Kushtetuta, asaj që interpreton Gjykata dhe asaj që konkretisht urdhëron dispozitivi i një aktgjykimi.
Në fund, çështja nuk është se cili interpretim i shërben më shumë një force politike.
Çështja është shumë më serioze: A po e lexojmë Kushtetutën sipas tekstit të saj, strukturës së saj dhe qëllimit të saj, apo po e zëvendësojmë normën kushtetuese me një formulë të krijuar nga interpretimi dhe më pas po e trajtojmë atë formulë sikur të ishte vetë teksti i Kushtetutës?
Ky është debati që meriton të zhvillohet.
