Nga Dan GASHI / Njujork
Marrëveshja mes Iranit dhe SHBA-së po zhvillohet mes fazave përplasëse, deklaratave kontraverse, kërcënimeve dhe negociatave të vazhdueshme. Ka diçka të çuditshme në të gjithë këtë dinamikë. Ndonëse rendi i ri në Lindjen e Mesme është potencialisht i destinuar drejt suksesit, ende mbeten shumë pyetje pa përgjigje.
Uashingtoni zyrtar i ka bërë lëshime të konsiderueshme Teheranit, duke i krijuar një hapësirë të tillë negociuese sa që marrëveshja po përshkruhet si një fitore për Iranin dhe një disfatë për SHBA-në. Megjithatë, në traditën diplomatike dhe politike, nuk është teknikisht e përshtatshme që në një memorandum paqeje të flitet për “fitues” dhe “humbës”, pasi paqja mbetet përfitimi më i çmuar për popujt dhe vetë qeveritë negociuese.
Nëse detajet teknike janë të qarta për ekspertët e të dyja palëve dhe vëzhguesit diplomatikë, nënshkrimi i një memorandumi të thjeshtë në vend të një marrëveshjeje të qëndrueshme dypalëshe mbetet i mjegullt dhe ngre pikëpyetje serioze. Një përgjigje e mundshme është se ky memorandum është një kurth i ngritur nga të dyja palët.
Nga njëra anë, administrata amerikane dëshiron të shohë nëse dikush brenda Iranit do ta kapë karremin, me shpresën se ky “dikush” është ndonjë fraksion brenda kreut të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Sipas pikëpamjes së SHBA-së dhe në përputhje me deklaratat e vetë Presidentit Trump për shtypin; problemi nuk është Irani si shtet, as populli e as qeveria e tij, por vetë Garda Revolucionare.
Pse kjo përpjekje e vazhdueshme e SHBA-së për të veçuar Gardën Revolucionare si pengesën kryesore? Përgjigjja është e qartë: ata gëzojnë një pushtet gjigant brenda Iranit dhe kontrollojnë “Boshtin e Rezistencës” në rajon, duke ndihmuar dhe përkrahur, sipas amerikanëve, terrorizmin islamik ndaj Izraelit, SHBA-së dhe shteteve të Gjirit.
Duke pasur parasysh këtë skenar, pasojat e mundshme janë serioze. Nëse kjo hipotezë është e vërtetë, Garda Revolucionare mund të bjerë në kurth dhe të refuzojë opsionin e paqes; duke sulmuar ose mbyllur përsëri Ngushticën e Hormuzit, ose duke shkelur kushtet e memorandumit. Kjo do të detyronte SHBA-në dhe Izraelin të përgjigjeshin me një angazhim ushtarak në shkallë të gjerë, çka do ta fuste Iranin në një valë të paparë bombardimesh ajrore me pasoja katastrofale dhe rrezik të një lufte civile. Këtë skenar duket se po e ushqen edhe Izraeli përmes sulmeve të vazhdueshme në Liban, me ose pa aprovimin e Trumpit.
Nga ana tjetër, kurthi që ka ngritur Irani bazohet në parallogaritjen se përplasja mes Netanyahut dhe Trumpit, në prag të zgjedhjeve afatmesme në SHBA dhe atyre në Izrael, do të sjellë një krizë politike brenda këtyre dy shteteve, duke i krijuar kështu hapësirë manovrimi Gardës Revolucionare brenda dhe jashtë vendit.
Një faktor tjetër përcaktues është qëndrimi i Rusisë dhe Kinës. Të dyja superfuqitë kanë mbështetur qeverinë e Pezeshkianit dhe dëshirën e saj për një zgjidhje të shpejtë, të sigurt e paqësore. Një rend i ri dhe i ekuilibruar në Lindjen e Mesme është skenari ideal për Moskën dhe Pekinin, të cilët llogarisin në një harmoni të brendshme politike në Iran për të mbrojtur procesin e paqes. Për Rusinë dhe Kinën, ky do të ishte një sukses strategjik që do t’i hiqte SHBA-së pretekstin për të vepruar në mënyrë të njëanshme me argumentin se Irani nuk është i interesuar për paqe.
Përmes shërbimeve të tyre të inteligjencës, SHBA-ja dhe Izraeli kanë një pasqyrë pjesërisht të qartë të përçarjeve të brendshme që kanë shoqëruar Iranin gjatë këtyre muajve të konfliktit, veçanërisht të kontradiktave midis Gardës Revolucionare dhe ushtrisë së rregullt (Artesh). Megjithatë, ajo që bëri përshtypje ishte shprehja e tensionuar në fytyrën e Presidentit Masoud Pezeshkian gjatë nënshkrimit të memorandumit, i cili, sipas një burimi të pranishëm në negociata, u shpreh: “Shpresojmë se kemi bërë gjënë e duhur për Iranin”.
Shumë vëzhgues e shohin këtë ngjarje vetëm përmes prizmës së të kaluarës, duke supozuar se historitë e vjetra duhet domosdoshmërisht të përsëriten. Por gjeopolitika e vërtetë nuk funksionon sipas inercisë. Kur dy kundërshtarë strategjikë fillojnë një dialog të strukturuar, efektet shtrihen përtej kufijve të tyre: ato ndikojnë në të gjithë Lindjen e Mesme, Evropë, Azinë kontinentale dhe në ekuilibrat delikatë të ekonomisë globale.
Në këtë kuadër, edhe fuqitë evropiane po kërkojnë të përfshihen. Franca, përmes Presidentit Emmanuel Macron në samitin e G7-ës, ka shprehur dëshirën për të siguruar një pjesëmarrje ekonomike në rindërtimin eventual të Iranit dhe të shteteve të dëmtuara të Gjirit. Ndërkohë, Izraeli ndodhet në qendër të polemikave të mëdha dhe rrezikon të bëjë një nga gabimet më të mëdha në historinë e tij nëse zgjedh të bojkotojë dhe sabotojë këtë proces paqeje.
Nga perspektiva amerikane shihet qartë se Uashingtoni nuk dëshiron që Boshti i Rezistencës të mbetet në formën e tij aktuale. Ky bosht, nën drejtimin e Gardës Revolucionare, ka sfiduar vazhdimisht praninë perëndimore dhe ka garantuar mbijetesën e strukturave të saj jo vetëm në Iran, por edhe në Liban, Palestinë, Jemen, Irak, Afganistan dhe Siri. Megjithatë,Izraeli, SHBA, aleatet e saj ne rajon si dhe fuqit perëndimore nuk mund të ndihen te qetë në Lindjen e Mesme për sa kohë që ky Bosht mbetet në gatishmëri luftarake, prandaj edhe kërkesa për çmontimin ose shkatërrimin e tij është parësore.
Në fund të fundit, nëse e gjithë kjo skenë është një kurth taktik apo një orvatje e mirëfilltë e të dyja palëve për një zgjidhje afatgjatë paqësore, mbetet një pyetje e hapur që do t’i marrë përgjigjet shumë shpejt.
