Republika nuk shpëtohet duke menaxhuar krizën, por duke e tejkaluar modelin që e prodhoi atë.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
HYRJE
Nga kriza e modelit te nevoja për një rend të ri republikan
Çdo republikë kalon në histori nëpër faza të ndryshme të ekzistencës së saj. Ajo lind nga një nevojë historike, konsolidohet përmes institucioneve dhe, në një moment të caktuar, përballet me pyetjen themelore: a ka ende kapacitet ta përmbushë misionin për të cilin është krijuar?
Republika e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ka kaluar nëpër një fazë themeluese të ndërtimit të shtetit. Ky proces ka kërkuar krijimin e institucioneve bazë, konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, ndërtimin e rendit kushtetues dhe sigurimin e mbijetesës së shtetit në një mjedis të ndërlikuar gjeopolitik.
Megjithatë, historia politike na mëson se shtetet nuk dobësohen vetëm nga mungesa e institucioneve. Ato dobësohen edhe atëherë kur institucionet ekzistojnë formalisht, por humbasin funksionin e tyre themelor: t’i shërbejnë interesit publik, drejtësisë dhe sovranitetit qytetar.
Në këtë kuptim, kriza aktuale nuk duhet parë vetëm si një konflikt i radhës ndërmjet aktorëve politikë. Ajo duhet kuptuar si shfaqje e një problemi më të thellë: konsumimit gradual të modelit institucional të Republikës së 2-të.
Kur interpretimet kushtetuese krijojnë pasiguri në vend të sigurisë juridike; kur institucionet e drejtësisë shfaqin paaftësi për vetëkorrigjim; kur mekanizmat e kontrollit demokratik nuk arrijnë të prodhojnë përgjegjësi; atëherë çështja nuk është më vetëm funksionimi i një institucioni të veçantë.
Është vetë modeli i qeverisjes që kërkon rishikim.
Ky manifest nuk është thirrje për rrënimin e Republikës së Kosovës. Përkundrazi, ai buron nga bindja se republikat ruhen vetëm atëherë kur kanë guximin të reformohen. Asnjë rend politik nuk është i përjetshëm; ai mbetet legjitim vetëm për aq kohë sa arrin të garantojë drejtësi, funksionalitet dhe besim qytetar.
Prandaj, ideja e Republikës së 3-të nuk duhet kuptuar si mohim i Republikës së Kosovës, por si faza e saj e ardhshme e pjekurisë historike.
Ajo është një përpjekje për të kaluar nga një republikë e ndërtimit institucional në një republikë të përgjegjësisë institucionale; nga një republikë që kërkonte të ekzistonte, në një republikë që synon të funksionojë në mënyrë optimale.
Pyetja themelore e kohës sonë nuk është nëse Kosova ka nevojë për një republikë tjetër.
Pyetja është nëse Republika ekzistuese ka ende aftësinë të vetëkorrigjohet.
Ky manifest është përgjigjja jonë ndaj kësaj pyetjeje.
Republika e 2-të e ka shterruar misionin e saj historik
Republika e 2-të ishte republika e ndërtimit të shtetit. Ajo e përmbushi një pjesë të rëndësishme të këtij misioni: konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, ngritjen e institucioneve themelore dhe mbijetesën e shtetit në një mjedis gjeopolitik armiqësor. Ky ishte misioni historik i brezit të parë të shtetndërtimit.
Por çdo republikë ka kufijtë e saj historikë.
Sot, problemi nuk është më mungesa e institucioneve. Problemi është kapja e tyre.
Dështimi i Këshillit Gjyqësor gjatë javës që lam pas është vetëm ilustrimi më i freskët i një sëmundjeje shumë më të thellë. Një institucion që duhet të mishërojë pavarësinë, integritetin dhe përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor u shfaq i paaftë të përmbushë misionin e tij kushtetues. Ky nuk është thjesht dështim i disa individëve; është tregues se mekanizmat e vetëkorrigjimit institucional kanë pushuar së funksionuari.
Nuk është mungesa e ligjeve problemi. Problemi është zbatimi selektiv i tyre, interpretimi oportunist dhe, në raste të caktuara, nënshtrimi i tyre ndaj ndikimeve politike ose korporative. Kur ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, ai pushon së qeni themel i shtetit të së drejtës dhe shndërrohet në instrument pushteti.
Nuk është mungesa e zgjedhjeve problemi. Problemi është shndërrimi gradual i një pjese të elitës politike dhe institucionale në një oligarki që e trajton shtetin si pronë private, ndërsa institucionet si mekanizma për ruajtjen e privilegjeve dhe riprodhimin e pushtetit.
Prandaj, kriza që po përjetojmë nuk është krizë e një qeverie, e një opozite apo e një institucioni të vetëm. Është kriza e modelit të Republikës së 2-të. Kur Gjykata Kushtetuese prodhon bllokadë institucionale, kur Këshilli Gjyqësor dështon të ushtrojë funksionin e tij kushtetues dhe kur mekanizmat e përgjegjësisë nuk arrijnë të korrigjojnë këto devijime, bëhet e qartë se nuk kemi më të bëjmë me gabime të veçuara. Kemi të bëjmë me konsumimin e një modeli të tërë qeverisjeje.
Kur një sistem nuk arrin më të korrigjojë vetveten, reforma nuk është më zgjedhje politike.
Ajo bëhet domosdoshmëri historike.
Pikërisht këtu fillon Republika e 3-të.
Historia nuk duhet të na frikësojë
Në vitin 1945 Gjermania ishte në rrënoja.
Për aq sa mund të shihte syri, gjithçka kishte marrë fund. Por ajo që kishte rënë nuk ishte kombi gjerman. Kishte rënë një ide politike që kishte prodhuar katastrofë.
Nga ato rrënoja lindi një shtet demokratik më i fortë, me institucione më të përgjegjshme dhe me një kulturë kushtetuese që u bë model për Evropën.
Historia dëshmon se kombet nuk shkatërrohen kur rrëzohen sistemet e gabuara. Përkundrazi, ato rilindin.
Kështu konkludon në një intervisët dhënë të shtunën e kaluar utori i librave bestseler [më të shitur], Markus Krall, në të ciën ai trajton mekanizmat e kontrollit shtetëror, etjen për pushtet dhe ndryshimin epokal që po vjen.
Edhe Kosova nuk duhet të ketë frikë nga transformimi.
Duhet të ketë frikë vetëm nga vazhdimi i stagnimit.
Republika e 3-të nuk është revolucion kundër shtetit
Republika e 3-të nuk është projekt për rrënimin e Republikës.
Është projekt për shpëtimin e saj.
Ajo nuk synon zëvendësimin e rendit kushtetues me një rend arbitrar.
Synon krijimin e një rendi kushtetues që nuk mund të bllokohet nga interesat e ngushta partiake, nga interpretimet oportuniste apo nga pazaret oligarkike.
Republika e 3-të duhet të ndërtohet mbi katër shtylla themelore:
1. Shteti mbi partitë. Institucionet nuk mund të jenë peng i kalkulimeve elektorale.
2. Kushtetuta mbi interpretimet politike. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë gardiane e Kushtetutës, jo prodhuese e krizave.
3. Meritokracia mbi klientelizmin. Administrata, drejtësia dhe institucionet publike duhet t’i shërbejnë shtetit, jo rrjeteve të interesit.
4. Interesi kombëtar mbi interesin oligarkik. Çdo politikë publike duhet të matet me kontributin që jep për sigurinë, zhvillimin dhe dinjitetin e Republikës.
Republika e 3-të është republikë e përgjegjësisë
Ajo kërkon reformim të thellë kushtetues; kKërkon reformë të sistemit zgjedhor; Kërkon ndarje reale të pushteteve.
Kërkon drejtësi të pavarur; kërkon administratë profesionale.
Kërkon mekanizma që e bëjnë të pamundur kapjen e shtetit nga çdo elitë politike, sot apo nesër.
Asnjë reformë nuk duhet të ndërtohet mbi interesat e një partie.
Çdo reformë duhet të ndërtohet mbi interesin e Republikës.
Thirrje për një kontratë të re republikane
Republika e 3-të nuk mund të jetë produkt i pazareve politike.
Ajo duhet të jetë produkt i një marrëveshjeje të re ndërmjet qytetarëve dhe shtetit.
Një kontratë e re republikane, ku pushteti buron realisht nga qytetari, kufizohet nga Kushtetuta dhe ushtrohet vetëm në funksion të interesit publik.
Prandaj, mbështetja e masave që do ta mundësonin kalimin nga Republika 2 në Republikën 3 nuk është një akt radikalizmi politik.
Është akt përgjegjësie historike.
Sepse shtetet nuk bien kur ndryshojnë modelet e tyre kushtetuese.
Shtetet bien vetëm kur refuzojnë të ndryshojnë, edhe pasi modeli i vjetër ka pushuar së funksionuari.
Republika e 3-të nuk është fundi i Republikës së Kosovës.
Republika e 3-të është fillimi i pjekurisë së saj demokratike.
Pesëmbëdhjetë Tezat themelore të Republikës së 3-të
Teza I
Sovraniteti i qytetarit mbi sovranitetin e elitave
Republika e 3-të fillon me rikthimin e sovranitetit te burimi i tij i vetëm legjitim – qytetari.
Asnjë institucion nuk mund ta përdorë Kushtetutën për të kufizuar vullnetin demokratik. Asnjë elitë politike nuk mund ta mbajë shtetin peng për shkak të interesave të saj. Republika ekziston për qytetarët; qytetarët nuk ekzistojnë për Republikën.
Teza II
Kushtetuta si kontratë, jo si instrument bllokues
Kushtetuta duhet të jetë dokumenti që garanton funksionimin normal të shtetit, jo mjeti për ta paralizuar atë.
Interpretimet kushtetuese nuk mund të krijojnë norma të reja që nuk burojnë nga vetë teksti kushtetues. Jurisprudenca duhet ta mbrojë rendin kushtetues, jo ta zëvendësojë atë.
Teza III
Fundi i republikës së bllokadave
Asnjë pakicë parlamentare nuk duhet të ketë mundësi të bllokojë pafundësisht funksionimin e institucioneve kushtetuese.
Republika nuk mund të mbetet peng i bojkoteve, mungesës së kuorumit të qëllimshëm apo interpretimeve procedurale që paralizojnë jetën institucionale.
Parimi kushtetues duhet të jetë i qartë: Institucionet duhet të funksionojnë gjithmonë.
Teza IV
Shteti mbi partitë
Partitë politike janë instrumente të demokracisë. Ato nuk janë pronare të shtetit.
Republika e 3-të vendos kufij të qartë ndërmjet interesit partiak dhe interesit publik.
Institucionet e pavarura duhet të jenë realisht të pavarura.
Teza V
Fundi i oligarkisë politike
Në çdo republikë vjen një moment kur një pjesë e klasës politike pushon së përfaqësuari qytetarët dhe fillon të mbrojë privilegjet e veta.
Ky është momenti kur lind oligarkia.
Republika 3 nuk është kundër individëve.
Ajo është kundër mekanizmave që prodhojnë kasta politike të paprekshme.
Mandati politik nuk mund të jetë privilegj i përhershëm.
Teza VI
Drejtësia si pushtet kushtetues, jo si aktor politik
Gjykatat nuk duhet të bëjnë politikë.
Por as politika nuk duhet të pushtojë gjykatat.
Republika e 3-të garanton një drejtësi që interpreton ligjin sipas parimeve kushtetuese, jo sipas interesave të momentit.
Besimi në drejtësi është kapitali më i madh i shtetit demokratik.
Teza VII
Meritokracia si themel i administratës
Administrata publike nuk është plaçkë e fituesit të zgjedhjeve.
Ajo është memoria institucionale e Republikës.
Punësimi, avancimi dhe përgjegjësia duhet të mbështeten vetëm mbi profesionalizmin dhe integritetin.
Teza VIII
Republika e dijes
Shekulli XXI nuk fitohet me retorikë.
Ai fitohet me dije.
Republika e 3-të e vendos arsimin, shkencën, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale në qendër të strategjisë kombëtare të zhvillimit.
Investimi më i madh nuk duhet të jetë në beton.
Duhet të jetë te mendja njerëzore.
Teza IX
Ekonomia e interesit kombëtar
Ekonomia nuk duhet të jetë peng i monopoleve politike.
Republika e 3-të mbështet konkurrencën e lirë, kapitalin prodhues, inovacionin dhe sipërmarrjen.
Pasuria publike nuk mund të privatizohet për interesa klienteliste.
Çdo pasuri strategjike duhet të administrohet në funksion të brezave të ardhshëm.
Teza X
Republika e sigurisë
Siguria nuk fillon te kufiri. Ajo fillon te institucionet.
Një shtet me institucione të forta është më i mbrojtur se një shtet me institucione të kapura.
Republika e 3-të ndërton një kulturë strategjike që e lidh sigurinë kombëtare me zhvillimin ekonomik, diplomacinë, teknologjinë dhe rezistencën demokratike.
Teza XI
Diaspora si fuqi strategjike
Diaspora shqiptare nuk është rezervuar remitancash. Ajo është kapital kombëtar.
Republika e 3-të krijon mekanizma të përhershëm për përfshirjen e saj në vendimmarrje, diplomaci, ekonomi, shkencë dhe inovacion.
Teza XII
Republika evropiane
Republika e 3-të nuk është vetëm projekt kombëtar. Ajo është projekt evropian.
Shteti i së drejtës, liria individuale, ekonomia e tregut dhe demokracia kushtetuese nuk pranohen për t’i bërë qejfin Brukselit.
Ato janë interesa jetike të vetë Kosovës.
Teza XIII
Etika e pushtetit
Pushteti nuk është privilegj. Është përgjegjësi.
Politikani nuk matet me kohëzgjatjen e mandatit.
Matet me trashëgiminë institucionale që lë pas.
Teza XIV
Republika e përgjegjësisë ndërbreznore
Çdo vendim politik duhet të kalojë një provë të thjeshtë: A e bën Kosovën më të fortë pas njëzet vjetësh?
Nëse përgjigjja është jo, ai vendim nuk është strategjik.
Teza XV
Republika e 3-të është një fillim i ri
Republika e 3-të nuk është revolucion. Nuk është hakmarrje. Nuk është spastrim politik.
Është një marrëveshje e re ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Një republikë ku ligji është mbi pushtetin. Institucionet mbi partitë. Merita mbi klientelizmin. Interesi kombëtar mbi çdo interes privat.
Ky nuk është manifest për rrëzimin e Republikës së Kosovës. Ky është manifest për shpëtimin e saj.
Sepse republikat nuk vdesin kur reformohen. Republikat vdesin kur refuzojnë të reformohen.
PËRFUNDIM
Republika e 3-të si kontratë e re ndërmjet qytetarit dhe shtetit
Historia e shteteve moderne dëshmon se momentet e krizës nuk janë gjithmonë momente të rënies. Shpesh ato janë momente të zgjedhjes historike.
Një shoqëri mund të zgjedhë të mbrojë një model të konsumuar vetëm sepse është mësuar me të, ose mund të zgjedhë ta reformojë atë për t’i hapur rrugë një rendi më funksional, më të drejtë dhe më demokratik.
Kosova sot ndodhet përballë kësaj zgjedhjeje.
Republika e 2-të e kreu misionin e saj themelor: krijoi themelet e shtetit. Por një shtet nuk matet vetëm nga akti i krijimit të institucioneve. Ai matet nga aftësia e tyre për të funksionuar, për t’u vetëkorrigjuar dhe për t’i shërbyer qytetarit.
Kur kjo aftësi dobësohet, reforma nuk është kërcënim për Republikën.
Reforma është mënyra e vetme për ta mbrojtur atë.
Republika e 3-të nuk është një projekt kundër demokracisë. Është një projekt për një demokraci më të thellë. Nuk është projekt kundër institucioneve. Është projekt kundër kapjes së institucioneve.
Nuk është projekt kundër shtetit. Është projekt për një shtet më të fortë.
Ajo synon të ndërtojë një rend ku pushteti kufizohet nga ligji, ku institucionet kontrollohen nga përgjegjësia publike dhe ku qytetari nuk është vetëm votues periodik, por burimi i vërtetë i sovranitetit.
Republika e 3-të kërkon një kontratë të re republikane: një kontratë ku shteti nuk është pronë e elitave;
ku drejtësia nuk është instrument i interesave të momentit; ku politika nuk është profesion i privilegjit; ku zhvillimi kombëtar nuk matet me përfitimin e një pakice, por me fuqinë e shoqërisë në tërësi.
Në fund, çështja nuk është nëse Kosova do të ndryshojë.
Çdo shoqëri ndryshon.
Çështja është nëse ndryshimi do të udhëhiqet nga vetëdija demokratike dhe përgjegjësia historike, apo do të imponohet nga krizat e ardhshme.
Republika e 3-të është zgjedhja e parë.
Është zgjedhja për një shtet që nuk frikësohet nga reforma, sepse e di se reforma nuk e dobëson Republikën.
E bën atë më të fortë.
Sepse republikat nuk ruhen duke mbrojtur të kaluarën e tyre.
Republikat ruhen duke ndërtuar të ardhmen e tyre.
Republika e 3-të nuk është fundi i Republikës së Kosovës.
Ajo është faza e saj e ardhshme historike.
