Nga Dr. Selim IBRAIMI
Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew G. Whitaker, vizitoi disa vende të Ballkanit për të siguruar bashkëpunimin dhe çështjet e sigurisë me të cilat përballen këto shtete të brishta.
Ndërsa ishte në Ballkan, ambasadori i vlerësoi qeveritë për punën e mirë dhe gjithashtu i kushtoi vëmendje çështjes për të cilën SHBA-të janë më të shqetësuara, veçanërisht të bashkëpunimit midis qeverisë serbe dhe Kinës. Ai tha se është i kënaqur nga takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Ishte një takim konstruktiv me presidentin Vuçiç mbi nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet SHBA-Serbi. “Ne e vlerësojmë rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal dhe presim me padurim stërvitjen e përbashkët Serbi-NATO në maj. Por, isha i qartë: bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri i Serbisë me partnerë të paqëndrueshëm krijon varësi strategjike afatgjata që janë të vështira për t’u zgjidhur dhe ndërlikojnë bashkëpunimin e ardhshëm”.
“Për një partneritet modern dhe me vizion, e ardhmja strategjike e Serbisë duhet të jetë në përputhje me Perëndimin. Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”. Ai shtoi se takimet konstruktive në Beograd u përqendruan në një epokë të re për marrëdhëniet SHBA-Serbi.
“Si një partner i besuar, ne po ndërtojmë një aleancë me vizion të përqendruar në stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. SHBA-ja po planifikon 1.5 milion dollarë shtesë për çminimin, duke shtuar 28 milion dollarët e investuar tashmë.
Serbia ka një zgjedhje vendimtare: një të ardhme sigurie dhe rritjeje me Perëndimin”, tha ambasadori amerikan Whitaker.
Ndërkaq në Kosovë gjatë takimit me zyrtarë të KFOR-it dhe të qeverisë së Kosovës, ambasadori amerikan e vlerësoi rolin e KFOR-it dhe të qeverisë. Ai ritheksoi se për më shumë se 26 vjet, SHBA-të e kanë mbështetur KFOR-in si një shtyllë stabiliteti.
“Pata një takim të rëndësishëm me Gjeneral Majorin Ozkan Ulutas, Komandant i KFOR-it, për të diskutuar misionin tonë në Ballkanin Perëndimor”.
“Ne jemi partneri më i fortë i Kosovës, duke rritur aftësinë e vendit për të mbrojtur veten. Ndërsa u bëjmë thirrje aleatëve të marrin përgjegjësi më të mëdha për sigurinë evropiane, KFOR-i mbetet kritik për një rajon të sigurt dhe elastik”.
Takimet në Prishtinë me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti, dhe ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci i cilësoi si shumë pozitive.
“Kosova po rritet si kontribuese në siguri, nga roli i saj në Bordin e Paqes deri te kontributi i saj i planifikuar për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Përgëzoj angazhimin e Kosovës për të siguruar SHBA-së artikuj mbrojtës dhe bazën e saj në rritje industriale të mbrojtjes”.
“Partnerët më të fortë çojnë në një të ardhme më të sigurt”, tha ai.
Në këtë kuadër, Parlamenti në Kosovë ka aprovuar anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Gjatë turneut ballkanik, ambasadori vizitoi Maqedoninë e Veriut. Ai u takua me kryemnistrin Hristijan Mickoski dhe zyrtarë të larë të ministrisë së Mbrojtjes. “Pashë nga afër se si Maqedonia e Veriut vazhdon të forcojë mbrojtjen e saj. Nga Stryker-at te JLTV-të dhe automjetet luftarake Husky”.
“Angazhimi i tyre për modernizim me armë amerikane është mbresëlënës. Ne e mirëpresim partneritetin me kryeministrin Mickoski dhe ekipin e tij. Ndërsa ecim përpara drejt objektivit prej 5% të PBB-së së presidentit Donald Trump, Maqedonia e Veriut po dëshmon se është partner i besueshëm dhe i gatshëm”, tha ai.
Në Mal të Zi, ambasadori Whitaker u takua me kryeministrin malazes Milojko Spajiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq.
SHBA-të janë partneri më i rëndësishëm strategjik i Malit të Zi.
Ambasadori gjatë takimit me zyrtarë në Podgoricë përsëriti qëllimin e Malit të Zi për të mbyllur të gjitha kapitujt e negociatave për të arritur anëtarësimin e plotë në BE.
Ambasadori Matthw G. Whitaker zhvilloi gjithashtu takime në Kroaci dhe Shqipëri. Në Tiranë u takua me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes.
Shqipëria në vitin 2027 do të jetë nikoqire e Samitit të NATO-s. SHBA-të përkundër përqendrimit në Ukrainë dhe në luftën e fundit në Iran, nuk e kanë harruar Ballkanin.
Bazuar në të dhënat publike (CRSReport, Govinfo, Brookings etj), shpenzimet e përgjithshme ushtarake të SHBA-së në Ballkan nga viti 1992 arrijnë 30-35 miliardë dollarë, duke kombinuar 23.5 miliardë dollarë të ndarë nga Kongresi amerikan për operacionet ushtarake në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë nga viti fiskal 1992 deri në vitin fiskal 2004, duke shtuar rreth 7-10 miliardë dollarë në shpenzimet e vazhdueshme të KFOR-it.
Gjithashtu SHBA-të për Ballkanin që nga viti 1992 afërsisht kanë ndarë ndihmë deri 5-6 miliardë dollarë, që mbulon kryesisht ndihmën humanitare, rindërtimin e zonave post-konfliktuale, institucionet demokratike, mediat, shoqërinë civile etj. Ndërkaq BE-ja për më shumë se tre dekada ka ndihmuar po ashtu Ballkanin me shumë mjete.
Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin shkon deri në 6 bilion euro. Pavarësisht numrave, SHBA-të dhe BE-ja kanë qenë afër rajonit.
Vizita e fundit e ambasadorit amerikan në NATO Whitaker mund të cilësohet si përpjekje për vlerësim të kapaciteteve të shteteve të Ballkanit, premtimeve për rritje të buxheteve ushtarake, orentimit të tyre dhe natyrisht të sigurisë.
Në një postim në Facebook të misionit amerikan në NATO që ka të bëjë me turneun ballkanik të ambasadorit, thuhet se “duke zgjedhur teknologjinë amerikane të mbrojtjes dhe duke marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, kombet po i tejkalojnë konfliktet e së kaluarës për të ruajtur paqen e qëndrueshme”.
