[HISTORI]
Nga Dr. Nikollë Loka
Në prag të kryengritjes greke, sundimi osman në Shqipëri ishte i brishtë dhe i kontestuar. Gjatë dekadës që përkon me Luftën e Pavarësisë Greke, por edhe e paraprin dhe e pason atë, Porta e Lartë ndërmori përpjekje intensive për ta rikthyer Shqipërinë nën kontrollin e saj të drejtpërdrejtë. Në këtë proces, kryengritja e Ali Pashë Tepelenës kontribuoi në destabilizim, por njëkohësisht u dha mundësi osmanëve ta forconin më tej praninë e tyre në rajon. Një studiues modern i nacionalizmit shqiptar vëren se: “Agallarët dhe bejlerët e Shqipërisë së Jugut, të cilët u rreshtuan me osmanët gjatë revolucionit grek të vitit 1821, e braktisën fushëbetejën kur Komanda e Lartë e Sulltanit nuk ishte në gjendje t’u jepte pagesën e kontraktuar.” Si reagoi në fakt qeveria osmane ndaj braktisjes së fushëbetejës, ose, për më tepër, ndaj raporteve nga komandantët në terren se disa udhëheqës shqiptarë ishin në korrespondencë apo bashkëpunim të fshehtë me drejtuesit e Revolucionit Grek?
Dokumentacioni osman bashkëkohor është plot me sharje dhe fyerje ndaj “shqiptarëve”. Shumë osmanë, nga shkrues të thjeshtë deri te vetë Sulltani, lëshonin akuza dhe ofendime ndaj shqiptarëve pa asnjë përmbajtje. Kritika ndaj një shqiptari të veçantë, për shembull një prijësi, shndërrohej lehtësisht në stereotipe fyese kundër të gjithë shqiptarëve në përgjithësi. Ata paraqiteshin vazhdimisht si një fis (kabile), grup (taife), etni (cins) ose popull (millet) i padisiplinuar dhe i pasjellshëm, për të cilin interesat financiare qëndronin mbi çdo vlerë tjetër.
Një nga akuzat më të zakonshme ishte se shqiptarët nuk pranonin të luftonin në asnjë nga fushatat e Sulltanit, madje as në një luftë të shpallur të shenjtë (xhihad), nëse nuk paguheshin me para në dorë dhe madje paraprakisht. Ankesat e komandantëve osmanë dhe të qendrës ishin qartazi ato të çdo qeverie përballë një sistemi mercenar. Nuk ka arsye të mendohet se kontraktorët ushtarakë shqiptarë ishin të një natyre të ndryshme nga homologët e tyre gjetkë. Sistemi, në fakt, ishte i mbushur me një sërë “abuzimesh”, shumica e të cilave njiheshin mirë nga punëdhënësi dhe nganjëherë madje toleroheshin apo pranoheshin prej tij.
Hurshid Pasha i quante si toskët ashtu edhe gegët “shqiptarë” dhe kishte paragjykime ndaj të dy grupeve. Toskët, në atë kohë, konsideroheshin politikisht të pabesueshëm. Edhe gegët ishin në “tradhti”, sepse nuk i bindeshin qendrës osmane. Megjithatë, ai ishte mjaft pragmatist sa të sugjeronte që qendra t’i paguante ata paraprakisht me para në dorë, në përputhje me kërkesat e tyre. Edhe qeveria osmane tregonte fleksibilitet, për sa kohë kishte para për të dërguar.
Qasja pragmatike e Hurshidit ndahej edhe nga shumë administratorë të tjerë perandorakë. Në janar të vitit 1823, guvernatori i ri i përgjithshëm i Rumelisë, Mehmed Emin Pasha, vërejti se, nëse shqiptarët do ta merrnin me zemër luftën, lufta kundër grekëve mund të fitohej brenda një kohe të shkurtër, pasi shqiptarët i njihnin të gjitha dredhitë e grekëve dhe grekët kishin frikë prej tyre. Por shqiptarët nuk po e merrnin me zemër këtë luftë. Toskët, si “partizanë të zjarrtë” të Ali Pashë Tepelenës së ekzekutuar, ndiheshin të pakënaqur dhe të tronditur. Ata po zvarriteshin me shumë justifikime ose thjesht dezertonin. Zemrat e tyre duhej të fitoheshin. Ai sugjeroi që Ismaili, një nga nipërit e Ali Pashës që kishte mbijetuar pas grushtit të shtetit dhe ndodhej në internim në Stamboll, të dërgohej përsëri në rajon si komandant. Në këtë mënyrë, shpresonte ai, do të rikthehej “besimi i plotë” në rajon dhe do të zhdukej “thashethemi që qarkullonte ndër disa njerëz që prej ngjarjes së Ali Pashës së ekzekutuar, se shqiptarët ishin tradhtarë…”.
Nga relacionet e zyrtarëve osmanë në terren, guvernatori i sanxhakut të Janinës, Omer Pashë Vrioni, një nga komandantët shqiptarë, del si armiku i tij kryesor i gjallë. Pikërisht Omer Pasha e kishte mashtruar Mehmed Reshid Pashën, duke e penguar në rrethimin e Mesolongjit. Ai e kishte ndaluar Reshidin të sulmonte qytetin, me pretekstin se po bisedonte kushtet e një falje me grekët e rrethuar. Më pas, anijet greke u shfaqën dhe grekët dhanë përgjigjen e tyre, duke treguar me topa se nuk kishte askënd mes tyre që kërkonte falje. Ushtria osmane jo vetëm që nuk hyri në More, por nuk arriti as të pushtonte Mesolongjin dhe u tërhoq me turp. Kritikat ndaj Omer Pashë Vrionit nuk ishin thjesht personale, sepse “të gjithë” e dinin mirë se, që nga ngjarja e Janinës, “mileti” i shqiptarëve toskë ishte një grup konspirativ, prandaj sugjerohej që ata të mos përdoreshin të vetëm, por të përziheshin me ushtarë të tjerë.
Në mars të vitit 1823, Mustafa Pasha Bushatli i Shkodrës pranoi urdhrat e Stambollit, të mbështetur edhe nga fetva fetare, për të dërguar sa më shumë ushtarë në frontin e luftës. Qendra osmane i premtonte “dhurata perandorake”, pavarësisht mungesës së madhe të financave gjatë luftës. Ai e shpalli dekretin publikisht dhe popullsia u përgjigj me bindje formale, por theksoi varfërinë e saj dhe nevojën për ndihmë shtetërore për të shkuar në front. Mustafa Pasha kujtoi se në fushatën e mëparshme në Lamia ushtarët ishin paguar paraprakisht me shuma të larta, ndaj pa pagesë nuk do të kishte as disiplinë dhe as motivim. Ai paralajmëroi se pa para të menjëhershme, rekrutët nuk do të luftonin me vullnet ose mund të silleshin në mënyrë të papërshtatshme. Prandaj ai kërkoi që Stambolli të dërgonte menjëherë para për shpërndarje para nisjes së trupave. Në të njëjtën linjë, edhe Reshid Mehmed Pasha raportonte se shqiptarët nuk mund të mobilizoheshin pa paga të rregullta. Ai theksonte se shqiptarët nuk lëviznin pa u paguar të paktën dy muaj përpara. Gjithashtu paralajmëronte se, si popull i lidhur fort me interesin financiar, ata mund të shërbenin edhe për palë të tjera nëse paguheshin më mirë. Kjo nënkuptonte se mercenarët shqiptarë mund të kalonin lehtësisht edhe te grekët ose te çdo forcë tjetër që ofronte më shumë para.
Në një kuptim më më thelbësor, besueshmëria ushtarake dhe besnikëria politike e shqiptarëve filluan të humbnin në sytë e qeverisë osmane. Me zgjatjen e luftës greke të pavarësisë, qeveria osmane nisi t’i shihte shqiptarët ndryshe nga mercenarët e zakonshëm dhe ekzistonin disa dëshmi se, drejt fundit të luftës, disa osmanë, përfshirë vetë Vezirin e Madh, Mehmed Reshid Pashën, dhe me shumë gjasë Sulltan Mahmudin, besonin se disa udhëheqës shqiptarë ndodheshin në prag të një komploti të madh me karakter “nacionalist”, të ngjashëm me atë të grekëve. Një akuzë specifike e bërë nga komandantët osmanë kundër disa prej krerëve shqiptarë ishte ajo e tradhtisë së lartë. Në të vërtetë, marrëdhëniet midis disa prijësve shqiptarë dhe drejtuesve të kryengritjes greke ishin një shqetësim më i madh për qeverinë osmane sesa polemika e përhershme, por disi e njohur, mbi pagat. Se revolucionarët grekë u bënin thirrje shqiptarëve që nga shpallja e revoltës nga Hypsilantis është pa dyshim e vërtetë. Megjithatë, vlerësimi i saktësisë së akuzave për tradhti të lartë është, natyrisht, më i vështirë. Shqiptarët akuzoheshin se kishin korrespondencë me armikun dhe se pranonin kërkesat greke. Kishte gjithashtu pretendime se disa udhëheqës shqiptarë po e manipulonin kryengritjen greke për qëllimet e tyre. “Mbështetja” e Ali Pashë Tepelenës për Revolucionin Grek i kishte vënë osmanët në alarm që më herët.
Në vitin 1822, në fillim të kryengritjes greke, osmanët interceptuan ose siguruan një letër të një prej udhëheqësve popullorë grekë, Teodor Kollokotroni, drejtuar krerëve shqiptarë në ushtrinë osmane në More. Ai u kujtonte atyre se ai ende po e ruante në mënyrë besnike dhe burrërore besën (armëpushimin/paqen) që i kishte dhënë “gjyshit tonë të vjetër” (Ali Pashës). Nëse shqiptarët do të kishin qenë po aq burrërorë, nuk do të kishin ardhur kundër tij. Megjithatë, për të nuk ishte çudi nëse shqiptarët ishin mashtruar këtë herë, pasi më parë ishin gënjyer dhe kjo kishte sjellë vdekjen e babait të tyre dhe mikut të Kollokotronit, “plakut Ali”. Shqiptarët do të pendoheshin për veprimin e tyre, por do të ishte tepër vonë. Krimi i tyre, sipas tij, ishte i njohur, por ai prap i konsideronte si të vetët dhe nuk do të pranonte t’i vriste edhe kur ata vinin kundër tij të armatosur. Ai thoshte se i donte si vëllezër dhe bij dhe u kërkonte të dërgonin lajmëtarë te ai, sa të donin. Ai ishte gati t’u jepte besën e tij mbi jetën, nderin dhe jetën e fëmijëve të tij se nuk do t’u bënte dëm. Lajmëtarët duhej të mbanin letrën e tyre të lidhur në një shtyllë si shenjë identifikimi dhe t’u thonin ushtarëve grekë se po shkonin te Kollokotroni. Pasi të arrihej marrëveshja dhe shqiptarët të jepnin besën e tyre, të gjithë do të ishin të mirëpritur të bashkoheshin me të pa asnjë frikë. Zoti ishte në anën e tij dhe ai mori mundimin t’u shkruante, pasi nuk dëshironte shkatërrimin e tyre.
Dobësia e situatës ushtarake e shtyu Reshid Pashën të hynte në një nga denoncimet e tij më të ashpra ndaj shqiptarëve. Ai shkroi se “duke marrë parasysh natyrën dhe sjelljet e këtij mileti shqiptar, nuk ka rrugë tjetër përveçse ose të vriten disa prej tyre për t’i vënë gjërat në lëvizje, ose t’u jepet e gjithë paraja që kërkojnë dhe të pritet një kohë e përshtatshme për t’i ndëshkuar”. Ndërsa përpiqej nga njëra anë të mobilizonte dhe të qetësonte shqiptarët, dhe nga ana tjetër të parandalonte një shembje të plotë të frontit osman kundër grekëve, raportet e Reshidit bëheshin gjithnjë e më të dëshpëruara dhe të ashpra. Fakti që Ibrahim Pasha i Egjiptit u tërhoq nga konflikti e shtoi ndjesinë e tij të izolimit mes trupave shqiptare.
Deklarata e Reshid Mehmed Pashës se shqiptarët në atë kohë synonin një lloj vetëqeverisjeje apo madje edhe pavarësi është vërtet e re. Një raport spiunazhi i bëri të ditur Reshid Pashës kundër-ofertat e Ismail Bej Vlorës(gjyshit të Ismail Qemalit), Shahin Beut dhe Iljas Beut. Ismail Beu donte Vlorën, Shahin Beu Delvinën dhe Iljas Beu sanxhakun e Tërhallës. Në një aspekt më të rëndësishëm, raporti fliste për një marrëveshje të fshehtë midis këtij treshi dhe udhëheqësve të Kryengritjes Greke. Sipas saj, Shahin Beu i Delvinës dhe Konti Kapodistria ishin miq të vjetër, pasi Delvina dhe Korfuzi ishin fqinj. Ata kishin bërë një marrëveshje që as “pabesimtarët francezë” dhe as “bandat rebele të Kapodistrias” të mos sulmonin Vlorën dhe Delvinën, në këmbim që krerët shqiptarë të mos dërgonin ushtarë në vende si Mesolongji, Akarnania, Yenişehir dhe Tërhalla.
Raporti i radhës i Reshidit përshkruante rrethanat e ekzekutimit të Ismail Beut të Vlorës. Stambolli nuk ishte i panjohur me emrin e Ismail Beut. Në vitin 1822 ai dezertoi nga ushtria osmane që po rrethonte Sulin dhe u kthye në vendlindjen e tij, Vlorë. Atje, ai dhe vëllai i tij Bekir Beu iu kundërvunë me forcë myteselimit të emëruar nga guvernatori i atëhershëm i Vlorës, Ömer Pasha Vryoni. Hurshid Pasha i shkroi Stambollit për këtë çështje dhe kërkoi që t’i pajiseshin dy urdhra të Sulltanit (fermanë): njëri për internim në rast se dorëzoheshin, dhe tjetri për ekzekutim nëse vazhdonin luftën kundër Hasan Beut, nipit të Ömer Pashës. Në atë kohë, Mahmud shkroi: “Janë pikërisht këta shqiptarë të këqij që zakonisht pengojnë punët. Inshallah, nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.” Në stilin tipik të Mahmudit II, plot gjashtë vite do të kalonin derisa Ismail Beu të përfundonte në mënyrën që Sulltani dëshironte. Duke u frikësuar se Ismaili do të do të shkaktonte një komplot të madh në Shqipëri, seraskeri vendosi të vepronte kundër tij. Ai urdhëroi ekzekutimin e Ismail Beut. Me tone triumfuese dhe vetëjustifikuese, ai i shkroi Stambollit se, nëse Zoti do t’i jepte mundësi të hiqte qafe disa të tjerë si ai, punët shqiptare mund të shpresoheshin të përmirësoheshin.
Reshid Pasha mori lajmin se plani i Ismailit ishte të depërtonte në Janinë, të merrte portat dhe ta çonte atë vetë në ishullin e liqenit. Kur Ismaili hyri në Janinë, Serasqeri dërgoi njerëz për ta pritur dhe i kërkoi të pushonte disa orë në konakun (banesën zyrtare) që i ishte vënë në dispozicion. Më pas, një grup prej 300-500 shqiptarësh filloi të hynte në qytet. Serasqeri e ftoi Ismail Beun në konakun e tij për bisedime dhe në të njëjtën kohë urdhëroi që të organizohej një pritë me disa qindra njerëz. Ismaili u shfaq me disa qindra “keqbërës”. I pavetëdijshëm për rrezikun, ai zbriti nga kali dhe filloi të ngjitej shkallëve dhe në atë moment u përball me një breshëri të shtënash nga prita. Ai u vra menjëherë. Me fjalë të tjera, nuk pati as arrestim apo aktakuzë, e lëre më gjyq, dhe as ndonjë përpjekje për ta legjitimuar çështjen sipas sheriatit. Reshid Pasha thjesht e urdhëroi vrasjen e tij. Provat për ta inkriminuar Ismailin u siguruan nga vetë Reshidi më pas. Në një moment që të jep ndjesinë e njohjes së një diskursi të përsëritur, Ismail Beu u shkruan krerëve shqiptarë: “Edhe ju jeni ndër notabilitetet dhe përfaqësuesit e Shqipërisë. Mos u ngutni në shkatërrimin dhe largimin e banditëve. Siç e dini shumë mirë, kur kjo çështje greke (Rum meselesi) të mbarojë, do të vijë radha jonë për të pasur probleme. Unë kam bërë një aleancë me Silihdar Podën përmes një të afërmeje femër të timen, për të vendosur rregull dhe siguri në Shqipëri. Siç jeni ndër të parët e Shqipërisë, tregohuni shumë vigjilentë për të mbrojtur vendin tonë (vatanımızı hifz için (sytë t’i hapni mirë). Kur gjërat të përmirësohen në Shqipëri, kur të mos kemi më asgjë për t’u frikësuar, ne, me fuqinë e Zotit të Madhërishëm, do ta zgjidhim vetë çështjen greke. Pres të dëgjoj nga ju për këtë çështje”. Kjo letër, sado e shkurtër, na tregon mjaft gjëra. Ajo sugjeron se mosbesimi osmano ndaj shqiptarëve ishte i ndërsjellë, se ushtria osmane perceptohej pak a shumë si një ushtri pushtuese, se tërheqja e saj nga provinca ishte e afërt, se krerët shqiptarë nuk bashkëpunonin me grekët por përpiqeshin të përdornin kryengritjen greke për qëllimet e tyre politike.
Fakti që osmanët vazhdonin t’i përshkruanin udhëheqësit shqiptarë si “banditë” ose “komplotistë” dhe nuk i identifikonin si “nacionalistë” apo “revolucionarë”, na jep shumë pak të dhëna për natyrën e lëvizjes shqiptare, pasi ata përdornin saktësisht të njëjtën gjuhë në mënyrë të qëndrueshme edhe për lëvizjen greke dhe më vonë për të gjitha lëvizjet e tjera nacionaliste, revolucionare, irredentiste apo separatiste. . Pa u ndalur shumë në dallimet e dukshme mes lëvizjeve dhe motiveve greke e shqiptare, osmanët mund t’i konsideronin të dyja, siç disa prej tyre në fakt bënë, si kërcënime për legjitimitetin dhe integritetin e tyre territorial. Reshid Pasha, për shembull, shkoi deri aty sa pretendoi se shqiptarët synonin vetëqeverisje, madje pavarësi.
