Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstract
Ky recension ka për objektiv analize librin “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur” të Lisen Bashkurti, duke e vendosur atë në kontekstin e literaturës ndërkombëtare mbi gjeopolitikën dhe politikën e jashtme të Rusisë. Duke përdorur një qasje krahasuese teorike, artikulli argumenton se koncepti i “rrethit të mbyllur” përfaqëson një kontribut interpretues me vlerë, i cili ndërthur elemente të realizmit strukturor dhe traditës klasike gjeopolitike. Megjithatë, ai kërkon një operacionalizim më të qartë metodologjik dhe një integrim më sistematik me literaturën ndërkombëtare. Artikulli përfundon se vepra përbën një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e studimeve gjeopolitike në hapësirën shqiptare.
1. Hyrje
Rikthimi i Rusisë si aktor strategjik në sistemin ndërkombëtar gjatë dy dekadave të fundit ka nxitur një rritje të ndjeshme të interesit akademik dhe analitik mbi natyrën, drejtimet dhe instrumentet e politikës së saj të jashtme. Nga një aktor relativisht i dobësuar në periudhën pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia është rikonfiguruar gradualisht si një fuqi revizioniste që synon të riformësojë balancat rajonale dhe globale, duke përdorur një kombinim të mjeteve ushtarake, ekonomike dhe hibride. Ky rikthim ka nxitur një debat të gjerë teorik, që shtrihet nga interpretimet e realizmit strukturor deri te qasjet gjeopolitike klasike dhe neoklasike, duke reflektuar kompleksitetin e sjelljes strategjike ruse në një rend ndërkombëtar në transformim.
Në këtë kontekst, vepra e Lisen Bashkurti, “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”, synon të ofrojë një kornizë interpretuese të artikuluar përmes konceptit të “rrethit të mbyllur”, i cili përshkruan një logjikë të qëndrueshme të politikës së jashtme ruse të orientuar drejt kontrollit ose ndikimit mbi hapësirat përreth si mekanizëm sigurie dhe projekti fuqie. Ky koncept, në thelb, përpiqet të ndërthurë vijimësinë historike të mendimit strategjik rus me realitetet e reja gjeopolitike të periudhës post–Luftë e Ftohtë.
Qëllimi i këtij recensioni është i trefishtë: së pari, të analizojë në mënyrë kritike konceptin e “rrethit të mbyllur” si instrument teorik; së dyti, ta vendosë atë në raport me literaturën ekzistuese në fushën e Gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare; dhe së treti, të vlerësojë kontributin e veprës në zhvillimin e mendimit gjeopolitik në hapësirën shqiptare, si dhe relevancën e saj për kuptimin e dinamikave bashkëkohore të politikës së jashtme ruse.
2. Korniza teorike dhe konceptuale
Koncepti i “rrethit të mbyllur” sugjeron se strategjia ruse mbështetet në kontrollin e hapësirave përreth dhe krijimin e zonave tampon. Ky interpretim është në përputhje me teorinë e realizmit strukturor, sipas së cilës shtetet synojnë të maksimizojnë sigurinë në një sistem anarkik (Waltz 1979).
Në mënyrë të ngjashme, analiza rezonon në përputhje me teorinë e “Heartland”-it të Mackinder-it, sipas së cilës kontrolli i Euroazisë është çelësi i fuqisë globale (Mackinder 1904, https://doi.org/10.2307/1775498). [1]
3. Analiza empirike
Rikthimi i Vladimir Putinit te doktrina klasike e gjeopolitikës ruse u artikulua në mënyrë të qartë pas fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë [MSC] 2007, duke shënuar një zhvendosje drejt një qasjeje më të strukturuar dhe revizioniste të politikës së jashtme të Rusisë. Në këtë kontekst, siç argumenton Dr. Lisen Bashkurti, synimi për të “harkuar” hapësirën gjeopolitike nga Baltiku në Paqësor reflekton një rikthim të logjikës së kontrollit të periferisë si instrument sigurie dhe fuqie.
Ky vizion lidhet drejtpërdrejt me teorinë klasike të Halford Mackinder-it mbi “Heartland”-in, sipas së cilës kontrolli i hapësirës euroaziatike është determinant për dominimin global. Në këtë prizëm, përpjekja e Rusisë për të konsoliduar ndikimin në hapësirat përreth mund të interpretohet si një përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi “boshtin gjeografik të historisë”, duke parandaluar depërtimin e fuqive rivale.
Në të njëjtën kohë, kjo strategji rezonon me realizmin ofensiv të John J. Mearsheimer-it, i cili argumenton se fuqitë e mëdha synojnë të maksimizojnë pushtetin rajonal për të garantuar sigurinë e tyre. Nga kjo perspektivë, politika e jashtme ruse – përfshirë ndërhyrjet në hapësirën post-sovjetike – mund të shihet si reagim ndaj zgjerimit të NATO dhe përpjekje për të rikthyer një sferë ndikimi të humbur.
Ndërkaq, në nivel më strukturor, qasja e Putinit mund të interpretohet përmes teorisë së Kenneth Waltz-it, ku sjellja e shteteve përcaktohet nga struktura anarkike e sistemit ndërkombëtar. Në këtë kuptim, strategjia e “rrethit të mbyllur” nuk është thjesht produkt i ambicies politike, por një funksion i presioneve sistemike dhe i perceptimeve të sigurisë në një mjedis konkurrues.
Prandaj, rikthimi i Rusisë në këtë paradigmë nuk duhet kuptuar si regres historik, por si një riartikulim i traditës gjeopolitike në kushtet e rendit bashkëkohor ndërkombëtar, ku ndërthuren logjikat e kontrollit territorial, balancimit të fuqisë dhe konkurrencës strategjike shumëdimensionale. [2]
Libri trajton dimensione të ndryshme të politikës së jashtme ruse:
- hapësirën post-sovjetike
- marrëdhëniet me NATO dhe BE
- përdorimin e instrumenteve hibride
Megjithatë, librin do ta bënte më të pranueshëm në sferën e mendimit gjeopolitik botëror një strukturë metodologjike e artikuluar më qartë, si p.sh. përdorimi i metodave krahasuese apo indikatorëve empirikë.[3] Kjo qasje e Dr. Lisen Bashkurtit nuk është e pazakontë në literaturën rajonale, por kufizon përdorimin e modelit në analiza krahasuese.
Sidoqoftë ky libër mund të konsiderohet me të drejtë si një kontribut i lloit të vet në gjuhën shqipe sa për konceptin inovativ interpretues po aq edhe për narrativën koherente strategjike.
Ajo që në një ribotim të mundshëm do të mund të rishikohej do të ishte zhvillimi i tutjeshëm i konceptit të “rrethit të mbyllur” dhe ndërtimi i indikatorëve empirik, përmes krahasimeve ndërkombëtare dhe integrimit me teori si neoklasikja.
Ai përfaqëson një përpjekje për të kaluar nga analiza deskriptive në një model interpretues më të strukturuar.
Me interes të veçantë për lexuesin shqiptar është gjithësesi kapitulli i nëntë i librit : Rikthimi gjeopolitik Sovjetik mbi Ballkanin gjatë Luftës së Ftohtë.
***
Ngjarja që e riktheu Ballkanin në vëmendje të plotë të fuqive botërore ishte mbledhja bilaterale midis Çerqilit dhe Stalinit në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, nënvizon Dr Bashkurti në hyrje të këtij kapitulli. Në këtë mbedhje informale dy liderët formuluan ndarjet me përqindje të Europës Lindore dhe atë Juglindore lidhur me kontrollin e sferave të influencës.
Por hipotezat se si ndodhi që vetëm një shtet ballkanik [Shqipëria] nuk përmendej fare në marrëveshjen sekrete të përqindjeve në Ballkanin, deri tani janë të shumta. Autori i librit që kemi në vështrim, Dr. Lisen Bashkurti merrë në konsideratë dhe na i sjellë tri sosh:
Së pri, shprehet ai, mendohet se Çerqili e shmangu me qëllim Shqipërinë nga bisedimet me Stalinin, pasi e konsideronte Shqipërinë si një vend nën kontrollin e forcave Aleate Anglo-Amerikane, misionet e të cilave tashmë kishin zbarkuar në Shqipëri.
Së dyti, gjykon autori, se Çerqili në mendjen e tij e kishte inkorporuar Shqipërinë si pjesë të Jugosllavisë.
Së treti, pohon Dr. Bashkurti, ekziston hipoteza se Çerqili, si një nuhatës shumë i thellë i historisë dhe politikës, të kishte pas kuptuar që Stalini nuk kishte kurrfarë dije për Shqipërinë.
Këët hipotezë autori e argumenton bindshëm përmes bisedave të Stalini kishte më as me Enver Hoxhën, liderin e Shqipërisë politike.
Nga këndvështrimi sotëm me të drejt mund të shtronim pyetjen se ky fakt, ai i mungesës së vëmendjes ndaj Shqipërisë, a e ndihmoi më shumë apo e dëmtoi Shqipërinë dhe të ardhmen e saj pas Luftës së Dytë Botërore dhe me theks gjaët Luftës së Ftohtë?
Mungesa e Shqipërisë në marrëveshjen informale e përqindjeve e arritur në Moscow në tetor 1944 midis Winston Churchill-it dhe Joseph Stalin-it duhet interpretuar jo si një anomali aksidentale, por si reflektim i pozitës së saj periferike në hierarkinë e interesave gjeopolitike të fuqive të mëdha (Churchill 1953).
Në terma analitikë, kjo mungesë prodhoi një efekt ambivalent: në planin afatshkurtër, ajo i mundësoi Shqipërisë një shkallë relative autonomie në përcaktimin e rendit të brendshëm politik, duke shmangur imponimin e drejtpërdrejtë të një zgjidhjeje të negociuar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, siç ndodhi në raste të tjera të Europës Juglindore (Mazower 2000); megjithatë, në planin afatgjatë, mungesa e një pozicionimi të qartë në sistemin e sferave të influencës e la vendin pa garanci sigurie dhe pa mbështetje të qëndrueshme ndërkombëtare, duke kontribuar në një trajektore të theksuar izolimi gjatë Luftës së Ftohtë (Judt 2005). Në këtë kuptim, siç mund të lexohet edhe në librin e Profesor Lisen Bashkurti, përjashtimi i Shqipërisë nga ky konfigurim nuk ishte thjesht shenjë e margjinalizimit diplomatik, por një faktor strukturor që ndikoi në mënyrë vendimtare në formësimin e një modeli zhvillimi politik të karakterizuar nga autonomi formale dhe izolim substancial.
***
Rikthimi i Rusisëa në skenën ndërkombëtare, siç argumenton Profesor Lisen Bashkurti, nuk është një proces linear apo thjesht restaurues, por zhvillohet përmes një dinamike të ndërthurur rreziku, pasigurie dhe prodhimi të kontrolluar të kaosit, në funksion të rikonfigurimit të një rendi të ri ndërkombëtar. Kjo tezë shtjellohet veçanërisht në kapitujt 16-të dhe 17-të të veprës, të cilët, së bashku me kapitullin 14-të, përbëjnë një nga bërthamat më analitike të librit.
Në këtë prizëm, analiza e Dr. LisenBashkurtit mund të lexohet në dritën e realizmit ofensiv të John J. Mearsheimer-it, siç e zura në gojë më lart, sipas të cilit fuqitë e mëdha synojnë të maksimizojnë pushtetin relativ në një sistem ndërkombëtar anarkik, duke sfiduar rendet ekzistuese kur ato perceptohen si kufizuese për interesat e tyre strategjike (Mearsheimer 2001).
Në të njëjtën kohë, kjo qasje lidhet ngushtë me literaturën mbi “order transition”, e zhvilluar ndër të tjera nga Robert Gilpin dhe G. John Ikenberry, e cila argumenton se periudhat e transformimit të rendit ndërkombëtar karakterizohen nga rritja e paqëndrueshmërisë dhe rivalitetit ndërmjet fuqive në ngritje dhe atyre me status quo (Gilpin 1981; Ikenberry 2011).
Në këtë kuptim, strategjia ruse mund të interpretohet jo vetëm si përpjekje për rikthim në statusin e fuqisë së madhe, por si pjesë e një procesi më të gjerë tranzicioni sistemik, ku destabilizimi i kontrolluar dhe përdorimi i instrumenteve hibride shërbejnë si mjete për rishpërndarjen e fuqisë dhe ndikimit. Kjo e vendos analizën e Bashkurtit në një kuadër teorik më të gjerë, duke e lidhur atë me debatet bashkëkohore mbi transformimin e rendit ndërkombëtar dhe duke e konsoliduar si një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit gjeopolitik shqiptar.
4. Përfundime
- Libri “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur i Lisen Bashkurti përbën një kontribut të rëndësishëm në studimet e Gjeopolitikës në hapësirën shqiptare, duke ofruar një përpjekje të artikuluar për të ndërtuar një kornizë interpretuese mbi politikën e jashtme të Rusisë.
- Përmes konceptit të “rrethit të mbyllur”, autori arrin të ndërthurë dimensionin historik me atë strategjik, duke propozuar një lexim që shkon përtej analizave deskriptive dhe drejt një modeli më të strukturuar teorik. Megjithëse libri kërkon thellim metodologjik, ai ofron një kornizë të dobishme për të kuptuar politikën e Rusisë në kontekstin bashkëkohor.
Në këtë prizmë këndvështrimi, koncepti i “rrethit të mbyllur” mund të shihet si një sintezë ndërmjet realizmit dhe traditës gjeopolitike klasike.
Qasja e autorit mund të krahasohet me disa autorë me peshë, si:
- Kenneth Waltz: që thekson logjikën strukturore të sigurisë (Waltz 1979).
- John J. Mearsheimer: që argumenton se kriza në Ukrainë është rezultat i zgjerimit të NATO-s (Mearsheimer 2014).[2]
- Dmitri Trenin: eqë sheh politikën ruse si kombinim i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm (Trenin 2016).
- Gjithësesi vepra ofron një platformë solide për debat dhe zhvillim të mëtejshëm akademik. Në këtë kuptim, libri nuk duhet parë vetëm si një analizë e politikës ruse, por si një përpjekje për të afirmuar një traditë të mendimit gjeopolitik në gjuhën shqipe, e cila historikisht ka qenë e kufizuar në prodhim dhe ndikim.
- Më tej, rëndësia e veprës qëndron edhe në aftësinë e saj për të lidhur dinamikat konkrete të politikës së jashtme ruse me debatet më të gjera mbi transformimin e rendit ndërkombëtar, duke e bërë atë relevante jo vetëm për studiuesit e rajonit, por edhe për një audiencë më të gjerë akademike. Në këtë prizëm, analiza e Dr. Lisen Bashkurtit kontribuon në kuptimin e rolit të fuqive revizioniste në një sistem ndërkombëtar në tranzicion, duke ofruar një perspektivë që ndërthur realizmin gjeopolitik me reflektim kritik mbi zhvillimet bashkëkohore.
- Në përfundim, mund të pohoj me plot bindje se, kjo vepër përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të një diskursi akademik më të sofistikuar mbi gjeopolitikën në hapësirën shqiptare, duke krijuar një bazë të vlefshme për kërkime të ardhshme dhe për thellimin e analizës teorike dhe empirike në këtë fushë.
Referenca
- Mackinder, H. J. (1904). The Geographical Pivot of History. The Geographical Journal, 23(4), 421–437. https://doi.org/10.2307/1775498
- Waltz, K. N. (1979). Theory of International Politics. McGraw-Hill.
- Mearsheimer, J. J. (2014). Why the Ukraine Crisis Is the West’s Fault. Foreign Affairs, 93(5), 77–89.
- Trenin, D. (2016). Should We Fear Russia? Polity Press.
- Spykman, N. (1942). America’s Strategy in World Politics. Harcourt, Brace and Company.
Fusnota
- Mackinder konsiderohet themelues i gjeopolitikës klasike, dhe koncepti i tij i “Heartland”-it ka ndikuar thellësisht analizat mbi Rusinë.
- Argumenti i Mearsheimer është pjesë e debatit më të gjerë mbi përgjegjësinë për krizën në Ukrainë.
- Shih më gjerësisht kapitullin katërmbëdhjetë të librit në fjalë, që për shumëçka mund të vlerësohet si kapitulli më i veçantë i tij.
