(Dr. Kolë Krasniqi: “TERRORIZMI BASHKËKOHOR, Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, Lena, Prishtinë, 2026)
Me Kolë Krasniqi jam njohur në një periudhë të rëndë e sfiduese, në vitin 1982, në Burgun e Pejës. Ai ishte arrestuar si student nën akuzat e zakonshme të kohës për “veprimtari armiqësore”, vetëm pse kishte marrë pjesë në demonstratat popullore për Republikën e Kosovës. Përkushtimin dhe idealizmin që e karakterizuan në ato vite, ai i vazhdoi edhe më vonë përmes rrugëtimit akademik e shkencor. Veprimtarinë e tij e pasuroi gjithashtu me një numër botimesh shkencore e publicistike, nga vitet ’90 e deri më sot. Në vitin 1992 mbrojti me sukses të lartë temën e magjistraturës me titull “Roli i enteve ndëshkuese-përmirësuese të tipit të hapur në risocializimin e personave të dënuar dhe në pengimin e kriminalitetit”, duke fituar titullin “Magjistër i Shkencave Juridiko-Penale”. Gjatë kësaj periudhe realizoi edhe disa punime shkencore, ndër to: “Ekzekutimi i masave edukative të mbikëqyrjes së shtuar në Jugosllavi” (1989) dhe “Masat edukative gjatë periudhës 1976–1985 në Komunën e Pejës, me theks të posaçëm te masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar” (1990). Në vitin 1994 nisi studimet e doktoratës në Universiteti i Vjenës. Po atë vit u angazhua si praktikant gjyqësor në Gjykatën Supreme të Vjenës, në Austri. Në vitin 1996 botoi, në gjuhën shqipe dhe gjermane librin “Roli i fesë në ruajtjen e identitetit dhe harmonisë kombëtare te shqiptarët”. Në qershor të vitit 1998 mbrojti doktoratën në Fakultetin Juridik të Universitetit të Vjenës, me temën: “Terrorizmi ndërkombëtar me vështrim të posaçëm ndaj sulmeve në Austri dhe masave efektive për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar”. Që nga viti 2005 ishte profesor i rregullt në Kolegji Universitar FAMA, ndërsa në vitin 2007 u emërua dekan i Fakultetit Juridik dhe drejtor i Institutit për Studimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit pranë këtij kolegji. Deri në shtator të vitit 2009 ishte i angazhuar edhe si ekspert pranë Shërbimit Federal për Çështje të Azilit në Austri. Në vitin 2009 botoi në revista gjermane studimin “Disa veçori karakteristike të krimit të organizuar në Kosovë dhe shtete tjera të Ballkanit”. Ai është gjithashtu autor i librit “Terrorizmi Ndërkombëtar”, i botuar në vitin 2005 në Tiranë dhe më 2010 në Prishtinë. Para disa ditësh iu botua libri “TERRORIZMI BASHKËKOHOR, Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, të cilin e mora dhuratë.
1. Si të lexohet ky libër nga lexuesit e rëndomtë
(tipologjia e leximeve dhe e lexuesve)
Dhe me njëherë shtrohet pyetja: si e lexon një libër të tillë një lexues që nuk iu takon dijeve juridike? Meqë më ka ra puna që të merrem shumë herë me tipologjinë e leximeve e të lexuesve, kështu po e vështroi=oj edhe këtë libër.
Çdo vepër serioze akademike krijon edhe tipologjinë e vet të leximeve dhe të lexuesve. Kjo vlen edhe për monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, e cila, për shkak të natyrës së saj ndërdisiplinore dhe kompleksitetit teorik, mund të lexohet në mënyra të ndryshme dhe nga kategori të ndryshme lexuesish. Në këtë aspekt, libri aq sa prodhon informacion, prodhon edhe forma të ndryshme interpretimi, sipas interesit, përgatitjes profesionale dhe qëllimit që ka secili lexues ndaj tekstit.
Një nga format kryesore është leximi akademik dhe shkencor. Ky tip leximi karakterizohet nga qasje analitike, kritike dhe metodologjike. Studiuesit, profesorët, studentët e nivelit universitar dhe kërkuesit shkencorë e lexojnë librin jo vetëm për të marrë informacion mbi terrorizmin, por për ta kuptuar fotmln a procedimin teksual se si ndërtohen konceptet, si organizohet argumenti dhe si përdoren burimet teorike dhe juridike. Për ta, rëndësi kanë klasifikimet, tipologjitë, përkufizimet dhe baza metodologjike mbi të cilën autori ndërton analizën. Ky është një lexim i ngadalshëm, reflektues dhe shpesh krahasues me literaturën tjetër shkencore.
Natyrisht, një libër i tillë nga lexuesit e rëndomtë nuk duhet lexuar si roman, nga fillimi deri në fund me një frymë. Duhet lexuar sipas qëllimit të lexuesit, sepse është monografi shkencore dhe referenciale, me shumë terminologji juridike, klasifikime dhe analiza. Nga vetë struktura shihet se autori e ka ndërtuar për përdorim tematik e analitik, jo vetëm narrativ. Leximi profesional i një libri të tillë karakterizohet nga qasje sistematike, analitike dhe kritike. Për studiuesit, juristët, profesionistët e sigurisë, gazetarët hulumtues apo akademikët, libri nuk lexohet vetëm për të marrë informacion, por për të analizuar argumentin, metodologjinë dhe mënyrën e ndërtimit të konceptit. Një lexues profesional do të ndalet te klasifikimet, përkufizimet juridike, dallimet ndërmjet formave të terrorizmit dhe bazat teorike mbi të cilat autori mbështet analizën. Për një lexues të rëndomtë, një libër i tillë duhet të lexohet me durim dhe me qasje selektive. Nuk është e domosdoshme që ai të ndiqet në mënyrë lineare, nga faqja e parë deri te e fundit. Një lexues i zakonshëm duhet ta lexojë këtë libër si një udhërrëfyes për të kuptuar një realitet kompleks, jo si një tekst që duhet memorizuar në tërësi.
E, një shkrimtar apo gazetar?
Ndërkaq, një shkrimtar apo gazetar do t’i qasej një libri të tillë në mënyrë më analitike dhe më reflektuese sesa një lexues i zakonshëm. Për të, leximi nuk do të kufizohej vetëm në përvetësimin e informacionit apo të fakteve të paraqitura, por do të shërbente edhe si një proces vëzhgimi dhe interpretimi i mënyrës se si autori ndërton mendimin, organizon argumentin dhe trajton një fenomen kompleks përmes një strukture të qëndrueshme akademike. Një vepër monografike e kësaj natyre do të shihej jo vetëm si burim njohurish, por edhe si shembull i një metode të të menduarit dhe të të shkruarit profesional. Nga ky aspekt, libri do të lexohej edhe si një model metodologjik. I duhet të lexojë duke pyetur: “Çfarë po mundohet të argumentojë autori?” dhe jo vetëm “Çfarë po thotë?” I duhet ta vërejë edhe gjuhën akademike: si ruhet neutraliteti, si shmangen etiketimet politike dhe si ndërtohet një analizë pa emocione. Ai do të analizonte mënyrën e organizimit të kapitujve, përdorimin e terminologjisë, kalimin nga koncepti teorik në analizën konkrete, si dhe mënyrën se si ndërtohet koherenca logjike përgjatë gjithë veprës. Kjo do t’i mundësonte jo vetëm të pasuronte njohuritë e veta mbi temën, por edhe të përmirësonte qasjen e vet në shkrimin e analizave, reportazheve apo teksteve argumentuese mbi çështje të ndërlikuara shoqërore e politike.
Ndryshe, një studiues profesional i këtij libri (jurist, akademik), lexon pothuajse si manual reference: me nënvizime, me krahasim të burimeve, me kthim prapa te tabelat dhe klasifikimet dhe me lidhje mes kapitujve. Në fakt, ky libër duket më shumë si vepër për konsultim afatgjatë, që hapet sipas temës që kërkon, sesa libër që lexohet një herë dhe mbyllet. Nga perspektiva e një lexuesi të rëndomtë, ky libër duket fillimisht i ngarkuar për shkak të terminologjisë juridike, strukturës së detajuar dhe trajtimit sistematik të fenomenit të terrorizmit. Megjithatë, për një lexues që ka interes për zhvillimet globale, sigurinë apo çështjet politike, libri shndërrohet në një burim të vlefshëm informimi dhe reflektimi. Ai nuk do të lexohej domosdoshmërisht në mënyrë lineare, por përmes kapitujve që zgjojnë interes të drejtpërdrejtë, si terrorizmi islamist, lufta hibride, Ballkani Perëndimor apo raporti ndërmjet radikalizmit dhe terrorizmit. Në këtë rast, lexuesi i zakonshëm do të synonte më shumë kuptimin e ideve themelore sesa zotërimin e aparatit teorik apo juridik të autorit.
Për shembull, ndarja ndërmjet radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit nuk trajtohet si çështje semantike, por si një nevojë juridike dhe analitike për të shmangur konfuzionin publik dhe politik. Për një gazetar që raporton mbi tema të sigurisë apo konfliktit, kjo qasje përbën një mësim të rëndësishëm: se përdorimi i termave duhet të jetë i saktë dhe i argumentuar, sepse mënyra si emërtohet një fenomen mund të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin publik dhe në pasojat politike të raportimit. Me rëndësi për një lexues të këtij profili është neutraliteti akademik që përpiqet ta ruajë autori. Edhe kur trajton tema me ndjeshmëri të lartë politike, si terrorizmi islamist, lufta hibride në Ballkan apo pozicioni juridik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, argumentimi nuk ndërtohet mbi retorikë apo bindje emocionale, por mbi kritere juridike, analiza krahasuese dhe standarde të së drejtës ndërkombëtare. Për një shkrimtar apo gazetar, qasja e tillë paraqet një shembull të qartë të mënyrës se si temat e ndjeshme trajtohen me seriozitet profesional, pa humbur objektivitetin dhe pa u bërë pjesë e polarizimeve ideologjike. Nga pikëpamja stilistike, libri paraqet gjithashtu interes të veçantë. Gjuha e përdorur është akademike, e strukturuar dhe e kujdesshme, duke shmangur përgjithësimet e panevojshme dhe etiketimet kategorike. Një gazetar do të mund të mësonte nga mënyra se si autori ndërton një analizë të balancuar, ndërsa një shkrimtar do të vëzhgonte mënyrën se si ndërtohet koherenca e argumentit përgjatë kapitujve.
Ekziston edhe një formë e ndërmjetme leximi, që mund të quhet lexim reflektues apo intelektual, tipik për shkrimtarët, analistët dhe individët me interes të përgjithshëm kulturor.
2. Arkitektura konceptuale dhe metodologjike e librit
Studimi monografik “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” i Dr. Kolë Krasniqit paraqet një analizë të thelluar, gjithëpërfshirëse dhe metodologjikisht të strukturuar mbi fenomenin kompleks të terrorizmit në kontekstin bashkëkohor juridik, politik dhe të sigurisë. Vepra trajton terrorizmin jo vetëm si akt kriminal apo si formë ekstreme të dhunës politike, por si një dukuri shumëdimensionale që ndërlidh aspektet juridike, ideologjike, strategjike dhe ndërkombëtare të sigurisë. Një ndër elementet që e veçon monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” është metoda e saj e organizimit, e ndërtuar mbi një logjikë të qartë klasifikuese dhe sistematike. Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe shumëdimensionalitetin e terrorizmit si fenomen bashkëkohor, autori zgjedh një qasje metodologjike që synon ta shpjegojë fenomenin, por edhe ta organizojë atë në kategori të kuptueshme dhe funksionale për lexuesin. Orientimi i tillë i ndërtimit të librit e bën studimin teorikisht të qëndrueshëm, por edhe praktikisht të përdorshëm për studiuesit, profesionistët e sigurisë, juristët dhe publikun e interesuar.
Një nga vlerat kryesore të kësaj monografie qëndron në qasjen e saj sistematike ndaj klasifikimit të terrorizmit. Autori ndërton një aparat të qartë konceptual për t’i dalluar format e ndryshme të terrorizmit sipas motivit ideologjik, subjektit veprues, shtrirjes gjeografike, metodave të veprimit dhe objektivave të sulmit. Kjo qasje ndihmon në kuptimin më të saktë të natyrës së terrorizmit dhe shmang paqartësitë terminologjike që shpesh dominojnë debatin publik dhe politik.
Nga pikëpamja metodologjike, monografia mbështetet në një qasje ndërdisiplinore me dominancë juridike, duke kombinuar analizën e së drejtës penale dhe ndërkombëtare me teorinë e sigurisë, kriminalitetit politik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Përmes modelit makro–mezo–mikro, autori arrin të analizojë terrorizmin në nivele të ndryshme – nga faktorët globalë dhe shtetërorë, te organizatat terroriste dhe proceset individuale të radikalizimit. Kjo i jep studimit një karakter të avancuar analitik dhe praktik.
Shtresë e rëndësishëm e veprës është trajtimi kritik i dallimeve ndërmjet radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit, duke argumentuar se jo çdo ideologji radikale përbën domosdoshmërisht terrorizëm. Në këtë mënyrë, studimi kontribuon në ruajtjen e balancës ndërmjet nevojës për siguri dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke kundërshtuar tendencat për kriminalizim të mendimit apo bindjeve ideologjike. Po ashtu, monografia ofron një analizë të veçantë për ndërthurjen e terrorizmit me luftën hibride dhe ndikimet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, me fokus specifik në Kosovë. Në këtë aspekt, autori argumenton se terrorizmi bashkëkohor nuk vepron gjithmonë si fenomen i izoluar, por shpesh shfaqet si pjesë e strategjive më të gjera të destabilizimit politik, ekonomik dhe informativ.
Një nga elementet më të rëndësishme që bie në sy në monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” është struktura e saj e ndërtuar me kujdes dhe logjikë të qartë akademike. Nga këndvështrimi i një lexuesi analitik, struktura e këtij libri përbën një ndër pikat më të forta të veprës, pasi dëshmon për një organizim sistematik të mendimit dhe një metodë të qartë të trajtimit të një fenomeni kompleks si terrorizmi. Libri nuk paraqitet si një grumbull informacioni i shpërndarë, por si një ndërtim gradual argumentesh, ku secili kapitull lidhet logjikisht me tjetrin dhe kontribuon në krijimin e një panorame të plotë mbi fenomenin. Në aspektin strukturor, autori ndjek një logjikë progresive: nga konceptet themelore drejt analizave më të ndërlikuara dhe specifike. Fillimisht trajtohen nocionet bazë të kriminalitetit politik, terrorit dhe terrorizmit, si dhe dallimet ndërmjet radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Kjo hyrje konceptuale krijon një bazë teorike të domosdoshme për lexuesin, duke i mundësuar atij të kuptojë terminologjinë dhe kornizën teorike përpara se të hyjë në klasifikimet më komplekse. Një ndërtim i tillë dëshmon për një vetëdije metodologjike të autorit, i cili nuk supozon njohuri paraprake të lexuesit, por e udhëheq gradualisht drejt një kuptimi më të thelluar të fenomenit.
Më tej, struktura e librit zhvillohet në mënyrë tematike dhe klasifikuese. Terrorizmi trajtohet sipas motivit ideologjik, subjektit veprues, shtrirjes gjeografike, metodave të veprimit dhe objektivave të sulmit. Kjo qasje sistematike e ndan fenomenin në kategori të qarta, duke shmangur konfuzionin konceptual dhe duke i dhënë lexuesit mundësinë të kuptojë shumëdimensionalitetin e terrorizmit bashkëkohor. Për një shkrimtar apo gazetar, kjo mënyrë organizimi përbën një model të rëndësishëm të strukturimit të materialit kompleks: si një temë e gjerë mund të ndahet në nënkategori të kuptueshme pa humbur koherencën e përgjithshme të argumentit.
Një element tjetër që e forcon strukturën e librit është përdorimi i tabelave krahasuese, klasifikimeve dhe ndarjeve tipologjike. Këto tabela, si mjete vizuale, shëre=bejnë edhe si instrumente analitike që e ndihmojnë lexuesin të bëjë dallime të qarta ndërmjet koncepteve dhe formave të ndryshme të terrorizmit. Në këtë mënyrë, libri fiton jo vetëm vlerë teorike, por edhe funksionalitet praktik për studiuesit, gazetarët dhe profesionistët e sigurisë. Autori dallon terrorizmin shtetëror, terrorizmin e sponsorizuar nga shteti, terrorizmin joshtetëror, atë individual dhe grupor. Kjo metodë organizimi ka rëndësi të veçantë juridike dhe politike, pasi ndihmon në identifikimin e përgjegjësisë, natyrës së aktorëve dhe mënyrës së funksionimit të dhunës terroriste. Për lexuesin, kjo strukturë e bën më të qartë dallimin ndërmjet organizatave terroriste klasike dhe rolit të mundshëm të shteteve në instrumentalizimin e terrorizmit.
Libri organizohet gjithashtu sipas shtrirjes gjeografike të terrorizmit, duke dalluar terrorizmin lokal, të brendshëm, rajonal, transnacional, ndërkombëtar dhe global. Një ndarje e tillë i jep lexuesit mundësinë të kuptojë evolucionin dhe zgjerimin e terrorizmit në epokën e globalizimit, ku veprimet terroriste i tejkalojnë kufijtë shtetërorë dhe marrin dimension ndërkombëtar. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme për kuptimin e terrorizmit bashkëkohor, i cili nuk mund të analizohet më vetëm brenda kufijve të një shteti të vetëm. Një nga aspektet më të rëndësishme të metodës organizative është fakti se autori e ndan terrorizmin sipas ideologjisë dhe motivit politik, duke trajtuar veçmas terrorizmin ideologjik të majtë, të djathtë, anarkist-nihilist, etno-separatist dhe terrorizmin fetar, me një fokus të posaçëm te terrorizmi islamist. Kjo qasje e ndihmon lexuesin që të kuptojë se terrorizmi nuk ka një burim të vetëm ideologjik, por merr forma të ndryshme varësisht nga motivet politike, etnike apo fetare që e ushqejnë atë. Përmes kësaj ndarjeje, autori arrin të shmangë përgjithësimet dhe stereotipat, duke e trajtuar fenomenin në mënyrë më të diferencuar dhe analitike.
Nga një perspektivë eseistike, struktura e këtij libri mund të konsiderohet si reflektim i vetë natyrës së fenomenit që trajton. Duke qenë se terrorizmi është një dukuri e ndërlikuar, e ndryshueshme dhe shumëdimensionale, edhe mënyra e organizimit të librit ndjek të njëjtën logjikë: nga e përgjithshmja te specifikja, nga teoria te praktika dhe nga koncepti te implikimet juridike e politike. Kjo e bën veprën jo vetëm të lexueshme, por edhe të përdorshme si referencë afatgjatë. Struktura e kësaj monografie dëshmon për një planifikim të kujdesshëm akademik dhe për një përpjekje serioze për ta bërë një temë komplekse të kuptueshme dhe të organizuar.
3. Rëndësia, vlerat dhe idetë e këtij studimi monografik
Kur terrorizmi vazhdon të mbetet ende ndër sfidat më serioze për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, studime të mirëfillta shkencore mbi këtë fenomen marrin një rëndësi të veçantë akademike, juridike dhe shoqërore. Në këtë kontekst, monografia “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në literaturën shqipe, duke ofruar një analizë të strukturuar, të argumentuar dhe gjithëpërfshirëse mbi një fenomen kompleks dhe vazhdimisht të transformueshëm. Rëndësia e këtij studimi nuk qëndron vetëm në sasinë e informacionit të paraqitur, por edhe në mënyrën metodologjike dhe konceptuale përmes së cilës autori e trajton terrorizmin si dukuri juridike, politike, ideologjike dhe strategjike.
Një nga aspektet më të rëndësishme të këtij studimi është përpjekja për të sjellë qartësi konceptuale në një fushë që shpesh karakterizohet nga paqartësi terminologjike dhe instrumentalizim politik. Në diskursin publik, termat si radikalizëm, ekstremizëm dhe terrorizëm shpesh përdoren në mënyrë të përzier ose emocionale, duke krijuar konfuzion në opinionin publik dhe në debatet politike. Ky studim kontribuon në sqarimin e këtyre dallimeve, duke ndërtuar kufij të qartë juridikë dhe analitikë ndërmjet tyre. Në këtë mënyrë, ai ndihmon jo vetëm studiuesit dhe profesionistët e sigurisë, por edhe median dhe publikun e gjerë që të kenë një kuptim më të saktë të këtyre fenomeneve. Po ashtu, rëndësia e këtij studimi qëndron edhe në faktin se ai e trajton terrorizmin jo si një fenomen të izoluar, por si pjesë të një realiteti më të gjerë të sigurisë bashkëkohore, ku ndërthuren lufta hibride, kriminaliteti i organizuar, dezinformimi dhe aktorët shtetërorë e joshtetërorë. Një qasje e tillë e bën veprën veçanërisht relevante për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për Kosovën, ku çështjet e sigurisë shpesh ndërthuren me tensione politike, ndikime gjeopolitike dhe narrativa konfliktuale. Autori e vendos fenomenin në një kontekst rajonal dhe ndërkombëtar, duke treguar se terrorizmi nuk mund të kuptohet jashtë transformimeve globale të rendit të sigurisë.
Nga perspektiva akademike dhe profesionale, studimi ka rëndësi të veçantë për juristët, studiuesit, institucionet e sigurisë dhe vendimmarrësit politikë. Përmes klasifikimeve të qarta, analizave krahasuese dhe bazimit në standarde të së drejtës ndërkombëtare, monografia shërben si referencë serioze për kuptimin dhe trajtimin juridik të terrorizmit. Njëkohësisht, ajo mund të përdoret si material studimor në universitete dhe institucione trajnuese, duke kontribuar në formimin profesional të brezave të rinj në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Rëndësia e këtij studimi lidhet edhe me dimensionin e tij edukativ dhe shoqëror. Koha jonë, dihet se karakterizohet nga informacioni i shpejtë, nga propaganda digjitale dhe nga polarizimet ideologjike; së këndejmi, ekziston nevoja për analiza serioze që bazohen në argument, evidencë dhe metodë shkencore. Kjo monografi ofron pikërisht një qasje të tillë, duke kontribuar në zhvillimin e një kulture më kritike të të kuptuarit të fenomeneve të sigurisë dhe duke nxitur debat më të informuar dhe më racional mbi terrorizmin dhe implikimet e tij në shoqërinë bashkëkohore.
Monografia paraqet një vepër me vlera të shumanshme akademike, juridike, profesionale dhe shoqërore. Vlera e saj në trajtimin e një teme komplekse dhe aktuale si terrorizmi, pasurohet me mënyrën e organizuar, metodologjikisht të qëndrueshme dhe teorikisht të argumentuar përmes së cilës autori e ndërton analizën. Ndryshe nga prirjet ku dominojnë interpretimet politike, emocionet dhe perceptimet ideologjike, ky studim përpiqet të sjellë qartësi konceptuale dhe balancë analitike.
Një ndër vlerat themelore të këtij studimi është vlera shkencore dhe akademike. Libri ndërtohet mbi një bazë të gjerë teorike dhe doktrinare, e pasuruar me referenca të shumta, me akribi shkencore, duke kombinuar të drejtën penale, të drejtën ndërkombëtare, studimet e sigurisë dhe analizat politike në një qasje ndërdisiplinore.
Një vlerë tjetër e rëndësishme është qartësia konceptuale dhe terminologjike që sjell ky studim. Autori bën dallime të qarta ndërmjet radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit, duke shmangur konfuzionin që shpesh shfaqet në diskursin publik dhe politik. më të përgjegjshëm të gjuhës dhe koncepteve në debatet publike.
Po ashtu, vepra ka vlerë praktike dhe profesionale, pasi nuk mbetet vetëm në nivel teorik, por trajton terrorizmin përmes klasifikimeve konkrete, analizave krahasuese dhe rasteve specifike. Organizimi i terrorizmit sipas motiveve ideologjike, subjektit veprues, shtrirjes gjeografike apo metodave të veprimit e bën librin të përdorshëm për profesionistët e sigurisë, institucionet shtetërore dhe studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për më tepër, trajtimi i terrorizmit në lidhje me luftën hibride dhe realitetin e Ballkanit Perëndimor e rrit relevancën e studimit në kontekstin rajonal dhe të sigurisë së Kosovës.
Vlera më e madhe e këtij studimi qëndron në faktin se ai arrin që ta ndërthurë teorinë me praktikën, analizën me objektivitetin dhe qasjen juridike me realitetin bashkëkohor të sigurisë. Si i tillë, ai përfaqëson jo vetëm një kontribut të rëndësishëm shkencor, por edhe një mjet të dobishëm për kuptimin më të thellë të terrorizmit dhe sfidave që ai paraqet për shtetin, shoqërinë dhe rendin ndërkombëtar.
Një nga idetë kryesore të studimit është se terrorizmi duhet parë si formë specifike e kriminalitetit politik e jo thjesht si akt individual dhune apo kriminalitet i zakonshëm. Autori argumenton se terrorizmi përmban elemente politike, ideologjike, strategjike dhe juridike, duke e dalluar atë nga format e tjera të dhunës si lufta guerile, kryengritjet apo kriminaliteti klasik. Përmes kësaj qasjeje, libri synon të krijojë një bazë më të qartë për identifikimin dhe trajtimin juridik të fenomenit.
Një tjetër ide themelore është nevoja për qartësi konceptuale dhe terminologjike. Monografia argumenton se përdorimi i paqartë i termave si radikalizëm, ekstremizëm dhe terrorizëm krijon konfuzion si në debatet publike ashtu edhe në politikat e sigurisë. Për këtë arsye, autori insiston në ndërtimin e dallimeve të qarta ndërmjet këtyre kategorive, duke theksuar se jo çdo radikalizëm apo ekstremizëm përbën terrorizëm, për aq kohë sa nuk përfshin përdorim të dhunës ose thirrje konkrete për të. Kjo ide synon të mbrojë balancën ndërmjet sigurisë dhe të drejtave themelore të njeriut.
Po ashtu, studimi mbështetet në idenë se terrorizmi bashkëkohor është një fenomen shumëdimensional dhe global, i cili nuk mund të trajtohet si i izoluar nga zhvillimet politike, teknologjike dhe gjeopolitike.
Një ide me rëndësi të veçantë në libër është edhe nevoja për depolitizimin e analizës së terrorizmit. Autori thekson se etiketa “terrorist” shpesh përdoret në mënyrë politike dhe jo juridike, duke sjellë si shembull nevojën për vlerësim juridik të fenomeneve të ndryshme në bazë të normave ndërkombëtare dhe jo të perceptimeve politike. Në këtë mënyrë, studimi promovon një qasje që i jep përparësi analizës së bazuar në standarde juridike, evidencë dhe metodë shkencore.
4. Terrorizmi islamist nga këndvështrimi i këtij libri
Në monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, terrorizmi islamist trajtohet si një ndër format më të rëndësishme dhe më komplekse të terrorizmit bashkëkohor, jo vetëm për shkak të ndikimit të tij global, por edhe për shkak të implikimeve juridike, politike dhe të sigurisë që ka prodhuar në dekadat e fundit. Megjithatë, qasja e autorit ndaj kësaj teme nuk ndërtohet mbi stereotipe kulturore apo interpretime esencialiste të fesë islame, por mbi analiza juridike, historike dhe ideologjike, duke e trajtuar terrorizmin islamist si fenomen politik dhe ideologjik që instrumentalizon diskursin fetar për qëllime të caktuara politike dhe strategjike. Një nga idetë qendrore që paraqet libri është dallimi i qartë ndërmjet Islamit si fe normative dhe islamizmit politik si ideologji. Autori argumenton se nuk duhet bërë identifikimi i terrorizmit islamist me fenë islame në tërësi, pasi terrorizmi islamist përfaqëson një interpretim të politizuar dhe radikal të elementeve fetare, i përdorur për legjitimimin e dhunës politike. Në këtë kuptim, libri përpiqet t’i shmangë përgjithësimet që shpesh dominojnë diskursin publik, duke mbrojtur një qasje më të kujdesshme dhe më të balancuar analitike.
Nga këndvështrimi i këtij libri, terrorizmi islamist kuptohet si një fenomen që ushqehet nga ndërthurja e faktorëve ideologjikë, politikë, historikë dhe socialë. Për këtë arsye, autori analizon jo vetëm organizatat terroriste islamiste si Al-Qaeda, ISIS, Boko Haram, Hamas dhe Hezbollah, por edhe bazat ideologjike që qëndrojnë pas tyre, duke përfshirë konceptet e salafizmit, xhihadizmit dhe takfirizmit. Kjo qasje e bën analizën më të thelluar, pasi terrorizmi nuk shihet vetëm si akt dhune, por si rezultat i një procesi të gjatë radikalizimi dhe i një doktrine të ndërtuar mbi interpretime specifike politike dhe fetare.
Një aspekt i rëndësishëm që veçon ky studim është përpjekja për t’i kuptuar shkaqet dhe faktorët nxitës të terrorizmit islamist. Libri argumenton se ky fenomen nuk mund të reduktohet në fanatizëm fetar apo në bindje individuale, por duhet parë në kontekstin më të gjerë të konflikteve politike, destabilitetit shtetëror, margjinalizimit social, luftërave rajonale dhe ndikimeve globale. Përmes modelit makro–mezo–mikro, autori përpiqet të shpjegojë se si faktorët ndërkombëtarë, organizativë dhe individualë ndërveprojnë në krijimin dhe fuqizimin e terrorizmit islamist.
Në vend të etiketimit të përgjithshëm të Islamit si burim i terrorizmit, libri propozon dallime të qarta ndërmjet religjionit, islamizmit politik dhe rrymave radikale që instrumentalizojnë fenë për qëllime politike. Kjo qasje jo vetëm që forcon seriozitetin shkencor të studimit, por kontribuon edhe në ruajtjen e balancës ndërmjet sigurisë dhe respektimit të lirive fetare dhe të drejtave të njeriut.
Nga këndvështrimi i këtij libri, terrorizmi islamist nuk paraqitet si produkt i drejtpërdrejtë i fesë islame, por si një fenomen modern, politik dhe ideologjik që përdor fenë si instrument legjitimues për dhunë dhe ndikim strategjik. Përmes një qasjeje të balancuar, juridikisht të argumentuar dhe teorikisht të mbështetur, studimi synon të çlirojë analizën e terrorizmit islamist nga paragjykimet dhe thjeshtëzimet, duke ofruar një kuptim më të thelluar dhe më racional të këtij fenomeni kompleks.
5. Narrativa me etiketën “terroriste” mbi UÇK-në nga këndvështrimi i këtij libri
Një nga temat më të ndjeshme dhe më të debatueshme që trajtohet në monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” është narrativa mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përdorimi i etiketës “terroriste” në diskurset politike dhe mediatike. Në këtë pjesë të studimit, autori përpiqet ta ndërtojë një analizë juridike dhe konceptuale, duke argumentuar se vlerësimi i UÇK-së nuk mund të bëhet mbi bazën e narrativave politike, por duhet të mbështetet në kriteret e së drejtës ndërkombëtare dhe në natyrën konkrete të konfliktit në Kosovë.
Nga këndvështrimi i këtij libri, etiketa “terroriste” që i është atribuar UÇK-së, veçanërisht në diskursin serb dhe në disa narrativa ndërkombëtare, nuk paraqitet si kategori neutrale juridike, por si pjesë e një debati politik dhe propagandistik. Autori argumenton se përdorimi i këtij termi nuk duhet të mbështetet në perceptime politike apo interesa shtetërore, por në analiza të bazuara në normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe në kriteret që dallojnë terrorizmin nga format e tjera të dhunës politike dhe konfliktit të armatosur. Në këtë kuptim, libri synon ta depolitizojë debatin dhe ta zhvendosë atë në një terren juridik dhe analitik.
Një tjetër ide e studimit është se UÇK-ja duhet parë në kontekstin e luftës së armatosur në Kosovë dhe të së drejtës për vetëvendosje, e jo përmes etiketimeve të përgjithshme që përdoren në konfliktet politike. Autori i trajton dallimet ndërmjet terrorizmit, luftës guerile, kryengritjes së armatosur dhe rezistencës, duke argumentuar se kategorizimi juridik i një force të armatosur kërkon analizë të kujdesshme mbi objektivat, strukturën organizative, raportin me popullsinë civile dhe respektimin e normave të së drejtës humanitare. Përmes kësaj qasjeje, studimi synon të tregojë se jo çdo përdorim i forcës nga aktorë joshtetërorë mund të identifikohet automatikisht si terrorizëm.
Libri sugjeron se termi “terrorizëm” shpesh është përdorur si instrument delegjitimues ndaj lëvizjeve të caktuara politike ose çlirimtare, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër një vlerësim juridik të paanshëm. Në rastin e Kosovës, autori argumenton se vlerësimi i UÇK-së kërkon shqyrtim të kujdesshëm të kontekstit historik, juridik dhe politik, në mënyrë që të shmangen përgjithësimet dhe keqkualifikimet që mund të kenë pasoja të gjera politike dhe historike.
Nga perspektiva metodologjike, trajtimi i narrativës mbi UÇK-në paraqet edhe një shembull të mënyrës se si autori përpiqet ta ruajë një balancë ndërmjet analizës kritike dhe ndjeshmërisë politike. Në vend të një qasjeje emocionale apo apologjetike, libri insiston në përdorimin e kritereve juridike si bazë për interpretim, duke i dhënë përparësi standardeve të së drejtës ndërkombëtare mbi retorikën politike dhe mediatike. Kjo qasje e bën analizën më të qëndrueshme akademikisht dhe më të besueshme në debatet mbi legjitimitetin e aktorëve të konfliktit.
Kësisoj, narrativa mbi UÇK-në trajtohet si një çështje që kërkon ndarje të qartë ndërmjet interpretimit politik dhe vlerësimit juridik. Monografia argumenton se kategorizimi i një force si “terroriste” nuk mund të mbështetet në etiketime politike apo propagandistike, por duhet të bazohet në analiza të standardizuara juridike dhe në kontekstin konkret të konfliktit. Në këtë mënyrë, studimi synon të kontribuojë në një debat më të balancuar dhe më të argumentuar mbi një nga temat më të ndjeshme të historisë së re të Kosovës.
6. Roli i shteteve në terrorizëm
Në monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, roli i shteteve në terrorizëm trajtohet si një ndër dimensionet më komplekse dhe më të debatueshme të fenomenit të terrorizmit bashkëkohor. Ndryshe nga qasjet tradicionale që terrorizmin e lidhin kryesisht me aktorët joshtetërorë, ky studim argumenton se shtetet kanë një rol të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në shfaqjen, mbështetjen dhe instrumentalizimin e terrorizmit për interesa politike, strategjike apo gjeopolitike. Në këtë aspekt, terrorizmi si kërcënim ndaj shtetit, paraqitet edhe në raste të caktuara edhe si instrument që mund të përdoret nga vetë shtetet ose nga aktorë të sponsorizuar prej tyre.
Një nga konceptet kryesore që trajton libri është terrorizmi shtetëror, i cili përkufizohet si përdorim sistematik i frikës, represionit dhe dhunës nga vetë aparati shtetëror ndaj popullsisë apo kundërshtarëve politikë. Në këtë formë, terrori nuk ushtrohet nga grupe të jashtme apo ilegale, por nga institucionet e pushtetit për ta ruajtur kontrollin politik, për ta shtypur opozitën ose që të imponojë bindje ideologjike. Terrorizmi shtetëror paraqet një nga format më të rrezikshme të terrorit, pasi posedon kapacitete institucionale, juridike dhe ushtarake shumë më të mëdha sesa organizatat terroriste joshtetërore.
Autori veçon faktin e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti, ku shtetet nuk veprojnë drejtpërdrejt, por mbështesin organizata të ndryshme përmes financimit, trajnimit, armatimit apo mbrojtjes politike. Kjo mbështetje ka qëllime të ndryshme: destabilizim të rivalëve rajonalë, ushtrim presioni politik apo realizim të interesave strategjike pa hyrë në konflikt të hapur ushtarak. Autori argumenton se në realitetin bashkëkohor, shtetet përdorin forma indirekte të ndikimit, duke mbështetur aktorë joshtetërorë për të ruajtur një distancë formale nga veprimet e dhunshme, ndërsa njëkohësisht përfitojnë nga efektet politike apo strategjike të tyre.
Kështu autori na e sqaron se roli i shteteve në terrorizëm lidhet ngushtë edhe me konceptin e luftës hibride, ku terrorizmi bëhet pjesë e strategjive më të gjera destabilizuese. Në këtë kontekst, shtetet përdorin kombinim të mjeteve politike, ekonomike, informative dhe të sigurisë për të ushtruar ndikim mbi shtete të tjera, duke përfshirë edhe instrumentalizimin e grupeve të dhunshme ose nxitjen e tensioneve etnike, fetare apo politike. Me rëndësi në analizën e autorit është përpjekja për ta bërë dallimin ndërmjet terrorizmit shtetëror, terrorizmit të sponsorizuar nga shteti dhe terrorizmit joshtetëror, me qëllim që të shmangen konfuzionet konceptuale. Përmes këtyre dallimeve, libri argumenton se jo çdo formë dhune politike mund të klasifikohet njësoj dhe se vlerësimi juridik i rolit të shtetit kërkon analiza të kujdesshme mbi atribuimin e përgjegjësisë, nivelin e kontrollit dhe natyrën e mbështetjes së ofruar.
7. Ndikimet hibride në Ballkan
Në monografinë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, ndikimet hibride në Ballkan trajtohen si një nga sfidat më të rëndësishme të sigurisë bashkëkohore, veçanërisht në kontekstin e Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës. Lufta hibride si konflikt klasik ushtarak, kuptohet më shumë si një strategji komplekse dhe shumëdimensionale që kombinon instrumente politike, informative, ekonomike, psikologjike dhe në raste të caktuara edhe elemente të terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar për të ushtruar ndikim dhe destabilizim. Ballkani Perëndimor mbetet një hapësirë veçanërisht e ndjeshme ndaj operacioneve hibride për shkak të trashëgimisë historike të konflikteve etnike.
Në analizën e tij, libri i kushton vëmendje të veçantë rolit të Federatës Ruse, Serbisë dhe Republikës Popullore të Kinës në operacionet hibride në Ballkanin Perëndimor. Sipas këndvështrimit të autorit, këta aktorë përdorin mjete të ndryshme të ndikimit, duke përfshirë propagandën mediatike, dezinformimin, presionin ekonomik, instrumentalizimin e narrativave historike dhe nxitjen e tensioneve identitare. Ky fenomen nuk paraqitet domosdoshmërisht si veprim i drejtpërdrejtë agresiv, por si një proces gradual ndikimi që synon dobësimin e orientimit euroatlantik të vendeve të rajonit dhe rritjen e ndikimit strategjik në zonë.
Edhe trajtimi i dezinformimit si armë kryesore e luftës hibride ka interesanalize te ky libër. Argumentohet se në epokën digjitale, informacioni është shndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik dhe psikologjik. Përmes mediave tradicionale, rrjeteve sociale dhe platformave digjitale, mund të përhapen narrativa destabilizuese, lajme të manipuluara apo interpretime të njëanshme të ngjarjeve, me qëllim krijimin e mosbesimit ndaj institucioneve dhe tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike apo politike. Në këtë kuptim, lufta hibride nuk zhvillohet vetëm në terren ushtarak, por edhe në hapësirën informative dhe perceptuese të shoqërisë.
Libri e trajton Kosovën si një objekt specifik të ndikimeve hibride, për shkak të statusit të tij ndërkombëtar, tensioneve me Serbinë dhe pozitës gjeostrategjike në rajon. Sipas analizës së autorit, operacionet hibride ndaj Kosovës shfaqen përmes narrativave delegjitimuese, tensioneve të nxitura politike dhe përpjekjeve për dobësimin e funksionalitetit institucional. Për këtë arsye, autori thekson rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, rezistencës shoqërore ndaj dezinformimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.
8. Përmasa praktike e librit
Një nga veçoritë më të rëndësishme të monografisë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” është përmasa e saj praktike, që e bën këtë vepër të vlefshme si në aspektin teorik dhe akademik, ashtu edhe në përdorimin konkret profesional dhe institucional. Ndryshe nga studimet që mbeten kryesisht në nivel abstrakt apo konceptual, ky libër përpiqet të ndërtojë një ndërlidhje ndërmjet teorisë dhe praktikës, duke ofruar analiza, klasifikime dhe instrumente konceptuale që përdoren drejtpërdrejt në kuptimin dhe trajtimin e fenomeneve të sigurisë bashkëkohore. E, pra, ky libër funksionon si tekst studimor, por funksionon edhe si udhërrëfyes praktik për kategori të ndryshme profesionale.
Një tjetër aspekt praktik i rëndësishëm i librit qëndron në qartësinë klasifikuese të fenomenit të terrorizmit. Autori bën përshkrime të përgjithshme, por kalon edhe në nkë rrafsh më të lartë: ndërton kategori të qarta sipas motiveve ideologjike, subjektit veprues, metodave të veprimit, objektivave të sulmit dhe shtrirjes gjeografike të terrorizmit. Këto me rëndësi teorike, shërbejnë edhe si mjete praktike për profesionistët e sigurisë, juristët dhe institucionet shtetërore për të kuptuar më saktë natyrën e kërcënimeve dhe për të ndërtuar politika më efektive të reagimit dhe parandalimit.
Për institucionet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, libri ofron një bazë të rëndësishme për identifikimin dhe diferencimin e formave të ndryshme të terrorizmit, duke shmangur konfuzionin që mund të lindë nga përdorimi i paqartë i terminologjisë. Dallimi ndërmjet radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe analiza e terrorizmit shtetëror, terrorizmit të sponsorizuar nga shteti dhe atij joshtetëror, krijon mundësi për një qasje më të saktë dhe proporcionalisht më të drejtë në ndërtimin e strategjive të sigurisë. Ky shtjellim ka rëndësi të veçantë në kohën kur politikat kundër terrorizmit ballafaqohen me dilema ndërmjet nevojës për siguri dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut.
Për gazetarët dhe analistët, monografia shërben si burim i rëndësishëm për përdorimin korrekt të terminologjisë dhe për trajtimin profesional të temave të ndjeshme të sigurisë. Kur termi “terrorizëm” shpesh përdoret në mënyrë të pasaktë apo emocionale në media, libri ndihmon në ndërtimin e një qasjeje më të kujdesshme dhe më të argumentuar ndaj raportimit publik. Në këtë mënyrë, ai kontribuon jo vetëm në edukimin profesional, por edhe në ngritjen e cilësisë së debatit publik mbi çështjet e sigurisë dhe konfliktit.
Po ashtu, libri ka vlerë praktike edhe në arsim dhe formim profesional, pasi mund të përdoret si literaturë referuese për studentët e drejtësisë, sigurisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, kriminalistikës dhe shkencave politike. Përmes strukturës së qartë, tabelave krahasuese dhe analizave tematike, studimi krijon mundësi për të kuptuar më lehtë një fenomen të ndërlikuar dhe për ta lidhur teorinë me realitetin konkret të zhvillimeve ndërkombëtare dhe rajonale.
9. Kontributi i librit në literaturën shqipe dhe një vështrim kritik i matur
Një nga vlerat më të rëndësishme të monografisë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit” qëndron në kontributin e saj të drejtpërdrejtë në literaturën akademike shqipe, veçanërisht në një fushë kaq komplekse dhe pak të trajtuar si terrorizmi. Në hapësirën shqipfolëse, studimet e thelluara, sistematike dhe ndërdisiplinore mbi terrorizmin kanë qenë relativisht të kufizuara, të fragmentuara ose të fokusuara vetëm në dimensione të veçanta juridike apo politike. Në këtë kontekst, kjo monografi paraqitet si përpjekje serioze për ta ndërtuar një vepër gjithëpërfshirëse, e cila jo vetëm e trajton terrorizmin si fenomen global, por e vendos atë edhe në raport me zhvillimet rajonale dhe kontekstin e Ballkanit Perëndimor.
Kontributi i kësaj vepre bëhet edhe më i rëndësishëm kur merret parasysh mungesa e literaturës së specializuar në gjuhën shqipe mbi klasifikimin, tipologjinë dhe evolucionin bashkëkohor të terrorizmit. Libri gërsheton trajtimin klasik të terrorizmit si akt dhune apo kërcënim sigurie, me një aparat të gjerë konceptual dhe juridik, duke analizuar terrorizmin sipas ideologjisë, subjektit veprues, shtrirjes gjeografike, metodave të veprimit, objektivave të sulmit dhe funksionit strategjik. Për këtë arsye, monografia mbush një boshllëk në literaturën shqipe dhe krijon një bazë solide teorike dhe metodologjike për studiuesit e ardhshëm që do të merren me tema të ngjashme në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në fund, do theksuar se një nga treguesit më të rëndësishëm të seriozitetit shkencor të një monografie është edhe përbërja profesionale dhe akademike e redaksisë së saj. Në rastin e monografisë “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, prania e redaktorëve, recensentëve dhe korrektuesve me përvojë të gjerë akademike dhe institucionale ko mbëtare e ndërkombëtare, i jep veprës një nivel të lartë besueshmërie, profesionalizmi dhe autoriteti shkencor. Për një lexues akademik apo profesional, kjo përbërje nuk përfaqëson vetëm formalitet botues, por një tregues të rëndësishëm të cilësisë metodologjike dhe seriozitetit të trajtimit të temës.
Serioziteti i veprës reflektohet fillimisht në angazhimin e Prof. Dr. Pajtim Ribajt si redaktor i librit, profesor nga Akademia e Forcave të Armatosura në Tiranë. Përfshirja e një figure akademike nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes tregon se libri është trajtuar dhe mbikëqyrur nga një perspektivë profesionale dhe strategjike, e lidhur drejtpërdrejt me studimet e sigurisë dhe çështjet e terrorizmit. Kjo i jep monografisë jo vetëm peshë akademike, por edhe relevancë praktike në raport me institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes. Veçanërisht domethënëse është përfshirja e Prof. Dr. James F. Albrecht, profesor i Criminal Justice and Homeland Security në Pace University. Pjesëmarrja e një akademiku amerikan nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë penale i jep veprës dimension ndërkombëtar dhe dëshmon se studimi është vlerësuar edhe sipas standardeve më të gjera akademike dhe profesionale të studimeve të sigurisë. Kjo përforcon bindjen se monografia nuk është një trajtim lokal apo i izoluar, por një punim që synon të komunikojë edhe me diskursin ndërkombëtar mbi terrorizmin.
Po ashtu, serioziteti akademik i librit reflektohet në recensimin nga Prof. Dr. Azem Hajdari nga Universiteti i Prishtinës, një figurë e njohur në fushën juridike. Përfshirja e një profesori të së drejtës e forcon bazën juridike të studimit dhe garanton kontroll profesional mbi trajtimin konceptual dhe normativ të terrorizmit. Ndërkohë, pjesëmarrja e Prof. Asoc. Dr. Dr. Xhavit Shalës nga Akademia e Sigurisë në Tiranë shton dimensionin institucional dhe profesional të analizës së sigurisë, duke dëshmuar për një vlerësim shumëplanësh të veprës nga ekspertë të fushave të ndryshme.
Përveç rëndësisë që ka në fushën e sigurisë dhe të studimeve mbi terrorizmin, kjo monografi krijon interes edhe në fusha të tjera të dijes, pasi lexuesit ndeshen vazhdimisht me terma dhe përbërës analitikë si: klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit. Këto nocione nuk janë të kufizuara vetëm në studimin e terrorizmit, por përfaqësojnë kategori themelore metodologjike që përdoren gjerësisht edhe në juridik, sociologji, shkenca politike, kriminalistikë, psikologji sociale dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, libri nuk ka vlerë vetëm si studim tematik, por edhe si model i organizimit dhe sistemimit shkencor të një fenomeni kompleks.
Kontributi i rëndësishëm autorial qëndron edhe në aftësinë e tij për të krijuar ura ndërmjet akademisë dhe praktikës institucionale. Klshtu, vepra mund të përdoret edhe nga studiuesit dhe studentët, por edhe nga juristët, profesionistët e sigurisë, gazetarët dhe politikëbërësit që kanë nevojë për qasje të argumentuara dhe të bazuara në standarde juridike në trajtimin e terrorizmit dhe fenomeneve të lidhura me të. Kjo e shton ndikimin potencial të studimit, duke e bërë atë më shumë se një tekst akademik; e bën një pikë reference për diskutimet dhe praktikat profesionale në të ardhmen.
Megjithatë, një analizë akademike e balancuar kërkon edhe një vështrim kritik të matur. Për shkak të gjerësisë tematike dhe densitetit teorik, vepra në disa pjesë kërkon përqendrim të lartë nga lexuesi i zakonshëm, veçanërisht për ata që nuk kanë parapërgatitje në fushën juridike, të sigurisë apo marrëdhënieve ndërkombëtare. Përdorimi i terminologjisë akademike, klasifikimeve të shumta dhe analizave të detajuara mund ta bëjë leximin më sfidues për publikun e gjerë. Megjithatë, kjo nuk e zbeh vlerën shkencore të librit; përkundrazi, dëshmon seriozitetin metodologjik dhe përkushtimin e autorit për të ndërtuar një studim të argumentuar dhe profesionalisht të qëndrueshëm.
(Maj 2026)
