Zv. Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Sheqerinska, u takua me zyrtarë të presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës. Ajo mori pjesë në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut (The North Atlantic Council, NAC).
Nga Dr. Selim IBRAIMI / Njujork
Sheqerinska gjatë takimeve në Sarajevë, theksoi angazhimin e NATO-s ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës dhe rëndësinë që paqja dhe siguria e qëndrueshme në vend dhe stabiliteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor kanë për sigurinë në zonën euroatlantike.
Ajo tha se mbetet e kënaqur me shkëmbimin e pikëpamjeve dhe vazhdimin e një dialogu të fuqishëm të nivelit të lartë midis NATO-s dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.
Kjo nuk është vizita e parë e as e fundit e zyrtarëve të lartë të NATO-s apo të BE-së në Sarajevë dhe në Srpska Republika.
Ajo që mungon në të gjitha takimet është siguria e vërtetë apo garancitë se Bosnja dhe Hercegovina do të mbetet e njëjta në vitet që vijnë. Pse kjo dilemë?
Mund të duket shumë e lehtë për të huajt, por shumë e rëndë nëse në këtë kohë të paqartësive globale dhe rënies së interesimit, Bosnja dhe Hercegovina, nuk do të bëhet pjesë e ridefinimeve të ardhshme ballkanike.
Parë të gjitha ngjarjet në Srpska Republika, shihet se shtetit po i mungon uniteti se si të vazhdohet më tej.
Bosnja dhe Hercegovina tani ka nevojë për një autoritet të fortë për të luftuar politikat e Srpska Republika dhe grupeve të tjera, të cilat përpiqen të rënojnë Marrëveshjen e Dejtonit (1995).
Me vite sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare patën efekte të kufizuara.
Ish-udhëheqësit i Srpska Republika, Millorad Dodik, edhe pse jashtë qeverisjes, u hoq së fundi nga lista e sanksioneve të SHBA-së.
Ai është ende në listën e zezë të BE-së, por kur partnerët ndërkombëtarë nuk punojnë së bashku, situata mbetet e ndërlikuar duke ju lënë hapësirë individëve si Dodik të funksionojë edhe nga jashtë. Andaj zyrtarët e huaj do të duhej që pikërisht të adresonin këto shqetësime.
Nuk është vetëm Dodiku këtu, janë Serbia dhe Rusia po ashtu në lojën për dëmtimin e federatës boshnjake.
Përveç aktiviteteve të brendshme të rënimit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbia ka rol kryesorë në këtë drejtim.
Që nga viti 1991 e më pas Beogradi i ka nënvlerësuar përpjekjet e brendshme e të jashtme për stabilizimin e situatës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Përveç pjesëmarjeve të drejtpërdrejta në luftën e 1992-95, Serbia bashkë me serbet e Bosnjë dhe Hercegovinës vazhdojnë të mbeten një ndër kërcënuesit kryesorë të sovranitetit dhe integritetit territorial të federatës boshnjake.
Për të çuar idetë e planet e vjetra të zgjerimit apo të ndikimit serb, Serbia po blen shumë armë nga jashtë.
Serbia me modernizimin e ushtrisë me pajisje të reja do të jetë një ndër shtetet që do të sfidojë Sarajevën zyrtare dhe fqinjtë duke përfshirë Kosovën.
Kështu së fundi presidenti serb Aleksandër Vuçiç gjatë një fjalimi në Beograd u mburr me forcën e ushtrisë serbe.
Rrjeti NI njoftoi se Vuçiçi ka thënë se Serbia nga Izraeli ka marë armët më të fuqishme në botë.
“Sot, ata nuk mund të na shtypin më si buburreca.” Vuçiçi shtoi se Serbia tani ka “armët më të fuqishme në botë nga Izraeli” dhe mund të “rrëzojë 200 deri në 250 aeroplanë, jo dy ose tre” nëse do të ndodhte përsëri një fushatë bombardimi si sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999.
Federata boshnjake po kalon nëpër mes shumë vështirësive.
Zgjedhjet kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë do të mbahen në 4 tetor të 2026- ës. Dekadat e paqëndrueshmërisë politike dhë përpjekjet separatiste të liderëve serbë vazhdojnë të pengojnë reformat drejt BE-së apo anëtarësimit në NATO.
Nga lufta e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë humbën jetën mbi 100 mijë qytetarë.
Forcat ndërkombëtare paqëruajtëse të EUFOR-it dhe Përfaqësuesi Ndërkombëtar civil janë shtyllat kryesore të ruatjes së paqes së brishtë. Misionet ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë nga fillimi i vitit 1995 e deri më sot kanë evoluar në numra dhe në emërtime duke filluar nga IFOR, SFOR etj.
Vizitat ndërkombëtare pa garanci të forta se bota nuk do të tërhiqet prej kërcënimeve serbe të shpërbërjes së federatës boshnjake, mund të vlerësohen si protokollare.
Zotimet nuk duhet të mbeten vetëm në nivelin e premtimeve diplomatike që në situatën aktuale ndërkombëtare konsiderohen si sinjale të gabuara për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përderisa të kalohet nga deklaratat në sanksione konkrete, rreziku i shpërbërjes së federatës boshnjake do të mbetet aktual.
