Pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së dhe Evropës, furnizuesit kinezë të telekomunikacionit mbeten të vendosur në Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga Ekaterina Kurbangaleeva [Qendra për Analizën e Politikave Evropiane – CEPA]
25 gusht 2026
Që nga viti 2007 në Serbi dhe viti 2008 në Shqipëri, shitësit kinezë të telekomunikacionit — veçanërisht Huawei — janë zgjeruar në të gjithë Ballkanin, duke vendosur infrastrukturë telekomunikacioni 3G dhe 4G, si dhe rrjete mbikëqyrjeje të ndërtuara nga kinezët.
Por të dy vendet, plus Maqedonia e Veriut, premtuan gjithashtu të kufizojnë përfshirjen kineze në 5G. SHBA-ja dhe Evropa i konsiderojnë shitësit kinezë të telekomunikacionit një rrezik sigurie. Këtë maj, Banka Amerikane e Eksport-Importit miratoi financimin e këtij viti për zbatimin e rrjetit 5G të Telekom Srbija-s, në varësi të përdorimit nga operatori të pajisjeve amerikane.
A do të funksionojë lëvizja e fundit e SHBA-së që kufizon ndikimin kinez në Ballkanin Perëndimor, një term i shpikur nga Bashkimi Evropian për të përshkruar gjashtë vendet ballkanike në Evropën Juglindore që kërkojnë anëtarësim në BE? Analiza ime sugjeron që jo. Vendet do të mbeten të varura nga teknologjia kineze.
Pekini e ka bërë një përparësi kyçe ndërtimin e një Rruge Dixhitale të Mëndafshit drejt Ballkanit Perëndimor, dhe Kina mbetet furnizuesi kryesor i pajisjeve të telekomunikacionit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës. Nga viti 2017 deri në vitin 2024 (viti i fundit i disponueshëm), UN Comtrade, një bazë të dhënash e OKB-së për statistikat e tregtisë ndërkombëtare, tregon se Kina përbënte mesatarisht 45% të importeve të pajisjeve të telekomunikacionit në Ballkanin Perëndimor. Në krahasim, furnizuesit e dytë dhe të tretë më të mëdhenj, përbënin secili më pak se 10%.
Ndryshe nga sa pritej, Serbia, e cila shpesh konsiderohet si porta kryesore e Kinës për në Ballkan, nuk është fajtorja kryesore. Pjesa e Kinës në importet e pajisjeve të telekomunikacionit mbeti vazhdimisht e lartë në të pesë vendet, duke filluar nga një mesatare prej 51% në Bosnjë e Hercegovinë deri në 36% në Shqipëri.
Ky model mbeti kryesisht i pandryshuar gjatë tetë viteve të fundit, pavarësisht memorandumeve të mirëkuptimit të SHBA-së dhe thirrjeve të përsëritura nga zyrtarët evropianë. Shqipëria ishte përjashtimi i vetëm, duke raportuar një rënie të shkurtër të shitjeve kineze në vitin 2022.
Pozicioni i fortë i Kinës nuk mund të shpjegohet me “qëllimet e liga” të vendeve të Ballkanit apo me një besnikëri të fortë gjeopolitike ndaj Pekinit. Përkundrazi, ai pasqyron se sa gjerësisht është ngulitur teknologjia kineze në të gjithë rajonin. Dekada të tëra investimesh kineze në shkallë të gjerë, kontrata afatgjata me operatorët kombëtarë të telekomunikacionit dhe donacione bujare për shërbimet e sigurisë kanë krijuar lidhje të forta teknologjike.
Huawei modernizoi infrastrukturën kritike — nga ndërmarrja e energjisë elektrike e Shqipërisë dhe rrjeti i linjës fikse të Serbisë deri te shtylla kurrizore kryesore e telekomunikacionit të Bosnjës. Këto projekte e bënë shitësin kinez një partner strategjik, pothuajse të domosdoshëm. Kostot e ndërrimit janë tepër të larta. Kontrata e re e BH Telecom të Bosnjës me Huawei-n, e nënshkruar në nëntor 2024, pasqyron këtë varësi.
Depërtimi i mjeteve të mbikëqyrjes të shitura si zgjidhje të Qyteteve të Mençura meriton vëmendje të veçantë. Kina eksporton platforma cloud dhe menaxhim të trafikut, nga reagimi ndaj emergjencave deri te njohja e fytyrës. Ajo furnizoi infrastrukturë kyçe IT për Qendrën Shtetërore të të Dhënave Kragujevc të Serbisë, një qendër e madhe për të dhënat qeveritare dhe shërbimet dixhitale, si dhe për të paktën tre qytete serbe dhe kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevën. Rrjetet dixhitale të ndërtuara nga kinezët drejtojnë institucione arsimore në të gjithë Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Ashtu si garancia e kredisë së SHBA-së për Serbinë, Evropa po përpiqet të ofrojë disa alternativa demokratike. Agjencia gjermane e zhvillimit GIZ po financon projekte të të dhënave të qeverisjes vendore në pesë qytete serbe që përfshijnë furnizimin inteligjent me ujë dhe rrjetet inteligjente të parkimit. Por dokumentet e rrjedhura tregojnë se autoritetet serbe vazhdojnë të blejnë pajisje Huawei për të zgjeruar kapacitetin e mbikëqyrjes së shtetit.
Shprehja kineze 慢慢来 — “merre me ngadalë” ose “ec me ritmin tënd” thekson durimin dhe progresin gradual. Gjurma dixhitale e Kinës në Ballkanin Perëndimor ka evoluar në të njëjtën mënyrë: dy dekada bashkëpunimi midis qeverive të Ballkanit, operatorëve të telekomunikacionit dhe komuniteteve profesionale kanë krijuar një shputë të thellë dixhitale. Ndryshimi i kësaj trajektoreje po rezulton shumë më i vështirë. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Ekaterina Kurbangaleva është një Studiuese në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), e lidhur me Programin e Rezistencës Demokratike, dhe një Studiuese Vizitore në Institutin për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike në Universitetin George Washington.
Bandwidth është revista online e CEPA-s e dedikuar për avancimin e bashkëpunimit transatlantik mbi politikat teknologjike. Të gjitha mendimet e shprehura mbi Bandwidth janë vetëm ato të autorit dhe mund të mos përfaqësojnë ato të institucioneve që ata përfaqësojnë ose të Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane. CEPA mban një politikë të rreptë të pavarësisë intelektuale në të gjitha projektet dhe botimet e saj.
