Nga Dr. Sadri RAMABAJA
1. Hyrje
Raundi i parë i zgjedhjeve të pesta lokale të Republikës dëshmuan një maturim të theksuar politik të elektoratit edhe përmes ngushtimit të hapësirës diferencuese mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Republikës miratoi listën zgjedhore për raundin e dytë, të planifikuar për 9 nëntor 2025. Ato do të mbahen në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë. Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Ndër komunat që priten me interesim të madhë dhe që me gjasë do të kenë impakt në zgjedhjet e parakohshme janë: Prishtina dhe Mitrovica.
2. Zgjedhjet lokale të Kosovës 2025: maturimi demokratik dhe reflektimet e pushtetit qendror
Zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, të pestat pas çlirimit të Kosovës, u shndërruan në një provë të rëndësishme për konsolidimin institucional dhe pjekurinë demokratike të vendit. Ato nuk ishin vetëm një garë për pushtet lokal, por një test për raportin midis qeverisjes qendrore dhe besimit qytetar ndaj proceseve demokratike që i përkasin ende një shoqërie në tranzicion.
Në dallim nga ciklet e mëhershme, këto zgjedhje karakterizohen nga një pjesëmarrje më e vetëdijshme, nga një debat më i fokusuar në çështje të qeverisjes lokale dhe një balancim i ri politik që reflekton dinamikat e pushtetit qendror.
Gjatë mandatit të dytë, pas rikthimit të furishëm më 14 shkurt 2021, që e kam cilësuar si një revolucion I heshtur demokratik, kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, në krye të të cilës ai është, si një forcë progresive nga më të profiluarat në Europën Jugindore, përgjaët gjithë mandatit të plotë që ishte në pushtet vazhduan me përmbushjen e premtimit elektoral për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe strukturat paralele të pushtetit që kishin abuzuar për dy dekada rresht me pushtetin dhe kishin defunksionalizuar Republikën.
Përballja e Qeverisë Kurtit 2 me oligarkët dhe olhokratët që ndrkohë kishin humbur pushtetin e tyre, por vazhdonin të mbanin peng segmente të tëra të shtetit, me theks sistemin e drejtësisë dhe atë medial, që nga dita e parë e rikthimit në pushtet provokoi rezistencë në të dy nivelet e pushtetit dhe me theks në mediat që kanë oligarkët në zotërim. Kjo përballje, në të njëjtën kohë, prodhoi efekte pozitive tek shtresa të tëra të shoqërisë, sidomos në qendrat urbane, të lodhura tashmë nga klientelizmi dhe institucionet e kapura. Modeli i ri i qeverisjes lokale i aplikuar ndërkohë në komunat ku Lëvizja Vetëvendosje kishte pushtetin dhe qsja ” zero kompromis ” ndaj korrupsionit ndërkohë u vlerësua jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga vëzhguesit e huaj si një “shenjë dalluese e qeverisë së tij dhe një element përcaktues i identitetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje.”1
Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale, me theks në komunat ku ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje, por edhe ato në qendrat e mëdha urbane tregojnë se kjo politikë ka dhënë frytet e duhura. Lëvizja Vetëvendosje tashmë është ngritur në forcë politike konkuruese, duke dalë e para ose e dyta në të gjitha qendrat e mëdha urbane, veçanërisht në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Gjilan. Shih për këtë, mund të thuhet se po afirmohet tutje imazhi i kryeministrit si “një udhëheqës reformist dhe simbol i qëndrueshmërisë politike.”2
3. Maturimi politik dhe sinjalet e reja të elektoratit
Në analizën politike të këtyre zgjedhjeve vërehet se elektorati kosovar po kalon nga vota emocionale në votën racionale. Kjo është shenjë e qartë e një maturimi politik të shoqërisë kosovare, e cila gjithnjë e më shumë gjykon mbi bazën e performancës së institucioneve dhe jo të identiteteve partiake.
Ky zhvillim lidhet me konceptin e poliarhisë që artikulon Robert A. Dahl, sipas të cilit një demokraci e vërtetë nuk matet me frekuencën e zgjedhjeve, por me cilësinë e pjesëmarrjes, konkurrencës dhe llogaridhënies publike.3
Pavarësisht këtij fakti pozitiv, kultura jonë politike që ndërlidhet me “shpërblimin e menjëhershëm, prirja për t’u mahnitur nga pamja më shumë se nga përmbajtja”, siç do të shprehej filozofi ynë Sead Zimer4 nuk kishte si të mos prodhonte “një mënyrë të re të të menduarit politik, ku rëndësi merr jo ajo që arrihet realisht, por ajo që duket si arritje.”5
Sidoqoftë, rezultatet e 12 tetorit treguan një ngushtim të diferencës midis pushtetit lokal dhe atij qendror, duke dëshmuar se qeverisja lokale nuk është më periferike, por një hapësirë reale legjitimiteti politik. Kjo rritje e autonomisë lokale e afron Kosovën me parimin evropian të subsidiaritetit demokratik, ku vendimmarrja ndodh sa më afër qytetarit6.
Ky proces pasqyron një europianizim gradual të kulturës politike në Kosovë, ku pushteti vendor po shndërrohet në arenë të eksperimentimit demokratik, jo thjesht në instrument elektoral të partive të mëdha.
Duket se gabimi strategjik i opozitës, me theks i liderit të AAK-së dhe një qarku gazetarësh të ngritur me sforcim në cilësinë e analistëve, ishte përqëndrimi I betejës kundër personalitetit të kryeministrit Albin Kurti, duke mos u kursyer retorikën as nga akuzat më banali se gjoja me agjendën e tij politike “është vënë në shërbim të Serbisë dhe Rusisë”!
4. Dimensioni progresist: Pranimi në Partinë e Socialistëve Evropianë
Një moment politik i veçantë në këtë periudhë ishte pranimi i Lëvizjes Vetëvendosje si anëtare e asociuar në Partinë e Socialistëve Evropianë (PES/S&D) në vitin 2025.
Ky veprim, përtej simbolikës partiake, përfaqëson një formë të institucionalizuar të legjitimitetit ndërkombëtar të VV-së, duke e futur lëvizjen në rrjetin ideologjik më të rëndësishëm të qendrës së majtë evropiane.
Kjo anëtarësi shënon prezencë të plotë dhe aktive të Kosovës në orbitën e socialdemokracisë evropiane, e cila përmes PES-it ka qenë tradicionalisht promotore e vlerave të drejtësisë sociale, barazisë dhe solidaritetit ndërkombëtar².
Në mënyrë strategjike, kjo lëvizje i mundëson Kurtit që të artikulojë politikën e tij progresive brenda një kornize evropiane, duke e lidhur drejtpërdrejt me rrjedhat ideologjike që dominojnë në Parlamentin Evropian.
Për vetë PES-in, integrimi i Vetëvendosjes në këtë familje të forcave progresive europiane përbën një zgjerim të gjeopolitikës progresive në Ballkan, në një kohë kur rajoni përballet me influenca autoritare, populiste dhe konservatore.
Kështu, Vetëvendosje po konsolidohet si forca më e identifikueshme e majtë në rajon, duke i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit ndërpartiak progresiv në Evropën Juglindore7.
5. “Izolimi” si retorikë: Kosova aleat i besueshëm i partnerëve perendimor
Në vitin e fundit të mandatit të Qeverisë Kurti II (2024–2025), u vu re një konvergjencë e qartë midis qëndrimeve të qeverisë së Kosovës dhe atyre të aleatëve kryesorë perëndimorë, veçanërisht në fushën e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes rajonale.
Kjo u shpreh përmes ristrukturimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në përputhje me standardet e NATO-s, si dhe përmes intensifikimit të bashkëpunimit trepalësh me Shqipërinë dhe Kroacinë, në kuadër të marrëveshjeve të mbrojtjes kolektive dhe koordinimit strategjik.
Sipas analistëve të sigurisë, kjo fazë shënoi një shndërrim të Kosovës nga objekt sigurie në subjekt sigurie, duke u pozicionuar si aktor konstruktiv në arkitekturën mbrojtëse të Evropës Juglindore8.
Ky ripozicionim strategjik u mbështet hapur nga partnerët euroatlantikë — SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca — të cilat, përmes kanaleve të tyre diplomatike dhe deklaratave publike, kanë mbështetur përpjekjet e qeverisë Kurti për forcimin e sovranitetit shtetëror dhe stabilitetit rajonal.
Në këtë drejtim, Qeveria Kurti II arriti të krijojë një koherencë politike midis agjendës së saj të brendshme reformuese dhe vizionit të partnerëve ndërkombëtarë për një Ballkan më të sigurt dhe më demokratik.
Ky hap simbolizon gjithashtu përafrimin ideologjik të Kosovës me rrjedhën kryesore të demokracisë sociale evropiane, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të thellë me partnerët në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, Turqia ofroi mbështetje të konsiderueshme përmes bashkëpunimit ushtarak dhe teknik, duke përfshirë donacionet e dronëve Bayraktar – një sinjal i qartë i partneritetit strategjik midis Ankarasë dhe Prishtinës. Kjo mbështetje shtrihet përtej aspektit thjesht ushtarak, duke mbajtur një peshë të konsiderueshme politike dhe diplomatike dhe duke riafirmuar rolin e Turqisë si një aktor stabilizues në Ballkan.
Ky impenjim i Turqisë dhe miqve tjerë, do të kurorëzohet me njohjen e Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë partneri kryesor i Kosovës, duke ofruar mbështetje politike, ushtarake dhe diplomatike, duke përfshirë praninë e misionit KFOR të NATO-s dhe ndihmën në forcimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës. Angazhimi i Uashingtonit nënvizon rëndësinë strategjike të Kosovës për stabilitetin rajonal dhe arkitekturën më të gjerë të sigurisë së Ballkanit, ndërsa njëkohësisht përforcon imazhin e Kurtit si një lider i aftë për të balancuar integrimin evropian me interesat transatlantike.
Efekti i kombinuar i mbështetjes evropiane, turke dhe amerikane e ka forcuar më tej statusin e Kosovës si një aleat i besueshëm brenda kuadrit perëndimor të sigurisë dhe politikës, respektivisht brenda hemisferës gjeopolitike të perendimit, ndërkaq imazhi ndërkombëtar i Kurtit është afirmuar si ai i një udhëheqësi të gjeneratës së re të aftë për të kombinuar një axhendë reformash me diplomacinë rajonale dhe vizionin strategjik.
6. Balotazhi dhe ndikimi në dinamikat qendrore të pushtetit
Balotazhi i planifikuar për 9 nëntor 2025 pritet të ketë jehonë të drejtpërdrejtë në politikën qendrore. Ai do të shërbejë si tregues i forcës reale të partive në terren, por edhe si matës i legjitimitetit moral të qeverisë aktuale.
Nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin të zgjerojë bazën e saj lokale, kjo do të interpretohet si konfirmim i besimit publik ndaj modelit të saj të qeverisjes dhe do ta forcojë pozitën e saj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në dhjetor 2025.
Në të kundërt, nëse partitë tradicionale si LDK apo PDK arrijnë të rikuperojnë terren nëpër komuna strategjike, kjo do të sinjalizojë një ribalancim të pushtetit politik dhe një fragmentarizim të peizazhit elektoral, i cili mund ta komplikojë ndërtimin e shumicës së ardhshme qeverisëse.
Ky zhvillim ilustron një tipar të demokracive në tranzicion që Samuel P. Huntington e ka përkufizuar si “demokraci të konsoliduara nëpërmjet rivalitetit të vazhdueshëm të elitave”.
Në këtë kuptim, balotazhi i 2025-ës nuk është vetëm një raund elektoral shtesë, por një mini-referendum për drejtimin e ardhshëm të shtetit.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, që shënuan fundin e dominimit të gjatë të elitave tradicionale të dala nga paslufta, pushteti lokal mbeti i vetmi instrument i mbijetesës politike për PDK-në dhe LDK-në.
Në mungesë të legjitimitetit elektoral në nivel qendror, këto dy parti e shndërruan administratën lokale në një mekanizëm klientelist – një rrjet kontrolli dhe favorizimi që u mundësoi ruajtjen e ndikimit në terren dhe mbijetesën financiare e organizative.
Në këtë kuptim, pushteti lokal nuk u konceptua si hapësirë e autonomisë qytetare, por si zgjatim i sistemit të patronazhit politik, ku punësimet, kontratat publike dhe subvencionet shërbenin për të mbajtur gjallë strukturat partiake në mungesë të një projekti politik të ri.
Kjo qasje shpjegon pse as PDK, as LDK nuk reflektuan pas 2021-it, edhe pse humbja e tyre shënoi një ndërprerje historike në raport me periudhën 2000–2020.
Koalicionet që tashmë po formohen në prag të balotazhit të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025, ndërmjet PDK-së, LDK-së, e pjesërisht edhe AAK-së, nuk mund të lexohen thjesht si manovra lokale për pushtet komunal.
Ato janë, në thelb, një provë gjenerale e rikonfigurimit të kampit tradicional, një uverturë për bashkëpunim të mundshëm paszgjedhor në nivel qendror, me synimin për të balancuar fuqinë e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit 2025.
Ky bashkërendim i forcave tradicionale, megjithëse pa një platformë ideologjike të përbashkët, ka natyrë mbrojtëse: është koalicion për mbijetesë politike, që synon ruajtjen e një “ekuilibri të vjetër pushteti” përballë kulturës politike të re që përfaqëson Vetëvendosje.
Në fakt, kjo sjellje e të ashtuquajturave parti tradicionale flet më shumë për makthin që i ka pushtuar liderët e tyre, prandaj ata nuk kanë çarë kokën për reforma e ndryshim, por janë përqëndruar të gjejnë rrugë për ta menaxhuar humbjen që i pret.
Lëvizja Vetëvendosje pritet të ruajë avantazhin e saj në shumicën e komunave ku po garon në raundin e dytë. Por përballja do të jetë më e ashpër pa dyshim në qendrat urbane ku tashmë janë formuar koalicione lokale kundër kandidatëve të VV-së. Sidoqoftë, përcaktuese për rrjedhën e zgjedhjeve të nivelit qendror të pritshme – të dhjetorit, do të jenë Prishtina dhe Mitrovica, pa përjashtuar as qendrat tjera që janë në balotazh veç e veç.
7. Zgjedhjet: Në kërkim të ekuilibërit midis dinjitetit kombëtar dhe orientimit pragmatik evropian
Kosova ndërkohë ndodhet mes dy cikleve politike – atij të balotazhit për zgjedhjet lokale të 9 nëntorit dhe zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen gjatë dhjetoirit 2025. Rezultatet e zgjedhjeve lokale po dëshmojnë për maturim politik veçmas të elektoratit në qendrat më të mëdha urbane, ku shpërfaqet interesi në rritje për çështjet sociale dhe ekonomike, duke reflektuar një angazhim më gjithëpërfshirës qytetar në procesin politik.
Në këtë kontekst, çdo vendim i Qeverisë ka peshë të dyfishtë: si instrument ekonomik dhe si sinjal politik. Kështu, vendimet e marra sot nga Qeveria Kurti — rritja e pagës minimale dhe paketa e re sociale për qytetarët në nevojë — nuk janë thjesht masa ekonomike, por pjesë e strategjisë së qeverisë për të konsoliduar legjitimitetin popullor para zgjedhjeve vendimtare.
Që nga ardhja në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e ka ndërtuar identitetin e saj politik mbi tri shtylla:
- Sovraniteti politik (pavarësia e vendimmarrjes nga ndikimet e jashtme),
- Drejtësia sociale, dhe
- Lufta kundër korrupsionit.
Vendimi për rritjen e pagës minimale, përforcon pikërisht shtyllën e dytë.
Në aspekt elektoral, kjo masë prek drejtpërdrejt rreth 120–150 mijë qytetarë, kryesisht punëtorë në sektorin privat dhe publik me paga të ulëta — pra, segmenti më aktiv në trupin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në anën tjetër, masa është politikisht e arsyeshme dhe e mençur sepse:
- krijon ndjesinë e kujdesit qeveritar ndaj shtresave të ulëta;
- nxit konsum të brendshëm, pra një lloj “ekonomie morale”;
- dhe parandalon manipulimin elektoral të opozitës, e cila tradicionalisht ka akuzuar qeverinë për “mungesë politike sociale”.
Ndërkaq paketa sociale: nga ndihma ekonomike tek ndjenja e sigurisë shtetërore e miratuar më 31 tetor 2025 në mbledhjen e Qeverisë përfshin:
- shtesa për pensionistët me të ardhura të ulëta,
- subvencione për energjinë për familjet vulnerabël,
- dhe mbështetje për punëtorët sezonalë e për nënat vetushqyese.
Në diskursin politik, kjo përkthehet në politikë të kujdesit publik. Në gjuhën e strategjisë elektorale, paketa të tilla janë “masa të ndjeshme” (sensitive measures), të cilat krijojnë ndjesi mirënjohjeje dhe kujtese pozitive në prag të votës.
Në këtë pikë, VV-ja fiton terren përballë partive tradicionale si LDK dhe PDK, të cilat ende shfaqen si forca të lidhura me oligarkinë dhe klientelizmin, ndërsa Kurti paraqitet si përfaqësues i “politikës së drejtësisë”.
Efekti në zgjedhjet lokale dhe përgatitja për ato parlamentare do të jetë i ndjeshëm.
a) Në zgjedhjet lokale (balotazhi i 9 nëntorit)
- Rritja e pagës minimale dhe paketa sociale nxisin pjesëmarrjen e elektoratit të ulët ekonomikisht, që shpesh është më pasiv në zgjedhje lokale.
- Në komunat e veriut dhe Mitrovicës, ku çështjet e sigurisë dhe punësimit janë të ndjeshme, këto masa përkthehen në riformatim të ndjenjës së besimit tek qeveria qendrore.
- Në zonat tradicionale të LDK-së dhe PDK-së (Ferizaj, Pejë, Skenderaj), efekti do të jetë më i kufizuar, por perceptimi i “përkujdesit shtetëror” do të ulë tensionin anti-qeveritar.
b) Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit
- Nëse zbatimi i masave është i shpejtë dhe transparent, Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në garë me avantazh moral dhe social.
- Partnerët ndërkombëtarë (sidomos BE dhe S&D) e shohin këtë si pjekuri të modelit qeverisës socialdemokrat — çka i jep Kurtit kredibilitet të ri ndërkombëtar.
- Megjithatë, ekziston rreziku që opozita ta interpretojë këtë si “instrument elektoral”, ndaj komunikimi publik duhet të jetë i pastër dhe faktik.
Në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2025, faktori ekonomik do të jetë përcaktues në orientimin e votës. Prandaj, nëse qeveria arrin t’i transformojë masat e sotme nga “premtime buxhetore” në përvoja reale të qytetarëve, atëherë efekti elektoral i tyre do të jetë vendimtar — jo vetëm për fitoren e VV-së, por për legjitimimin e modelit të saj të qeverisjes si një formë e demokracisë sociale në veprim.
Pavarësisht kritikave nga opozita, Albin Kurti e ka pozicionuar veten si një udhëheqës i një brezi të ri, i aftë të gjejë një ekuilibër midis dinjitetit kombëtar dhe një orientimi pragmatik evropian. Sondazhet e opinionit konfirmojnë mbështetjen e tij të qëndrueshme, me rreth 50% të votuesve që mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke përforcuar më tej pozicionin e tij në skenën politike të Kosovës1.
8. Përmasat strategjike dhe perspektiva
Nga një këndvështrim më i gjerë, zgjedhjet lokale të 2025-ës treguan se demokracia kosovare po hyn në një fazë të re stabiliteti funksional.
Rritja e interesimit qytetar për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë sinjalizon një kthesë kulturore në vetëdijen politike të shoqërisë.
Megjithatë, përballja e qeverisë me sfida të tilla si integrimi i veriut, dialogu me Serbinë dhe lufta kundër dezinformimit, do të mbetet përcaktuese për cilësinë e demokracisë në të ardhmen.
Në këtë rrafsh, zgjedhjet e dhjetorit 2025 do të jenë shumë më tepër se një rotacion pushteti: ato do të funksionojnë si referendum për modelin e qeverisjes që kosovarët duan ta ndjekin në dekadën e ardhshme — model që përcakton raportin e Kosovës me Perëndimin, por edhe me veten si republikë demokratike.
9. Përfundim
Zgjedhjet lokale të 2025-ës në Kosovë dëshmuan se demokracia nuk është më vetëm procedurë, por kulturë poltike.
Koalicionet lokale të balotazhit të 9 nëntorit 2025 nuk janë thjesht marrëveshje pragmatike për kontroll komunal — ato përfaqësojnë momentin e parë të sinjalizimit të një aleance politike tradicionale që kërkon të mbijetojë përballë epokës së re të demokracisë pjesëmarrëse në Kosovë.
Rritja e pagës minimale dhe paketa e re sociale janë dy akte të kalibruara politikisht dhe ekonomikisht, që përforcojnë profilin socialdemokrat të Qeverisë Kurti.
Nëse shoqërohen me zbatim të drejtë dhe komunikim transparent, ato do të ndikojnë drejtëpërdrejt në rritjen e besimit publik dhe në konsolidimin e fitores së VV-së në zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Pjekuria e elektoratit, fuqizimi i qeverisjes lokale dhe ndërgjegjësimi për rolin e qytetarit si aktor politik, përbëjnë një bazë të re legjitimiteti për shtetin.
Nëse procesi i balotazhit do të mbështesë këtë trend, atëherë Kosova do të ketë hyrë në fazën e konsolidimit demokratik real, duke lënë pas një tranzicion të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm.
Në këtë kuptim, zgjedhjet e dhjetorit 2025 pritet të jenë kulmimi i këtij procesi – një referendum jo vetëm për qeverinë, por për vetë kuptimin e demokracisë në Kosovë.
_______________
1. https://www.ifimes.org/en/researches/local-elections-in-kosovo-2025-between-local-consolidation-and-the-potential-transformation-of-the-political-system-through-early-parliamentary-elections/5658?
2. Po aty
3. Robert A. Dahl, Polyarchy: Participation and Opposition, Yale University Press, 1971.
4. https://ishgj.org/analize/tragjedia-e-politikes-afatshkurter/
5. Po aty
6. Giovanni Sartori, The Theory of Democracy Revisited, Chatham House, 1987.
7. European Parliament (S&D Group), Progressive Alliances in South-Eastern Europe, Strasbourg, 2025.
8. NATO Liaison Office Kosovo, Security Cooperation Report 2024–2025, Prishtina, 2025.
