Nga Dr. Faton BISLIMI
Pas takimit të djeshëm të partive politike me Presidenten, është bërë e qartë se vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por, të themi se në Kuvendin e Kosovës ‘nuk ka shumicë parlamentare,’ kur aty janë 100 deputetë shqiptarë nga 120 gjithsej, është thjesht arsyetim politik, jo mungesë numrash.
Në fakt, Kosova ka një super-shumicë parlamentare në Kuvend, por duket se i mungon një gjë më thelbësore se numrat — përgjegjësia politike dhe shtetërore.
Kjo është mungesë lidershipi. Sepse siç ka thënë Winston Churchill: “Liderët e vërtetë mendojnë për gjeneratat e ardhshme, jo për zgjedhjet e ardhshme.”
Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për lidership që e sheh përtej interesave partiake, përtej kalkulimeve momentale, dhe që vendos interesin kombëtar e shtetëror mbi çdo gjë tjetër.
Koha është tani që të gjithë – pa dallim partie apo përkatësie – t’i kthehemi arsyes, urtësisë dhe përgjegjësisë që na e kërkon populli ynë dhe vetë shteti ynë.
Votuesit nuk ia kanë borxh askujt dështimet që i shkaktohen shtetit nga paaftësia për të marrë vendime.
Ata presin mençuri, bashkim dhe vizion. Dhe këtë, ne si shoqëri, nuk duhet ta kërkojmë më tutje – duhet ta ndërtojmë tani.
Le ta dëshmojmë se mund të mendojmë si shtet, të veprojmë si komb dhe të udhëheqim me përgjegjësi për të ardhmen tonë të përbashkët.
Kosova ka gjithçka që i duhet, dhe që të ecë përpara e të mos vendnumërojë i duhet lidership pragmatik që sheh në sy gjeneratat e ardhëshme me përgjegjësi, e jo vetën para pasqyrës me dashuri!
