Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Kur në Kosovë organizoheshin protesta, një nga shqetësimet kryesore të strukturave të sigurisë, organizatorëve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë ishte parandalimi i infiltrimit të huaj dhe i njollosjes së protestave.
Madje, kishte përpjekje reale për infiltrimin e tyre, të cilat u parandaluan.
Në Shqipëri dhe Serbi shohim një qasje tjetër. Vuçiqi dhe Rama, përballë protestave, përdorin akuza për ndërhyrje të jashtme: herë duke përmendur Rusinë, herë Iranin e herë Perëndimin.
Dallimi është i thellë dhe sistemik: në njërin rast synohet mbrojtja e protestave nga infiltrimi, ndërsa në tjetrin, protestuesit paraqiten si instrumente të ndikimit të huaj.
Por këtu lind një pyetje shumë më e rëndësishme:
Çfarë e lidh kaq fort një njeri me pushtetin, saqë është i gatshëm ta trajtojë pakënaqësinë e popullit të vet si kërcënim ndaj shtetit?
A është vetëm ambicia politike? Frika nga humbja e privilegjeve? Rrjetet klienteliste? Korrupsioni? Apo lidhjet me krimin e organizuar?
Kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se qytetari, duhet të shtrohet pyetja nëse po mbrohen institucionet demokratike apo interesat e atyre që i kontrollojnë.
Sepse shteti nuk është pronë e qeverisë dhe protesta kundër qeverisë nuk është tradhti ndaj shtetit.
