Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Kur një pushtet nuk është më në gjendje t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, ai zakonisht zgjedh rrugën më të lehtë: sulmin ndaj atyre që i artikulojnë ato. Kjo po ndodh sot në Shqipëri.
Në vend që debati publik të përqendrohet te thelbi i krizës politike, vet kryeministri dhe një pjesë e aparatit propagandistik përpiqet ta zhvendosë vëmendjen te individët, te etiketimet dhe te linçimi verbal. Por asnjë sulm personal nuk e zhbën dot faktin se në sheshe janë ngritur kërkesa konkrete politike:
- Dorëheqja e Edi Ramës;
- Krijimi i një qeverie teknike;
- Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme;
- Ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore;
- Mbrojtja e interesit publik dhe pasurive kombëtare.
Mbrëmë në Tiranë, derisa po vazhdonte dita e 24-t e protestës, qeverisë dhe opozitës ju dërgua një mesazh i qartë, që asnjë parti nuk mund ta injorojë. Sloganet kishin në shënjestër Edi Ramën dhe qeverinë e tij, por edhe opozitën [PD] që shumë qytetarë nuk e shohin më si alternativë bindëse. Ky është një sinjal që tejkalon fatin politik të një individi apo të një partie. Ai shpreh refuzimin e një kuadri politik që, në sytë e një pjese në rritje të shoqërisë, ka dështuar të prodhojë prosperitet, transparencë dhe besim. Shqipëria ka nevojë për rinovim demokratik dhe jo për një pazar të ri të mbyllur mes elitave të konsumuara nga pushteti dhe opozitarizmi formal.
Këto janë çështje që kërkojnë përgjigje politike. Ato mund të kundërshtohen, mund të debatohen, mund të refuzohen me argumente. Por kur pushteti dhe zëdhënësit e tij zgjedhin të sulmojnë personin në vend të argumentit, respektivisht esencën e protestës – kërkesat e parashtruara në mënyrë taksative, atëherë lind dyshimi i arsyeshëm se nuk kanë përgjigje për vetë problemin.
Historia politike na mëson se demonizimi i kundërshtarit është zakonisht stacioni i fundit para falimentimit moral të një regjimi. Kur mungojnë argumentet, prodhohen shpifjet. Kur mungon legjitimiteti, aktivizohet propaganda. Kur mungon besimi te qytetarët, fillon lufta kundër individëve.
Askush nuk është i detyruar të pajtohet me kërkesat e protestës. Por çdo demokrat është i detyruar të mbrojë të drejtën që ato të dëgjohen dhe të debatohen seriozisht. Përndryshe nuk kemi më garë idesh, por imponim pushteti; nuk kemi më demokraci funksionale, por një sistem që kërkon bindje dhe jo qytetari.
Prandaj, pyetja që shtrohet sot nuk është kush i artikuloi këto kërkesa. Pyetja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e rëndësishme: çfarë përgjigjeje ka pushteti për to?
Deri tani, përgjigjja ka qenë heshtja ndaj problemeve dhe sulmi ndaj njerëzve. Dhe kjo është shenja më e qartë se kriza nuk ndodhet te protestuesit, por te vetë pushteti.
