Nga Lirim GASHI
Nëse ndonjë pushtetar në Tiranë e ka seriozisht luftën kundër antisemitizmit, atëherë koha e deklaratave ceremoniale ka mbaruar. Antisemitizmi nuk luftohet me fjalime të bukura nëpër konferenca ndërkombëtare, por me veprime konkrete që provojnë se shteti e ka seriozisht atë që thotë.
Prandaj ekzistojnë dy prova të thjeshta.
E para: të identifikohet dhe të ndiqet penalisht gruaja e maskuar që, në mes të ditës dhe para syve të policisë, hoqi flamurin e Izraelit nga ambientet e Ambasadës izraelite në Tiranë. Nëse një simbol diplomatik mund të poshtërohet publikisht pa pasoja, atëherë problemi nuk është vetëm tek autorja e aktit, por edhe tek mesazhi që shteti u dërgon spektatorëve: se disa forma të urrejtjes mund të tolerohen.
E dyta: të rishqyrtohet organizimi i koncertit të Kanye West-it më 11 korrik.
Kjo nuk është çështje muzike. Nuk është debat për ritme, albume apo preferenca artistike. Është çështje e kufirit moral që një shoqëri vendos përballë propagandës së urrejtjes.
Kanye West nuk është bërë figurë kontroverse sepse ka eksperimentuar me artin. Ai është bërë figurë kontroverse sepse ka eksperimentuar me glorifikimin e fanatizmit. Ka përhapur teori konspirative antisemite, ka folur për një komplot global hebraik, ka kërcënuar hebrenjtë dhe ka shprehur admirim për Adolf Hitlerin, figurën më famëkeqe të shekullit XX. Në një epokë kur bota përpiqet të kuptojë se si lind urrejtja kolektive, ai ka zgjedhur të luajë rolin e reklamuesit të saj.
Prandaj nuk është rastësi që në vende të ndryshme koncertet e tij janë anuluar ose refuzuar. Sepse disa shoqëri kanë vendosur se liria artistike nuk është licencë për të normalizuar fanatizmin.
Këtu fillon paradoksi shqiptar.
Nga njëra anë dëgjojmë deklarata solemne për tolerancën, bashkëjetesën dhe respektin ndaj komunitetit hebre. Nga ana tjetër shtrohet tapeti i kuq për një njeri që është bërë simbol global i retorikës antisemite.
Është sikur komuna të organizonte një konferencë për mbrojtjen e pyjeve dhe në fund të ceremonisë t’i dorëzonte sëpatën e artë zjarrvënësit të vitit.
Ose sikur të shpallte javën kundër korrupsionit dhe mysafir nderi të ftonte hajdutin më të famshëm të lagjes.
Problemi nuk është kontradikta. Problemi është komoditeti me të cilin kontradikta shndërrohet në politikë shtetërore.
Nëse Kanye West është i papërshtatshëm për një varg qytetesh perëndimore, nëse emri i tij është bërë sinonim i provokimit antisemit, atëherë lind një pyetje e thjeshtë:
Çfarë po përpiqet të provojë Tirana duke e mirëpritur?
Se është më tolerante se demokracitë që e kanë refuzuar?
Se është më e hapur ndaj lirisë së shprehjes?
Apo se është aq e etur për spektakël sa nuk e dallon më ndryshimin midis artistit dhe propagandistit?
Sepse ekziston një moment kur një koncert pushon së qeni koncert dhe bëhet deklaratë politike.
Dhe kur një shtet e promovon një figurë të tillë, ai nuk po shet vetëm bileta.
Po e shet edhe një mesazh.
Pyetja është: cilin?
