Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Ndërsa ende kërkohen viktimat e krimeve të Serbisë, Vuçiq kërcënon Kosovën me një luftë të re.
Kjo javë e tregon në mënyrën më të qartë kontrastin mes viktimës dhe agresorit.
Në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut po zhvillohen gërmime në një lokacion ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive me mbetjet mortore të shumë intelektualëve shqiptarë. Janë arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte, ndërsa ekziston dyshimi se mbetjet mortore mund të lidhen me 23 shqiptarët e rrëmbyer dhe të zhdukur në prill të vitit 1999. Pas më shumë se 27 vitesh, familjet e tyre ende presin drejtësi dhe identifikimin e më të dashurve të tyre.
Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaron se Serbia “ka çdo arsye për të hyrë në luftë”, ndërsa krenohet me armatimin dhe kapacitetet ushtarake të vendit të tij.
Ky është paradoksi që nuk duhet normalizuar.
Ndërsa viktimat e gjenocidit dhe krimeve të luftës së Serbisë vazhdojnë të kërkohen në varreza të dyshuara, udhëheqësi i të njëjtit shtet kërcënon me luftë dhe përpiqet ta paraqesë atë si një opsion të justifikueshëm.
Në një kohë kur paqja në Lindjen e Mesme po përballet me sfida serioze dhe lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon pa një zgjidhje në horizont, Vuçiqi dhe Serbia po përdorin retorikën e luftës, duke lënë të kuptohet se zhvillimet globale mund të krijojnë një mjedis më të favorshëm për realizimin e objektivave të tyre politike ndaj Kosovës, në përputhje me logjikën e iniciativës për multipolarizimin e botës.
Paqja nuk mbrohet duke kërcënuar me luftë. Ajo mbrohet duke u përballur me të kaluarën, duke zbardhur krimet, duke gjetur të zhdukurit dhe duke vendosur drejtësi për viktimat. Kush pret të arrihet kjo nëpërmjet stabiliokracisë dhe politikës së paqëtimit, realisht është duke i dhënë jetë një eskalimi të gjendjes aktuale.
