Nga Red VRAKU / Tiranë
Ka një moment kur një pushtet pushon së debatuari me argumente politike dhe fillon të sulmojë qytetarët e tij. Ky është pikërisht ai momenti kur pushteti nuk qeveris më realitetin, por po qeveris frikën e vet.
Edi Rama duket se ka hyrë pikërisht në këtë fazë.
Tanimë që protesta ka arritur pjekurinë e saj, po hyn nê ditën e 27 me një masivitet të paparë në këto 36 vjet, ka një grup organizator dhe ka ofruar një zgjidhje për krizën, me pak fjalë nuk është më një shpërthim emocional, por është kthyer në një realitet politik, ai në vend që të shpjegojë pse mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë si asnjëherê në historinë shqiptare të këtyre 36 viteve, po përpiqet ta zhvendosë debatin nga thelbi te armiku imagjinar.
Kjo është metoda klasike dhe më e vjetër e çdo pushteti që ndjen se toka po i rrëshqet nën këmbë. Kur nuk mund të luftosh revoltën, fillon dhe shpall tradhtarë ata që revoltohen, kur nuk mund të shpjegosh krizën, shpik komplotin nderkombtar, kur nuk bind dot qytetarët, përpiqesh t’i frikësosh me burg, kur nuk të ka mbetur më autoriteti, përpiqesh të imponosh frikën.
Dhe pikërisht këtu qëndron dobësia e tij më e madhe.
Një qeveri e sigurt në vetvete nuk ka nevojë të etiketojë protestuesit, nuk ka nevojë frikësojë protestuesit, nuk ka nevojë të gjejë sponsorë të padukshëm pas çdo pankarte.
Ajo u përgjigjet sfidave vetëm duke adresuar shqetësimet reale me zgjidhje politike.
Por , Rama ka zgjedhur që jo vetëm të mos e bëjë këtë, por nga dita e djeshme retorika e tij është bërë edhe më e ashpër, me paralajmërime për arrestime dhe masa ndëshkuese me shpresë se kjo do të ndalet.
Po historia politike ka treguar se frika funksionon vetëm kur zemërimi është i vogël, sepse kur zemërimi kthehet në revoltë, kërcënimet shpesh prodhojnë efektin e kundërt. Ato, pra kërcnimet, jo vetëm nuk e shuajnë protestën, por e ushqejnë atë.
Nëse qeveria vazhdon të merret me etiketimin e qytetarëve të saj, në vend që të adresojë shkaqet e pakënaqësisë, kriza rrezikon të hyjë në një spirale të rrezikshme.
Sepse kur një kryeministër nuk lufton më krizën, por qytetarët që ia kujtojnë atë, ai nuk është më zgjidhja e problemit. Ai është bërë vetë problemi.
