Nga Lirim Gashi / Shkrimtar
Asimilimi nuk fillon në çastin kur njeriu e ndryshon emrin e tij.
Ai fillon në çastin kur ai fillon ta urrejë pasqyrën e vet, vetëm pse aty e sheh prejardhjen e vet.
Tragjedia më e madhe nuk nis atëherë kur dikush ta pushton tokën. Ajo nis në çastin kur dikush arrin ta pushtojë kujtesën tënde.
Sepse atëherë lind njeriu që e sheh origjinën e vet si një barrë, ndërsa identitetin e huaj si një simbol nderi.
Ai nuk përpiqet vetëm ta harrojë gjuhën, kulturën dhe historinë e vet.
Ai përpiqet t’i fshijë ato edhe nga kujtesa e të tjerëve.
Sikur t’i jepej mundësia, ai do t’ua vendoste edhe deleve të veta fesin osman apo shajkaçën serbe mbi kokë, vetëm që të mos mbetej asnjë gjurmë nga rrënjët e tij.
Dhe pastaj dëgjojmë nga disa zëra brenda Bashkësisë Islame të Kosovës përralla të turpshme dhe qesharake, sipas të cilave gjoja perandoritë na paskan shpëtuar nga asimilimi – sidomos Perandoria Osmane.
Por historia nuk gjykohet me legjenda të sajuara.
Ajo gjykohet nga realiteti i shqiptarëve të Mamushës, Gorës, Sanxhakut, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Turqisë – shqiptarë të cilët edhe sot e kësaj dite më shumë krenohen me hijen e asimiluesve të tyre, sesa me dritën e paraardhësve të tyre.
Ose, thënë edhe më saktë: shqiptarë të cilët më shumë krenohen me hijen e pushtuesve që ua kanë shkatërruar identitetin kombëtar, sesa me dritën e paraardhësve të tyre ilirë dhe shqiptarë, të cilët e përbëjnë rrënjën dhe trungun e pemës së tyre familjare.
Sigurisht, çdo njeri ka të drejtë ta zgjedhë identitetin e vet.
Por kur dikush arrin deri në atë pikë sa jo vetëm ta justifikojë procesin e asimilimit dhe ta idealizojë asimiluesin, por edhe të bashkëpunojë më ngushtë se sa vetë serbët e Kosovës, me strukturat politike, juridike, prokuroriale, inteligjente, policore dhe ushtarake të Millosheviqit që e kanë synuar shtypjen, dëbimin dhe shfarosjen totale të shqiptarëve – popullit nga i cili edhe vetë rrjedhin –, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me një zgjedhje personale identitare.
Aty shfaqet paradoksi i njeriut që dashurohet marrëzisht në dorën e cila dikur ka tentuar ta zhdukë edhe vetë ADN-në e tij.
Psikologjia e quan këtë Sindromë të Stokholmit. Historia e quan humbje të kujtesës kolektive.
Ndërsa satira ime e quan fitore përfundimtare të asimiluesit mbi të asimiluarin – një fitore që nuk kërkon më as pushtim të drejtpërdrejtë, sepse beteja është zhvendosur në mendjen e njeriut.
Dhe pastaj e pyesim veten pse jemi ende pothuajse kombi i vetëm autokton në Evropë që nuk e ka zgjidhur plotësisht çështjen e vet kombëtare dhe shtetërore, ndërkohë që vazhdojmë t’i mbulojë dobësitë dhe gabimet tona historike me këngë folklorike, ku heronjtë e mëdhenj i vëmë në pikëpyetje.
Mirëpo ne nuk mjaftohemi me kaq : Ne i shndërrojmë heronjtë e vegjël në legjenda të mëdha, ndërsa tradhtarët më të mëdhenj i fshehim pas heshtjes dhe harresës kolektive.
Mirëpo një popull që nuk guxon ta shohë të kaluarën në pasqyrë, fillon ta pikturojë atë me ngjyra shumë herë më të bukura se sa vetë realiteti.
Ai krijon mite për trimat e paktë, ndërsa i harron ata që në çastet vendimtare e shitën interesin e tij për pushtet, privilegje dhe lavdi personale.
Dhe nëse sot ekziston një figurë që i mishëron të gjitha tiparet e tradhtise siç janë oportunizmi politik, afrimi me interesat e huaja dhe largimi nga idealet kombëtare, atëherë kjo figurë është për fatin tonë tragjik, Edi Rama, Kryeministri aktual i Shqipërisë.
Prandaj, ata që në Edi Ramën e shohin Babain e Kombit, le të shikohen në pasqyrë dhe le ta pyesin vetën: A mos vallë padashur po fshihen nga drita e Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit nën hijen e Edi Ramës dhe Esat Toptanit.
Sepse historia nuk shkruhet vetëm me këngët që i këndojmë për fitoret tona.
Ajo shkruhet edhe me pyetjet e vështira dhe të pakëndshme që kemi guximin t’ia bëjmë vetvetes.
