Nga Arbër Zaimi, politolog
Specialisti kryesor i politikës ndërkombëtare në Financial Times, Gideon Rachman, para një jave shkroi në atë gazetë se në Washington ka dëgjuar zyrtarë që ankohen për “estonizimin” e politikës europiane, me siguri e kanë patur fjalën për kryediplomaten europiane, ish-kryeministren estoneze Kaja Kallas.
Rachman shkruan se, te disa anëtarë të administratës Trump vendet baltike shihen si shumë agresive në raport me Putinin:
“Në një takim të nivelit të lartë në Pentagon të mbajtur kohët e fundit, zyrtarët nga vendet baltike janë akuzuar si shumë “ideologjikë” në armiqësinë që kanë me Rusinë. Është krijuar një mungesë besimi mes amerikanëve dhe baltikëve”, konkludon Rachman.
Por, në ditët që pasuan, pra në javën e shkuar, qëndrimi i presidentit amerikan sa i përket Rusisë u shfaq krejt i ndryshëm, tashmë fort i përafërt me perspektivën e vendeve pranë kufirit të zonës së influencës ruse, siç janë ato baltike, apo edhe skandinave a ballkanike.
Gjatë javës së mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trumpi dha garanci për rritjen e mbështetjes për Ukrainën, shkroi në rrjetet sociale se beson te synimi për kthimin 100% të territorit, e para dy ditësh në takim me udhëheqësit ushtarakë amerikanë Trumpi foli në mbështetje të NATO-s, me kritika të ashpra Putinit, e tregoi edhe për lëvizje nëndetësesh strategjike nukleare, që janë armët më të fuqishme ekzistuese, për të dëshmuar se nuk i ka vetëm fjalë.
Zyrtarët që i janë ankuar gazetarit të njohur, Rachmanit, për ashpërsinë antiruse të Estonisë dhe të Kallasit, sot mund të kenë mbetur si peshku pa ujë.
Çka po ndodh?
Shpjegimi i thjeshtë është ky:
Trump i pati dy synime strategjike me ardhjen në pushtet:
1. Ulja e kostove amerikane në NATO dhe bartja e këtyre kostove te partnerët europianë etj.
2. Detanta me Rusinë, sepse konsideruar nga buxheti, Rusia i duket e papërfillshme pra e parrezikshme, ndërsa Kina i duket shqetësim kryesor.
Të dyja këto synime nuk i ka patur vetëm Trumpi, por secili president prej GW. Bushit.
Synimin e parë Trumpi e ka arritur me një metodë jokonvencionale e jodiplomatike. Ai u tha europianëve se, nëse nuk do paguajnë përqindjen e tyre për mbrojtjen e vetvetes, Amerika nuk do t’i mbrojë më. Foli për tërheqje bazash e ushtarësh, foli edhe për ndoshta mbylljen krejt të NATO-s. Me siguri, çdo studiues i politikës ndërkombëtare e di se Amerika nuk i mban bazat e ushtarët nëpër botë thjesht për bamirësi, por në radhë të parë për të projektuar pushtetin e saj global, gjë që i sjell fitime të shumëllojshme. Edhe nga NATO, Amerika më shunë ka fituar se ka humbur, jo thjesht në sensin e krijimit të tregut ekskluziv për teknologji të shtrenjtë ushtarake, por edhe në kuptime gjeostrategjike.
Duke i patur parasysh këto interesa të thella, politikanët europianë nuk i kanë marrë si shumë urgjente kërkesat e presidentëve të mëparshëm amerikanë. Prandaj Trumpi u detyrua të përdorë kërcënime e diskurs që duket goxha i paqëndrueshëm e i paekuilibruar, për t’i bërë t’ia plotësojnë kërkesat. Tash vendet europiane e vende të tjera i kanë rritur ndjeshëm buxhetet e tyre ushtarake dhe kontributet në NATO. Dikur as 2%, sot 5% vendet europiane, e disa vende lindore edhe më lart. Prandaj Trumpi e ndryshoi retorikën, e tash deklaron me krenari se “më quajnë presidenti i NATO-s”.
Synimin e dytë Trumpi u përpoq ta arrijë duke krijuar dritare komunikimi me Putinin, pavarësisht shqetësimeve dhe kundërshtimeve europiane, e sidomos atyre që vinin nga vende pranë Rusisë. Për ta mbajtur hapur këtë dritare, Amerikës iu desh të godasë performativisht disa prej aleatëve të vet më anti-rusë. Por goditjet ishin të tilla që të shkaktonin maksimumin e zhurmës, por minimumin e dhimbjes. Goditje e tillë ishte përplasja e Vanceit me Zelenskyn për çështje kostumi në Shtëpinë e Bardhë (apo edhe disa qortime e masa të lehta e formale ndaj disa aleatëve të tjerë). Trumpi sidoqoftë pati përpjekje të sinqertë për paqe në Ukrainë, por në rastet e tilla ku mungon fitorja decizive apo edhe avancimi, paqja arrihet kur palët lënë hapësirë që tjetri të dalë me dinjitet nga procesi i paqes. Putini deri më tani nuk i shfaq i interesuar për t’i lënë dinjitet Ukrainës, e kjo në analizë të fundit lexohet si përpjekje për të trajtuar pa dinjitet edhe Amerikën e NATO-n. Mund të ndodhë që Putini të ketë lexuar e t’i ketë marrë si të njëmendta qëndrimet e mëhershme të Trumpit, ku ky kritikonte NATO-n dhe luftën në Ukrainë, apo edhe goditjet formale që presidenti amerikan ia ka bërë disa aleatëve antirusë. Pra, mund të ndodhë që të ketë besuar se i erdhi “zogu në dorë”. Por lëvizjet e fundit të Trumpit tregojnë se nëse Putini mund të ketë llogaritur kështu, mund të ketë llogaritur keq.
Lufta në Ukrainë duket se do të zgjasë dhe ca, ndoshta vite. Për momentin pozita e Amerikës dhe e Trumpit është afruar me atë të europianolindorëve antirusë. Zyrtarët që janë ankuar për estonianizimin e Europës nga Kaja Kallas do të frustrohen pak ditë e do të kalojnë te projekti i radhës, se nuk kanë aq kohë për t’u hidhëruar. Në një të ardhme të afërt apo të largët, kur të shfaqen sërish prospektet e paqes, ka mundësi që Trumpi apo presidenti pasardhës sërish të qortojë aleatët e vet për të krijuar dritare me Moskën. Kjo është tipike për marrëdhëniet mes fuqive të mëdha. Por vendet kufitare, si Estonia e vendet baltike, apo edhe vendet ballkanike, të Detit të Zi e të Skandinavisë, janë të detyruara nga rrethanat e nga historia që të kenë një qasje shumë më të kujdesshme, më konsistente e më dyshuese, kur vjen puna te Rusia e aleatët e saj.